Dita e Verës në Elbasan, Topalli: Vitin e ardhshëm numri i bizneseve do jetë më i madh

0
168

Florenc Drizari

FESTUIMETKryetarja e Kuvendit bashkohet me qytetarët e Elbasanit për të festuar Ditën e Verës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu bashkua dje festimeve të Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit. Nga kryeqyteti i festës, Kryeparlamentarja Topalli premtoi më shumë investime për këtë zonë në mandatin e ardhshëm.

Zonja Topalli vizitoi panairin e Ditës së Verës, ku ishin ekspozuar produkte dhe shërbime të ofruara nga agjenci dhe institucione, si dhe nga dhjetëra biznese nga Elbasani dhe qytetet e tjera të Shqipërisë e Kosovës.

JOZEFINA TOPALLI

“Është kënaqësi shumë e madhe, – tha Kryetarja e Kuvendit, – që ndodhem këtu së bashku me kolegët e mi dhe me qytetarët e Elbasanit për të festuar së bashku dhe t’ju uroj këtë ditë feste jo vetëm për qytetin e Elbasanit, por që ka lindur dhe që ka traditën këtu në qytetin tuaj. Gëzuar festën! Është një festë me ëmbëlsinë e ballokumeve, me bukurinë e luleve dhe me gëzimin e shpirtit që qytetarët e këtij qyteti i japin kësaj dite. Siç më shkruanin edhe në një mesazh, koha nuk mbajti shumë, por kjo është një ditë me diell dhe shumë e bukur. Është një ditë në të cilën të gjithë gëzojnë, të gjithë janë bashkë dhe të gjithë i japin gëzimin çdo momenti dhe çdo çasti në familjet e tyre, me fëmijët e tyre, me bashkëshortet e tyre, me të dashurit e tyre në këtë ditë të bukur”, – u shpreh Kryeparlamentarja.
Jozefina Topalli përgëzoi organizatorët e këtij panairi dhe shprehu bindjen se me mbarimin e tunelit Tiranë – Elbasan dhe përfundimin e rrugës, numri i bizneseve pjesëmarrëse në këtë panair, do të jetë edhe më i madh.
“Ajo që më ka bërë përshtypje kësaj radhe, janë emigrantët shqiptarë që 20 vite më parë e kanë lënë Shqipërinë për shkak të pamundësisë për të fituar dhe për t’u punuar në këtë vend. Tani ata kthehen në Shqipëri, kanë hapur biznese, janë prezentë në këto panaire, kanë sjellë eksperiencën e tyre dhe kanë krijuar biznese të reja në Elbasan, por edhe në qytete të tjera, duke rritur numrin e të punësuarve. Sigurisht u gëzova që një ndër bizneset shumë të bukura të artizanatit drejtohej nga një zonjë, e cila kishte ardhur nga Durrësi për të pasur stendën e saj në këtë panair të Elbasanit që tashmë nuk është vetëm i Shqipërisë, por është i të gjithë kombit, është rajonal dhe unë u bëj urimet më të mira të gjithë këtyre bizneseve për kurajon, për arritjen e tyre. Jam e sigurt se vitin e ardhshëm numri i tyre do të jetë më i madh, sepse një numër më i madh biznesesh do të thotë më shumë punësime, më shumë të ardhura, mirëqenie edhe më e lartë, gjë të cilën ne synojmë të vazhdojmë ta realizojmë edhe në katër vitet e ardhshme. Edhe njëherë të gjithë qytetarëve të Elbasanit, të gjitha zonjave, fëmijëve të tyre, çdo qytetari: Gëzuar festën! Ia kalofshi bukur!”, – tha zonja Jozefina Çoba Topalli.

Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit bëri një ndalesë të veçantë në stendën e Këshillit të Qarkut të Elbasanit, i cili prezantohej në këtë panair me një projekt në shërbim të fëmijëve autikë.
Duke i përgëzuar përfaqësuesit e Këshillit të Qarkut të Elbasanit për këtë nismë, Kryetarja e Kuvendit shprehu edhe një herë të gjithë mbështetjen e saj personale dhe të Kuvendit të Shqipërisë për këtë çështje sensitive, e cila prek jo vetëm fëmijën dhe familjen, por edhe të gjithë shoqërinë.
Gjatë vizitës së saj në qytetin e Elbasanit, Kryetarja e Kuvendit u ndal edhe në shtatoren e Aqif pashë Elbasanit, njeriut që ngriti flamurin e pavarësisë në Elbasan në vitin 1912 dhe pllakën e firmëtarëve të Dokumentit të Pavarësisë, si dhe në monumentin e Lef Nosit, atdhetarit, politikanit dhe studiuesit nga Elbasani dhe ruajtësit të Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet më parë. Gjithashtu, ditën e djeshme qytetin e Elbasanit me rastin e Ditës së Verës e vizituan një numër i madh qytetarësh nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia, si dhe përfaqësues të partive politike dhe legjislativit shqiptar.

 

 

Rrëfehet Kryeministri: Dita ime e Verës në Paris!

Kryeministri Berisha uroi dje para nisjes së tij në Bruksel qytetarët e Elbasanit dhe mbarë qytetarëve të vendit festën e Ditës së Verës. Në profilin e tij në Facebook kryeministri shkroi se qytetarët festojnë Ditën e Verës, festën më të lashtë. “Ju uroj se pari qytetarëve të Elbasanit, kryeqytetit të festës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, Gëzuar Ditën e Verës, festën e luleve, lulëzimit, shpresës, gëzimit, haresë që sjell pranvera! Uroj shëndet, lumturi mbarësi dhe suksese për të gjithë!”, – uroi Kryeministri.
Përshkrimin e kësaj feste Kryeministri Berisha zgjodhi ta shoqëronte edhe me tregimin e një historie se si e ka festuar 34 vjet më parë Ditën e Verës në Tropojë dhe Paris.

Në fëmijëri ne e festonim shumë Ditën e Verës. Për një javë rresht me moshataret e mi mblidhnim dëllinja dhe shkurre, ngrinim një mullar sa më të lartë me to dhe me date 6 prill (Dita e Verës në Tropojë) në darkë ndiznim zjarrin gjigant, vraponim nëpër tymin e tij dhe më vonë, kur na e mbante, edhe mbi prushin e tij. Gjella tradicionale e shijshme e asaj nate gatuhej më këmbët e pastërmasë që thaheshin gjatë dimrit dhe ruheshin vetëm për atë darkë. Një ditë, 34 vjet me parë në Paris, tek prisja autobusin, befas profesori me të cilin punoja ndali makinën dhe më ftoi të shkonim direkt për drekë në shtëpi. E shoqja, ndonëse e panjoftuar, na priti me shumë njerëzi. Shtroi drekën dhe rastisi që kishte gatuar këmbë pastërmaje, kuptova se i serviri pak e sikletosur, por kur unë i tregova së këmbët e pastërmasë ishin gjella me e nderuar në festën tonë më të lashtë ajo nuk e përmbajti gëzimin. Kjo ishte dita ime e Verës ne korrikun e vitit 1979 në Paris. Gëzuar!”, – shkroi Kryeministri Berisha në faqen e tij të Facebook-ut.

 

Olldashi shpërndan ballokume për punonjësit e tunelit Tiranë – Elbasan

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ndryshe nga zyrtarët e tjerë që vizituan dje qytetin e Elbasanit, me rastin e Ditës së Verës, zgjodhi një mënyrë të veçantë festimi duke iu dhuruar ballokume punonjësve të rrugës Tiranë – Elbasan. “Dita e Verës. Ndërkohë që “gjysma” e Tiranës shkoi drejt Elbasanit, kryeqytetit të Ditës së Verës, mendova se mënyra e mirë për të festuar ishte t’i shpërndaja ballokumet tradicionale atyre që sot, në ditë feste, punojnë për të përgjysmuar distancën mes Tiranës dhe Elbasanit, punëtorëve të tunelit të Kërrabës. Porosita disa qindra ballokume dhe ua shpërndamë punëtorëve në kantier. Gëzuar atyre dhe gëzuar të gjithëve Ditën e Verës”, – shkroi ministri Olldashi në profilin e tij në Facebook.

 

Rama në Elbasan: Shpresojmë që Shqipëria të rilindë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i përcolli nga Elbasani urimet e tij për Ditën e Verës. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda, Rama tha se ky vit do të jetë me bereqet, për shkak të shiut që ka nisur të bjerë në Elbasan në këtë festë pagane. “Shiu ka sfiduar këtë festë pagane, por pas këtij shiu vjen një rilindje për ekonominë dhe shoqërinë për vendin tonë, i cili këtë verë do të hyjë në rrugën e duhur, në rrugën e shumëpritur, ku do të mirëpritet krahëhapur nga bota demokratike dhe ku shqiptarët do t’i gëzohen demokracisë, ashtu si ajo është krijuar me një hapësirë lirie, konkurrence për të gjithë pa dallim bindjesh partiake, pa dallim përkatësish krahinore, por të gjithë së bashku si njerëz të barabartë që i përkasim të njëjtit atdhe”, – tha Rama. Gjatë vizitës në panairin “Dita e Verës”, Rama tha se “me fitoren e 23 qershorit biznesi do të fitojë më shumë dhe do të paguajë më pak taksa”.

 

Dita e Verës

Festë në shi, qytetarët “ngujohen” në shtëpi, ballokumet stok

Më shumë se ditë feste përngjau me një ditë të zakonshme dimri, ku shiu gjatë gjithë ditës duket se “ngujoi” qytetarët brenda, ndërsa shumë shitës ambulantë u ankuan se nuk shitën dot ballokumet e tyre duke krijuar stoqe të mëdha. “Duket si dita e dimrit, jo e verës. Megjithatë, rëndësi ka që njerëzit duan të festojnë”, – thotë një qytetare. “Me shoqen time doja të shkoja në Elbasan, por ja që nuk mundëm. Dhe këtu shumë bukur”, – shprehet një tjetër. Në aksin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” qarkullimi i automjeteve nuk u ndalua si çdo vit për shëtitjen masive, por në rrugën pedonale “Murat Toptani” dhe trotuare pati fluks qytetarësh, të cilët u nxitën edhe nga aktivitetet e Bashkisë së Tiranës. Panairi i artizanatit dhe luleve, ansambli “Tirana”, apo Banda Frymore, Kori i Liceut Artistik, apo koncerte të ndryshme për qytetarët. Tingujt e muzikës dhe animacioneve mbizotëruan në disa pika përgjatë bulevardit, megjithëse me spektatorë të paktë. Tregtarët ambulantë janë lejuar nga bashkia të shesin në të gjitha rrugët, por në mënyrë të sistemuar. Policia Bashkiake ka organizuar vendosjen e tyre, duke mos lejuar shitjen në të dy krahët e trotuarit për të shmangur probleme në lëvizjen e qytetarëve. “Nuk po na mban koha, po gjithsesi është festa e verës. Po themi për numrin e qytetarëve që janë në lëvizje, është mirë”, – thotë një tregtar ballokumesh. “Nuk ka pasur shitje fare, ça të bësh, koha”, – shprehet një tjetër tregtar. “Shitjet janë pak më të ulëta dhe lëvizjet ndoshta dhe nga kushtet klimaterike ka qenë e kushtëzuar dhe ka pasur më pak lëvizje”, – thotë një tjetër. Edhe Policia e Shtetit qëndroi në gatishmëri për të siguruar mbarëvajtjen e festimeve, megjithëse dyndjet masive munguan duke mos shkaktuar probleme. Pas shumë vitesh me diellin që shkëlqen Dita e Verës erdhi ndryshe këtë vit, megjithatë kushdo që e feston, ka gjetur mënyrën për të bërë këtë në mjediset familjare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency