Legalizimet / Vlera për shtëpitë e ndërtuara në tokën e shtetit. Rama: Paguani energjinë për uljen e çmimit

0
123

Gëzim Saliu

Rama: Titujt e pronësisë do të merren nga të gjithë. Peleshi: Legalizimi i hap rrugë urbanizimit

 

Legalizimet-Korce-626x380Kryeministri Edi Rama shpërndau dje në zonat informale në Korçë certifikatat e para të pronësisë për objekte të legalizuara, ku tha se qeveria është e vendosur t’i japë fund kësaj çështjeje. Në këtë takim, ku shoqërohej nga zv.kryeministri Niko Peleshi, ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, si dhe kreu i ALUIZNI-t Artan Lame, Rama sqaroi dy momente bazë të këtij procesi, duke theksuar se kur shtëpia është ndërtuar në tokën e familjes, pronësia jepet automatikisht dhe pas asnjë pagesë. “Për atë që ka ndërtuar në tokën e shtetit, sqaroj se ai duhet të kontribuojë me një shumë simbolike, me qëllim që me atë fond të shlyhen ish-pronarët dhe ai vetë të mos ketë asnjë konflikt me ta, që nesër askush të mos u trokasë në derë. Me kontributin për tokën, që është fare simbolik krahasuar me çmimin real të tokës, ky konflikt me ish-pronarin të mos jetë më një rrezik real dhe familja t’i thotë kujtdo “se e kam mbyllur këtë çështje me shtetin”, – tha Rama.

Takimi

Kreu i qeverisë theksoi se qeveria do të japë lejet e legalizimit për të gjithë pa asnjë vonesë, me përjashtim të kohës që duhet për dokumentacionin. “Nëse gjithë dokumentacioni që deri dje kushtonte “një djall e gjysmë”, ai sot plotësohet falas dhe nuk do merret asnjë qindarkë nga qytetari në momentin që ai dorëzohet. Kush ka ndërtuar në tokën e tij, kuptohet që s’ka asnjë detyrim dhe do marrë menjëherë në dorë dokumentin e pronësisë”, – deklaroi Rama. Sipas kryeministrit, nëse familja i ka paratë për t’i dhënë menjëherë kur duhet të japë kontributin për tokën që nuk është e vetja, asaj i bëhet një ulje prej 20% nga çmimi. “Në rast se nuk paguan menjëherë, por një vit më vonë, nuk përfiton nga ulja 20% e çmimit, por nga ulja që vjen nga përdorimi i letrave me vlerë. Nëse nuk paguan dot, sigurisht që nuk përfiton më ulje, por pak nga pak kur të ketë mundësi. Pra, si ai që do paguajë, si ai që jo, dokumentin e pronësisë do ta marrë menjëherë dhe shtëpia do regjistrohet në Hipotekë me një “barrë” hipotekore rreth 4 milionë lekë, sa është mesatarja e këtyre rasteve, por e theksoj, shtëpia kthehet në një pronë dhe si çdo pronë me barrë hipotekore, mund të përdoret për transaksione”, – bëri të ditur Rama. Ndërkaq, kreu i mazhorancës qeverisëse sqaroi edhe uljen që mund të përfitojnë familjet në çmimin e kontributit, duke paguar rregullisht energjinë elektrike. “Ka dhe një ulje tjetër, që ka të bëjë me faturat e energjisë. Në rast se pagesa është prej 4 milion lekësh të vjetra, ajo fillon nga 3 milion e 600 mijë lekësh të vjetra, vetëm nëse në fund të dy viteve dorëzohen faturat e paguara për energjinë elektrike”. Nga ana tjetër, zv.kryeministri Peleshi theksoi se legalizimi i zonave informale i hap rrugë urbanizimit të vendit. “Legalizimi i zonave informale është tejet i rëndësishëm. Misioni jonë është integrimi i zonës ku ju jetoni me qytetin apo komunën ku bëni pjesë, pra, ne duam që çdo banor i kësaj zone të jetë dhe të ketë mundësi të barabarta me personat që jetojnë në zonat formale”, – tha Peleshi. Ndërsa ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni theksoi se kjo vepër dëshmon se qeveria mban premtimet e saj. “Ne mbajmë premtimet tona. Jam shumë e lumtur që jemi këtu të bëjmë realitet atë që ju kërkoni prej kohësh, por që politika e la në hije. Urbanizimi i këtyre zonave është hap kyç në zhvillimin e vendit”. Në përfundim të takimit, Rama shpërndau certifikatat e para të pronësisë për objektet e legalizuara.

 

 

Vlerësimi nga Banka

PS, Kushi: U rrit besimi i qytetarëve, të hënën prezantojmë paketën për fasonët

Inkurajuese i ka cilësuar Kryeministri Edi Rama të dhënat e raportit të Bankës së Shqipërisë për situatën ekonomike në vend. Në një postim në rrjetin social “Facebook” ai shkruante se këto rezultate janë inkurajuese për rritjen e lartë të optimizmit në ekonomi dhe baza e ndryshimit real që pritet. “Të dhënat e Bankës se Shqipërisë tejet inkurajuese për rritjen e lartë të optimizmit në ekonomi, baza e ndryshimit real që presim më tej!”, – theksoi Kryeministri. Ndërkohë, në një deklaratë nga selia e PS-së, deputetja Evis Kushi u shpreh se sipas raportit ka nisur të rritet besimi i qytetarëve dhe në tremujorin e fundit vërehet një klimë e re optimiste në ekonomi. “Pas studimit të kompanisë së njohur ndërkombëtare në fushën e financave Standard and Poors, që e nxori ekonominë shqiptare nga niveli negativ dhe e klasifikoi në nivel të qëndrueshëm, një tjetër sinjal pozitiv vjen nga raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit 2014. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, në tre mujorin e parë të këtij viti, treguesi i ndjesisë ekonomikë është përmirësuar ndjeshëm. Vlen për tu theksuar se besimi i biznesit dhe konsumatorëve, sipas studimit të Bankës së Shqipërisë, ka nisur trendin pozitiv që tetorin e vitit 2013, duke u përmirësuar muaj pas muaji”, – theksoi deputetja socialiste. Sipas Kushit, raporti tregon se në sektorin e industrisë u përmirësua me 4,2% në këtë tremujor e ndërsa sektori i ndërtimit është përmirësuar me 13,9%. “Një tjetër hap i rëndësishëm pritet të ndërmerret nga qeveria shqiptare ditën e hënë, kur do të prezantohet paketa e re për prodhuesit fasonë. Ne e mirëpresim këtë paketë që do të japë më shumë siguri për prodhuesit fasonë, do të rrisë punësimin, shtojë eksportet dhe nxisë edhe më tej prodhimin”, – u shpreh deputetja socialiste.

 

 

Takimi

Rama me zv.kryeministrin turk Isler: Sfidë, materializimi i partneritetit

Qeveria turke do të mbështesë realizimin në Shqipëri të një seri projektesh infrastrukturore, në kuadër edhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Kështu deklaroi dje Zëvendëskryeministri i Turqisë, Emrullah Isler, gjatë takimit të zhvilluar me Kryeministrin Rama, ku palët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, të bazuara në miqësinë e lidhjet tradicionale. Isler i përcolli kreut të qeverisë përshëndetjet e Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan dhe në emër të tij shprehu angazhim e mbështetje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Nga ana e tij, Rama e falënderoi zv.kryeministrin turk për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe e konsideroi sfidë materializimin e partneritetit, çka do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare, kulturore, sociale, etj. Në takim u vlerësua si tepër i rëndësishëm dimensioni ekonomik i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në këtë kuadër, ku zv.kryeministri Emrullah Isler theksoi se ekzistojnë potenciale të mëdha për të çuar më tej si marrëdhëniet tregtare, ashtu edhe investimet.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency