Taksa progresive dhe liria individuale

0
165

Çelo Hoxha

 

taksaHistoria e Shqipërisë është shkruar, thuajse deri në ditët e sotme, në përputhje me shijet e pushtetit. Aty ku historianët e kanë parë të arsyeshme që përshtatja ka qenë e vështirë, nuk kanë ngurruar të deformojnë faktet, ngjarjet ose bindjet e tyre. Tashmë deformimi nuk gjendet vetëm në libra, por edhe në formimin e qytetarëve.

Le të marrim, për shembull, historinë e ekonomisë shqiptare gjatë diktaturës, sidomos 4-5 vitet e para të saj. Vazhdon të thuhet, në tekstet e historisë, që gjatë këtyre viteve u bë rindërtimi i Shqipërisë dhe, për shkak të reformës agrare dhe reformave të tjera, filloi ngritja ekonomike e vendit. Në realitet ndodhi e kundërta.

Diskutimi i zhvillimeve ekonomike të kësaj periudhe është bërë i copëzuar, selektiv dhe, kuptohet, me urdhër. Reformat, ose ato që mund të quhen reforma, janë përshkruar të copëzuara, pa gjithë elementët e kontekstit.

Panorama e përgjithshme ishte kjo: në pushtet erdhi një parti politike armiqësore me ekonominë, kapitalin – të luajtshëm e të paluajtshëm – dhe njerëzit që e zotëronin atë. Ajo mendonte se kapitali ishte grumbulluar, në mënyrë abuzive, në pak duar dhe duhej shpërndarë. Dhe kështu, ligji i tatimit të jashtëzakonshëm, reforma agrare, shtetëzimet, konfiskimet, ishin të gjitha reforma në përputhje me vizionin politik të shpërndarjes së kapitalit.

Ajo që nuk u kishte shkruar atyre në mend komunistëve – as vetë Marksit – ishte se kapitali ekzistues ishte një njësi e fundme. Një çast nuk kishte më asgjë për t’u shpërndarë, dhe, për t’i vendosur njerëzit krejt nën kontroll, regjimi e kolektivizoi edhe atë pasuri që kishte ndarë përmes reformës agrare. Kështu, qytetari u kthye në skllav.

Nga një histori kaq e hidhur dhe e gjatë, shqiptarët duhet të kishin reflektuar. Ata duhet të ishin alergjikë ndaj çdo retorike për kufizimin e lirive ekonomike të tyre, për ngritje taksash etj. Komunizmi kontrolloi gjithçka dhe nuk ofroi asgjë. Kështu ndodh, gati gjithmonë. Është e provuar, që sa më shumë pushtet të ketë qeveria, aq më e kufizuar është liria e qytetarëve.

Ndëshkimi që historia na dha, me instalimin e regjimit komunist, mund të shikohet dhe si një lloj hakmarrjeje për indiferencën që kemi treguar ndaj këshillave të baballarëve të kombit. Për lirinë e qytetarit dhe rolin e qeverisë në jetën e tij, Sami Frashëri ka folur gati 15 vjet para se shqiptarët të kishin një qeveri të tyre. Ja ç’thotë ai në librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”: “M’i lumtur i vëndeve në botët ësht ay tek ndjehetë fort pakë dor e qeverisë.”

Dhe, më shumë se kudo, dora e qeverisë ndihet në xhepat e qytetarëve. Edhe për qeveritë, paraja ka po atë fuqi tërheqëse që ka për shumicën e njerëzve. Vetëm me një ndryshim: përjashto hajdutët e matrapazët, që janë, megjithatë, një përqindje e papërfillshme, pjesa tjetër e qytetarëve, shumica dërrmuese, i fitojnë me djersë paratë e tyre.

Kaq mjafton, besoj unë, që qytetarët ta refuzojnë alternativën që u premton taksën progresive. Pakësimi i të ardhurave, përmes taksave, është dobësim i ekonomisë personale. Dobësimi i ekonomisë personale çon pashmangshmërisht në kufizimin e lirisë së individit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency