Lidhur me pandeminë e COVID-19, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero tregon nëse ekziston ndonjë mundësi që Shqipëria të futet në një karantinë të dytë gjatë dimrit.
Pipero beson se kjo gjë nuk do ndodhë dhe është shumë kundër kësaj.
“Nga komunikimi që kam pasur me specialistët italianë që erdhën për të na trajnuar ose për të shkëmbyer eksperiencë, e kemi diskutuar këtë problem eksperti, specialisti dhe politikani dhe më thanë që edhe tek ne, vendimet i merr politikani. Natyrisht vendimet politika duhet t’i marrë, por specialistët duhen dëgjuar më shumë.
Unë kam qenë dhe do të jem kundër një mbyllje të dytë, kundër një karantinimi të dytë, edhe pse situata të veçanta jo të zakonshme nëpër qarqe, rajone apo qytete të ndryshme mund të jenë jashtë të mundurës, por unë jam kundër mbylljes. Unë nuk e quaj zgjidhje dhe do jem kundër saj deri sa kohë të pyetem, apo të mund të flas. Nuk është një zgjidhje afatgjatë.
Unë nuk besoj se do të shikohet një karantinim apo një mbyllje e dytë si zgjidhje dhe nuk e besoj të ndodhë.
Shtete të mëdha mund ta aplikojnë në qarqe apo zona, por neve jemi një vend shumë i vogël”, tha Pipero në emisionin “Zonë e Lirë”.