Puna vullnetare, një eufemizëm për skllavërinë

0
775

Çelo Hoxha

punaNjë numër veprash në infrastrukturë, që u ndërtuan me punë vullnetare gjatë diktaturës komuniste, janë të ngjashme me piramidat e Egjiptit, të cilat mendohet se janë ndërtuar me skllevër

 

Funksioni i shkrimit të historisë nuk është të shuajë kuriozitetin e kureshtarëve me tituj sensacionalë. Zbulimi i dokumenteve të panjohura është vetëm një pjesë e funksionit të saj. Përmbajtja e dokumenteve historike, të reja apo të vjetra, shërben si bazë për analizimin e historisë, e cila bëhet duke përfshirë në të edhe faktorë tjerë. Formimi filozofik, sociologji, juridik etj. i historianit luajnë një rol të rëndësishëm në analizën e historisë.

Për shembull, historia e vdekjes së Shkurte Pal Vatës, 15-vjeçares që vdiq duke punuar në hekurudhë, nëntor 1967, nuk ka shumë gjëra për t’u zbuluar, përveç datës së saktë vdekjes së saj, të cilës nuk i është kushtuar vëmendje nga shtypi i kohës, sepse propaganda nuk shqetësohej për detaje. Për të është folur vetëm në dy forma: deri në vitin 1991, si një akt heroizmi, dhe pas këtij viti, Shkurta është parë dhe si viktimë e propagandës. Por kjo nuk është e gjitha.

Propaganda është përdorur dhe vazhdon të përdoret nga njeriu. Prezantimi i ngjarjeve dhe personazheve nga një këndvështrim i caktuar, me devijime apo jo, me qëllim për të arritur një efekt të paracaktuar te publiku, është propagandë, e cila shfaqet në shumë forma. Propaganda vazhdon të përdoret dhe sot, jo vetëm nga vendet totalitare. Në vendet demokratike, ku propaganda përdoret, ajo ka elementë më humanë në procesin e saj dhe një emër elegant pas të cilit fshihet: marrëdhënie me publikun.

Propaganda e abuzimit me aksionet e punës vullnetare, me Shkurte Pal Vatën dhe moshatarët e saj, e vështirëson punën për të gjetur të vërtetën, por kushdo që rrëmon, dhe nëse ka qasjen e duhur, pa dyshim që do ta gjejmë thelbin e saj: punësimi i minorenëve dhe pa pagesë.

Në librin “Historia e Shqipërisë”, teksti zyrtar i historisë,1965, flitet për “mjerimin” e klasës punëtore në periudhën e para dhe gjatë mbretërisë. Sipas këtij teksti, punëtorët jetonin në kushte shumë të vështira, me orare të zgjatura dhe me paga shumë të ulëta. Punëtorët e rrobaqepësive në Korçë, sipas tekstit zyrtar, u hodhën në grevë, duke kërkuar uljen e orarit të punës në 10 orë dhe kufizimin e punës së të miturve gjatë natës. Më tej, varfëria e popullit dhe shfrytëzimi i fëmijëve ilustrohet me krijimet letrare të Migjenit.

E lëmë mënjanë vërtetësinë e lëndës, fakti që na intereson është ky: regjimi komunist ishte kritik ndaj punës në kushte të vështira, me orare të zgjatura ose punësimit të minoreneve.

Tani le të kthehemi në historinë e regjimit komunist, dy vjet pasi u botua teksti zyrtar i historisë. Njerëzit shkonin me mijëra në aksione me punë vullnetare. Këta punëtorë punonin me orare të zgjatura, në kushte të vështira dhe nuk paguheshin fare. Puna vullnetare ishte punë e papaguar, pavarësisht propagandës që thoshte se ishte punë me dëshirë, kjo nuk ka qenë aspak e vërtetë. Njerëz si puna ime, që kanë qenë nxënës në vitet ‘80, pa dyshim që kanë marrë pjesë në aksione “vullnetare” të organizuara nga shkolla. Ne nuk kishim zgjedhje, nëse nuk shkonim në punë, ndëshkoheshim njëlloj si të mos shkonim në mësim. Aksionet tona s’ishin aspak vullnetare, ato ishin të detyruara.

Puna e papaguar, në çdo lloj kohe dhe çdo lloj sistemi, ka pasur të njëjtën formë dhe të njëjtin qëllim: dikush shfrytëzonte dikë. Më herët, në histori, puna e papaguar ishte quajtur skllavëri ose bujkrobëri, në periudhën e komunizmit quhej aksion vullnetar. Hekurudha Rrogozhinë – Fier, ku u vra Shkurte Pal Vata dhe shumë aksioniste të tjera, si dhe vepra të tjera publike të mëdha, para dhe pas kësaj hekurudhe, të cilat janë ndërtuar me punë vullnetare, mund të thuhet fare mirë se janë ndërtuar nga skllevërit.

Pas letrës së Enver Hoxhës për Pal Vatën, 10 nëntor 1967, dhe me anëtarësimin e viktimës, pas vdekjes, Shkrutes së vrarë në punë, në radhët e PPSH-së, propaganda mori përmasa të skajshme.

Në qendër të propagandës u vendos brezi i ri, sidomos minorenët. Arsyeja ishte e dukshme: ata manipuloheshin më lehtë. Të rriturit e kishin vështirë ta gëlltitnin si heroizëm vdekjen aksidentale të një fëmije, që në një rast tjetër mund të kishte qenë edhe fëmija i tyre.

Në një letër dërguar Enver Hoxhës, e nënshkruar “nga të rejat dhe të rinjtë e Lushnjës”, të cilët shkruanin nga Dushku dhe pretendonin se përfaqësonin “qendrat e punës, kooperativat bujqësore, shkollat e rrethit të Lushnjës”, thuhej se nënshkruesit kishin shkuar “për të parë frontin punës, ku dha jetën Shkurta, sokolesha e maleve”. Ata shpreheshin, në letër, se vdekja u Shkurtës u mësonte, “në radhë të parë si duhet të punohet e të luftohet për socializmin, si duhet të mposhten vështirësitë, pa u përkulur asnjëherë.” Atyre u kishte bërë përshtypje që babai i Shkurtes, i cili kishte shkuar në hekurudhë për “zëvendësuar punën e të bijës”. Dhimbja e tij më e madhe nuk kishte qenë humbja e vajzës, por, për shkak të vdekjes së saj, numri i vullnetarëve ishte pakësuar me një person.

Të frymëzuar nga vdekja e Shkurtës dhe sjellja e babai të saj, të rinjtë lushnjarë kishin vendosur a) të dërgonin një brigadë të rinjsh, me emrin Shkurte Pal Vata, të punonte në Pecaj, fshati i Shkurtës, dhe fshatra të tjera të Dukagjinit; b) do të ndërtonin në Pecaj një vatër kulture dhe një shtëpi të re për familjen e Pal Vatës; c) gjatë dimrit 2000 të rinj e të reja do të punonin të hapnin toka të reja në Lushnjë; d) do të thelloheshin shumë në revolucion duke punuar, por dhe duke mësuar teorinë, shkencën dhe teknikën; e) do të ndiqnin rregullisht mësimet në shkollë. Në fund premtonin se do të ishin “ushtarë të denjë për ndërtimin e socializmit, për mbrojtjen e Atdheut, qoftë duke dhënë edhe jetën tonë.”

Në një letër tjetër për diktatorin, 38 nxënës të klasës së tetë nga Vlora, i drejtoheshin Enver Hoxhës si “I dashur prind” dhe i thoshin, mes të tjerash, se “jemi bij të partisë dhe të Pal Vatës.” Ata kishin vendosur që në pushimet e verës të punonin një muaj në rrugën Rrogozhinë – Fier, aty “ku moshatarja jonë dha jetën”. Shkurta kishte qenë një vit më e madhe se ata.

Në gjithë Shqipërinë, duke iu referuar shtypit, jepeshin lajme se të rinjtë, kryesisht të moshës nën 18 vjeç, merrnin iniciativa të punonin një muaj ose më shumë në mënyrë vullnetare në fronte të ndryshme.

“Nëpër fabrikat, kombinatet kooperativat bujqësore dhe shkollat të rinjtë dhe punonjësit e tjerë të kryeqytetit po i përgjigjen aktit heroik të cucës trimëreshë nga Dukagjini, Shkurte Pal Vata, dhe vlerësimit të lartë që i bëri asaj dhe gjithë brezit të ri Partia me iniciativa dhe zotime të reja konkrete për të marrë pjesë në aksione të punës vullnetare me karakter lokal dhe kombëtar, për të shtuar prodhimin, për të ngritur dhe zhvilluar më tej ndërgjegjen socialiste dhe vetitë e moralit komunist,” shkruante “Zëri i popullit”, 19 nëntor 1967. Sipas të njëjtit artikull, ishin të shumta organizatat e rinisë që kishin shfaqur dëshirën për të punuar në hekurudhën Rrogozhinë – Fier, në vendin ku kishte rënë Shkurta. Shumë nxënës dhe studentë, sipas gazetës, kishin shprehur dëshirën që të shkonin në të njëjtin vend për të punuar gjatë pushimeve të dimrit. Vendi ku u aksidentuar Shkurta u trajtua, në njëfarë mënyre, si një vend i shenjtë. Shkurta nuk bëri asnjë lloj heroizmi. Atë e zuri balta, u plagos, e çuan në spital të Lushnjës dhe aty vdiq pas 10-12 ditësh.

Denigrimi i fatit të njeriut në komunizëm ndoshta është i pashoq në gjithë historinë e njerëzimit. Njeriu mund të ketë qenë trajtuar keq dhe më herët, por të paktën nuk është tallur askush aq hapur e paturpësisht sa regjimi komunist.

Në 6 nëntor 1967, anëtaret e brigadës së Shkurte Vatës i shkruan Enver Hoxhës një letër ku i premtonin se do të ishin përherë “bija revolucionare e besnike të partisë”.

Ja një fragment: “Ishim 145 çika, shoku Enver. Para pak ditëve nga brigada jonë u nda Shkurta 15 vjeçare. Tue punue me kompaninë e saj që të merrte flamurin, tue punue në kondita të veçanta për të bartë dheun në trase, u plagos randë. E dërgue menjiherë në spital, ku mjekët banë ç’asht e mundun që ta shpëtonin…. Shkuem ta shihnim, shoku Enver, dhe fjalët e para që na tha ishin: “A e fituam flamurin? Si janë shoqet?”

Fjalët e Shkurtes pa dyshim që janë sajuara nga njerëzit e propagandës, përcjellin këtë mesazh: puna mbi gjithçka. Jeta e njeriut s’kishte rëndësi. Puna ishte e çmuar, sepse pa atë diktatura nuk mund të mbaje në këmbë.

Qëndrimin zhvlerësues të diktaturës karshi jetës së njeriut e tregon, në mënyrë emblematike, edhe titulli i librit kushtuar Shkurte Pal Vatës, i cili u botua në 1967: “Një bie, mijëra ngrihen”. Pra, Shkurta s’ka rëndësi, e rëndësishme është që radhët e punëtorëve pa pagesë në hekurudhë janë shtuar.

Puna vullnetare është një nga aspektet që tregon se regjimi që erdhi me ambicien për t’u dhënë fund vuajtjeve të popullit, e zhyti gjithë popullin në vuajtje totale.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency