Financat: Ja se si janë perspektivat buxhetore afatmesme të Shqipërisë

0
178

 Ervin Kaduku

buxhetiiParametrat tregojnë për një punë të lavdërueshme me synime të largëta për zhvillimin ekonomik të vendit, duke filluar nga viti 2013 dhe duke kaluar në ato për vitet 2014-2016.

 

 

Në një analizë të miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave, në janar të këtij viti, janë përcaktuar standardet bazë të planifikimit të parametrave makroekonomikë për një periudhë trevjeçare, siç është bërë tashmë traditë nga qeveria shqiptare. Sa më poshtë, janë pasqyruar këta parametra, që tregojnë për një punë të lavdërueshme me synime të largëta për zhvillimin ekonomik të vendit, duke filluar nga viti 2013 dhe duke kaluar në ato për vitet 2014-2016.

 

Viti 2013

 

Planifikimi i shpenzimeve buxhetore për vitin 2013 është mbështetur në procedurat e buxhetimit bazuar në objektivat politikë dhe produktet gjatë përgatitjes së PBA-së 2013-2015. Bazuar në ligjin vjetor të buxhetit nr. 119/2012 datë 17.12.2012, shpenzimet e përgjithshme për vitin 2013 do të jenë në nivelin e 409.6 miliardë lekë ose 28.6% të PBB-së, duke regjistruar një rritje prej rreth 7% krahasuar me aktin normativ të vitit 2012. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore do të synojnë:

– ruajtjen e deficitit buxhetor në nivelin 3.4% të PBB-së;

– rritjen e diferencuar të pagave në masën 2-5% (arsim e shëndetësi 3-4%);

– rritjen e diferencuar të pensioneve në masën 4% për qytetin dhe 5% për fshatin; dhe

– mbajtjen e një ritmi të qëndrueshëm të investimeve publike në 5% të PBB-së.

 

Shpenzimet për personelin

 

Shpenzimet e personelit për vitin 2013, u bazuan në një politikë që synon rritjen e eficencës dhe efektivitetit të burimeve njerëzore. Këto shpenzime do të jenë rreth 5% e PBB-së. Më konkretisht, ky nivel ka ardhur si pasojë e reformave që parashikohen të kryhen në disa sektorë si: reduktimi i numrit të efektivëve ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes apo krijimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilat ulin në këtë mënyrë numrin e përgjithshëm të punonjësve buxhetorë për vitin 2013 në 87.710 punonjës nga 88.640 punonjës në vitin 2012. Gjithashtu, fondi i pagave është përllogaritur, duke mbajtur në konsideratë rritjen e përgjithshme të pagave, duke filluar nga data 15 korrik 2012. Politika e rritjes së pagave do të vazhdojë edhe për vitin 2013 dhe do të konsistojë në një politikë të kujdesshme indeksimi dhe rritjeje selektive për sektorët prioritarë, ndërkohë që fondi i parashikuar për këtë qëllim është 1 miliardë lekë. Gjithashtu, këtë vit ashtu, si edhe vitin e kaluar, në përllogaritjen e shpenzimeve për paga është identifikuar si një zë më vete fondi i veçantë, i cili gjatë vitit 2013 kap vlerën 1.2 miliardë lekë dhe do të përdoret vetëm përmes miratimit të Ministrit të Financave, në përputhje me performancën e të ardhurave dhe sipas rasteve të përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.

 

Shpenzimet për interesat

 

Parashikimi për shpenzimet e interesave është bazuar në fluksin e huamarrjes së brendshme dhe të huaj, si dhe në nivelin e parashikuar të normës së interesit në kushtet e një situate makroekonomike të qëndrueshme. Për pasojë, gjatë vitit 2013 shpenzimet për këtë zë do të arrijnë nivelin 3.6% të PBB-së, krahasuar me 3.1% të PBB-së që ishin në aktin normativ të vitit 2012.

 

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes

 

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për vitin 2013 parashikohen të kapin nivelin 32.9 miliardë lekë ose 2.3% të PBB-së, nga 31.2 miliardë lekë që u regjistruan në aktin normativ 2012. Ky fond, në vijimësi edhe të viteve të kaluara, do të vazhdojë të orientohet kryesisht në rritjen e shpenzimeve të funksionimit dhe mirëmbajtjes së sektorëve prioritarë të infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë, duke aplikuar një normë të diferencuar rritjeje në favor të këtyre sektorëve prioritarë.

 

Shpenzimet për subvencionet

 

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar duke u bazuar në politikën ekzistuese të subvencioneve dhe në politikat për reduktimin e tyre të mëtejshëm. Në përputhje dhe me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare për një ulje të subvencioneve, të gjitha institucioneve iu është kërkuar të ndërmarrin reforma në menaxhimin më të mirë të sektorit dhe përmirësimin e performancës financiare të tyre. Ato parashikohen që edhe për vitin 2013 të ruajnë nivelin 0.1% të PBB-së.

 

Shpenzimet për buxhetin lokal

 

Shpenzimet e pushtetit vendor për vitin 2013 parashikohen të jenë në nivelin e 29.3 miliardë lekë ose 2% e PBB-së, me një rritje në masën 2.2 miliardë lekë krahasuar me aktin normativ 2012.

Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë

Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë parashikohen të rriten nga 17 miliardë lekë në aktin normativ të vitit 2012 në 17.4 miliardë lekë në 2013-ën. Këtu do të mbahet parasysh politika për një rritje të diferencuar midis zërave përbërës të këtyre shpenzimeve. Ndërkohë që ndihma ekonomike, si rezultat i përmirësimeve ligjore dhe administrative do të vijë duke u ulur (në terma relativë), pjesa më e madhe e rritjes do të shkojë për pagesën e paaftësisë, si rezultat i indeksimit të saj, rritjes së numrit të përfituesve dhe përmirësimit të procedurave të përfitimit të një statusi të tillë. Ndërkohë, kompensimi për ish-të përndjekurit politikë gjatë vitit 2013 do të shënojë një rritje të konsiderueshme, duke kapur vlerën 3 miliardë lekë, nga 1.7 miliardë lekë që ishte në aktin normativ 2012.

 

Fondi rezervë dhe i kontingjencës

 

Niveli i fondit rezervë të Këshillit të Ministrave dhe i kontigjencës për ruajtjen e deficitit për vitin 2013 parashikohet të jetë në masën 2.2 miliardë lekë, përkatësisht 1.4 miliardë lekë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 800 milionë lekë fondi kontigjencë për ruajtjen e deficitit.

 

Investimet

 

Shpenzimet kapitale për vitin 2013 parashikohen në masën 70.9 miliardë lekë ose 5% e PBB-së, me një rritje në masën 6.2 miliardë lekë ose rreth 9.6% krahasuar me aktin normativ 2012. Më konkretisht, investimet me burime të brendshme do të kapin vlerën 25.4 miliardë lekë, ndërkohë që ato me burime të huaja parashikohen në nivelin 45.5 miliardë lekë. Në prioritizimin e listës së investimeve do të vazhdojnë të përzgjidhen ato të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, si edhe investimet që cilësohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, në përputhje edhe me programin e qeverisë. Njëkohësisht, shpenzimet kapitale si me financim të brendshëm ashtu edhe të huaj do të vazhdojnë të përqendrohen në sektorët prioritare të qeverisë si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, bujqësia e zhvillimi rural.

 

Vlerësimi i deficitit buxhetor

 

Për vitin 2013, deficiti buxhetor do të jetë në nivelin prej 3.4% të PBB-së. Financimi i tij i brendshëm është parashikuar në nivelin 2.0% të PBB-së, ndërsa financimi i huaj do të jetë në nivelin 1.4% të PBB-së.

 

Parashikimi afatmesëm (2014-2016)

 

Vlerësimet e mëposhtme bazohen në kuadrin makroekonomik dhe fiskal 2014-2020, miratuar në janar 2013. Kështu, në fund të vitit 2016, shpenzimet e përgjithshme buxhetore parashikohen të arrijnë nivelin 446.4 miliardë lekë ose 27.7% të PBB-së. Burimet do të përdoren kryesisht për:

– reduktimin e ndjeshëm të deficitit buxhetor në nivelin 2.0% të PBB-së;

– rritjen e diferencuar të pagave dhe të pensioneve;

– mbajtjen e një ritmi të qëndrueshëm të investimeve publike, mesatarisht në masën në 3.7% të PBB-së.

 

Shpenzimet për personelin

 

Shpenzimet e personelit për periudhën 2014-2016 parashikohen të jenë në përputhje me politikat e rritjes së diferencuar të pagave në sektorët prioritarë. Kështu, gjatë kësaj periudhe 3-vjeçare ato do të ruajnë nivelin rreth 5.0% të PBB-së.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për periudhën 2014-2016 parashikohen të mbahen në nivelin konstant rreth 2.3% të PBB-së. Ato do të orientohen drejt rritjes së shpenzimeve për funksionimin dhe mirëmbajtjen, duke synuar uljen në maksimum të shpenzimeve të pastra administrative, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

 

Shpenzimet për subvencionet

 

Shpenzimet për subvencionet janë parashikuar bazuar në politikën ekzistuese të subvencioneve dhe mbi politikat e uljes së tyre të mëtejshme. Në mbështetje të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare për një ulje të subvencioneve, të gjithë institucioneve u është kërkuar të ndërmarrin reforma për një menaxhim më të mirë të sektorëve përkatës dhe të përmirësimit të performancës se tyre financiare. Në periudhën 2014-2016, ato parashikohen të ruajnë nivelin 0.1% të PBB-së.

Shpenzimet për pagesën e paaftësisë dhe ndihmën ekonomike

Gjatë të gjithë periudhës 2014-2016, shpenzimet për pagesën e paaftësisë dhe ndihmën ekonomike parashikohen të ruajnë nivelin rreth 1.2% të PBB-së.

 

Fondi i rezervës dhe kontigjencës

 

Niveli i fondit rezervë të Këshillit të Ministrave dhe kontigjencës për ruajtjen e deficitit për vitin 2014 parashikohet të jetë në masën 7 miliardë lekë, duke u rritur në 10.5 miliardë lekë në vitin 2015 dhe 13 miliardë lekë në vitin 2016, ku pjesën më të madhe e zë kontigjenca për ruajtjen e deficitit, e cila është edhe arsyeja kryesore e rritjes së nivelit të këtij zëri.

 

Shpenzimet për interesat

 

Parashikimi i shpenzimeve të interesave është bazuar në strategjinë e borxhit të Ministrisë së Financave dhe nivelet e parashikuara për financimin e brendshëm dhe të huaj për të. Për periudhën 2014-2016, këto shpenzime parashikohen të ruajnë nivelin konstant rreth 3.6% të PBB-së.

 

Shpenzimet për buxhetin lokal

 

Shpenzimet për buxhetin lokal për periudhën 2014-2016 do të ruajnë një nivel mesatar prej afro 2.0% të PBB-së.

 

Investimet

 

Shpenzimet kapitale për periudhën 2014-2016 parashikohen të ruajnë një nivel mesatar në masën 3.7% të PBB-së. Në prioritizimin e listës së investimeve do të vazhdojnë të përzgjidhen ato, të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, si edhe investimet që cilësohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, në përputhje edhe me programin e qeverisë. 2.3 Zhvillimet dhe niveli i borxhit publik

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency