Historia e futbollit shqiptar 1905-2013

0
2863

fshfNë Shqipëri sporti më i ndjekur në botë tashmë ka një histori plot traditë dhe gjithmonë është ndjekur me emocione të veçanta. Futbolli në vendin tonë nisi pas dekadës së parë të shekullit XX. Pikërisht atëherë u shfaqën gjurmët e para të dëshirës për të luajtur futboll. Nga 1905 deri më 1908 janë përpjekjet e “djelmënisë” shkodrane në fillim. Emri lojës “topkëmbë” iu vu sepse topi mbështillej me lecka të mbledhura me një copë të trashë dhe ruante formën e rrumbullakët. Një anglez i quajtur Ruter që vizitoi Shkodrën më 1908 u ndal në Kolegjin Saverian. Orientimi fetar dhe ai futbollistik dukeshin se plotësonin për rininë e asaj kohe mjaft mirë njëri-tjetrin. Pas disa përpjekjeve spontane u krijua skuadra e parë në Shkodër me emrin “Indipendenca”, e cila madje luajti të parin takim të saj ndërkombëtar (humbi 1-2) me një skuadër të Ushtrisë Austriake që ndodhej në Shkodër. Ishte vjeshta e vitit 1913. Zhvillimi i vrullshëm që mori futbolli në Shkodër apo dhe në disa qytete të tjera që nisën të ekspozonin të njëjtën dëshirë, çoi në themelimin më 16 shkurt 1919 si bashkim të shoqërive “Mustafa Pasha” e “Vaso Pasha”, të shoqërisë “Vllaznia”, që kishte si synim integrimin jo vetëm sportiv të rinisë po dhe në fushën letrare, kulturore, teatrit, muzikës e gjimnastikës. Në Vlorë, më 1918, gjatë luftës së parë botërore skuadra vlonjate luajti një miqësore me një ekip marinarësh italianë. Në Tiranë sikurse edhe në Elbasan, Durrës, Korçë, Delvinë do të ndiheshin efektet e formimit të skuadrave. Ndeshja e parë e futbollit në Tiranë do të vijë në pranverën e vitit 1920. Luhet pikërisht në vendin ku ndodhet sot stadiumi “Qemal Stafa” me një skuadër austro-hungareze. Më 15 gusht 1920 u themelua në Tiranë shoqëria “Agimi” e cila vetëm një muaj më vonë në fushën e “Shallvares” zhvilloi një takim me ekipin “Juventus” të Shkodrës që krijoi një atmosferë fantastike. Mysafirët fituan 3-1 dhe një fitore tjetër 2-1 ata e përsërisin edhe më 28 nëntor në ditën e 8-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Shoqëria “Agimi” do të merrte emrin Tirana më 1927 edhe pse klika e kohës nuk dëshironte grumbullime e organizime. Ndeshjet e para Tirana i luajti me “Lulëzimin” e Durrësit, “Adriatikun” e Kavajës, “Tomorin” e Beratit etj. Gjatë viteve 1920-1922 u zhvilluan shumë ndeshje nga Vllaznia dhe skuadrat e tjera madje shkodranët shkuan deri në Cetinjë të Jugosllavisë për të zhvilluar ndeshje miqësore. Shkodra ka meritën se më 1920 përmblodhi botimin e rregullores së parë të futbollit. Rëndësia e kësaj rregulloreje tregonte qartë dëshirën dhe nevojën për të organizuar më së miri këtë lojë të dashur e të mirëpritur nga të gjithë në Shqipëri. Në disa qytete u ngritën ekipe si në Korçë, sport-klub “Korça”, në Elbasan shoqëritë “Afërdita” dhe “Përparimi”, në Durrës “Atdheu”, në Kavajë “Adriatiku”, në Berat quhej “Tomori” etj. Për kohen pati rëndësi, sepse u luajtën edhe disa ndeshje ndërkombëtare si Shkodra – Cetinjë (0-4) më 1922, ndërsa dy vjet më vonë Shkodra mundi “Cernagora”-n e Jugosllavisë 1-0. Më 1926 dy ndeshje luan Korça me Manastirin e Greqisë 2-5 dhe 2-2. Më 1927 Tirana luajti me Cetinjën (1-2). Takime të tjera luajti Studenti i Shkodrës në Cetinjë e Podgoricë, skuadra “Zhgaba” e Korçës në Selanik e Hermin. Më 1928 ekipi “Djelmnia Shkodrane” fitoi 6-1 me skuadrën e Tivarit, etj. Për përhapjen e futbollit në vitet e para kanë meritë forcat përparimtare demokratike që e shihnin këtë lojë përveç efekteve të edukimit patriotik në atë periudhë, edhe për t’u organizuar në shoqëri që më pas të luanin një rol të rëndësishëm në jetën qytetare, kulturore e futbollistike kudo në Shqipëri.

Futbolli shqiptar në vitet mes dy luftërave botërore

 

Periudha e drejtimit të vendit nga qeveria e mbretit Zog ka qenë e tillë që e konsideronte futbollin se sillte shqetësime që turbullonin e infektonin rininë. Madje, me një urdhëresë të vitit 1925 u ndaluan të gjithë nëpunësit të merreshin me sport. Situata ndryshoi brenda pak kohesh. Pas vitit 1928 u kërkua të vinin në Shqipëri inspektorë nga Italia të cilët do të ndihmonin në përhapjen dhe zhvillimin e sporteve, veçanërisht të futbollit. Thuajse të njëjtën gjë, por në forma të tjera kërkonin të bënin edhe amerikanët që kishin ngritur në Golem të Kavajës një shkollë të mesme bujqësore. Futbollistët kavajas, të shoqërisë “Adriatiku”, të quajtur pas vitit 1930 me emrin tradicional “Besa” pranuan të ndesheshin amerikanët e madje t’i mundnin ata 2-0. Në Elbasan të rinjtë përparimtarë krijuan shoqërinë “Urani”. Koloneli anglez Hill, ish-agjent i Intiligjent – Servise që drejtonte gjatë luftës misionet e ndryshme arriti të depërtonte thellë në lëvizjen sportive shqiptare. Në startin e kampionatit të parë të futbollit Hill ai nisi të aktivizohet si arbitër e më pas u bë kryetar i komisionit tekniko-gjykues.

Viti 1930

Më 6 qershor qeveria e Zogut përballë presionit të masave sportdashëse nxori dekretin që njohu themelimin e Federatës Sportive Shqiptare. Po këtë vit me angazhimin serioz të këtij organizmi të ri do të niste dhe kampionati i parë Kombëtar i Futbollit me pjesëmarrjen e gjashtë shoqërive sportive. Sport-klubeve të “Tiranës”, “Bashkimi Sportiv” i Shkodrës, “Teuta” – Durrës, “Urani” – Elbasan, “Skënderbeu” Korçë dhe “Muzaka” – Berat. Kampionati nisi por nuk mund të flitej për përkrahje nga shteti e qeveria. Skuadrat dhe drejtuesit e tyre bënin e siguronin gjithçka vetë për kushtet materiale fanella, këpucë, topa dhe metodat e stërvitjes. Fondet e caktuara ishin aq të pakta saqë shuma e vënë në dispozicion të Federatës nuk arrinte të plotësonte as minimumin e nevojave të ekipeve, por megjithatë futbolli u shndërrua në simbolin e pasionit të rinisë e sportdashësve. Futbolli nisi të mbijetonte me mundin e sakrificat e mëdha të njerëzve në çdo qytet. Ndonëse mes këtyre kushteve të vështira sidomos ekonomike, kampionati i parë u mbyll me sukses me fitoren e Tiranës duke shërbyer edhe si garanci për vazhdimësinë e mëtejshme. Ky stabilitet fillestar krijoi kushtet që Federata Sportive Shqiptare të pranohej si anëtare e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), edhe pse gjatë tërë kësaj periudhe të regjimit të mbretit Zog futbollistët tanë nuk morën pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar. FIFA megjithatë i dërgoi ftesë Shqipërisë të ishte pjesëmarrëse në eliminatoret e Botërorit “Francë 1938”, një ëndërr e shuar shpejt për pamundësinë financiare si dhe gjithë hapat e tjerë parapërgatitorë të dështuar. Edhe pse kombëtarja nuk pati fatin të ngrihej, futbolli nisi të kishte një shtrirje të madhe dhe në qytetet si Lushnjë, Fier, Krujë, Burrel, Lezhë, Shijak etj. Në mars të vitit 1934 u dha urdhër të shkrihej Federata Sportive Shqiptare dhe Enti Kombëtar, kështu që të drejtën e organizimit të futbollit duhet ta merrnin krerët e Federatës Sportive “Vllaznia Shqiptare” duke minimizuar më shumë edhe karakterin lokal e shkollor te veprimtarive futbollistike. Pikërisht për këto arsye kampionati kombëtar i vitit 1935 nuk u zhvillua fare. Ndërsa më 1937 nisi me vonesë në prill dhe përfundoi në shkurt 1938 si rezultat dhe i vështirësive ekonomike dhe pakësimit të fondeve nga regjimi zogist. Kampionate të tjera futbolli nuk mundën të vazhdonin më për vitet e luftës, madje u hodh ideja që në vend të tyre të kishte Kupa të Federatës “Vllaznia Shqiptare” sipas ndarjeve krahinore. Tirana luajti tri takime ndërkombëtare 7-0 dhe 2-4 me Cetinjën dhe 3-1 me Kotorrin. Në maj 1938 në Tiranë vjen për një miqësore skuadra e Serisë A, Bari e Italisë, e cila fitoi 2-0. Tirana fitoi thellë në shtator 1938 dhe me Iraklisin e Greqisë 7-0, edhe Skënderbeu fitoi po me këtë skuadër 2-0, kurse Vllaznia luajti me “Jugoslloven” të Kotorrit 0-2 në transfertë dhe 3-0 në Shkodër, ndërsa me “Arsenalin” e Tivarit shkodranët fituan 8-1 dhe 4-0. Të thella ishin fitoret e Tiranës me “Majstor S’Mora” të Splitit 5-1 dhe 5-2 duke u evidentuar fakti i talenteve shqiptarë. Në vitet mes dy luftërave botërore në Shqipëri futbolli përjetoi kohë të vështira dhe veprimtaritë e zhvilluara ishin nën rrezikun e plotë. Fushat e futbollit ktheheshin shpesh në arena përleshjesh me pushtuesit fashistë. U arrit sa për mbijetesë të jepej leje për organizimin më 1939 të Kupës së parë të Shqipërisë të ndarë në grupe. Më 1941 u organizua një turne futbolli për të rinjtë që u fitua nga Tirana. Në këtë periudhë nga skuadrat e njohura u krijua “Shprefeja”nga bashkimi i dy skuadrave më të forta “Shpresa” dhe “Rrufeja”. Në vitin 1942 organizatat fashiste diktuan organizimin e një kampionati “miks” civil e ushtarak ndërmjet skuadrave të lagjeve të Tiranës. “Shprefeja” mundi “Sanitan” 4-0 e 2-0, “Superalbën” 2-0 e 2-0 dhe skuadrën e Aviacionit 3-2. Pati edhe kampionat krahinor (lokal) për të mos lënë të shuhej forcimin e miqësisë mes skuadrave. Më 1942 është organizuar dhe një kupë tjetër mes disa qyteteve ku Tirana mundi në finale Vllazninë. Ndeshjet me skuadrat e ndryshme të grupimeve fashiste përfundonin shpesh me përleshje të forta. Në vitin 1943 kur në Shqipëri erdhën pushtuesit gjermanë pati orvatje për mbikëqyrjen të kulturës e sportit nëpër qytete te ndryshme, por më tepër kjo gjë mbeti thjesht demagogji. Riorganizimi i shoqërive sportive në Shqipëri në Tiranë e në qytetet e tjera si Shkodër, Durrës, Kavajë etj. po kryhej edhe nën këtë tutelë të fortë. Ishin sinjalet e para se me një Shqipëri të lirë e të pavarur edhe futbolli do të merrte një tjetër rrjedhë…

 

Futbolli në vitet e para të pasçlirimit deri në vitin 1950

Ishte lënë pas një e kaluar e mjerë. Dëshira për të luajtur futboll jo thjesht ekzistonte tepër e fuqishme, por me shtimin e fushave nëpër qytete u paralajmërua nisja e një ere të re ndryshimesh. “Sihariqi” për të nisur të parin kampionat të pasluftës është mirëpritur fort. Më 2 shtator 1945, saktësisht 10 muaj pas çlirimit skuadrat do të ndaheshin në dy grupe. Kampionati u luajt normalisht dhe në finale dolën Tirana e Vllaznia. Dy ndeshjet finale për titullin luhen më 23 dhe 26 dhjetor 1945. E para në Tiranë fitohet 2-1 ndërsa pas tre ditësh në Shkodër mbyllet me barazim 1-1, që mundëson shpalljen për herë të parë të Vllaznisë së Shkodrës kampione. Në këtë periudhë nisën edhe takimet ndërkombëtare dhe në tetor skuadra përfaqësuese e Tiranës mundi 5-3 atë të Maqedonisë. Me një ngjarje madhore do të niste viti 1946. Në Shqipëri do të organizohej nga 6-13 tetor për herë të parë Lojërat Ballkanike mes Shqipërisë Bullgarisë, Rumanisë në futboll dhe në atletikën e lehtë. Para Ballkaniadës Shqipëria luajti një miqësore testuese me disa herë kampionen “Spartak” të Moskës dhe u mund 1-2.

Ndeshja e parë nuk shkon si duhet humbet 2-3 me Jugosllavinë. Pal Mirashi dhe Qamil Teliti janë autorët e golave për Shqipërinë e cila shënon dhe një gol tjetër që çuditërisht arbitri rumun e anulon. As terreni i rënduar nga shiu i paparë i asaj dite nuk ka ndihmuar, pasi është pësuar një gol në limit dhe Jugosllvia tepër e fortë që kishte zënë vendin e dytë në botërorin e vitit 1934 në Itali fiton 3-2 ndaj nesh. Ndeshja e dytë është përballë Bullgarëve. Edhe pse pësohet një gol sa startoi loja (5’) Loro Boriçi në 30’ ka barazuar. Në minutën e 65-të Shqipëria fiton një 11-metërsh që e kthen në gol Loro Boriçi dhe 2-1. Ky entuziazëm ndikoi fort dhe për një gol tjetër vetëm pas tri minutash me Pal Mirashin. Shqipëria merr një fitore të merituar 3-1. Nga rezultatet e tjera doli se finalja do të diskutohej mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Vetëm një gol në 55’ nga gjuajtja bombë nga një pozicion standard e Qamil Telitit mjafton që Shqipëria të fitojë minimalisht 1-0, por edhe të shpallet kampione e Ballkanit. Kori entuziast i tifozerisë në “Qemal Stafa” oshtinin nga thirrjet “Shqipëria, Shqipëria”. Flamuri kombëtar kuqezi do të ngrihej në Podiumin e Nderit. Vetëm dy vite pas Çlirimit arrihej një sukses kaq i madh në rrafshin rajonal. Suksesi u ka takuar “yjeve” të kësaj periudhe duke treguar se edhe futbollistët shqiptarë Muhamed Dibra, Sllave Llambi, Rexhep Spahiu, Xhavit Demneri, Bimo Fakja, Besim Fagu, Tic Parapani, Qamil Teliti, Loro Borici, Vasfi Bicaku, Pal Mirashi etj. nuk mundet më të ndjeheshin aspak më ulët në nivel se sa ata të skuadrave më në zë të Ballkanit. Pas kësaj ngjarje madhore rrjedha e kampionateve kombëtare vijoi të ndihej më e plotësuar. Madje ndryshoi edhe formula nga luajtja me grupe në sistem të rregullt kampionati (vajtje-ardhje). Më 1947 krahas skuadrave më potenciale të kohës do të vinte një emër shumë potent, Partizani. Ky ekip ishte përfaqësuese e Ushtrisë Popullore. Ajo kishte lëshuar sinjale “drithëronjëse” për rivalet e saj ndonëse vetëm nga takimet njohëse e miqësore. Partizani në të parat takime ndërkombëtare miqësore ka mundur dy herë në Tiranë në intervalin e pushimeve të kampionatit Partizanin e Beogradit 4-2. Partizani do të shpallej për herë të parë kampion në rivalitet të madh me Vllazninë (vetëm 1 pikë me tepër se shkodranët). Më 1947 në kampionatin Ballkanik përfaqësuesja e Shqipërisë nuk bën paraqitje të mirë, për mungesë përgatitjesh cilësore. Përfaqësohet ndërkohë denjësisht Përfaqësuesja e Tiranës që mund më 9.11.1947 “Yllin e Kuq” të Beogradit 2-1, pastaj përfaqësuesen e Shkupit 6-4 dhe 3-2, Partizanin e Beogradit 1-0 e 4-2. Më 30 nëntor Tirana mund “Levski” e Sofjes si dhe brenda dy ditësh (24 e 26 dhjetor) dy fitore kundër “CFR” Timishoara të Rumanisë 5-4 dhe 5-2. Në mesin e viteve 1960, dominimi gati 20 vjeçar, i skuadrave ushtarake Partizani dhe Dinamo nisi të zbehet. Shfaqet Tirana (17 Nëntori), e cila jo vetëm nis të fitojë por të shfaqet simpatike edhe në përballjet evropiane. Në këtë periudhë skuadra kombëtare nis të marrë pjesë në eliminatoret e kampionateve evropiane, botërore, ku arrin disa rezultate të rëndësishme si barazimi me Irlandën e Veriut, barazimi me Republikën Federale Gjermane, fitorja me Danimarkën etj. Për shkaqe absurde, pas vitit 1972 deri në vitin 1979, ekipit kombëtar ju ndalua pjesëmarrja në aktivitete ndërkombëtare. Vetëm në eliminatoret e botërorit Spanjë 82, kombëtarja mori pjesë dhe nuk e ndërpreu më pjesëmarrjen e saj. Në vitin 1978, ekipi kombëtar shpresa fitoi titullin Kampion i Ballkanit, sukses që u përsërit edhe në vitin 1981. Në fillimin e viteve 1980 pati një zhvillim të madh të futbollit. Përveç tre skuadrave të kryeqytetit, për të rivalizuar dolën edhe ekipet të tjera si tradicionalet Vllaznia e Flamurtari si edhe Elbasani. Po kështu edhe niveli cilësor i lojës dhe i futbollistëve ishte më i lartë. Në vitin 1983 ekipi shpresa arriti të kualifikohej në çerekfinalen e kampionatit evropian. Në eliminatoret e Botërorit Meksikë ’86, Shqipëria bën një paraqitje të kënaqshme, më të mirën të realizuar ndonjëherë. Sa i takon përfaqësimit ndërkombëtar të klubeve shkëlqen Tirana, Dinamo por në mënyrë të veçantë Flamurtari i Vlorës, që për dy vjet me radhë bën lojëra për t’u mbajtur mend dhe arrin të kalojë në turin e tretë të Kupës së Kupave.

Pas ndryshimeve politike të vitit 1990, futbolli si e gjithë shoqëria shqiptare kërkon të ndryshojë. Fillimisht si strukturë organizative. Në vitin 1994 bëhen zgjedhjet në Asamblenë e futbollit shqiptar. Zgjidhet Komiteti Ekzekutiv, Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm dhe të gjitha Komisionet që drejtojnë veprimtarinë e FSHF-së. Kjo praktikë ndërkombëtare ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm deri në ditët tona. Krijohen marrëdhënie të ngushta mes FIFA-s, UEFA-s dhe FSHF-së për të marrë asistencë, për të gjitha problemet kyçe të futbollit. Përmirësohen në vijueshmëri kushtet për ekipet kombëtare dhe me gjithë vështirësitë e krijuara (ngjarjet e vitit 1997) përfundojnë kampionatet kombëtare.

Në fillimin e viteve 2000, futbolli hyn në një rrugë drejt zhvillimit cilësor. Në mënyrë të veçantë, punohet në drejtim të ngritjes së strukturave të qëndrueshme që e drejtojnë futbollin. Përmirësohet ndjeshëm puna në administratën e futbollit. Për herë të parë ndërtohet një strategji marketingu dhe thithen sponsorë të fuqishëm që mbështesin ekipet kombëtare dhe në përgjithësi futbollin. Bashkëpunimi me organizmat më të fuqishme të futbollit evropian (UEFA) dhe botëror (FIFA), ka ardhur duke rritur dhe forcuar vazhdimisht. Ky bashkëpunim, rezulton që të jetë në parametrat më optimalë për të mirën e futbollit shqiptar. Ka ardhur duke u përsosur puna me ekipet kombëtare të cilat sot kanë kushte optimale dhe punohet vazhdimisht që ato të përmirësohen. Sa i takon kampionateve kombëtare, sidomos vitet e fundit ka pasur një rivalitet të madh. Tirana e cila pas viteve ’90 është konkurruar nga Dinamo, Vllaznia, Elbasani, Teuta, Partizani duke i dhënë futbollit më shumë kënaqësi dhe rivalitet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency