Ngrihet komisioni për verifikimin e mandateve, Kuvendi mblidhet sot për betimin dhe zgjedhjen e kryetarit

0
124

Florenc Drizari

Ylli Shehu, Klajda Gjosha dhe Olta Xhaçka caktohen në krye të sekretarisë së përkohshme të Kuvendit

 

Kuvendi-i-ShqiperiseMe propozim të tri grupeve parlamentare, PS-së, PD-së dhe LSI-së, Kuvendi i Shqipërisë ngriti komisionin e përkohshëm për verifikimin e mandateve, ndërkohë që paraditen e së martës pritet raportimi i tyre për vlefshmërinë e mandateve.

Komisioni i përkohshëm i verifikimit të mandateve përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron përbërjen politike të Kuvendit referuar rezultatit të zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Propozimet bënë nga krerët e grupeve politike gjatë mbledhjes së djeshme në Kuvend, ndërkohë që pas shqyrtimit të mandateve bazuar në materialet që janë dorëzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pritet të bëhet betimi i deputetëve.

KOMISIONI I MANDATEVE

Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, propozoi emrat e 4 anëtarëve të këtij komisioni nga radhët e PS. Ata janë Armando Subashi, Ermonela Felaj, Besnik Bare, Vexhi Muçmata.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili propozoi deputetin Vanfgjel Tavon si anëtarin e 5-të të këtij komisioni.

Edhe kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, propozoi 4 emrat që do të përfaqësojnë opozitën në këtë komision. Ata janë Voltana Ademi, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani dhe Gerti Bogdani.

Pas hartimit të një raporti nga ana e këtij komisioni, pritet që në seancën e së martës më 10 shtator, të kryhet betimi i deputetëve. Menjëherë pas kësaj, po në bazë të rregullores, pritet që rreth 15 deputetë t’i drejtohen Kuvendit me kërkesën për të zgjedhur kryetarin e tij, që do të jetë Ilir Meta. Procedura vijon më tej, me votim të fshehtë. Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Dokle do t’i lirojë atij vendin dhe më pas do të jetë ky kryetar që, pasi të mbajë fjalën e rastit, të njoftojë edhe datën dhe orën e mbledhjes së Kuvendit, kur kryeministri do të bëjë publik programin e qeverisë së re. Sipas disa qëndrimeve të mëparshme, votëbesimi i qeverisë së re në Kuvendin e Shqipërisë pritet të bëhet të enjten e 12 shtatorit, ndërkohë që një ditë para kësaj kreu i shtetit pritet të japë pëlqimin e tij për të dekretuar apo jo qeverinë e re të z. Rama.

Sekretaria e përkohshme

Një tjetër vendim i Kuvendit të Shqipërisë ishte edhe ai i zgjedhjes së tre emrave për sekretarinë e përkohshme të këtij institucioni. Sekretari a e re e Kuvendit përbëhet nga tre deputetët, Ylli Shehu, Klajda Gjosha dhe Olta Xhaçka. Caktimi i tyre në krye të sekretarisë së përgjithshme bëhet deri në formimin e Byrosë Parlamentare. Më pas është kjo e fundit që vendos për axhendën dhe jetën institucionale të Kuvendit të Shqipërisë në katër vitet e ardhshme. Zgjedhja e tyre u bë duke iu referuar nenit 1, pika 2 e rregullores së Kuvendit, ku thuhet se në përbërjen e sekretarisë së përkohshme, mes 140 deputetëve caktohen emrat me moshën më të re.

 

 

Bogdani: Nesër do të jetë gati verifikimi i mandateve

Partia Demokratike pritet të ketë gati verifikimet e mandateve qe iu ngarkuan deputetëve të saj nga Kuvendi i Shqipërisë, deri në orën 11:00 të paradites së të martës.

Gerti Bogdani, një prej 46 deputetëve të PD, por edhe anëtar i këtij komisioni, deklaroi se gjithçka po shkon normalisht, ku ashtu si Parlamenti edhe komisioni ishte i plotë, nuk kishte bojkot.

“Zyrtarisht seanca e sotme shënoi rotacionin politik dhe nisjen e debatit, sa i përket debatit parlamentar dhe politikës parlamentare. Nuk është se debati politik i ka lënë të qetë shqiptarët edhe gjatë sezonit të pushimeve. Ajo që më bëri përshtypje është fakti se në tërësi fjalimi i zotit Dokle nuk u duartrokit nga deputetë të mazhorancës. Në një pjesë të fjalimit të tij ai nënvijëzoi se është një parlament që fillon ndryshe nga të tjerët, pa bojkot. Këtë ndryshim e sjell e djathta dhe PD-ja. Sot ishte vetëm një ceremoni hapjeje. Ishte interesante të shikoje zotin Rama në parlament. Kam përshtypjen se do japë dorëheqjen e mandatit me zgjedhjen si Kryeministër, megjithatë mbetet për tu parë nëse do e bëjë. Sa i përket Komisionit, ka një limit kohor, deri nesër para seancës parlamentare duhet të kemi përfunduar punën tonë. Relacioni i përcillet më pas kuvendit dhe bëhet dhe betimi i deputetëve. Kësaj here komisioni ishte i plotë, nuk pati debate”, – u shpreh ai.

 

 

 

 

 

 

 

Ambasadorët Arvizu dhe Sequi: Sfida e Parlamentit, integrimi

Në mbyllje të punimeve të para të Kuvendit të Shqipërisë për mandatin 2013-2017, ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë, vlerësojnë përbërjen e re të legjislativit shqiptar dhe shprehen njëzëri se fusha në të cilën duhet të përqendrohet puna më e madhe duhet të jetë ajo e integrimit të Shqipërisë në BE.

Kreu i prezencës së BE-së në Tiranë Ettore Sequi dhe ambasadori në ikje i SHBA-së Aleksandër Arvizu e kanë cilësuar si ditë historike çeljen e punimeve të sesionit të ri parlamentar. Ambasadorët i kanë bërë apel klasës politike që të fokusohet tek integrimi evropian i vendit.

“Mendoj se është një ditë e rëndësishme. Sot është një ditë historike pasi ky Parlament nis me prioritete të pastra, integrimit në B, të cilën shpresoj se do e marrë së shpejt”, – tha Sequi.

“Dëshiroj të shpreh përgëzimet më të mira në emër të SHBA 140 deputetëve të sapo zgjedhur të Kuvendit të Shqipërisë. Rreth 40% janë të rij dhe 40 % prej tyre po rikthehen. Gjithashtu shumë i kënaqur me numrin e grave të zgjedhur si deputete dhe në qeveri. Qartazi kjo është ditë për tu festuar për popullin shqiptar. por pra ka shumë punë për tu bërë. Të gjithë do jenë këtu, presim me kënaqësi zhvillimin e debate konstruktive që do të zhvillohen për axhendën evropiane ë vendit. Sa i përket SHBA jemi të kënaqur që kemi marrëdhënie të shkëlqyera si me mazhorancën e vjetër ashtu dhe të re”, – tha Arvizu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency