Të varfrit Ne!

0
148

Violeta Murati

 

elektraRealiteti surreal i kulturës shqiptare në vitin 2012; asgjë e re në transformimin mental të mënyrës se si drejtohet dikasteri i lartë i kulturës nga socrealizmi; institucione të varfra artistikisht, pa konkurrencë, duke prodhuar vepra me cilësi të dobët artistike. Një vështrim jo mbi ngjarjet kulturore, por mbi gjendjen e varfërisë sonë kulturore, ku injorohet integrimi dhe ballafaqimi, ku mungojnë politikat dhe vizioni

 

Për 12 muajt e vitit që shkoi është vështirë të identifikosh statusin kulturor si vijueshmëri e një tradite në vend. Përpjekjet për t’u ballafaquar në një pikturë më të madhe sesa vetvetja në të shumtën e rasteve kanë dështuar. Ndonëse Shqipëria “kulturore” ia dedikoi 100-vjetorit të pavarësisë gjithë kontributin dhe trashëgiminë, rutina dhe formaliteti zyrtar i festimeve zbuluan mjaft të vërteta, edhe pse të padukshme për iluzionin politik që ngriti Ministria e Kulturës. Thënë më drejtpërdrejt, një lloj propagande politike ku kultura ishte mashë e bindur, e pavullnetshme. Shembulli më banal ishte kur “fondamentalë” të kulturës shtronin pyetjen: “Nuk kape ndonjë projekt për 100-vjetorin e pavarësisë!”

Nga ana tjetër, ndonëse kemi trokitur disa herë në dyer të ministrisë për të marrë informacion për preventivin e festimeve, “specialistët” e saj nuk kanë dhënë asnjë përgjigje! Kjo ministri vazhdon ende të mos bëjë asnjë transparencë publike.

Zhurma e festimeve e mbyti realitetin tonë të varfër kulturor, duke nisur qysh nga buxheti për kulturën që rezultoi më pak se çdo vit tjetër. Nuk besojmë se kultura është e vetëmjaftueshme për një investim apo vëmendje më të lartë nga qeveria. Por kontributi i ministrit të Kulturës për ta lexuar investimin në kulturë si nga më të rëndësishmit, si duket ka prodhuar performancën me të dobët.

Të gjithë ministrat e Kulturës po bëjnë të njëjtat gabime, njëri pas tjetrit. Vazhdojnë ta mbajnë kulturën nën tutelën e politikës, duke mos iu përgjigjur vizionit të lirisë artistike, në receptimin e një industrie kulturore.

Ministria mban fort arkën financiare, duke u shërbyer interesave personale, miqësive pa ndryshuar prej vitesh funksionin si fondacion, pa politikë a strategji kulturore. Rasti më konkret janë treguesit e një cilësie të dobët artistike që vazhdojnë të ndjekin rutinën mentale të trashëguar nga kultura socrealiste. Mungesa e tregut për produktet artistike është një nga kërkesat themelore për ta ndier konkurrencën. Kjo nuk ekziston fare, krahasuar me kontigjentin e krijuesve që prodhon çdo vit Universiteti i Arteve.

T’i hysh analizës për kulturën e vitit 2012 përgjegjësit e varfërisë artistike janë sa institucione aq dhe individuale. Çfarë është përgjegjësi institucionale lidhet me vizionin e dikasterit të lartë të kulturës prej nga burojnë politika dhe strategji. Të qëndruarit midis produktit kulturor dhe industrisë së tij është nga detyrat që asnjëherë nuk e ka kryer Ministria e Kulturës, që nga format më elementare, siç është thjesht zbatimi i ligjit, deri tek prezantimi i buxhetit vjetor, si kontekst i vëmendjes politike – hallka lidhëse gjatë kësaj rruge vazhdon të jetë e këputur. Vitin që shkoi u fol shumë në emër të decentralizimit të parave, të mospërqendrimit të tyre në duart e ministrit, duke ngritur sipas ligjit të artit, Qendrën e Artit. Por, kjo sa mbeti në tentativë duke shërbyer më tepër si mbulim i abuzimeve me paratë dhe projektet.

Ndërsa institucionet publike vazhdojnë të jenë në limitet e ekzistencës, ku në salla ende të thahet maja e hundës nga të ftohtit e dimrit, ku artistët presin fundmuajin të firmosin borderotë, dhe punësimet si artistë diktohen nga lart, politika! Për produktin artistik kush çan kokën! Shpesh kjo konvertohet me arrogancën e artistëve, “profesionistëve”, të cilët me keq se në komunizëm nuk lejojnë të shahen, apo t’u thuhen kritika – nënkupto si alternativë mendimi, ndryshe nga ata, që përzgjedhin vepra pa mund për të inskenuar!

Të mos përmendet se investimi në institucionet publike është injoruar edhe për shkak të mungesës së konkurrencës. Kjo është hallka tjetër e dobët për mjedisin tonë kulturor. Ende nuk janë krijuar kushte tregu si fjala vjen për teatro privat. Kanë nisur të gjallërohen disa shoqata teatrore që me paratë e taksapaguesve, dhe duke përdorur institucioneve publike ia dalin “të fitojnë” para si në kushte tregu! Kjo është ironi se si një tufë artistësh i njohin mirë rrugët se si mund të bësh para, pa pasur parasysh prapambetjen kulturore ku zhyten.

Leximi rresht për rresht i zërave buxhetor referuar programeve me të cilat operon Ministria si Arti e Kultura, trashëgimia, turizmi, feja e sporti shfaqen mjaft formale, si një raportim i zymtë, “copy paste” nga vitet, për të qenë brenda kornizës servile e rregullave tashmë të njohura politike. Por sa frytdhënëse, sa mendime origjinale, cilat janë aspiratat e një ministri kulture që ka impakt themelor në imazh mbeten dilema që e çalojnë perceptimin mental që kanë vendosur ministrat prej vitesh në këtë dikaster.

Çdo investim strategjik apo politik në kulturë e përkthyer në gjuhë shifrash, në koherencë me emergjencën që del duket më shumë hipokrizi e servilizim politik sesa mirëfilli interes kulturor.

Prej renditjes së programeve që ka bërë ministria për të justifikuar shpenzimet nga fondi, dhe për rrjedhojë për të lexuar projektbuxhetin kuptohet lehtë se Ministri vazhdon të ketë në dorë gjithë pushtetin financiar, përtej së cilës do konsiderohej si të jashtëligjshme gjithë institucionet publike, por dhe hallka të miratuar së fundi me ligj për të lehtësuar këtë barrë.

Në fushën e Artit dhe të Kulturës raportimi i Ministrit është aq sipërfaqësor sa vështirë të besohet se po drejton një Ministri, e për më tepër ta konsiderosh drejtuesin e saj në krah të një përcaktimi rigoroz: ç’kuptojmë me politikë kulturore e strategji të saj në këtë vend. Kjo është hallka e ndërtuar më keq, e për rrjedhojë e mbajtur më dobët.

Në raporte paralele investimet shkojnë për të mbushur programe të varfra, shpesh realizime e prodhime të dobëta që e humbin gjurmën brenda një jave. Justifikimet shpesh nxisin lojën spekulative të ministrit në emër të përfshirjes së të rinjve, apo promovimit të “vlerave” në nivel ndërkombëtar. Por këto janë tashmë janë shndërruar në mashë për gënjeshtra të reja për kulturën tonë të varfër, ku vetëm konkurrenca artistike në një treg të lirë të vlerave mund ta dallonte. Kjo duket se nuk ka gjasë të ndodhë kurrë, për aq kohë sa ministrat vijnë e ikin pa pasur përgjegjësi e vizion mbi këtë politikë kulturore. As miratimi i ligjit të Artit Skenik nuk e shmangu të vërtetën e kësaj varfërie, ku më shumë duket se ndërtoi një organizëm fantazmë brenda ministrisë për të ç’orientuar vëmendjen nga paratë që hyjnë e dalin në Ministri dhe ku askush nuk jep llogari, e nuk tregon transparencë. Në emër të konkurseve kombëtare rrezikon izolimi i ri kulturor. Kanë qenë krejt të paarsyeshme nga ana e Bumçit, apo këshilltarëve të tij si duket mediokër për kulturën koncepti i mbylljes së festivaleve serioze të organizuar deri tani, sidomos kur këto përfshijnë dhe imazhin turistik të vendit.

Ja, pse viti që shkoi të njëjtën gjendje prodhoi, dhe pse u fsheh pas festimeve të 100-vjetorit. Për të mos renditur listën e varfërimit tonë kulturore asaj që quhet strategji turistike të harmonisë mes monumenteve dhe produktit turistik, ku vazhdon rrënimi sistematik.

Izolimi kulturor është rreziku që po i afrohet mjedisit tonë. Tentativat e pakta, gati mospërfillëse, të disa individëve në përpjekje për t’u integruar apo ballafaquar me kulturën evropiane është krejt pa mbështetje politike. Ndërsa në harkun njëvjetor kultura nga e gjithë bota serviret nga ambasadat në Tiranë, duke promovuar kulturën respektive jo atë përfaqësuese, më shumë si përmbushje e detyrave diplomatike në Shqipërinë e varfër kulturalisht.

Pas kësaj situate është ironi nëse liston ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit 2012. Kur të nisë ndryshimi, apo transformimi mental i ministrave që drejtojnë kulturën, i artistëve përballë servilizmit politik pra kur të ndodhe transformimi i gjithë perceptimit politik, strategjik e vizionar për kulturën atëherë mund të flitet për ngjarje të rëndësishme.

Eventet e 100-vjetorit që kulmuan si ardhja e armëve të Skënderbeut apo Mesharit të Buzukut ishin si puna e skllavit në qelinë e tij. Lajme politike. Nuk është erë ndryshimi ajo që prodhon një erashkë kur tundet!

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency