JCR Eurasia Rating: Korrupsioni dhe borxhet rrënojnë ekonominë shqiptare

0
113

 

JCR Eurasia RatingLeximi i të dhënave të fundit të publikuara nga INSTAT dhe FMN mbi ecurinë ekonomike të Shqipërisë është një “lumë uji” që rrëmben me vete çdo retorikë të propagandës institucionale ku ekonomia shqiptare po ecën në rrugën e duhur dhe po del përfundimisht nga qorrsokaku i mëparshëm. Nga një analizë paraprake e të dhënave del se ecuria ekonomike e vendit është plot me kontraste e në kompleks tregon një vend në vështirësi ekonomike, me probleme serioze “shëndeti” dhe shumë larg nga prespektiva për një rimëkëmbje të mirëfilltë në periudhën afatshkurtër. E mbi të gjitha, analiza e disa prej treguesve që do paraqiten pak më poshtë certifikojnë një faliment të pastër të masave të marra nga qeveria shqiptare, e këshilluar nga FMN-ja për t’i dhënë një hov ekonomisë shqiptare.

 

Vlerësimi

Shqipëria ka marrë ndërkohë notën BB+ dje nga kompania vlerësuese JCR Eurasia Rating, në lidhje me vlerësimin në terma afat-gjatë për kredinë në monedhën vendase dhe të huaj.

Shqipëria ka probleme të qenësishme në lidhje me përhapjen e sektorit informal dhe mungesa të strukturave të qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, citon raporti. Përveç kësaj, mungesa e infrastrukturës së mjaftueshme në prodhimin e energjisë dhe shpërndarjen në mënyrë të veçantë mendohet se janë arsyet që e kufizojnë potencialin e Shqipërisë në një masë të caktuar. Popullsia relativisht e vogël e vendit, gjithsesi mund të kenë nevojë një transformim me shpejtësi të ekonomisë në aspektin e të ardhurave personale dhe strukturës qeverisëse, thekson JCR Eurasia Rating.

Raporti vlerëson se barra e rëndë e borxhit, dominimi i bankave vendase si huadhënësit e borxhit publik, papunësia e lartë dhe të ardhura të kufizuara familjare dhe për konsumim, sasia e konsiderueshme e kredive jo-performuese të sektorit bankar, mungesa e agjencisë mbikëqyrëse të pavarur dhe të paanshëm për sektorin financiar dhe infrastruktura e papërshtatshme, vlerësohen si faktorët kryesorë në shtimin e presionit dhe risqeve për stabilitetin e vendit.

Pavarësisht sistemit të ri të të taksave, rritja ekonomike është ngadalësuar ndërsa fuqia e konkurrencës mbeti e dobët për shkak të rritjes së deficitit të llogarisë korente. Borxhi i lartë publik, papunësia e lartë dhe ekonomia informale vazhdojnë, shkruan në raport JCR Eurasia Rating. Nga ana tjetër, në terma të të ardhmes afat-mesme, parashikohet një gjendje përgjithësisht e favorshme, teksa shihet se risqet po bien.

Pavarësisht ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, si dhe progresit në lidhje me përmbushjen e kritereve politike, Shqipëria ka bërë kohët e fundit një progres të kufizuar në kriteret ekonomike për t’u bërë një ekonomi tregu që funksionon mire, thekson raporti. Përveç kësaj, Shqipëria duhet të përshpejtojë ritmin e reformave strukturore në mënyrë që t’i rezistojë presionit të konkurrencës dhe forcave të tregut brenda Bashkimit Evropian, në një periudhë afatmesme, thuhet më tej në të.

Megjithëse vlerësimi është me prirje për rritje në vijim, raporti thekson se nuk përjashtohet mundësia edhe për ulje në rast se mund të ketë zhvillime të caktuara që ndikojnë në mjedisin ekonomik dhe krijimin e politikave. Vazhdimësia e korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar e ekonomisë joformale, rreziqeve të sigurisë të cilat mund të rrjedhin nga tensionet në rritje e Kosovës me Serbinë, “shërimi” më i ngadalshëm se sa pritet të Eurozonës dhe ndikimin e tij të mëvonshëm në remitanca, apo uljen e investimeve të huaja, janë konsideruar si faktorë të mundshëm për një notë të ulët në vlerësim.

 

TEC-i i Vlorës, gur i rëndë mbi shpatullat e KESH-it

Shpenzimet për mirëmbajtjen e TEC-it të Vlorës zunë 10% të kostove Furnizuesit Publik me Shumicë të Energjisë, (degë e shitjes së KESH), raportoi Enti Rregullator të Energjisë.

Kjo kosto është gati e njëjtë me koston që i krijohet KESH me blerjen e energjisë nga HEC është që për vitin 2014 ishte rreth 1.6 miliardë lekë. Kostot për mirëmbajtjen e TEC të Vlorës ndikojnë drejtpërdrejt në tarifën që KESH aplikon për shitjen e energjisë ndaj OSSHE, e cila më pas e reflekton këtë çmim të konsumatorët fundorë.

Edhe gjatë vitit 2014 nuk është prodhuar energji elektrike nga TEC Vlora. Ky TEC ishte parashikuar të vihej në punë gjatë vitit 2011, por për shkak të problemeve teknike të konstatuara gjatë testimeve ende nuk është mundësuar vënia në punë e TEC-Vlora.

Sipas raportimeve nga KESH sh.a lidhur me ketë problematike rezulton se, KESH sha dhe Kontraktori i ndërtimit të TEC-it janë në proces gjykimi për zgjidhjen e kundërshtive lidhur me defektin në sistemin e ftohjes dhe mbylljen e njëanshme të kontratës nga TCM që në vitin 2012.

Gjithashtu është shpallur një tender për përzgjedhjen e një kompanie të specializuar konsulence për projektin e riparimit të defektit në sistemin e ftohjes në TEC Vlora.

KESH sh.a parashikon përgatitjen e një studim pre-fisibiliteti ku do të analizohet në mënyre krahasuese kosto e përdorimit të gazit natyror në prodhimin e energjisë elektrike nga TEC Vlora.

 

Kredia, masat e Bankës së Shqipërisë nuk japin rezultatet e synuara

Reduktimi i kostove të financimit ka ndihmuar në rritjen e kredisë në lekë dhe në mbështetjen e konsumit dhe të investimeve në vend. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se, aktiviteti kreditues dhe reagimi i ekonomisë ndaj politikës monetare lehtësuese mbetet poshtë nivelit të synuar dhe jo i plotë. Sipas një analizë të bankës për këtë qëllim, kjo sjellje motivohet nga të paktën tre faktorë.

Së pari, kërkesa për kredi shfaqet e dobët, në çdo nivel normash interesi. Biznesi dhe konsumatori hezitojnë në ndërmarrjen e konsumit dhe investimeve shtesë, si pasojë e pasigurisë për të ardhmen. Pavarësisht përmirësimit të besimit gjatë tremujorëve të fundit, kërkesa për kredi mbetet e ulët.

Së dyti, oreksi për rrezik i sektorit financiar shfaqet i ulët. Niveli i lartë i kredive me probleme, politikat konservatore të bankave mëma, por edhe problemet në sektorë specifikë të ekonomisë bëjnë që sistemi bankar të zbatojë politika dhe praktika tejet të kujdesshme në kredidhënie.

Së treti, rikuperimi i ngadaltë i konsumit, i investimeve dhe i kërkesës për kredi lidhet edhe me faktorë strukturorë, të cilët diktojnë rritje të ngadaltë të saj. Kështu, nevoja për ristrukturimin e ekonomisë, për zhvendosjen e burimeve financiare, njerëzore dhe menaxheriale, drejt sektorëve më produktivë të ekonomisë, tenton të reduktojë rritjen e kërkesës agregate. Ky fenomen është i pranishëm në të gjitha vendet e rajonit dhe, së bashku me politikat konservatore të bankave mëma, përcakton një rritje të ngadaltë të kredisë dhe të ekonomisë, vlerëson Banka.

Duke marrë parasysh kufizimet e përmendura politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka qenë e suksesshme në drejtim të përmbushjes së misionit të saj, atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve në ekonomi. Megjithatë, funksionimi i mekanizmit të transmetimit ka qenë dhe mbetet jo i plotë, si pasojë e faktorëve që ndodhen jashtë ndikimit të politikës monetare.

Banka e Shqipërisë pohon se, e vetme, politika monetare mbetet një instrument i pamjaftueshëm për adresimin e të gjitha problemeve që pengojnë rritjen ekonomike. Zgjidhja apo zbutja e kufizimeve të ofertës, përmirësimi i klimës së biznesit si dhe përshpejtimi i axhendës së reformave strukturore, do të ndihmonin në rritjen e efektivitetit të kësaj politike dhe në një kthim më të shpejtë të ekonomisë në ekuilibër. Norma bazë është ulur 2 herë në vitin 2011, 3 herë në vitin 2012, 4 herë në vitin 2013 dhe 3 herë në vitin 2014.

 

Standard & Poor’s: Greqia mund të falimentojë brenda 12 muajve

Agjencia e vlerësimeve Standard and Poor`s ka ulur vlerësimin për borxhin grek nga CCC+, në CCC. Diçka e tillë ishte paralajmëruar që më parë dhe zërat u intensifikuan edhe më shumë pas shtyrjes së njëanshme që qeveria greke i bëri pagesave të FMN­së. Athina zyrtare tashmë e ka bërë të qartë se pagesa e pensioneve dhe pagave në administratën publike është një prioritet më i madh se shlyerja e detyrimeve të borxhit ndaj kreditorëve. Gjithsesi, Greqia nuk shkel asnjë rregullore me shtyrjen e pagesës ndaj FMN, pasi ushtron të drejtën e saj legjitime për të mbledhur këstet e të njëjtit muaj në një të vetëm. Por, nga ana tjetër, kjo lëvizje vë në pikëpyetje të madhe aftësinë e qeverisë për të shlyer detyrimet. Nga ana tjetër, vendi e ka të pamundur të paguajë 1.6 milionë euro detyrime ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar brenda muajit qershor pa arritjen e një marrëveshje me kreditorët për sa i përket reformave. Standard and Poor`s nënvizon se qeveria greke me shumë gjasa do të falimentojë gjatë 12 muajve të ardhshme si pasojë e borxhit. Nga ana tjetër, agjencia e vlerësimeve shprehet me tone optimiste për sa i përket shanseve që një marrëveshje e lehtësimit të borxhit apo marrëveshje financimi të arrihet gjatë ditëve të ardhshme.

Ndërkohë që financat greke duken në pozita mjaft të vështira, sektori bankar në vend reflekton një atmosferë krejt të kundërt. Aksionet e bankave greke kanë pësuar një rritje të theksuar gjatë sesionit të së enjtes, me rreth 14.2%, duke regjistruar edhe performancën më të mirë të katër muajve të fundit. Diçka e tillë vjen si një sinjal i qartë se marrëveshja me kreditorët është shumë pranë. Zërat se marrëveshja është shumë pranë janë intensifikuar bindshëm gjatë dy ditëve të fundit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here