I plagos nënën e të vëllanë me armë, djali më pas vret babain

0
172

Elton Qyno

Krimi në familje, Sajmir Çupi qëllon me qytë automatiku disa herë në kokë babain e tij Mark Çupi. 62-vjeçari vdes në spital

Dy djemtë paralajmëruan të atin të mos pinte alkool. 24-vjeçari u arrestua nga komisariati nr. 3 në Tiranë

Kthehet në tragjedi ngjarja e rëndë që ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në fshatin Ugrej të Lezhës, ku si pasojë e një zënke në familje kanë mbetur të plagosur rëndë shtetasit Marte dhe Astrit Çupi. Plagosja e tyre ka ndodhur pasi kryefamiljari ka qëlluar me automatik gruan dhe djalin e tij 27-vjeçar dhe më pas ka qenë djali i dytë, ai që është hakmarrë ndaj babait, të cilit ka mundur t’ia marrë armën nga duart dhe më pas ta godasë të atin pa mëshirë me qytën e automatikut, duke i shkaktuar vdekjen. E gjithë skena ka ndodhur rreth orës 22:15, kur në banesë është paraqitur kryefamiljari Mark Çupi, i cili në gjendje të dehur ka filluar të konfliktohet me gruan e tij, Marte Çupi. Pas sherrit dhe goditjes me armë, nënë e bir, ka qenë Sajmir Çupi ai që ka qëlluar në kokë dhe gjoks me qytën e automatikut shtetasin 62-vjeçar Mark Çupi,i cili pas plagëve të marra ka humbur jetën në spitalin rajonal të Lezhës. Burime pranë policisë dhe prokurorisë së Lezhës, thanë për gazetën “Standard” si viktima njihej si person problematik në familje pasi disa herë radhazi ai konsumonte alkool dhe më pas keqtrajtonte gruan e tij, shtetasen Marte Çupi. Megjithëse disa ditë më parë dy djemtë e tij i kanë tërhequr vëmendjen, duke i kërkuar të atit që të mos konsumonte alkool dhe të tregohej i sjellshëm në ambientin familjar, sërish 62-vjeçari mbrëmjen e së martës është rikthyer në zakonin e tij të vjetër, duke shkuar në banesë i dehur dhe më pas ka filluar të keqtrajtoje me mjete të forta gruan e tij. Pas këtij sherri, gjendja është përkeqësuar, pasi 62-vjeçari ka shkuar në oborrin e shtëpisë, dhe ka marrë një automatik pa lejë, duke tentuar të vrasë gruan dhe dy djemtë e tij.

Vrasja me qytën e automatikut

Mark Çupi, siç ishte në gjendje të dehur, ka filluar të grindet me gruan dhe ta godasë atë. Mirëpo shumë shpejt në krat të Marte Çupit, kanë dalë dy djemtë e saj, Astrit dhe Sajmir Çupi përkatësisht 27 dhe 24 vjeç. Në këtë moment dy djemtë kanë filluar t’i bërtasin dhe t’i kërkojnë llogari të atit lidhur me konsumimin e alkoolit, por ai është larguar nga dhoma dhe ka shkuar në oborrin e shtëpisë. Në një kasolle, 62-vjeçari mbante pa lejë një armë automatike tip “Kallashnikov” dhe pasi ka hapur zjarr disa herë në ambientet e jashtme, ka hyrë me shpejtësi në dhomën, ku qëndronin tre anëtarët e tjerë të familjes së tij. Mark Çupi i ka drejtuar automatikun gruas dhe dy djemve të tij, duke i kërcënuar se do i vriste nëse ata nuk e linin të qetë. Por pikërisht pranë të atit, është afruar djali i tij i vogël, shtetasi Sajmir Çupi. 24-vjeçari i ka kapur armën dhe ka tentuar t’ia marrë nga dora, por i ati nuk e ka lëshuar dhe për pasojë mes tyre ka ndodhur një përplasje trup me trup. Si pasojë e kësaj, arma ka qëlluar me breshëri të shkurtër, duke bërë që dy plumba të prekin shtetasen Marte Çupi. Një nga plumbat i ka hyrë asaj në bark dhe një tjetër në këmbë dhe se aktualisht ndodhet e shtruar në spitalin Ushtarak në Tiranë, ku sipas mjekëve gjendja shëndetësore e saj është e rënduar. Si rezultat i shkrehjes së armës, një nga plumbat ka prekur dhe djalin e madh të viktimës, shtetasin Astrit Çupi. Ky i fundit momentalisht ndodhet i shtruar në spitalin rajonal të Lezhës, jashtë rrezikut për jetën. Fill, pasi është shkrehur arma dhe dy anëtarët e tjerë të familjes kanë rënë në dysheme duke lëshuar klithma, 24-vjeçari ka mundur t’ia heqë armën nga duart të atit, dhe më pas ka filluar ta qëllojë atë pa mëshirë me qytën e automatikut. Nga goditjet në trup dhe kokë, 62-vjeçari ka marrë dëmtime të rënda, ndërkohë që transportimi i tij për në spital mësohet se është bërë nga banorët e fshatit, pasi djali i vogël Sajmir Çupi e ka lënë të shtyrë në dysheme dhe është larguar, duke transportuar në spital vëllain dhe nënën e tij të plagosur.

Arrestimi, nga komisariati nr. 3

Ndalimi i 24-vjeçarit Sajmir Çupi është bërë nga efektivat e komisariatit nr. 3 në Tiranë pasi për shkak të gjendjes tepër të rënduar të nënës së tij, i biri e ka transportuar atë me shpejtësi në drejtim të Spitalit Ushtarak. Në orët e vona të mbrëmjes, Marte Çupi është shtruar në urgjencën e spitalit, ndërkohë që pas disa minuta qëndrimi, Sajmir Çupi është arrestuar nga forcat e komisariatit nr. 3 në Tiranë, të cilat kishin marrë sinjalizimin nga policia e Lezhës, se duhet të ndalonin menjëherë djalin e të plagosurës, shtetasin Sajmir Çupi. Ky i fundit është shoqëruar në komisariatin nr. 3 dhe më pas i është dorëzuar për hetime të mëtejshme policisë së Lezhës. Gjatë marrjes në pyetje, 24-vjeçari ka pranuar se është konfliktuar me babain e tij dhe se ishte ndeshur fizikisht me të për t’ia marrë armën, por pikërisht në këtë moment kishte dëgjuar krismat e automatikut. Nisur nga kjo situatë e rëndë, që ndodhi brenda ambienteve të familjes, Sajmir Çupi është arrestuar si autor i vrasjes së babait të tij, ndërkohë që mbetet e paqartë autorësia e plagosjes së dy anëtarëve të tjerë të familjes.

 

Varroset 62-vjeçari Mark Çupi

Banorët: Djemve u vinte turp nga shokët

kur babai i tyre u keqtrajtonte të ëmën

 

Viktima Mark Çupi ishte kthyer në një makth të vërtetë për tre anëtarët e familjes së tij. Herë pas here, 62-vjeçari konsumonte raki dhe më pas situata i dilte nga kontrolli, duke keqtrajtuar bashkëshorten e tij, me mjete të forta. Banorë të fshatit Ugrej të Lezhës shprehen se 62-vjeçari ishte person që nuk punonte, por vetëm pinte raki. Dy djemtë e tij merreshin me punë të ndryshme, në bujqësi, por edhe çfarë t’u dilte, me qëllim mbajtjen e familjes me bukë. Për shkak të problemeve të vazhdueshme ekonomike dhe konflikteve në banesë, ata i kanë kërkuar të atit që të mos pinte më alkool dhe të mos ushtronte dhunë fizike ndaj nënës së tyre, pasi nuk ishte e drejtë, por edhe u vinte turp nga shokët e tyre, kur dëgjonin se babai u kishte rrahur nënën e tij. Banorët tregojnë se kjo gjë është përsëritur disa herë dhe më pas, sipas tyre, ndodhi ajo që ndodhi, duke u plagosur dy persona dhe duke mbetur i vrarë kryefamiljari. Gjatë ditës së djeshme Mark Çupi është përcjellë për në banesën e fundit, ndërkohë që në varrim nuk ka marrë pjesë asnjë nga anëtarët e familjes, pasi dy të plagosurit ndodheshin të shtruar në spital, ndërsa 24-vjeçari është arrestuar nga policia. Për shkak edhe të varrimit, dje deri në mesditë nuk ka qenë asnjë person i pranishëm në ambientet e Spitalit Ushtarak për t’i ardhur në ndihmë të plagosurës Marte Çupi, e cila kishte nevojë për blerjen e ilaçeve. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e saj është e rëndë dhe në ditët në vijim pritet që Marte Çupi t’i nënshtrohet edhe një operacioni tjetër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency