Zhbllokimi Shqipëria lejon kalimin e miellit, Kosova vazhdon bllokimin e qumështit

0
154

Driçim Çaka

qumeshtiMungesa e një përgjigjeje zyrtare po i detyron kompanitë e qumështit në vend të mos eksportojnë drejt Kosovës, duke ditur që e gjithë sasia mund të shkojë dëm

 

Analizat e bëra ditën e djeshme lidhur me përmbajtjen e aflatoksinës në miellin që transportohet nga Kosova në Shqipëri tregojnë se janë brenda normës së lejuar nga Bashkimi Evropian. Dy ditë më parë, një udhëzim i ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, detyroi doganat shqiptare të kryenin kontrolle të rregullta për çdo dokument që duhet të zotëronin bizneset kosovare. Nga kontrollet që u kryen, u bë më dije se mungonte analiza që tregonte për sasinë e aflatoksinës. Kjo bëri që për tri ditë rresht mielli kosovar të qëndronte në doganën e Morinës në Kukës. Zëvendësministri i Bujqësisë, Ndoc Faslia, përmendi se pas kryerjes së analizës së aflatoksinës, e cila rezultoi brenda standardeve, dogana shqiptare ka zhbllokuar sasinë e miellit të ardhur nga Kosova: “Ka qenë një bllokim për verifikim për sasinë e miellit që kalon nga Serbia në Kosovë dhe Shqipëri. Ka pasur sinjale se ky miell përmban metale të rënda të misrit dhe e kemi bllokuar përkohësisht. Pas verifikimeve u pa se çdo gjë është në rregull dhe mielli është zhbllokuar”, – theksoi zv.ministri i Bujqësisë.

Ambasadori i Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi, e ka cilësuar bllokimin e miellit që vjen nga Kosova si një situatë e cila duhej shmangur. “Kemi kontaktuar me Ministrinë e Ekonomisë për këtë çështje. Është hera e parë që kompanisë i kërkohet certifikata e aflatoksinës. Situata të tilla nuk duhet të ndodhin mes dy vendeve, ne presim që kjo çështje të zgjidhet”, – përmendi ambasadori Selimi. Përveç ambasadorit kanë reaguar edhe autoritetet në Prishtinë, të cilat e kanë lidhur ngjarjen në mënyrë direkete me bllokimin e qumështit. Sipas tyre, lufta që po bëhet, është e pakuptimtë dhe nuk duhet të ekzistojë mes dy vendeve të cilat varen shumë nga bizneset e njëra-tjetrës.

Situata e qumështit

Ndërkohë që autoritetet shqiptare i kanë dhënë një zgjidhje të shpejtë çështjes së qumështit, Kosova ende nuk ka kthyer përgjigje nëse do të lejojë apo jo kalimin e qumështit. Sipas burimeve pranë Ministrisë së Bujqësisë, ende nuk është dhënë një përgjigje zyrtare lidhur me zhbllokimin e qumështit shqiptar që shkon në Kosovë. Mungesa e një përgjigjeje zyrtare po i detyron kompanitë e qumështit në vend të mos eksportojnë drejt Kosovës, duke ditur që e gjithë sasia mund të shkojë dëm. Mediat në Kosovë i kanë dhënë një rëndësi të madhe bllokimit të miellit nga Shqipëria, duke shkuar deri në akuza politike, ndërkohë që autoritetet shqiptare nuk po u kërkojnë llogari homologëve kosovarë për të mos penguar kalimin e qumështit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency