Trondit zjarri në autostradë/ Energjia elektrike djeg magazinën e tapeteve, dëmi 2.5 milionë euro

0
132

Artan Cena

 Trondit zjarri në autostradëBiznesi i ndodhur në autostradën Tiranë – Durrës, në pronësi të sirianit Majkëll Hajazi, është shkatërruar mëngjesin e djeshëm

Për më shumë se tri orë flakët kanë shkrumbuar një magazinë tapetesh e sixhadesh në pronësi të një siriani në autostradën Tiranë – Durrës. Ende nuk dihet vlera reale e dëmit të shkaktuar, por sipas të dhënave të para, besohet se janë më shumë se 2.5 milionë euro mallra në tapete, sixhade e sende të tjera. Pronari i biznesit mësohet se është shtetasi sirian Takson Majkëll Hajazi. Dyshohet se ka qenë një shkëndijë në një prej aparaturave ka shkaktuar zjarrin që ka djegur gjithë katin e dytë të magazinës. Në vendin e ngjarjes, veç zjarrfikësve të Tiranës, kanë shkuar edhe ata të Durrësit, Krujës dhe ushtrisë, ndërsa është kërkuar edhe ndihma e Bashkisë së Tiranës që të vinte në dispozicion autobotet me ujë. Nga flakët dhe tymi kanë marrë lëndime të lehta 6 persona, 3 prej të cilëve punonjës dhe të tjerët janë zjarrfikës. Të gjithë kanë marrë mjekime dhe më pas janë larguar për në banesat e tyre.

 

Rënia e zjarrit

Punonjësit sapo kishin nisur ditën e tyre të punës. Siç bën të ditur edhe Policia e Tiranës, mëngjesin e djeshëm rreth orës 09:15, në autostradën Tiranë – Durrës në magazinën e firmës private të sirianit Majkëll Hajazi, ka rënë zjarr në katin e dytë. Kjo magazinë shërbente për të mbajtur tapete dhe sixhade. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar 6 automjete zjarrfikëse si dhe forcat e policisë. Policia ka evakuuar të gjithë punonjësit që ndodheshin në magazinë si edhe personat përreth magazinës. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, por nga hetimet paraprake rezulton të jetë shkak një shkëndijë elektrike.

 

Pasojat e flakëve

Si pasojë e zjarrit të rënë në katin e dytë të kësaj magazine, janë asfiksuar nga zjarri dhe janë transportuar për në repartin e djegies punonjësja me inicialet, E. M., 25 vjeçe, punëtore në këtë magazinë; 47-vjeçarja me inicialet D. M., e cila ka shkuar për të ndihmuar 25-vjeçaren, e cila është bashkëshortja e djalit të saj dhe është banuese pranë kësaj magazine. Gjithashtu, në Spitalin Ushtarak është paraqitur edhe shtetasi me inicialet E. D., 40 vjeç, punonjës i cili gjithashtu është asfiksuar nga tymi dhe ka djegie të lehta, por gjendet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, edhe 3 punonjës të shërbimit zjarrfikës kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të tymit dhe zjarrit. Edhe këta nuk kanë pasur dëmtime të rënda. Mjeku Rei Malo i shërbimit vullnetar të emergjencave civile tha se dy zjarrfikësit patën vështirësi në frymëmarrje për shkak të tymit në vendin e ngjarjes. “Njëri u transportua në Spitalin e Traumës dhe tjetri ka marrë ndihmën mjekësore në vend. Njëri ka pasur vështirësi në frymëmarrje dhe tjetri djegie të shkallës së parë në dorë”, – tha Malo. Dy zjarrfikësit që janë lënduar janë Florian Sheqeri dhe Shpëtim Hoxha, të dy janë jashtë rrezikut.

 

“Hetim shkaqeve të zjarrit, në magazinë kishte edhe lëndë kimike”

Ende nuk janë zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit në magazinën e tapeteve në Tiranë, ndërsa shefi i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, tha se ishte ende herët për të përcaktuar shkakun e zjarrit, pasi mund të kenë ndikuar shumë faktorë. Ai tha se parësore ishte mbrojtja e jetëve të punëtorëve dhe se me shkaqet do të merren ekspertët. “Rreth orës 9:00 është dhënë njoftimi në sallën e shërbimit zjarrfikës se në autostradë ka rënë zjarr”, – ka thënë Prençi gjatë komunikimit me medien. “Ngritëm shërbimin zjarrfikës. Njoftuam edhe zjarrfikëset e Durrësit, të Krujës dhe të ushtrisë. Sapo morëm vesh që fabrika ishte me pëlhura dhe djegia e lëndës së parë ishte e lehtë futëm në veprim të gjitha shërbimet zjarrfikëse, por edhe mjekët, sepse duke qenë një fabrikë kishte dhe punëtorë. Kur mbërritëm këtu, përmasat e zjarrit ishin shumë të mëdha. Kishte edhe punonjës të asfiksuar. Mbi 8 zjarrfikëse ishin në veprim, por zjarri kishte shumë përmasa”, – tha kreu i Emergjencave Civile. “Lënda e parë ishte lehtësisht e djegshme. Kërkuam ndihmën e autoboteve të Bashkisë së Tiranës. Iu drejtuam edhe bizneseve këtu pranë për të marrë ujë”, – deklaroi Prençi. Pas shuarjes së zjarrit, grupi i ekspertëve ka nisur punën për të përcaktuar shkakun e flakëve. “Nuk mund të flasim për shkak ende, sepse fabrika punon me lëndë kimike dhe mund të jetë nga shkëndija elektrike, nga lënda e parë etj. Detyra jonë ka qenë shpëtimi i njerëzve”, – theksoi në fund kreu i emergjencave civile, Shemsi Prençi.

 

“Nuk e dimë cilat janë shkaqet e zjarrit”

Ndërkohë, pronari i biznesit, i pranishëm në vendin e ngjarjes, është treguar i rezervuar dhe nuk ka dhënë detaje. Ai nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me shkaqet e zjarrit dhe për dëmin e shkaktuar edhe pse është i madh. Ai ka thënë se gjithçka ishte e siguruar.

Sa janë dëmet?

S’e di, nuk e dimë.

Po shkaku i zjarrit cili është?

Nuk e di.

A jeni i siguruar?

Po.

Masa sigurie keni marrë?

Po, të gjitha…

 

 Kondicioneri i vë flakën komisariatit nr. 3

Personat e ndaluar në dhomat e paraburgimit në komisariatin nr. 3 të policisë në Tiranë u evakuuan me urgjencë gjatë mesditës së djeshme, kur një zjarr përfshiu ndërtesën. Flakët nisën në katin e dytë të komisariatit, për shkak të një shkëndije elektrike në njërin prej kondicionerëve që ishte nxehur në maksimum. Kjo krijoi një situatë emergjente. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit dhe situata u vu nën kontroll, ndërsa personat që ndodheshin në dhomat e paraburgimit ishin zhvendosur në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas njoftimit të policisë nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Zjarri është shuar brenda pak minutash.

 

 Zjarri u shkrumbon banesat, tri familje në qiell të hapur

Zjarri u ka shkrumbuar shtëpitë dhe prej ditës tri familje në fshatin Bledës në Gramsh kanë mbetur në qiell hapur. Ka qenë një shkëndijë elektrike që ka shkrumbuar tri banesat në Komunën Skëndërbegas të Gramshit, një zonë e thellë ku edhe makina nuk shkon dot. Tri shtëpitë e djegura u përkasin kushërinjve Asqeri, Eqerem dhe Agron Zhupani, ndërsa nga zjarri ka pësuar djegie edhe një foshnjë vetëm 9-muajshe. Fëmija është dërguar në Tiranë, për të marrë ndihmën mjekësore. Familjarët dhe banorët thotë se në këtë fshat janë harruar nga instancat shtetërore dhe askush nuk është kujtuar për ta pas asaj që ndodhi. Këto tre familje prej ditësh i ngrysin netët në të ftohtë, pasi nuk kanë asnjë mundësi strehimi. Familja e Asqeri Zhupanit thotë se jeton pa asnjë të ardhur, madje nuk përfiton as ndihmë ekonomike nga Komuna Skënderbegas. Në këtë fshat mungon edhe rruga që i lidh me komunën. Ditën e rënies së zjarrit automjeti i zjarrfikëses nuk mundi të hynte në fshat, dhe zjarri u shua me mjete rrethanore, çka rrezikoi edhe dy banesa të tjera përreth.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency