Në vendin klasik “Legjenda e Rozafës”!

0
180

Alfred Beka

5 mars rozafaSkulptori kosovar që jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë, Destan Gashi, do të prezantohet para publikut vjenez me ekspozitën personale “Legjenda e Rozafës”, me njëzet skulptura prej mermeri.

 

Artdashësit vjenez e njohin prej vitesh, pasi edhe më herët ka hapur ekspozita të ndryshme në kryeqytetin austriak por edhe në qytete tjera të Austrisë dhe të vendeve tjera evropiane. Skulpturat e tij kanë një tematikë që e lidhin me origjinën e tij. E tillë është edhe ekspozita me titull “Legjenda e Rozafës dhe histori të tjera në gurë” e skulptorit Destan Gashi, e cila do të hapet në Vjenë më 21 mars. Ekspozita e Gashit do të hapet në galerinë Artefakt në Vjenë dhe do të qëndrojë e hapur deri më 11 prill. Në këtë ekspozitë, skulptori Gashi trajton legjendat dhe traditat shqiptare, duke filluar nga legjenda e Rozafës, pastaj Doruntina, femrat hasjane e të tjera.

“Ekspozita prekëse e skulptorit Destan Gashi të rrëmben në një botë plot legjenda dhe mite. Gurët na tregojnë histori shqiptare, si ajo e legjendës së Rozafës, Doruntinës dhe hasjaneve, grave krenare të Malësisë së Hasit prej fshatrave pranë Drinit të Bardhë, të ndërgjegjshme për traditat e tyre”, thuhet në informatën për ekspozitën e Gashit. Njëra prej skulpturave të tij, ‘Legjenda e Rozafës’, e përbërë nga mermeri, mishëron të porsalindurin në gjirin e Rozafës. Sipas legjendës, gruaja e re Rozafa u muros e gjallë në muret e kështjellës së Shkodrës në Shqipërinë e veriut, sepse, meqë ngrehina rrëzohej vazhdimisht gjatë ndërtimit, duhej të flijohej një njeri. Rozafa e pranoi fatin e saj, por dëshira e saj e fundit ishte që të mund t’i japë gji të sapolindurit edhe më pas, çka edhe iu pranua. Në mur u la një e çarë aq e madhe sa t’i jepte sisë foshnjës. Muret e ndërtesës tani qëndruan dhe kështjella mund të ndërtohej. Po ta vizitosh sot kështjellën e vjetër në periferi të Shkodrës, shikon të rrjedhë mbi mure një lëng i bardhë që përmban kalk. Thuhet që janë lotët dhe qumështi i Rozafës që derdhen që nga ato kohë të shkuara kur Rozafa u fut në mure.

Duke i qëndruar besnik traditës së skulpturës në gur, Destan Gashi i kushtohet pothuaj me obsesion temës së aktit femëror. Në këtë ekspozitë mund të shihen edhe mjaft skulptura prej ciklit “Kokë vajzash” që janë krijuar vitet e fundit. Çdo skulpturë përfaqëson një individualitet të qartë që bazohet ndër të tjera edhe në vetitë e vetë mermerit. Studime të gjata mbi natyrën dhe anatominë e lejojnë sot autorin që t’i skalitë figurat direkt në gur pa pasur nevojë për model.

Në ekspozitën që do të hapet në Vjenë fjalën e hapjes do ta mbajë profesori Johan Gunther, ndërsa të pranishëm pritët të jenë edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Vjenë Vili Minarolli si dhe ai i Republikës së Kosovës Sabri Kiqmari.

Skulptori Destan Gashi ka prejardhje nga Rahoveci. Ai ka diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel, fillimisht në pikturë më 1978 dhe më vonë ka vazhduar studimet në degën e skulpturës. Prej vitit 1987 jeton dhe krijon si skulptor i pavarur në Vjenë të Austrisë.

Prej vitit 1985, Gashi ka pasur shumë ekspozita në galeri të ndryshme, nëpër kala, nëpër kopshte dhe nëpër muze në Austri dhe në shtete te tjera. Shumë vepra të tij gjenden nëpër koleksione private në Belgjike, Holandë, Itali, Austri, SHBA, Spanjë dhe Gjermani.

Për skulpturat e tij, Gashi është nderuar me disa çmime, përfshirë çmimet “Prix d´Excellence de la Ville de Bruxelles”, “Prix de Doutrelon de Try” dhe “Medaille de la ville de Bruxelles”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency