(Shënim për shënimin e ambasadorit gjerman)/Një përgjigje nga “brenda bunkerit” e z. Hoffmann

0
168

 

 

 

 

Nebil ÇikaNga Nebil Çika

 

Shumë i nderuar Shkëlqesi!

 

Së pari, ju falënderoj për komunikimin normal që vendosët duke më shkruar personalisht, që është një veprim korrekt, si me etiken profesionale, ashtu edhe me ligjin për mediat në Shqipëri.

Shoh se me gjithë kthimin në normalitet të komunikimit midis nesh, vazhdojmë të ruajmë “pozicionet” e mëparshme, si ndaj ngjarjes (protestës së opozitës në 8 dhjetor), pranisë Suaj atje si dhe opinionit tim mbi këtë zhvillim.

Siç e kam sqaruar edhe në “Letrën e hapur” për Ju nuk ishte një raportim lajmi, por një opinion imi dhe cilësimi Juaj si “protestues i nderit” një metaforë, mbi atë që pashë dhe mendova, por që ishte një keqkuptim që në reagimin e dytë “Letrën e hapur”, unë kam marrë të gjitha përgjegjësitë e këtij keqkuptimi të madh.

Ju kam kërkuar edhe ndjesë nëse ju kam prishur punë me opinionin tim, deri atëherë, të gabuar për Ju dhe qëndrimin Tuaj ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri, përfshi edhe bunkerin e Enverit, që siç e patë nga afër, protestuesit e përndjekur politikë nga komunizmi u përpoqën ta shkatërrojnë atë ditë. Tani pas reagimeve reciproke, jemi të qartë për pozicionet e njëri-tjetrit për sa i përket bunkerit të Enverit dhe Edi Ramës. Ju u pozicionuat nga brenda tij në krah të qeverisë, kurse unë jashtë tij ballë për ballë me frëngjinë, në shënjestër të tij. Në fund të fundit, bunkerët Enveri për këtë i ndërtoi: Kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm. I brendshmi, jo vetëm në polemiken tonë, kam qenë jam dhe mbetem unë, ndërsa i jashtmi, Perëndimi kapitalist, NATO dhe anëtaret e saj, veçanërisht Gjermania Juaj. Pikërisht nga ky perceptim imi mbi qëllimin funksional të bunkerëve enverist dje dhe simbolikës së tyre politike sot unë u gabova kur jo llogarita Ju me ne jashtë bunkerit. Do të më falni shumë, por as nuk mund ta shkoja në mend që ambasadori i Gjermanisë se Merkelit, Kolit, Brandit, Adenauerit etj., një kombi të cilin unë e adhuroj për vlerat e mëdha intelektuale, qytetare e demokratike, do të pozicionohej ne krahë të ish-komunisteve, nga “brenda bunkerit” të ndërtuar pikërisht për të vrarë atë dhe qytetarët e vendit të tij.

Por kjo tani ka ndodhur dhe e pranoj që kam gjykuar shumë gabim. Ju kërkoj sërish ndjesë, pasi nuk më falet që nuk kam kujtuar faktin se edhe në kohen kur bunkerët ndërtoheshin e ishin në funksionin e tyre politik e ushtarak, kishte ca gjermanë marksist-leninistë që vizitonin e adhuronin Enver Hoxhën dhe regjimin e tij bunker.

Të kuptohemi, nuk po them që Ju jeni një nga ata.

 

I nderuar z. Hoffmann!

Në shënimin tuaj për mua shoh se keni kontestime edhe për “Letrën e hapur” dhe veçanërisht për artikulimet e mia që ju i quani akuza: “hipokrizi”, “standard të dyfishtë” dhe “dyfytyrësi”.

Jo qëndroj dhe nuk u heq asnjë presje atyre, por dua te sqaroj se nuk kanë lidhje me Ju si njeri, por me diplomatin Hoffmann.

Vetë ky shënim dhe qëndrim i dytë Juaji ndaj shkrimeve të mia më bind edhe më shumë për këtë. Në reagimin e parë ju zgjodhët një rrugë “harbute” komunikimi. Nuk ia drejtuat gazetës “Standard”, as mua personalisht reagimin Tuaj, gjëja më normale e komunikimit në të gjithë botën e qytetëruar, por mediave “komuniste” apo proqeveritare, siç quhen sot! Më thoni Ju, si ta quaj këtë sjellje Tuaj z. Ambasador?! Thoni që mund të merrja në telefon e të sqaroheshim, po këtë mund ta bënit edhe ju. “Standard” e botoi reagimin Tuaj të parë, e morën nga mediat e tjera, edhe pse mund të mos e bënte, po të keni parasysh fyerjet dhe faktin që Ju nuk ia dërguat gazetës atë.

Në reagimin e parë par paka ditësh, në mënyrë fyese më cilësonit mua “njëfarë Nebil Çika”, gjë që e keni ndryshuar në “shumë i nderuar” në reagimin e dytë. Këtë fjalor fyes e përbuzës e njoh mirë dhe nuk e dëgjoj për herë të parë. Për 50 vjet diktaturë komuniste, kështu na kanë thirrur nga brenda bunkerit enverist ne kundërshtarëve të komunizmit, të përndjekurve politikë. Zgjedhja prej jush pikërisht e kësaj fjale, këtij fjalori ju vendos më shumë se çdo gjë tjetër “brenda bunkerit”. Si ta quaj me fjalë të tjera, përveç: “hipokrizi”, “standard të dyfishtë” dhe “dyfytyrësi”, këtë qëndrim publik Tuajin Shkëlqesi!

Me standarde të dyfishta kam parasysh qëndrimet e ndryshme ndaj diktaturave naziste e komuniste në Gjermani dhe asaj komuniste në Shqipëri. Kjo do të dilte më e qartë, mjafton t’i jepej përgjigje pyetjes sime: Çfarë do të ndodhe në Gjermani, nëse qeveria vendoste të ndërtonte një krematorium si ata të Holokaustit, instalcion apo si vepër arti? Besoj se këtu koncepti im për dy standarde është më se i qartë.

 

I nderuar z. Ambasador!

 

Sigurisht që i respektoj bindjet Tuaja për “bunkerin” komunizmin dhe çdo gjë tjetër, por dua të theksoj se bindjet dhe parimet e mia nuk i ndërroj me asgjë. Nga shprehja Juaj “njëfarë Nebil Çika” supozoj se nuk më njihni e nuk keni dëgjuar kurrë emrin tim. Por meqë kemi hyrë në këtë debat e polemike, po e patë të nevojshme pyetni dhe jam i sigurt që do të mësoni se nëse ka gjë për të cilën unë nuk bëj kompromis, janë bindjet e mia dhe sidomos raporti me të keqen, në veçanti komunizmi dhe krimet e tij. Kur shkruaj e flas, kam parasysh komunikimin me publikun: lexuesin, dëgjuesin e shikuesin tim. Me pak fjalë, popullin tim, shtresën time heroike e të shumëvuajtur nga komunizmi, e cila vazhdon ende të luftojë me të kaluarën e pandëshkuar që tenton të rikthehet si ai bunker dhe njerëzit që po e ndërtojnë atë. Kam një emision televiziv, “Rrno per me tregue”, që ia kam kushtuar plotësisht zbardhjes së krimeve komuniste, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë viktimat denoncojnë çdo javë krimet dhe xhelatët, si askush tjetër në këtë vend. Nuk bëj kompromis me autorët e krimeve të komunizmit apo me ithtarët a simbolet e tyre si ky bunker që na futi në “sherr” edhe ne të dy. Konsideroj bashkëpunëtor në krim çdo njeri që thotë qoftë edhe një fjalë të mirë për to.

 

  1. Hoffmann!

Së fundi, ju falënderoj pa masë për ftesën që më bëni për të biseduar miqësisht me Ju, qoftë edhe për të shmangur keqkuptimet. Por mendoj se ky debat ka filluar dhe do të mbarojë publikisht. Shpresoj shume t’i japim fund me kaq! Nuk kemi çfarë t’i themi më njëri-tjetrit për “bunkerin enverist” dhe qëndrimet tona për të.

U pjekshim për të mira!

Miqësisht, Nebil Çika

 

Qëndrimi dhe opinioni i autorit nuk përfaqëson atë të gazetës “Standard”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency