Platforma e luftës së klasave për punësimin

0
227

Çelo Hoxha

 

diktaturaNjerëzit që punësoheshin në administratë, duhet të shfaqnin besnikëri ndaj njerëzve të pushtetit dhe Bashkimit Sovjetik

 

 

Në 24 nëntor 1956, doli një udhëzim me parimet e reja (të plotësuara) të luftës së klasave. Dokumenti është shumë i qartë dhe s’ka nevojë për shumë shpjegime.

Dokumenti thekson se lufta për të mbajtur të pastra aparatet “tona” nuk duhet të pushojë asnjëherë. Ato duhet të pastrohen nga njerëz të kategorive të ndryshme, që në këtë dokument specifikohen qartë.

Politika e punësimit ishte e thjeshtë: besnikëri ndaj klikës drejtuese dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo e dyta u zhvleftësua pas vitit 1960, kur u prishën marrëdhëniet mes dy vendeve komuniste.

Komunizmi pretendonte, të paktën në teori, se një ditë do të sillte në shoqëri barazinë absolute shoqërore, por, nga ana tjetër, punonte për të kundërtën e saj. Politika e luftës së klasave ishte thika e përhershme që do ta mbante brez pas brezi të përçarë shoqërinë. Ndëshkimet mbi bazë gjaku, siç vihet re në dokument, do të vazhdonin përjetësisht, sepse vetë natyra njerëzore është një vazhdimësi e pafundme e lidhjes së gjakut, duke kaluar nga brezi në brez. Në dokument vihet re se lufta klasave, në fazën që pasqyron dokumenti, shtrihet përtej lidhje gjaku. Njerëzit mund të dënoheshin edhe pse mund të kishin bërë tregti (të ligjshme) me një person që mendohej (nga regjimi) me pikëpamje antiregjim.

Në këtë dokument lexohet qartë dhe një gjë: përpjekja për shkatërrimin e familjeve në emër të interesave politike. Për shembull, fëmijët e kulakëve, specifikohet në dokument, mund të merreshin në punë vetëm nëse kishin dhënë prova besnikërie ndaj regjimit dhe prova të besueshme që i kishin prishur lidhjet me të afërmit e tyre të klasifikuar si kulakë. “Bijt e kulakëve mund të mbahen si nënpunës vetëm në rast se kanë dhënë prova besnikërije dhe kanë çkëputur definitivisht marëdhëniet me prindërit e tyre që janë cilësuar kulak”, – thuhet në dokument.

 

 

 

DOKUMENTI

 

QEVERIJA E R.P. TË SHQIPËRISË                                                     

Tiranë më 24.11. 1956

Nr………..

 

LANDA: Mbi spastrimin e aparateve shtetërore dhe ekonomike nga elementa të pa dëshirueshëmdhe armiq.

 

                                        GJITHË MINISTRIVE

BASHKIMIT QËNDROR TË KOOPERATIVAVE TË KONSUMIT

ENTEVE DHE INSTITUCIONEVE AUTONOME QËNDRORE

GJITHË KOMITETEVE EKZEKUTIVE TË RRETHEVE E QARQEVE

 

Sipas porosisë së Pleniumit të V-të të Komitetit qëndror të P.P.SH.në shkurt të 1953 u janë dërguar udhëzime të veçanta mbi spastrimin aparateve shtetërore dhe ekonomike nga elementa të pa dëshirueshëm dhe armiq me udhëzimin tonë Nr.180 data 20/II/1953.

i.- Udhëzimete lëshuara kanë pasë një rëndësi të madhe jo vetëm për n’atë kohë kur ishin grumbulluar n’aparatet tona shtetërore dhe ekonomike shumë elementa të pa dëshirueshëm dhe armiq, por edhe për tani edhe për t’ardhmen. Lufta për të mbajtur të pastërta aparatet tona nuk duhet të pushojë. Partija na mëson se kjo është një detyrë e vazhdueshme e organizatave të partisë dhe organeve shtetërore. Në aparatet tona shtetërore dhe ekonomike duhet të punojnë elementa të pastër e patriot, të ndershëm të cilët të jenë në gjendje, me në krye komunistët, të mbrojnë interesat e popullit, të punojnë me vetmohim për ndërtimin e socjalizmit dhe mbrojtjen e Atdheut.

Udhëzimet e lëshuara nga Komiteti qëndror i P.PSH.dhe nga qeverija mbi spastrimin e aparateve shtetërorë dhe ekonomik nga elementa armiq e të pa dëshirueshëm, kanë patur rezulltate të mjafta pozitive. Me masat q’u muarën u flakën jashtë elementët që nuk e meritonin një besim të tillë, u forcua kriteri për pranimin e kuadrove në punë dhe u forcua vigjilenca e organizatave të partisë dhe organeve shtetërore.

Gjatë gjithë punës së bërë në fillim dhe më pas në këtë drejtim janë vërtetuar dhe disa gabime: janë mbajtur e mbahen në punë elementa që nuk duhet të mbahen n’aparatet tona shtetërore, elementa të pushuar me rastin e spastrimit nga një ndërmarje janë marë në punë nga ndërmarja tjetër, jo vetëm në një rreth ose qarkë tjetër por bile edhe brenda përbrenda një qyteti; veç këtyre spastrimi ka përfshirë edhe disa elementë të cilët për personin e tyre nuk kanë patur ndonjë aktivitet kundërshtar por janë pushuar për të kaluarën ose të tashmen jo të mirë të rrethit familjar të tyre, ose pse në vlerësimin e anëve positive ose negative të një personi është gjykuar në disa raste vetëm mbi të kaluarën para ose gjëtë okupacionit dhe nuk është parë puna dhe qëndrimi tij gjatë luftës edhe pas çlirimit.

Në t’ardhmen lidhur me këtë problem duhet të mbahen parasysh udhëzimet e më poshtëme.

II.- Cili është kriteri për pranimin e kuadrove në punë dhe kush nuk duhet të shërbejë n’aparatet tona shtetërore dhe ekonomike.

Dihet se parimi i vetëm i drejtë për zgjedhjen dhe vendosjen e kuadrove në punë është parimi Leninist sipas të cilit zgjedhja e kuadrove bëhet në bazë të besimit politik dhe t’aftësive profesionale në punë. Komiteti qëndror i partisë tonë ka theksuar se është se është e domosdoshme që të gjitah kuadrot tona n’apartate shtetërore dhe ekonomike duhet të jenë njerëz të ndërgjegjshëm, të pastër politikisht dhe të ndershëm, njerëz që u dhimbset pasurija e shtetit dhe që punojnë me vetmohim. Zgjedhja e kuadrove bëhet në bazë të cilësive dhe aftësive të tyre personale dhe kjo gjë duhet mbajtur parasysh mirë në zgjedhjen dhe qëndrimin që mbahet karshi një kuadri. Dihet se cilësitë dhe aftësitë e kuadrove nuk janë të një llojta për të gjithë, prandaj dhe jo të gjitha kuadrot janë të përshtatshëm për çfarë do lloj posti. Por ajo që duhet kërkuar nga të gjitha kuadrot është besnikërija dhe qëndrimi i tyre karshi interesave të klasës puntore, të popullit tonë, ndaj pushtetit popullor, karshi vijës së partisë në përgjithësi, karshi Bashkimit Sovjetik veçanërisht dhe kampit të socjalizmit në tërësi. Pa dyshim që kjo besnikëri duhet vërtetuar në provat që ka dhënë e jep sejcili dhe këto nuk janë të barabarta prandaj vlerësimi i saj për çdo person duhet gjykuar edhe në postin që mban ose propozohet t’i jepet. Në vlerësimin e provave për besnikërin e një personi duhet patur parasysh qëndrimi personal i tij para luftës N.CL. gjatë luftës N.CL. dhe gjatë kohës në pushtetin popullor pastaj edhe rethi i tij i mirë ose i keq influence pozitive ose negative e këtij rethi mbi personin për të cilën diskutohet.

Për të pasur një orjentim më të plotë këtu poshtë po paraqesim platformën sipas të cilës duhet të bëhet spastrimi aparateve shtetnror dhe ekonomike në t’ardhmen nga elementa të pa dëshirueshëm dhe armiq.

Në aparatet shtetnore dhe ekonomike, d.m.th. në funksionet që përfshihen n’organikat e aprovuara, në të gjitha funksionet që përfshihen në këtë organikë si edhe poste me përgjegjësi në makinerit e prodhimit dhe në vende më përgjegjësi materjale nuk mund të shërbejnë persona që nuk i kanë garancitë politike si nga e kaluara e tyre e keqe ashtu edhe nga qëndrimi i tyre i tanishëm jo i mirë e armiqësor.

Konkretisht n’aparatet shtetërore dhe ekonomike nuk duhet të jenë :

1)    Ata që kanë marë pjesë në luftën me armë në dorë kundra popullit gjatë luftës N.CL., që janë gjakosur me popullin sepse kanë marë pjesë në vrasjen e partizanëve dhe të popullit në plaçkitje dhe djegje pa asnjë përjashtim.

2)    Ata të cilët kanë jetuar e jetojnë nën influencën e prindërve ose t’afërmëve të tyre (xhaxhallarë, kushëurijt t’afërt etj.) të pushkatuar ose dënuar rëndë nga pushteti ynë popullor për faje kundra popullit.

T’afërt në këtë duhen marë ata që qoftë për lidhje gjinije, krushqije ose mardhënije ekonomike kanë influencuar negativisht tek personi që kemi ose propozohet të miret në punë.

Duhet bërë përjashtim këtu personat të cilët kanë dhënë prova personale besnikërije ndaj popullit, kur ky është treguar solidar me pushtetin popullor dhe kundra njerëzve të tij të pushkatuar ose dënuar me burgim prej nesh.

3)    Ata që kanë qenë tregëtar të mëdhenj, dhe të mesëm, pronarë tokash dhe fabrikash, të cilëve u janë konfiskuar pasuritë e tyre dhe se ndrimi i të cilave pas çlirimit të vendit nuk ka qenë i mirë. Nga kjo kategori mund të mbeten si nënpunës në funksione të pa rëndësishme vetëm persona të rrallë në rast se kanë dhënë prova besnikërije ndaj popullit dhe pushtetit popullor.

4)    Ata që kanë familjarët e tyre të arratisur si armiq të popullit për falje politike ose ordinere dhe që kanë mbajtur e mbajnë lidhje me ta pse nuk kanë dënuar e nuk dënojnë me prova veprimtarinë armiqësore të familjeve të tyre.

Nga kjo kategori mund të mbahen si nënpunës vetëm ata persona të rallë të cilët i kanë çkëputur me kohë mardhënijet me familjarët e tyre që janë armiq të popullit, të cilët kanë marë pjesë në luftën kundra okupatorit dhe tradhëtarëve të vendit ose kanë dhënë prova të tjera besnikërije për pushtetin popullor.

5)    Ata që kanë qenë dënuar nga gjyqet tona për faje politike kundra pushtetit, por që tani janë të lirë në përjashtim të ndonjë personi i cili ka dhënë prova pendimi dhe besnikërije, i cili është reabilituar politikisht në bazë të qëndrimit të tij politik dhe të kontributit që mund të ketë dhënë në favor të pushtetit gjatë kohës që qenë në burg ose dhe mbas lirimit nga burgu. Këto do të jenë raste shumë të ralla dhe të kontrolluara mirë dhe atëherë kur kemi nevojë për aftësitë profesionale të këtij personi.

6)    Ata që kanë qenë dënuar nga gjyqet tona për vjedhje abuzime ose dëmtime me qëllim të pasurisë socjaliste por që tani janë të lirë.

Këtu duhet bërë dallimi midis atyre të cilët qëllimisht kanë abuzuar ose dëmtuar pasurinë socialiste me ata që nga qëndrimi i pakujdesëshëm në detyrë i kanë sjellë dëme pasurisë socjaliste. Për rastin e dytë mund të miren në punë ato persona të cilët pas daljes nga burgu kanë ç’dëmtuar arkën e shtetit dhe kanë dhënë prova të qëndrimit të kujdeshëm karshi pronës socjaliste.

7)    Ata që zhvillojnë sot aktivitet armiqësor kundër pushtetit, kundrejt të cilëve ka dyshime të konkretizuara për lidhje me spiunazhin e huaj me diversantë dhe banditë me organizata tradhëtare etj.pa asnjë përjashtim.

8)    Ata që kanë qenë funksionarë të lartë të regjimeve të kaluara si ministra, N/ministra, prefektë, oficerë të lartë të gjindarmërisë, federale të fazhizmit, nënpunsa të lartë të ministrisë së brendshme si edhe ata që kanë qenë funksionarë të mesëm të regjimeve të kaluara si kryetarë bashkije, oficerë t’ ushtrisë gjindarmëris, policisë etj. Antarë të komiteteve qarkore të organizatave politike reaksionare N/ prefekta etj.

Në rastë se ndonjë person i veçuar i kësaj kategorije ka dhënë prova besnikërije ndaj popullit dhe është penduar qysh gjatë luftës N.CL. dhe pas ka dhënë kontribut të çmuarshëm për çlirimin dhe ndërtimin e vendit, si mund të mbahet në punë por vetëm në aprovim të byrosë së komitetit të partisë të qarkut ose të rrethit atje ku s’ka qarqe e pavarësisht nga nomenklatura.

 

9)    Ata që janë cilësuar kulak personalisht pa përjashtim si edhe ata që kanë jetuar dhe jetojnë me korrupsion me kontrabandë, me matrapazllëqe e xhambasllëqe tregëti etj. Këtu duhen përjashtuar ato raset ku personi ka hequr dorë prej kohësh nga korupsioni dhe kontrabanda dhe ka dhënë prova të qëndrimit të ndershëm në punë e në shoqëri si edhe prova besnikërje karshi pushtetit. Veç kësaj nuk duhen ngatruar me matrapazët profesionist tregëtarët e vegjël e shëtitës të cilët gjatë luftës dhe pas çlirimit rojnë e punojnë në mënyrë të ndershme dhe që paraqesin garancira për pushtetin popullor.

Bijt e kulakëve mund të mbahen si nënpunës vetëm në rast se kanë dhënë prova besnikërije dhe kanë çkëputur definitivisht marëdhëniet me prindërit e tyre që janë cilësuar kulak.

10) Është e kjartëse në apartet tona shtetnore dhe ekonomike do të mbahen njerëzit më të mirë përçka i përket besimi politik dhe aftësive profesionale. Por duhet patur kujdes të veçantë me shqyrtimin e rasteve të personave specilaistë si doktorë, agronomë, ingjiniera, teknik të lartër, professor shkencash etj. Këta specialistë edhe në rastë se nuk i kanë plotësisht garancitë politike, mund të qëndrojnë në punëra shetërore, ekonomike dhe shkencore, për deri sa nuk janë duke kryer ndonjë faj që mund të dënohen ligjërisht por me këto kondita:

a)    Të mos kenë funksione të rëndësishme drejtonjëse në aparatet shtetnore ose ekonomike ( ata nuk mund të jenë drejtora ndërmarjesh, kryetar dege etj.) por mund të kenë funksione thjeshtësisht profesionale: agronomi mund të shërbejë si agronom në fermë, doktori mund të shërbejë si doktor në spital, ingjinieri mund të shërbejë si ingjinier dhe elektriçistë etj.

b)    Udhëheqja të mos mbylli sytë kundrejt këtyre por t’a ketë të kjartë biografinë dhe qëndrimin e tyre sin ë të kaluarën edhe sot, të organizojë kontrollin e plotë mbi punën e tyre, të verifikojë pa ndërprerje punën e tyre, të mos u besojë atyre gjërave që nuk duhet t’u besojë jashtë funksionit që kanë, t’i vëri në vende ku kontributi i punës së tyre të jetë efektiv dhe ku mund të na drejtojnë, t’i vëri në vënde që kanë të bëjnë me profesionin e tyre por që janë të një rëndësije të dorës së dytë. Vëndet kyçe të prodhimit, të ndërtimit ose të shërbimit, këtyre personave, nuk mund t’u besohet. Ata ne do t’i mbajmë në punra për një kohë të gjatë, por në punra të dorës së dytë dhe duke i mbajtur ata kurdoherë nënë kontroll të rreptë. Ka ner këta që duke parë sukseset e mëdha në vendin tonë, rendësinë dhe zhvillimi që ka marë e do të mari shkenca tek ne, drejtësinë e vijës së partisë, trajtimin shumë të drejtë q’u bëhet dhe gjithë forcimin e kampit të socializmit me Bashkimin Sovjetik në krye, po lidhen dhe vendosin gjithnjë e më shumë të vënë në shërbim të popullit dijet e tyre. Edhe ky fakt duhet mbajtur parasysh në qëndrimin karshi tyre.

11) Pa dyshim në platformën e më sipërme nuk mund të parashikohen të gjitha rastet. Prandaj çdo rast duhet gjykuar individualisht në bazë të platformës së më sipërme dhe si pas orientimit të përgjithëshëm që ka dhënë partija për ruajtjen e aparateve shtetnore dhe ekonomike nga elementi armik dhe për tërë politikën e kuadrit.

12) Ata që përjashtohen nga puna si elementë të pa dëshirueshëm dhe armiq, nuk do të thotë se ata nuk kanë më të drejtë të punojnë në asnjë punë tjetër. Ata nuk mund të punojnë n’aparatet shtetnore dhe ekonomike që kanë organikë të aprovuar dhe nuk mund të drejtojnë maqinerinë ose në vende me përgjegjësi materjale.

Por një person i tillë mund të punojë si puntor i thjeshtë, si murator, si marangoz, mund të punojë në kanale në rugë, në ndërtime të ç’fardollojshme, në prerje druri në sharra në ngarkim shkarkim (por jo në portet ) etj. Ata nuk mund të meren në punë si shitësa ndër dyqanet e shtetit ose në kooperativa, si magazinjerë etj.

III.- Proçedura që do të ndiqet këtej e tutje për spastrimi e aparateve shtetnore dhe ekonomike.

Në letrën Nr.180 Dt. 20.2.1953 janë dhënë udhëzime të hollësishme mbi proçedurën që do të ndiqesh atëherë, për komisjonet e spastrimit etj. Por atëherë ishte e domosdoshme të veprohej ashtu duke marë parasysh që mjaftë elementë të pa dëshirueshëm e armiq kishin hyrë në aparatet tona shtetnore dhe ekonomike dhe në ato kondita ishte e nevojëshme t’i nënshtroheshin studimit ato kategori kuadrosh pa parti që përmbante udhëzimi më sipërm. Tani pasi është bërë një punë e madhe në këtë drejtim nuk do me thënë se proçesi spastrimit të elementëve armiq nga aparatet tona ka marë fund. Ky është një problem i vazhdueshëm i organeve shtetnore dhe të partisë prandaj vazhdimisht duhet mbajtur e mprehur vigjilenca dhe në këtë drejtim. Por proçesi spastrimit në t’ardhmen duhet të ndjeki rrugëne zakonëshme, prandaj nuk është e nevojëshme për të ardhmen të ekzistojnë komisjonet e krijuara që në 1953 por të veprohet në bazë të instruksionit të Komitetit Qëndror të P.P.SH. mbi punën e kuadrit.

Në rast se nonjë dikaster ose komiteti ekzekutiv p.sh. ka nevojë të studjojë punën e kuadrit në këtë ose atë sektor, po t’ë shofi të nevojshme mund të krijojë komisjone në atë përbërje që përmban udhëzimi. Nr.180 ose me ndonjë përbërje tjetër si pas problemit që ka për të parë, por gjithmonë në përfundimin për emërime pushime transferime etj. të kuadrove duhet zbatuar instruksioni K.Q. dhe nomeklatura.

2) Dhe qëllimi që të mos ndodhi që elementë të përjashtuar nga aparatet shtetnore ose ekonomike të futen në ndërmarjetë tjera është e nevojshme të mbahen evilenca të veçanta për këta ashtu si edhe më parë.

IV.- Reabilitimi atyre që përjashtohennga puna për qëndrim të keq politik.

Duke marë parasysh punën e madhe që është bërë në të gjitha drejtimet në vendin tonë gjatë këtyre 12 vjetëve të çlirimit dhe do të bëhet në të ardhmen, sukseset e haritura, fitoret e mëdha që ka korur populli ynë, nënë udhëheqjen e partisë punës, forcimin e pozitave tona të brendshme etë jashtëme etj. Një pjesë e elementëve që në të kaluarën s’kanë pasur qëndrim të mirë politik kanë pas e kanë mundësi të reabilitohen të shohin drejt realitetin tonë dhe të binden për drejtësinë e vijës sonë të drejtë, vetë shoqërija jonë ushtron një influencë ndijeshme positive në riedukimin dhe edukimin e njerëzve.

Pa dyshim këtu ka të bëj shumë edhe qëndrimi i kuadrove tona të cilët pa rënë n’oportunizëm duhet të luftojnë që fitojnë politikisht njerëzit.

Për tu reabilitura një element i tillë duhet të japi prova konkrete për qëndrim të mirë politik, për besnikëri ndaj pushtetit, për punë të mirë në favor të pushtetit popullor ose të ndërtimit të ekonomisë popullore.

Riabilitimi i këtyre personave është në kompetencën e kryetarit të komitetit ekzekutiv të rrethit ku punon ose banon ky person, i cili në bazë të të dhënave që ka nga partija, organet vartëse të tij dhe nga organet e punëve të brendëshme dhe në bazë të të dhënave që duhet të maringa rrethi që ka vendosur përjashtimin, bën propozimin për riabilitimin e (x) personi. Në rastin kur vendoset reabilitimi, kryetari i komitetit ekzekutiv duhet të njoftojnë Degën e punëve të brendëshme për të bërë shënimet e nevojëshme.

Të gjitha udhëzimet e tjera të dhëna më parë që bien në kundërshtim me këtë udhëzim anullohen.

Ritheksojmë se kujdesi për të ruajtur pastërtinë e rathëve të aparateve tona nuk duhet paksuar, por duhet forcuar vigjilenca revolucionare për të ruajtur pushtetin, aparatet tona shtetnore dhe ekonomike penetrimi elementave armiq.

 

KRYETAR i KËSHILLIT TË MINISTRAVE

 

Daktil. P.M

Shtyp L. Alkoli

Datë 26.XI.1956

 

(AQSH, F. 14, V.56, D.78)

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency