Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar lajmin e dorëzimit të mandatit nga ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Washington Post dhe New York Times, duke iu referuar raportimit të Associated Press, kanë pasqyruar pjesë nga deklarata e ish-ministrit Tahiri.
“Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, ka dhënë dorëheqje si deputet për të lejuar hetuesit që të provojnë përfshirjen e tij të supozuar në një rrjet të trafikimit të drogës.
Saimir Tahiri tha të enjten se heq dorë nga ky post në mënyrë që hetimi të mos interferojë me rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Tahiri, që ka shërbyer si ministër i Brendshëm nën qeverinë socialiste nga viti 2013 deri në vitin 2017, akuzohet për lidhje të dyshuara me një grup të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kanabisit. Disa nga liderët e grupit janë arrestuar në Shqipëri dhe Itali.
Tahiri ka mohuar lidhjet me grupin.
Vitin e shkuar, parlamenti i hoqi imunitetin Tahirit, në mënyrë që prokurorët të mund ta pyesin dhe t’i kontrollojnë banesën.
Shqipëria pret që Këshilli Europian të miratojë nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në qershor”, thuhet në artikujt e botuar në mediat ndërkombëtare.