Topalli: Më 23 qershor të heqim pritën e fundit të pabesisë që ngriti Rama

0
191

Florenc Drizari

topalli“Fitorja e 23 qershorit do të jetë një fitore e thellë, sepse ne jemi ndryshimi, sepse ne duam një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri që ecën përpara”

 

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi se Partia Demokratike shkon në zgjedhjet e 23 qershorit me premtime të mbajtura dhe se pengesa e fundit që shqiptarët duhet të heqin, sipas saj, është bllokimi që Rama u bëri proceseve integruese të vendit. Deklarata e nënkryetares së Partisë Demokratike u bë me rastin e kremtimit të 22-vjetorit të themelimit të PD-së në Tropojë. “Ne shkojmë drejt zgjedhjeve me premtime të mbajtura. Në mandatin e ardhshëm shqiptarët do të bëjnë të mundur që të heqin pritën e fundit të pabesisë që Edi Rama ka vendosur përpara ëndrrës së shqiptarëve. Ajo është prita e fundit dhe fundosja e njeriut që tenton të pengojë ëndrrën tonë për t’u bashkuar me familjen evropiane”, – tha Topalli. Sipas zonjës Topalli, e djathta shkon e sigurt drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme, sepse është parti e suksesit dhe kërkon një Shqipëri të zhvilluar. Gjithashtu, Topalli promovoi edhe sloganin e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare “Ne jemi ndryshimi – Përpara”. “Fitorja e 23 qershorit do të jetë një fitore e thellë, sepse ne jemi ndryshimi, sepse ne duam një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri që ecën përpara. Partia Demokratike është parti e vizionit. Partia Demokratike është parti e flamurit, e misioneve të mëdha, e rrugëve të vështira, e ngjitjeve drejt lartësive. Është parti e shpirtit të kombit, është historia e udhës sonë, e fitores, e suksesit. Ne do fitojmë, sepse kur fiton Partia Demokratike, fiton Shqipëria, fiton kombi, fitojnë shqiptarët. Ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend të zhvilluar. Fitore në 2013!”, – tha Jozefina Topalli. Ndërkaq, dy ditë më parë Kryeministri Berisha bëri të ditur sloganin e fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit “Ne jemi ndryshimi – Përpara”. Kjo moto e fushatës, e cila pritet të shoqërojë të djathtët gjatë fushatës elektorale të muajit qershor, u publikua nga Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së parë të kryesisë së PD-së për vitin 2013.

Tri ligjet

Votimi i tri ligjeve të integrimit duket se do të jetë edhe debati kryesor që pritet të shoqërojë ditët e para të veprimtarisë parlamentare mes mazhorancës dhe opozitës. Gjatë takimit që Kryeparlamentarja Jozefina Topalli zhvilloi në mesjavë me senatorin holandezRene Van Der Linden, tha se tri ligjet e integrimit do të jenë në axhendën parlamentare deri në momentin që opozita do të japë votën pro miratimit të tyre. “Tri ligjet presin votën e opozitës dhe do të vazhdojnë të jenë në rend të ditës në çdo seancë plenare, derisa opozita të vendosë të japë kontributin e saj si detyrim ndaj popullit që e ka votuar. Miratimi i tri ligjeve nuk bëhet për qeverinë, por për qytetarët shqiptar dhe për projektin e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian”, – ka thënë Kryetarja e Kuvendit. Ndërkaq, gjatës sesionit të shkuar tri ligjet, si drafti për Gjykatën e Lartë, rregullorja e Parlamentit dhe projektligji për nëpunësin civil, ishin në axhendën e Kuvendit në çdo seancë plenare dhe me deklaratat e fundit të krerëve të mazhorancës, por edhe reagimeve të përfaqësuesve të opozitës, çështja e integrimit të vendit në BE dhe akuzat për mbajtjen e përgjegjësisë për mos marrjen e statusit të vendit kandidat, pritet të jenë sërish në qendër të debatit politik.

 

PD: Rama të japë sqarime për 100 milionët e bashkëshortes dhe për pallatin 5-katësh

Partia Demokratike, me anë të një deklarate për median, kërkon sqarime nga kryesocialisti Rama në lidhje me një kredi prej 100 milionë lekësh të marra nga bashkëshortja e tij pa interes, si dhe për ndërtimin e një pallati pesëkatësh. Zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, u shpreh: “Prej më se dy javësh, kryetari i Partisë Socialiste nuk përgjigjet për origjinën e deklaruar në ILDKP dhe në tatime të 100 milionë lekëve të të shoqes, Linda Basha, të marra apo të dhëna kredi pa interes nga gruaja e Edi Ramës dhe pa lëvizje në llogaritë bankare, jetime për sa i përket partnerit tjetër pa interes. Por le t’i lëmë kohë z. Rama për të gatuar origjinën si dhe marrësin apo dhënësin e kredisë pa interes të gruas së tij”, – thuhet në deklaratë. Ndër të tjera PD ka kërkuar sqarime edhe në lidhje me një pallat 5-katësh, që siç thuhet prej tyre, është pronë e familjes së bashkëshortes së Edi Ramës. “Ne po i përsërisim z. Rama kërkesën tonë të sqarojë shqiptaret për pallatin 5-katësh dhe një kat nën tokë me rreth 900 m katrorë sipërfaqe të ndërtuar në rrugën “Qemal Guranjaku”, ndërtim i përfunduar në vitin 2010, pronë e familjes së bashkëshortes së Edi Ramës. Partia Demokratike kërkon nga ju dhe familjaret tuaj z. Rama të mos përgjigjeni me agresivitet ndaj qytetarëve, të cilëve pallati i gruas suaj u ka zënë diellin”, – vijon deklarata e PD-së. Ndërkaq, në një tjetër deklaratë PD thotë se banorë të shumtë të njësisë numër 2 kanë protestuar në lidhje me pallatin e Linda Bashës, i cili është ndërtuar në mënyrë të paligjshme gjatë kohës që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës bashkëshorti i saj, z. Edi Rama. Gjithashtu, zyra e shtypit e PD-së pasqyron edhe disa shqetësime që kanë ardhur nga qytetarë të zonës: “Objektin që shihni pas meje është një objekt i cili është ndërtuar mbi një lulishte. Lulishte, e cila u ka shërbyer banorëve dhe fëmijëve të kësaj zone. Lulishte, e cila ka qenë e mirëmbajtur nga banorët dhe tani shohim që është ndërtuar një objekt, i cili është i paligjshëm. Edhe nga pikëpamja urbane, po të shikoni shkallët, i ka në rrugë, çfarë do të thotë që është një shqetësim për të gjithë komunitetin. Me sa dimë, leja e ndërtimit nuk është zbardhur akoma. Unë mendoj si banor i kësaj zone, që leja e ndërtimit të mos zbardhet, në mënyrë të atillë që lulishtja që ka qenë t’i kthehet këtij komuniteti”.

 

Thirrja e intelektualëve drejtuar Ramës: Hiqe pritën! Lejo deputetët të votojnë 3 ligjet!

Një grup intelektualësh, mes të cilëve shkrimtarë, profesorë, akademikë, mjekë, sportistë, aktorë etj. i kanë dërguar një peticion kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të lejojë deputetët e majtë të votojnë tri ligjet e integrimit. Peticioni është firmosur nga 23 intelektualë dhe për dijeni i është dërguar edhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në të thuhet se Bashkimi i Evropian është një projekt shpirtëror i shqiptarëve, i cili për shkak të politikës rezulton humbës, duke e treguar popullin inferior krahasuar me vendet e tjera. “Kemi humbur nderin në një betejë të pakryer me veten tonë, jo për fajin tonë, – thonë në letrën e tyre firmëtarët e peticionit. – Ju rikujtojmë se në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, me të vetmin kusht; që të votojmë 3 ligje. Për Shqipërinë votuan edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, por për Shqipërinë, vend kandidat, ju nuk lejuat të votonin deputetët tuaj. Ai që kërkon të na rreshtojë nga prapambetja, nga kulturat e pafrytshme dhe të padobishme, nga “as këndej e as andej”, ai që do të bëjë lojën e vjetër e të fëlliqtë, aroma e së cilës na i ka qelbur livadhet e shpresës jo rrallë herë gjatë historisë sonë, ka për të fituar ndëshkimin e Zotit dhe të shpirtrave libertinë shqiptarë. Liria jonë s’ka çmim. Dinjiteti ynë duhet të jetë i pacenueshëm. Nuk mundet më të shihemi nga të tjerët si qytetarë të dorës së fundit. Kjo është fyese për fëmijët tanë. Këtë, ne nuk e falim. Ata nuk mund të rriten më me modelin fytyrështrembër të së kaluarës. Mjaft më! Z. Rama, hiqe pritën! Lejo deputetët të votojnë 3 Ligjet!”, – shkruhet në peticion.

Firmëtarët e peticionit

Prof. dr. Pal Xhumari, prof. Arvin Dibra, dr. i shkencave Mirela Xhafa, prof. Xheladin Dracini, dr. i shkencave Sajmir Heba, prof. dr. Silvana Bali, prof. dr. Hasan Hafizi, Lusianda Shkëmbi mjeke, Dhimitraq Argjiri mjek, Natasha Themeli mjeke, Olta Gixhari aktore, Llaqi Nako baletmaester, prof. dr. Nora Çashku pianiste, Arben Morina piktor, Kristi Bello kompozitor, Agron Tufa shkrimtar, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, prof. dr. Muharrem Dezhgiu, Visar Zhiti shkrimtar, prof. Salvator Bushati akademik, Niko Xhaçka Mjeshtër i Madh i Sportit, Bujar Llapaj dirigjent, Gëzim Peshkëpia ish-i burgosur politik, David Tukiqi kompozitor

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency