“Zhdukja e 4.3 milionë deklaratave fiskale” Berisha propozon komision hetimor parlamentar

0
133

Florenc Drizari

 

Ish-kryeministri: Janë lëvizur datat dhe me këtë akt janë vendosur automatikisht në kushte gjobe qindra e mijëra biznese, ndër të cilat ambasada të vendeve mike

 

BERISHAAAIsh-kryeministri Sali Berisha doli mbrëmë në një bashkëbisedim me gazetarët nga ku akuzoi krerët e qeverisë për zhdukjen e rreth 4.3 milionë deklaratave fiskale nga sistemi elektronik i tatimeve. Në krah të Berishës u shfaq edhe drejtori i sistemit të IT në Tatime, Reland Riska (i pezulluar nga detyra disa ditë më parë), i cili shpjegoi se si disa persona të paautorizuar kanë ndërhyrë në sistemin e të dhënave në Tatime. Për këtë çështje ish-kryeministri Berisha deklaroi se do të ndërmarrë një nismë, duke filluar që nga propozimi pranë grupit parlamentar të PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

Berisha tha se në sistemin elektronik të tatimeve ka të dhëna që nuk mund t’i marrë kurrë një kryeministër e as një kryetar i shtetit, sepse ligji këtë të drejtë ia ka njohur vetëm agjentit tatimor që operon me to dhe gjykatësit kur ka dosjet në shqyrtim, prokurorit të shtetit kur ka dosje në hetim.

“Që të gjithë të tjerët pa përjashtim mund të marrin këto të dhëna vetëm pasi të marrin miratimin, pëlqimin me shkrim të zotëruesit të këtyre të dhënave. Vetëm në këtë rrethanë ato humbasin konfidencialitetin. Të dhënat janë rrëmbyer në mënyrën më antiligjore. Ky operacion i kryer me urdhër të kryekrekreut, kryehetuesit, kryeprokurorit Edi Rama është drejtuar nga një këshilltar i tij dhe këshilltari tjetër i IT i ministrit të Financave, vëlla i ministrit Gjiknuri, i cili ndërkohë që shkon për të kryer veprime është vetë në biznes të rëndë si konsulent IT.

Ka ndodhur tjetra shumë e rendë. Janë lëvizur datat dhe me këtë akt janë vendosur automatikisht t’u këpuste gjobën qindra dhe mijëra bizneseve ndër të cilat ambasadat e vendeve mike dhe një seri biznesmenësh që s’kishin asnjë detyrim ligjor”, – deklaroi Berisha.

Sipas ish-kreut të qeverisë, qindra e mijëra bizneseve u janë vendosur gjoba në mënyrë të padrejtë, duke lëvizur datat e deklaratave.

“Janë lëvizur datat dhe me këtë akt janë vendosur automatikisht në kushte gjobe qindra e mijëra biznese, ndër të cilat ambasada të vendeve mike dhe një seri biznesmenësh që s’kishin asnjë detyrim gjobe”, – deklaroi Berisha.

ZHDUKJA E TË DHËNAVE

Pak ditë pasi grupi i auditit ka përfunduar mbledhjen e të dhënave nga sistemi i informacionit të bizneseve në Tatime, ka ndodhur humbja e të dhënave të katër viteve nga kjo bazë të dhënash. Emrat, adresat, detyrimet e paguara dhe të papaguara, xhiroja, statusi dhe informacionet e tjera për mijëra biznese, të regjistruara në katër vjet, është konstatuar se kanë humbur.

Ngjarja ka ndodhur në datën 22 nëntor 2013, kur shefi i sektorit të Teknologjisë dhe Informacionit në Tatime, Renald Riska, ka konstatuar se të dhënat e një periudhe 4-vjeçare nuk ndodheshin në sistem. Ai ishte denoncuar nga titullarja e Tatimeve në lidhje me humbjen e të dhënave të tatimpaguesve nga regjistri elektronik i institucionit për një periudhë 4-vjeçare.

Ndërkohë, Prokuroria ka hapur hetime në lidhje me zhdukjen e të dhënave nga regjistri i bizneseve, ndonëse Gjykata e Tiranës e la të lirë ish-shefin e IT-së, duke vendosur ndaj tij masën “Detyrim paraqitjeje”.

 

 

 

“Belle Air” u falimentua që familjarët e Ramës ta marrin kompaninë”

Ish-kryeministri Berisha komentoi edhe çështjen e “Belle Air”-it, duke akuzuar qeverinë se e falimentoi kompaninë vetëm që familjarët e Kryeministrit Rama të marrin kompaninë ajrore.

“Belle Air” u falimentua, vetëm që familjarët kryesorë të Edi Ramës të marrin kompaninë, sepse “Belle Air” ishte borxhli, por mirë ishte t’ia merrnin ato 7 mln euro po të mos ia merrnin. Pikërisht për të mos ia marrë ato 7 mln euro, u bë një marrëveshje mes kompanisë dhe Ramës dhe emri që qarkullon më shumë si pronar i ardhshëm i vëllait të tij me një eksponent të mafies në Kosovë. Ne po e ndjekim. Do marrim një nismë që të paguhen një për një biletat. Qytetarët duhet të lëvizin. Zgjodhën momentin për ta falimentuar kompaninë, thanë më mirë na del ta falimentojmë dhe e nisim nga e para me byrazerin”, – u shpreh Berisha.

 

 

Rrëfehet drejtori i IT në Tatime pas pezullimit nga detyra

Renald Riska: Nuk e di ku janë çuar të dhënat. Ja si më trajtuan në polici

Shefi i IT, Renand Riska, i pezulluar pas një urdhri të marrë disa ditë më parë nga drejtorja e Tatimeve, shpjegoi dje para medias historinë se çfarë kishte ndodhur që pas marrjes së të dhënave nga sistemi elektronik e deri tek marrja e tij në pyetje në polici.

DEKLARATA E PLOTË E RISKËS

“Në datën 15 nëntor ditën e premte rreth pasdites pranë administratës është paraqitur një grup personash të prezantuar si të dërguar të ministrit dhe Kryeministrit për të marrë të gjitha të dhënat që dispononte administrata tatimore në formë elektronike. Pavarësisht kërkesës sime për dokumentacionin përkatës për bazën ligjore ku mbështeteshin të cilat nuk m’u vunë në dispozicion atë ditë me urdhër të drejtoreshës së Përgjithshme këta persona janë futur për të marrë këto të dhëna. Të dhëna të cilat ligji i procedurës tatimore në bazë të nenit 24 dhe 25 i ndalon rreptësisht. Përcakton qartë kush i merr dhe s’i merr. Këta persona nuk ishin të autorizuara nga ligji. Patëm ndërhyrje në sisteme, patëm ndërhyrje në të dhënat në formë të paligjshme, patëm nxjerrje të të dhënave jashtë administratës tatimore në formë të paligjshme. Duke mos pranuar të firmosnin në asnjë procesverbal, duke mos pranuar të evidentonin veten e tyre në asnjë dokument këta persona kopjuan të gjitha të dhënat që dispononte administrata tatimore dhe i nxorën këto jashtë administratës. Nuk e di se ku i kanë çuar. Që nga dita e premte deri ditën e diel, punuan ditë e natë, hynin në 5 pasdite dilnin në orën 7 të mëngjesit për të marrë këto të dhëna. Ditën e hënë nga stafi i brendshëm i administratës tatimore u evidentuan disa ndryshime në sisteme. Në datën 18 evidentohet ndërhyrja në sisteme, të cilat unë kam edhe procesverbalet përkatëse, dhe te karta e deklarimit nuk ishte data 18, por ishte data 20, 21 bile edhe 31 dhjetor që s’ka ardhur akoma. Mes tyre edhe Ambasada e Republikës Gjermane, e cila është potenciale për t’u penalizuar, këtu rezulton data 21 nëntor, ndërkohë që data ishte 18. Ambasada Italiane e gjetur si e deklaruar me vonesë, kur data ishte vetëm 18 nëntor kur u mbajt ky procesverbal.

Po këto ndryshime datash janë evidentuar edhe në datën 19 nëntor, që përkon me ditën e martë. Ka qenë e vetmja ditë kur unë jam njohur me një letër poshtë derës të një plan auditi i cili kishte në thelb auditimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së, tematika është auditimi i pajtueshmërisë në fushën e sistemit të IT, janë dy fusha krejt të ndryshme që nuk mund të lidhen njëra me tjetrën. Periudha që do të auditohet, 1 janar deri në 31 tetor 2013, ndërkohë që këta persona kanë marrë të dhëna për 20 vitet e fundit. Në datën 21, që përkon ditën e enjte nga stafi i brendshëm i IT identifikohen ndërhyrje në të dhëna, duke mos gjetur deklarata tatimore. Deklarata tatimore që kishte deklaruar vetë biznesi nuk ndodheshin më në sistemin e deklarimit elektronik.

Menjëherë pas kësaj, unë si funksionar, kam organizuar grupet e punës për të identifikuar rastin dhe për të gjetur shkaqet. Rreth orës 11, ende pa evidentuar atë që ndodhi dhe si kishte ndodhur, ne thirremi nga drejtoresha e Përgjithshme bashkë me stafin e IT për të dhënë sqarime. Sqarime të cilat ne ende nuk i kishim, pasi nuk kishim evidentuar akoma çfarë kishte ndodhur. Ajo që mora në atë mbledhje, ishte një kërcënim i qartë: “Ti e ke vendin në burg, do të shkosh në burg”. Faktikisht, ky veprim ndodhi rreth orës 12 e gjysmë, pak minuta më vonë paraqitet policia me oficerët e saj, e cila filloi të na merrte në pyetje, të merrte provat, çfarë kishte ndodhur, pasi nuk e kishin kuptuar ende se çfarë kishte ndodhur dhe jemi mbajtur në zyrat tona prej orës 1 deri në 8 të darkës në prezencë të policisë, duke u ruajtur prej tyre. Rreth darkës u shoqëruam për në polici i gjithë stafi i IT rreth 22 veta për të cilën për mua ka dalë një urdhër arresti dhe jam arrestuar po atë natë.

Të vetmit persona që e morën vesh, ishte vetëm familja, pata daljen në gjykatë ditën e diel, nga ku u cilësua i paligjshëm arrestimi.

Sistemet që sot janë ende të fikur, kushdo mund ta provojë, faqja e tatimeve, shërbimet elektronike nuk funksionojnë më. Me fikjen e këtyre sistemeve kemi biznese që nuk deklarojnë dot, pasi deklarimi bëhet vetëm online, nëse një biznes nuk deklaron dot për rrjedhojë nuk paguan dot. Mospagesa është mungesë e lekëve në dëm të këtij shteti. Është krijuar hapësirë e madhe për evazion dhe abuzime të ndryshme. Regjistrimet e reja të biznesit nuk bëhen, pasi mund të regjistrohen vetëm në QKR, po nuk ka asnjë efekt. Kasat fiskale nuk raportojnë, një reformë shumë e madhe për shumë vite në momentin që filloi, besueshmëria e biznesit për t’i përdorur këto kasa, sot mund të themi se vetëm 10% të tyre mund të funksionojnë. Pjesa tjetër kërkon kosto për t’u rivënë në punë. Është paralizuar komplet puna në administratën tatimore. Mosfunksionimi i administratës tatimore u jep mundësi abuzuesve të bëjnë gjëra që nuk i kemi pasur më përpara dhe nuk mund t’i njoh”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency