Vrau shtetasin Ylli Pepa / Humbet betejën ligjore, gjykata vendos ekstradimin e Fatjon Kaprit

0
181

Skoci

Avokatët luajnë kartën e gjyqësorit të korruptuar, gjyqtarët e Apelit rrëzojnë pretendimet dhe vendosin pro dërgimit për rigjykim në Shqipëri

 

21580133Ka humbur betejën e gjatë ligjore, përfundimisht u vendos ekstradimi i tij në Shqipëri. Gjykata Penale e Apelit në Skoci vendosi të premten ekstradimin e Fatjon Kaprit, 34-vjeçari shqiptar të dënuar me 22 vite për vrasje nga Gjykata e Elbasanit. Pavarësisht vendimeve pro dhe kundër tij përgjatë këtyre viteve, avokatët e Kaprit nuk kanë mundur t’u mbushin mendjen tre gjyqtarëve të Apelit Penal, të cilët vendosën që ai të ekstradohet për në vendin e tij ku do t’i nënshtrohet edhe një procesi rigjykimi. Lajmi bëhet i ditur nga agjensia e lajmeve BBC, sipas të cilës i dënuari për vrasje e ka humbur luftën e tij për të mos u ekstraduar. Avokatët pretenduan se çdo rigjykim i çështjes në Shqipëri do të ishte i pandershëm., por që ligjet shqiptare lejojnë praktikisht që shtetasit shqiptarë të ndiqen penalisht për krimet që ata mund të kenë kryer jashtë vendit.  Avokatët pretenduan edhe për korrupsion në gjyqësor, madje si një problem i vjetër në drejtësinë shqiptare, duke iu referuar Nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Por, kanë reaguar gjyqtarët e Apelit të Edinburgut Lord Carloway , Lady Dorrian dhe zoti Bracadale, duke hedhur poshtë pretendimet e avokatëve. Gjykatësi Carloway u shpreh se “gjykata nuk dëgjoi asnjë provë  se një proces i zakonshëm për vrasje apo edhe çdo proces i rregullt gjyqësor për ndonjë vepër të rëndë do të afektohej nga korrupsioni në drejtësi”. Madje, ai shtoi se “nëse korrupsioni ekziston në një shkallë të konsiderueshme në sistemin e drejtësisë, kjo është është deri diku në rastet kur ndiqen penalisht figura me influencë politike, pjesëtarë të krimit të organizuar apo për miqtë dhe familjet e tyre respektive”. Një vendim i disa kohëve më parë nga Gjykata Supreme e kishte liruar me kusht 34-vjeçarin Kapri.

Vendimi

Para vendimit të Gjykatës Supreme, e cila vendosi lirimin e tij, Gjykata Penale e Apelit në Edinburg në Skoci u shpreh pro ekstradimit për në Shqipëri të Fatjon Kaprit, të riut nga Elbasani, i dënuar nga gjykata e këtij qyteti me 22 vite burg për vrasjen e Ylli Pepës. Krimi i rëndë ka ndodhur në kryeqytetin anglez në Londër, ndërsa vendimi është dhënë nga Gjykata e Elbasanit pasi materialet hetimore iu përcollën asaj nga autoritetet britanike, të cilat e sollën për gjykim në Elbasan. Prej 4 vitesh, i riu nga Elbasani qëndron në qelitë e burgut në pritje të ekstradimit drejt Shqipërisë, ndërsa qysh në momentin e prangosjes në qershor të vitit 2010, ai ka vijuar betejat ligjore për mosekstradimin e tij në vendin tonë. Megjithatë, pavarësisht këtyre tentativave, dje Gjykata Penale e Edinburgut ka pranuar kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Kaprit për në Shqipëri. Arrestimi i tij 3 vite më parë u njoftua edhe nga autoritetet policore në Shqipëri, konkretisht nga policia e Elbasanit, e cila bëri me dije zyrtarisht se falë informacioneve të dhëna homologëve në Britaninë e Madhe, është rënë në gjurmët e Kaprit dhe Interpol ka bërë të mundur arrestimin e tij në Skoci, ku prej vitesh kishte ndërruar edhe identitet dhe kishte krijuar një lidhje dashurie me një skoceze. Ai ishte larguar drejt Gllasgout disa ditë pas krimit, duke u fshehur në identitetin e Sajmir Sadikut, ndërsa pas përfundimit të kolegjit ku përmirësoi dukshëm gjuhën angleze, ai filloi punë një në dyqan “Blue Lagoon” në Gordon Street, në qendër të qytetit.

Akuza

Fatjon Kapri, i cili prej vitesh fshihej nën identitetin e rremë Sajmir Sadiku akuzohet se në vitin 2001 ka vrarë me thikë në Londër shokun e tij Ylli Pepa. Sipas policisë, 34 vjeçari, lindur në Cërrik dhe banues në Elbasan, në lagjen “28 Nëntori”, është dënuar dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia që nga data 17 prill 2002. Këtë ditë ai është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me 22 vite burg për veprën penale të “vrasjes me paramendim”. Policia ka bërë të ditur se ai akuzohet për vrasjen me thikë të Ylli Pepës. Ngjarja kishte ndodhur pas një zënke dhe 31-vjeçari e ka goditur me mjetin prerës Pepën, duke i sjellë dhe vdekjen. Kjo ngjarje ka ndodhur në shtetin britanik ndërsa pas dosjes së ardhur nga ky shtet, gjykimi ka vijuar në Gjykatën e Elbasanit. Megjithëse vrasja ka ndodhur në Londër, sipas legjislacionit shqiptar, kur Prokuroria Shqiptare njoftohet për një vrasje të kryer nga një shtetas shqiptar, atëherë automatikisht nis procedimi penal. Oficerë të Scotland Yard së bashku me dëshmitarët okularë dhanë dëshmi në gjykatën e Elbasanit për vrasjen e Ylli Pepës duke paraqitur edhe provat e ADN-së që i përkisnin Fatjon Kaprit. Fillimisht ai e ka mohuar të jetë Fatjon Kapri, por, pasi është kryer krahasimi ADN-së së gjetur në trupin e viktimës, ka rezultuar se është e njëjtë me atë të Kaprit i cili pritet të ekstradohet shumë shpejt për në Shqipëri.

Romanca

Megjithëse Fatjon Kapri ishte njëri prej shqiptarëve më të kërkuar nga Interpol Tirana, gjatë fshehjes në Skoci ai kishte ndërtuar një romancë dashurie me një grua skoceze duke jetuar një jetë të dyfishtë. Historinë e kësaj romance me killerin shqiptar, 44-vjeçarja me emrin Jean Goudie, nënë e tri fëmijëve, e ka rrëfyer kohë më parë për gazetën skoceze “Sunday Mail”, ndërsa është bërë publike edhe për median online “Express.co.uk”. “Ende nuk mund ta besoj kur policët e Strathclyde arrestuan Fatjonin dhe me treguan se ai është dënuar në mungesë me 22 vite burg për vrasje. Ishte me të vërtetë një tronditje. Të gjithë ata që e kanë marrë vesh lajmin e arrestimit janë habitur. Kush e njeh e kupton se ai rrallë mund ta humbte durimin”, ka treguar ajo. Fatjon Kapri i cili në Skoci përdorte emrin Sajmir Sadiku, është njohur me Jeam në një dyqan ku ai punonte në qytetin e Gllasgout. Sipas saj, tri gjyqtarë nga Gjykata Penale e Apelit në Edinburg refuzuan kërkesën e tij për mosekstradimin drejt Shqipërisë. Kapri akuzohet se gjatë një sherri me shokun e tij Pepa, e ka qëlluar këtë të fundit 4 herë më thikë duke i shkaktuar vdekjen.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency