Endri Shabani braktis emisionin: Top-Channel paguhet në mënyrë sekrete nga qeveria…

0
172

Drejtuesi i nismës “Thurje”, Endri Shabani, i ftuar mbrëmë në emisionin “Open” në Top- Channel, braktisi emisionin pasi drejtuesja, Eni Vasili, e ndërpreu gjatë ligjërimit të tij.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në FB, Shabani, ka hedhur akuza kundrejt Vasilit, dhe televizionit Top-Channel, duke thënë se në këtë emision janë paguar dhjetëra mijë euro në të zezë gjatë fushatës elektorale, që sipas tij vinin nga qeveria.

 “Do ishte mirë të bëhej transparente nëse pagesat nga tre mijë, 10 mijë apo 25 mijë euro për emisionet në televizionet private janë paguar duke respektuar legjislacionin tatimor apo ligjin për median audiovizive. Publiku ka nevojë ta dijë cila ka qenë reklamë e paguar dhe cila jo”,– shkruan Shabani.

Shkrimi i Endri Shabanit, pas braktisjes së emisionit “Open”

Ndjesë!
I kërkoj ndjesë shikuesve që sot (dje) u largova nga studio e Open ende pa mbaruar emisioni. Arsyeja ishte se nuk mu dha hapësira të thoja të vërtetat e mia, në mënyrë të barabartë me ata që përhapën të pavërtetat e tyre.
Pasi kisha më shumë se gjysmë ore që po dëgjoja Frrokun që tregonte se pse të rinjtë e Thurjes kanë më pak ide politike se djemtë e Qifes, tentova të shpalosja këndvështrimin tim, i cili u konsiderua pa interes për moderatoren.
Mesazhi im ishte se ne kemi humbur si shoqëri duke lënë jashtë parlamentit intelektualë të guximshëm si Pano Soko, dhe duke futur në Parlament shokët e Tomës.
Dhe për këtë rezultat mediat kanë përgjegjësinë e tyre, pasi kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë fushatës, duke bindur opinionin publik që të mos votonin për forcat e reja.
Rasti më konkret, në 30 ditë fushatë emisioni Open nuk kanë qenë asnjë minutë i hapur për forcat e reja, si Nisma Thurje apo kandidatët e pavarur. Në të njëjtën kohë hapësira televizive iu dha personazheve që bënin fushatë kundër çdo alternative të re në këtë vend. Prej disa muajsh ka patur një orkestër analistësh që përpiqet t’i mbushë mëndjen shqiptarëve që as të mos e mendojnë të heqin dorë nga ata që e kanë marrë vendin peng.
Dhe sot, pasi Nisma Thurje ka marrë 10216 vota, të cilat në një proporcional kombëtar do të ishin mjaftueshëm për tu përfaqësuar në Kuvend, vijnë e të bëjnë gjyqin se pse ‘dështuan’ forcat e reja? Apo ‘pse janë kaq të paaftë të rinjtë?’.
Më fal, po si do fitojë e reja në këtë vend, kur përballë është një regjim që ka me vete jo vetëm sistemin zgjedhor, por edhe paratë e shtetit, edhe paratë e pista, edhe patronazhistët, madje edhe median (bashkë me analistë)?
Ka nga ata që thanë se një televizion privat ‘fton kë të dojë dhe s’mund t’i kërkosh llogari’, por unë nuk jam dakord.
E para, do ishte mirë të bëhej transparente nëse pagesat nga tre mijë, 10 mijë apo 25 mijë euro për emisionet në televizionet private janë paguar duke respektuar legjislacionin tatimor apo ligjin për median audiovizive. Publiku ka nevojë ta dijë cila ka qënë reklamë e paguar dhe cila jo.
E dyta, televizionet vërtet mund të jenë private por ne iu kemi dhënë një pasuri publike, siç është liçenca kombëtare e transmetimit. Ne jemi rrethuar nga antena transmetuese dhe ri-transmetuese, pikërisht që ata të zhvillojnë biznesin e tyre për informimin e publikut. Ne si publik, do duhet ‘t’ia shohim hajrin’ kësaj pasurie publike.
Dhe e treta, ne iu japim vazhdimisht para publike televizioneve private. Vetëm dy vite më parë iu dhamë 4 milion euro për dixhitalizimin e tyre, por ndihma ka qenë e vazhdueshme.
Prandaj edhe televizionet private kanë përgjegjësi publike që dalin përtej hapësirës së reklamës, qoftë kjo e hapur apo e fshehtë.
Pjesë e kësaj përgjegjësie është edhe informimi i publikut për të gjitha ofertat politike në zgjedhje, dhe Nisma thurje ishte një prej tyre.
Dhe për ta mbyllur, dua të theksoj se as unë, as Pano, dhe as qindra të rinj dhe të reja që kandiduan me Nismën Thurje, nuk i kemi hyrë politikës për të zgjidhur hallet personale, apo për të gjetur ndonjë punë. Fatmirësisht ne jetojmë me profesionet tona.
Ne i kemi hyrë politikës sepse jemi të shqetësuar për rrugën ku po shkon ky shtet, dhe kjo shoqëri.
Prandaj halli sot nuk është karriera jonë, por çfarë modeli i japim të rinjve në këtë shoqëri?
Do i rrisim me modelin e të rinjve të shkolluar, të përgjegjshëm dhe të guximshëm, të cilët promovohen dhe na përfaqësojnë në Kuvend?
Apo do t’iu themi të integrohen në botën e krimit, si e vetmja mënyrë për tu ngjitur në skenën e politikës? Kjo është dilema sot, e cila do ketë efekt edhe nesër, kur të jenë harxhuar paratë e reklamave.
Kjo çështje moderatores së emisionit iu duk ‘moralizëm’ i tepruar, por unë nuk mendoj se është.
Unë besoj se ky duhet të ishte shqetësimi kryesor i çdo personi publik në këtë vend, dhe sa më i madh përfitimi nga kjo shoqëri, aq më e madhe duhet të ishte edhe përgjegjësia.
Por, fatkeqësisht jetojmë në një shoqëri spektakli, ku emisionet janë në garë për klikime, në vend që të mendonin për të luajtur rolin që iu takon në edukimin e shoqërisë.
E pra, kjo ishte ajo që doja të të thosha sot përmes televizorit, por nuk munda.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here