Burimi i parave Vetëdeklarimi i të ardhurave, afatet e reja për qytetarët

0
184

te ardhurat Individët që kanë të ardhura më shumë se 2 milionë lekë duhet të nxitojnë për të kryer deklarimin vjetor për vitin 2012, pasi afati përfundon më 30 prill

 

Afati i fundit për të plotësuar formularin e deklarimit vjetor të të ardhurave personale për vitin 2012 është data 30 prill 2013, theksojnë Tatimet në një njoftim. Në këtë kategori përfshihen deklaruesit tatimpagues që janë individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme jashtë territorit të saj, si dhe tatimpaguesit individë jorezidentë në Republikën e Shqipërisë që realizojnë të ardhura të tatueshme brenda territorit të saj. Pra, këtë detyrim e kanë edhe të huajt që krijojnë të ardhura në vendin tonë, natyrisht duke respektuar marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë që Shqipëria ka me shtetet përkatëse. Ata sqarojnë se individët shqiptarë që realizojnë të ardhura jashtë shtetit, kur ka marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë, kreditohen për shumën e tatimit të paguar.

Gjithashtu, i jepet e drejta tatimpaguesit që ta korrigjojë deklaratën dy herë brenda tre muajve pa paguar penalitete. Ato janë të parashikuara në ligj dhe arrijnë deri në dy vjet burg. Ekspertët fiskalë thonë se në çdo deklaratë, individi do të ketë të sqaruar, në shkresën që shoqëron dokumentin, mënyrën se si do të plotësohet. Ajo mund të dorëzohet në drejtorinë rajonale më të afërt për tatimpaguesin dorazi, me postë ose në formë elektronike.

 

Përfitimet

Nga ky deklarim, kategori të caktuar individësh kanë përfitime, por shuma e shpenzimeve të zbritshme nuk duhet të jetë më e madhe sesa shuma e të ardhurave bruto të tatueshme vjetore.

Në rast të plotësimit të deklaratës nga individi (jo kryefamiljar), shpenzimet vjetore për mjekim, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8,532 lekë, vetëm për individin deklarues. Në rast të plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari, bazuar në pikën 3, të nenit 13/1 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, shpenzimet vjetore për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8,532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32,000 lekë, shuma këto të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Mund të bëjnë deklarim edhe individët tatimpagues, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit, sipas pikës 4, të nenit 13 të ligjit, por duan të plotësojnë deklaratën në bazë të pikës 5 të nenit 13 dhe kanë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet deri në shumën 1,050,000 (një milion e pesëdhjetë mijë) lekë në vit (e indeksueshme çdo vit), por jo më të lartë se kjo shumë. Në rastin e bashkëshortëve, me të ardhura totale vjetore bruto të secilit prej tyre deri në shumën 1,050,000 lekë, për përfitimin e shpenzimeve të zbritshme, deklarata mund të plotësohet vetëm nga kryefamiljari.

Në rastin e bashkëshortëve me të ardhura vjetore bruto të kryefamiljarit që e tejkalojnë limitin prej 1,050,000 lekësh dhe të ardhura vjetore bruto të bashkëshortes deri në shumën 1,050,000 lekë, deklarata për përfitim nga shpenzimet e zbritshme mund të plotësohet vetëm nga bashkëshortja. Në rast se të ardhurat vjetore bruto të kryefamiljarit tejkalojnë shumën prej 2,000,000 lekësh dhe në bazë të ligjit, kryefamiljari ka detyrim për plotësimin e deklaratës vjetore të të ardhurave personale, por jo të përfitojë nga shpenzimet e zbritshme dhe bashkëshortja e tij ka totalin e të ardhurave vjetore bruto më të vogla se 1,050,000 lekë, atëherë kjo e fundit nuk mund të përfitojë nga e drejta e plotësimit të deklaratës për efekt të shpenzimeve të zbritshme.

 

Shkalla tatimore

 

Në ligj thuhet se, diferenca ndërmjet totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme përbën të ardhurën e tatueshme të individit, e cila tatohet, me shkallën tatimore në fuqi, 10 për qind. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore, të dokumentuara nga mbajtësi në burim i këtyre tatimeve. Për individët rezidentë fiskalë shqiptarë, që kanë realizuar të ardhura dhe janë taksuar për to jashtë Republikës së Shqipërisë, në vende me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, tatimet e paguara, të vërtetuara nga autoritetet e këtyre vendeve, janë të kreditueshme në masën e përcaktuar në marrëveshjet specifike. Në rast se të ardhurat i kanë realizuar dhe u janë taksuar jashtë Republikës së Shqipërisë, në vende me të cilat Shqipëria nuk ka nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, tatimet e paguara nuk janë të kreditueshme.

Nëse diferenca është pozitive, deklaruesi, jo më vonë se data 30 prill, bën pagesën e tatimit. Nëse diferenca është negative, administrata tatimore ia kthen deklaruesit shumën e taksave të paguara më tepër ose, me pëlqim të deklaruesit, kjo shumë mund të përllogaritet si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues.

 

Penalitetet

Deklaruesi ka të drejtë për të bërë dy herë korrigjime brenda tre muajve pas depozitimit në organin tatimor të deklaratës. Këto do të pranohen pa penalitete, ndërsa herën e tretë do të aplikohen penalitete, për të shmangur çdo lloj abuzimi të mundshëm me deklaratat dhe rritjen e përgjegjshmërisë nga ana e individëve, për plotësimin në mënyrë sa më të saktë të deklaratave.

 

 

 Berisha: Kemi rritur rrogat e mësuesve me 120-150%, mandatin tjetër 700 dollarë

“Garantoj mësueset e mësuesit se ne që rritëm rrogat e tyre nga 120-150 për qind në harkun kohor 2006-2012, në mandatin e ri do të rritet jo më pak se 700 dollarë, rroga e mësuesit në Shqipëri”. Ky ishte premtimi i Kryeministrit Berisha i bërë nga shkolla e mesme “Rexhep Mezini” me rastin e 100-vjetorit të saj. Kryeministri edhe një herë ka premtuar investime të mëdha në arsim duke filluar nga rrogat e mësuesve dhe deri të infrastruktura. “Unë vizitova këtu laboratorin e biologjisë, informatikës, bibliotekën, muzeun, të gjitha dëshmi të modernitetit të kësaj shkolle. Vizitova edhe dhomën e internetit falas për komunitetin. Ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit”, – përmendi Berisha. Më 5 prill 1913, u hap shkolla e parë shqipe në Ishëm. Në fillim, shkolla kishte 40 nxënës që vinin nga të gjithë fshatrat e komunës. Me djegien e Ishmit më 1914 u dogj edhe shkolla, por patriotët e rindërtuan shkollën dhe përsëri filloi mësimi. Në vitin 1918 mbaruan mësimet 15 nxënësit e parë. Sot, shkolla ka 360 nxënës, 3 kabinete informatike dhe laboratorë të ndryshëm për një proces bashkëkohor të mësimdhënies. “Hapja e shkollës së parë shqipe këtu në Ishëm, 100 vjet më parë është dëshmi e dashurisë së madhe dhe e vendosmërisë së ishmakëve për sakrifica të mëdha, për dije dhe përparim. Ishmi ka qenë dhe mbetet një nga komunat më të rëndësishme në historinë e vendit. Me pozicionin e tij gjeografik, me shpirtin punëtor, bujar e trim të ishmakëve, Ishmi ka luajtur një rol të madh si kështjellë natyrale e Durrësit dhe Shqipërisë në tërë historinë tonë kombëtare. Le të shprehim nderim tonë më të madh për Jakup Xherahin dhe të gjithë ata, të cilët kontribuuan në hapjen e shkollës së parë 100 vite më parë, nderim të madh për banorët e Ishmit, të cilët ndanë gjithçka nga mundësitë e tyre që vajzat e djemtë e tyre të shkollohen dhe e shndërruan shkollën e Ishmit në një far të vërtetë drite, për komunën e Ishmit dhe më gjerë”, – ishin fjalët e Kryeministrit për 100-vjetorin e shkollës “Rexhep Mezini”.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency