Berisha dhe Rama ulen si deputetë, Dokle: Legjislatura nis pa bojkot, duhet mirëkuptimin pozitë – opozitë

0
115

kuvend-betimiKuvendi i Shqipërisë çeli dje zyrtarisht punimet e legjislaturës VIII parlamentare pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2013. Nën tingujt e himnit kombëtar, 140 deputetët e zgjedhur zunë vendet e tyre në sallë, ndërkohë që seancën e parë e drejtoi deputeti socialist Namik Dokle.

Pas refuzimit që deputeti me moshën më të madhe, Sali Berisha, bëri për drejtimin e seancës, Dokle kryesoi punimet duke miratuar edhe vendimine parë për ngritjen e komisionit të përkohshëm të verifikimit të mandateve dhe sekretarisë provizore, deri në mandatimin e Byrosë së Kuvendit.

BERISHA – RAMA

Në radhët e deputetëve ishin të ulur edhe ish-Kryeministri Berisha, i sapodorëhequr dhe Kryeministri i ardhshëm Edi Rama. Mes tyre nuk pati shtrëngime duarsh dhe as përshëndetje në distancë, edhe pse ishin pak metra larg njëri-tjetrit. I ulur pranë ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, Berisha ndoqi fjalimin e shkurtër që mbajti deputeti Dokle si kryesues i seancës, duke u marrë edhe me IPadin e tij, paçka se të gjithë deputetët në sallën e Kuvendit kishin nga një kompjuter përpara. Ndërkaq, për herë të parë në Kuvend u ul si deputet edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Pak metra larg Berishës, në krahun e deputetëve socialistë, Rama ishte rreshtuar mes kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruçi dhe deputetit Taulant Balla. Koha e shkurtër e zgjatjes së seancës parlamentare, rreth 12 minuta fjalime, u shoqërua pa diskutime dhe debate mes deputetëve, ashtu edhe për dy liderët politikë, Berishës dhe Ramës.

NAMIK DOKLE

Gjatë drejtimit të seancës së parë parlamentare për legjislaturën e VIII-të të Kuvendit, deputeti socialist Nakim Dokle bëri thirrje për më shumë bashkëpunim mes pozitës së re dhe opozitës së djathtë. Z. Dokle uroi deputetët e zgjedhur duke i bërë njëkohësisht thirrje atyre të respektojnë vullnetin e popullit që i votoi si dhe të zbatojnë parimet dhe rregullat mbi të cilat funksionon legjislativi shqiptar.

Deputeti socialist si kryesues i seancës së parë për këtë sesion parlamentar, tha se në këto dy dekada është hera e parë që Kuvendi i Shqipërisë nis pa bojkot dhe për këtë ai kërkoi një bashkëpunim mes forcave politike në interes të vendit.

“Kolegë mirëserdhët dhe uroj të jenë në lartësinë e votës që na ngarkoi vota e popullit. Kjo legjislaturë është nga të rrallat e Kuvendit të Shqipërisë që nis pa bojkot dhe kjo falë forcave politike që përfaqësohen këtu. Populli na bëri thirrjen e madhërishme të Nënë Terezës: …Ku është urrejtja të sjellë dashuri, ku është ndarja të sjellë bashkim… Uroj të dalim faqebardhë në detyrën fisnike të deputetit duke mos harruar që ajo kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim pozitë-opozitë, sepse aty ku mungon mirëkuptimi edhe qëllimet e mira bëhen të padobishme. Uroj në mënyrë të veçantë deputetët e zgjedhur për herë të parë si përfaqësues të popullit, të kenë sukses dhe të mbrojnë legjitimitetin e ligjvënësit shqiptar”, – u shpreh Dokle.

 

 

 

Rama për herë të parë deputet në Kuvend

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ul dje për herë të partë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë si deputet i legjislaturës VIII. Më herët gjatë qeverisjeve socialiste, qeverisë “Nano”, ai ka pas mbajtur poste ekzekutive ku ka raportuar edhe në Kuvendin e Shqipërisë, por pas zgjedhjes si deputet për Qarkun e Vlorës ku kryesonte listën për këtë zonë, ai u ul në karriget e këtij institucioni si 140 deputetët e tjerë të rinj. Rreth orës 17:58 minuta ai mbërriti para ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij të ardhshëm, si Ditmir Bushati, Sajmir Tahiri etj, ndërkohë që para derës së Parlamentit ai u prit nga kryetari i grupit Gramoz Ruçi. Në sallë Rama u ul mes Ruçit dhe Ballës, ndërkohë që krah tij ishin rreshtuar edhe ministrat e ardhshëm të kabinetit, por që pa u votëbesuar në Kuvend dhe pa marrë dekretin e Presidentit të Republikës, ata nuk mund të fillojnë nga puna.

 

 

Deputetët injorojnë teknologjinë, Kuvendi përgënjeshtron akuzat për kompjuterat e rinj

Deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë “injoruan” teknologjinë e aplikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në sallën e seancave plenare. Pak ditë më parë ky institucion vendosi përpara karriges së çdo deputeti nga një kompjuter mbi tavolinën e punës, ndërkohë që gjatë mbledhjes së djeshme, asnjë nga deputetët nuk u pa ta përdorte këtë aplikim të ri. I vetmi që përdori teknologjinë e re në sallën e Kuvendit, duket se ishte ish-Kryeministri Berisha, i cili u pa me IPad-in e tij të hapur gjatë kohës që kryetari i përkohshëm Namik Dokle lexonte deklaratën përshëndetëse para deputetëve.

Kuvendi

Kuvendi i Shqipërisë me anë të një njoftimi përgënjeshtroi disa artikuj të publikuar në media, lidhur me shumën e blerjes së kompjuterëve të vendosur në sallën e Parlamentit. “Në lidhje me artikujt e botuar në disa të përditshme lidhur me vlerën e kompjuterëve të instaluar në sallën e seancave plenare pjesë e projektit e-parlament sqarojmë:

Kompjuterët e instaluar në sallën e seancave plenare në kuadër të e-parlament janë blerë sipas ligjit, me vlerën më të ulët të ofruar, ku vlera e një kompjuteri është 67,410 lekë dhe jo 1.3 milion lekë siç keqinformohet në shtypin e sotëm.

“Keqinformime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me te vërtetën. Duke shpresuar që shtrembërime të tilla të mos përsëriten, garantojmë se Kuvendi i Shqipërisë në përmbushje të detyrave të tij, do të mbetet i hapur dhe transparent ndaj medias dhe publikut”, – shkruhet në deklaratën zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Për transparence të publikut, Kuvendi publikoi edhe pesë emrat e kompanive nga të cilat ishin blere materialet e lartpërmendura.

 

8 LEGJISLATURA

1- Parlamenti i vitit 1991, 250 deputete, Partia e Punës 169 deputetë. Partia Demokratike forca e parë politike e pluralizmit, mundi të sigurojë 75 deputetë. Kryetari i parë i Kuvendit ishte Kastriot Islami dhe zëvendës të tij, Aleksandër Meksi dhe Lush Përpali.

2- Legjislatura e dytë 1992 deri në vitin 1996. Në Parlamentin me 140 deputetë, PD kishte 92 deputetë, PS 38 të zgjedhur, ndërsa 10 të tjerë, vinin nga partitë e vogla. Përgjatë 4 viteve Kuvendi u drejtua nga Pjetër Arbnori, një ish-i burgosur i regjimit komunist.

3- Legjislatura e tretë që u kostituua në vitin ’96. Zgjedhjet e kontestuara sollën 122 deputete te PD, 10 të zgjedhur socialistë, ndërsa partitë e vogla kishin 8 deputetë.

4- Parlamenti që doli nga zgjedhjet e parakohshme të vitit ‘97 dominohej nga Partia Socialiste me 101 deputetë,

PD-ja me 29 mandate, dhe partitë e vogla 25 deputetë. Ky Parlament kishte 155 deputetë, kryetar i tij ishte Skënder Gjinushin.

5- Legjislatura e 5-të 2001-2005. Parlament, PS kishte 76 deputetë, PD 32 dhe partitë e vogla siguruan plot 22 deputetë.

6- Zgjedhjet e 3 korrikut 2005 rikthyen në pushtet të djathtën e cila siguroi në Kuvend 84 mandate, por vetë PD-ja mori vetëm 54 deputetë. Në krye të Parlamentit për here te pare u vu një zonje, Jozefina Topalli, e cila drejtoi këtë institucion, për 8 vite me radhë.

7- Në zgjedhjet e vitit 2009 vota mes të djathtës dhe të majtës u nda në mënyrë të barabarte dhe secili krah mori 70 deputetë, por falë aleancës mes PD dhe LSI, Sali Berisha u votëbesua ne Parlament, për një mandat të dytë qeverisës me 74 vota.

8- Procesi zgjedhor i 23 qershorit, risolli pas 8 vjetësh ne pushtet te majtën me 83 mandate, fale rikthimit te LSI-së ne koalicion me socialistet. E djathta u ‘rrudh’ në 57 mandate.

 

 

Rama për herë të parë deputet në Kuvend

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ul dje për herë të partë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë si deputet i legjislaturës VIII. Më herët gjatë qeverisjeve socialiste, qeverisë “Nano”, ai ka pas mbajtur poste ekzekutive ku ka raportuar edhe në Kuvendin e Shqipërisë, por pas zgjedhjes si deputet për Qarkun e Vlorës ku kryesonte listën për këtë zonë, ai u ul në karriget e këtij institucioni si 140 deputetët e tjerë të rinj. Rreth orës 17:58 minuta ai mbërriti para ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij të ardhshëm, si Ditmir Bushati, Sajmir Tahiri etj, ndërkohë që para derës së Parlamentit ai u prit nga kryetari i grupit Gramoz Ruçi. Në sallë Rama u ul mes Ruçit dhe Ballës, ndërkohë që krah tij ishin rreshtuar edhe ministrat e ardhshëm të kabinetit, por që pa u votëbesuar në Kuvend dhe pa marrë dekretin e Presidentit të Republikës, ata nuk mund të fillojnë nga puna.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency