Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka treguar edhe njëherë se është me dy fytyra. Njërën e ka për Shqipërinë dhe mundohet që me çdo mënyrë që tu mbushë mendjen shqiptarëve se qeveria e tij punon dhe i arrin rezultatet e vetme.
Fytyrën tjetër e ka për ndërkombëtarët. Edi Rama atje nuk mund të gënjejë dot dhe tregon të vërtetën.
Kështu ka ndodhur edhe në intervistën e fundit të dhënë për mediat gjermane.
Duke qenë se Gjermania është kritikja më e madhe e Shqipërisë dhe mediat gjermane kanë bërë dhjetëra shkrime e reportazhe për drogën dhe krimin shqiptar, Edi Rama këtë herë është detyruar të tregojë të vërtetën e 613 kilogramë kokainë të kapur në Durrës.
Në intervistën e dhënë për Die Welt, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mohon Edi Ramën. “Përpara dy javësh ne konfiskuam 600 kg kokainë në bashkëpunim me autoritetet italiane,” tha Rama.
Në origjinal: ‘Vor zwei Wochen haben wir in Zusammenarbeit mit den italienischen Behörden 600 Kilo Kokain beschlagnahmt. 600 Kilo’.
Me këtë deklaratë Edi Rama ka nxjerrë gënjeshtrën e kryeministrit Edi Rama, i cili betohet prej javësh që aksionin e kapjes së drogës e kanë bërë vetëm shqiptarët pa ndihmën e askujt.
Deklarata që në fakt askush nuk i ka besuar, përveç vetë Edi Ramës, por edhe ky i fundit më në fund u detyrua të tregojë të vërtetën, se kush realisht e zbuloi dhe kapi 613 kilogramë kokainë në portin e Durrësit.