Skandali në Marinzë/ Marrëveshja sekrete e Bankers me qeverinë Nano, pse nuk mund të ndryshohet

0
240

Artan Cena/Ervin Kaduku

Skandali/ Ku i çoi Bankers 100 mln dollarë që i mori nga FMN-ja e BE-ja për banorët

Bankers petrol Kompania kanadeze dyshohet se ka zhdukur 94 milionë dollarë që ka marrë nga institucionet financiare që kishin si destinacion zhvillimin e zonave ku ajo operon prej vitesh

Kompania kanadeze Bankers Petroleum duket se është përfshirë në një tjetër skandal, këtë herë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane. Kjo kompani mësohet se ka marrë 100 milionë dollarë nga dy institucionet financiare të mësipërme për zhvillimin e zonës së Marinzës dhe të tjerave ku operon. Por skandali është se kjo kompani ka shpenzuar vetëm 6 milionë dollarë! E këto para, që janë pjesë e atyre të marra nga FMN dhe Banka Evropiane mësohet se janë përdorur vetëm për bonifikime të bëra në zonë dhe për disa rregullime të ndryshme. Gati të gjitha shpenzimet mësohet se ishin drejtuar jo në përmirësimin e jetës së banorëve por në atë të pjesëtarëve të Bankers Petroleum. Faktet tronditëse janë zbuluar pas shpërthimeve në puset e ndodhura në fshatin e Marinzës në Fier, ku fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Nga ana tjetër, kjo kompani vazhdon që të hapë nga një pus të ri çdo tri ditë.

 

Shpërthimet e puseve

Ndodhi në datën 1 prill dhe askush jashtë Shqipërisë nuk ka folur për të. Në rrethinat e qytetit të Fierit ndodhet ajo që njihet si fusha naftëmbajtëse më e madhe në Evropë për rezervat e ndryshme, gati 2 miliardë fuçi, kundër 500 milionëve që ka fusha më e madhe në Itali, ajo e Val D’Agrit. Fusha naftëmbajtëse në Shqipëri njihet me emrin Patos-Marinzë dhe ndodhet rreth 10 kilometra larg qytetit të Fierit dhe që ka nisur të shfrytëzohet që në vitin 1928. Në ditën e parë të prillit, një seri shpërthimesh dhe lëkundjesh sollën evakuimin e një fshati, atë të Marinzës. Më shumë se 70 banesa janë dëmtuar. Shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës që ishte duke u punuar në një pus horizontal. Një fontanë gazi ka sjellë shpërthimin e tymrave toksikë që kanë fluturuar për qindra metra në qiell. Dhe banorët i kanë filmuar këto puse që shpërthyen në mënyrë të papritur, duke nxjerrë në sipërfaqe gaz, ujë dhe baltë.

 

Zona nuk duhet banuar

Nuk është hera e parë që ndodhin episode të tilla me shpërthime, tërmete të vogla dhe vaska me mazut që kanë fluturuar në qiell të hapur, apo puse gazi që nuk dihet se nga kanë dalë. Në fakt prej shumë kohësh, popullata e qytetit të Fierit dhe rreth saj është ankuar gjithmonë për efektet në shëndet që po sillnin punimet që po bënte kompania Bankers Petroleum me mënyrat e saj të nxjerrjes së naftës.

Fusha naftënxjerrëse është e vjetër dhe e pa mirëmbajtur gjatë viteve të komunizmit dhe mbetjet janë përzier me ujin e zonës. Në fakt, për shumë vitet që prej 1940 deri në 1990, ishte e ndaluar që të banojë në zonën Patos-Marinzë apo pranë saj, për shkak të ndotjes së lartë që është në atë sipërfaqe. Ndërsa tani, ligjet janë më fleksible dhe nuk është e qartë se pse janë shkelur. Në fakt, gjatë tërë kohës, banorët janë ankuar nga probleme të frymëmarrjes dhe dhimbje koke për shkak të gazit që del aty. “Shumë fëmijë janë sëmurur, duke lozur pranë puseve. Njëri prej tyre, në fakt, ndërroi jetë, për shkak se ra në një prej tyre”, – thotë një banor i zonës. Shumë prej tyre kanë dëmtuar edhe këmbët gjatë incidenteve me mjetet e petroliferës.

 

Përhapja e Bankers

Pas Marinzës, kanadezët janë përhapur edhe në Kuçovë, zona e dytë naftëmbajtëse e Shqipërisë. Në këtë moment, Bankers Compani është ndërmarrja me më fitim në gjithë Shqipërinë me më shumë se 600 milionë dollarë të ardhura në vit. E paradoksi vazhdon. Në Shqipëria, karburantet kushtojnë më shume së në gjithë vendet e rajonit, si në Maqedoni, Mali i Zi apo edhe në Kosovë, ndërsa njerëzit vazhdojnë që vuajnë papunësinë. Ndërkaq për shpërthimin Bankers ka marrë të gjitha përgjegjësitë, ndërsa kanë nisur edhe hetimet penale, shkruan “Il Qutidiano”. Nga ana tjetër, kjo kompani vazhdon që të hapë nga një pus të ri çdo tri ditë.

 

Kompania i ka fshehur Shqipërisë 300 milionë dollarë

Kompania Bankres Petroleum i ka fshehur shtetit shqiptar 300 milionë dollarë shpenzime, të cilat nuk janë të justifikuara. Të gjitha këto para të deklaruara në mënyrë jo të rregullt janë bërë vetëm në një vit dhe bëhet fjalë për 2011-ën. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore i është kthyer edhe njëherë auditit të këtij viti pasi kishte pretendime për shpenzime të bëra nga ana e kompanisë, të cilat rezultonin të parregullta dhe ku ishin shkelur procedurat e prokurimit publik. Pikërisht në fund të këtij auditi, AKBN ka hartuar edhe një raport financiar paraprak i cili ka nisur edhe përplasjen e qeverisë me Bankres Petroleum.

 

Bankers, një skandal i paralajmëruar me kohë

Askush nuk ua kishte vënë veshin banorëve të Marinzës, Zharrës apo zonave të tjera naftëmbajtëse në Fier, që ankoheshin për shpërthimet e nëntokës që i bënte kompania Bankers Petroleum për të nxjerrë sa më shpejt naftë apo gazin që ndodhej në shtresa të ndryshme. Të shumta kanë qenë protestat e banorëve që ankoheshin se këto mënyra të kompanisë së naftës ishin duke u shkatërruar banesat e tyre. Edhe qeveria nuk kishte marrë masa për të ndaluar apo kontrolluar këtë kompani. Është folur shpesh herë që do të nisnin inspektime të ndryshme në këtë zonë, e në fakt janë dërguar edhe dy laboratorë lëvizës për matjen e lëkundjeve të shpërthimeve që bëheshin aty. Ndërsa banorët ankoheshin se këto lëkundje, termeve vinin nga shpërthimet e Bankers, këta të fundit nuk kanë pranuar asnjëherë që ata ishin shkaktarët. Por shpërthimi i pusit në 1 prill, duket se i ka vërtetuar të gjitha akuzat që janë bërë ndaj kompanisë naftënxjerrëse. Gazi doli në sipërfaqe në kohën kur kompania ishte duke bërë disa shpërthimeve në thellësi me qëllim bashkimin e disa zonave me gaz, në një të vetme, në fakt edhe kjo një mënyrë e paligjshme e shfrytëzimit të nëntokës për shkak të pasojave që do të sjellë më vonë. Në këtë mënyrë duket se janë vërtetuar edhe akuzat që janë bërë nga banorët, të cilët kanë pasur të drejtë kur kanë akuzuar kompaninë kanadeze se bënte shpërthime për të nxjerrë gazin dhe naftën. Por ndërsa banorëve deri më tani nuk ua ka vënë njeri veshin, qeveria është duke u munduar që të gjejë një zgjidhje me sa më pak kosto politike për atë dhe për ministrat e saj. Dy ministri aktualisht mbajnë qëndrime të ndryshme, ajo e Energjetikës ende nuk ka lëshuar një qëndrim të qartë të saj, ndërsa ajo e Mjedisit ka kërcënuar për mbyllje të aktivitetit të Bankers. Aktualisht ende nuk ka dalë një raport përfundimtar për shkaqet e shpërthimit dhe situatës në këtë zonë. E sot duket se banorët kanë pasur të drejtë në akuzat disavjeçare të bëra ndaj kompanisë kanadeze që shfrytëzon prej vitesh pasurinë e nëntokës shqiptare, pa ndonjë përfitim të madh të vetë Shqipërisë.

 

Marrëveshja sekrete e Bankers me qeverinë Nano: Nuk mban përgjegjësi

 Kompania ka të drejta ekskluzive për kërkimin dhe nxjerrjen e naftës. Në marrëveshje thuhet se “asnjë qeveri apo parlament nuk mund t’i ndryshojë”

Marrëveshja e kompanisë Saxon që më vonë ndërroi emrin në Bankers Petroleum me qeverinë Nano në vitin 2004, është shumë e disfavorshme për Shqipërinë, ndërsa vetë kompania me bazë në Kanada nuk mban asnjë lloj përgjegjësie, aq sa mund është Albpetrol që duhet të ndërhyjë për të rregulluar dëmet që shkakton ajo. Marrëveshja mes qeverisë dhe Bankers ka qenë sekretet dhe i jepte kësaj kompanie të drejta ekskluzive në nxjerrjen dhe shitjen e naftës që del nga nëntoka jonë, madje duke e sanksionuar kofidencialitetin edhe me një nen të posaçëm. Kontrata favorizon kompaninë jo vetëm në taksa, por edhe në dëmet që i shkakton banorëve dhe mjedisit. Nenet e kontratës nuk krijojnë asnjë mundësi që institucionet shtetërore të vendosin minimalisht një gjobë të vetme ndaj kësaj kompanie.

 

Kompania, asnjë përgjegjësi

“Në rast fontatimi, aksidenti ose emergjence tjetër, kontraktori do të marrë të gjitha hapat e menjëhershëm për ta sjellë situatën emergjente nën kontroll dhe të mbrojë kundrejt humbjes së jetës ose dëmtimit të pasurisë”, – shkruhet në kontratën e lidhur me qeverinë shqiptare. Por nuk mbaron me kaq. Në momentin që Bankers nuk arrin të marrë masat për zhdëmtimin e banorëve dhe mjedisit, edhe pasi ia ka kërkuar marrjen e këtyre nismave kompania Albpetrol, atëherë është vetë Albpetroli që detyrohet të paguajë dëmet. “Në rast se kontraktori dështon të marrë masat rregulluese të kërkuara nga Albpetroli brenda periudhës së kohës së përcaktuar për këtë, atëherë Albpetroli mund të marrë masa të tilla rregulluese për llogari të kontraktonit”. Në kontratë sanksionohet qartë që Albpetrol nuk ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim dhe as mbyllje të kontratës për këto arsye.

 

Favorizimet ndaj Bankers

Një tjetër favorizim që është bërë ndaj Bankres janë edhe taksat. Kompania ka të drejtë që të blejë çdo pajisje apo produkt, i cili i nevojitet për të kryer operacionet e kërkimit dhe shitjes së naftës jashtë, pa paguar taksa doganore dhe tatimore. Po ashtu qeveria ose Parlamenti nuk mund të marrë dot asnjë hap në ndryshimet e barrës që duhet të tatohet ky koncesionar pa dhënë ai më parë dakordësinë. Albpetroli dhe kontraktori do të jetë përgjegjës sipas licencë marrëveshjes duke përfshirë pa kufizim: – detyrimet që kanë të bëjnë me abandonimin, – pagimin e kostove dhe shpenzimeve te operacioneve, – zhdëmtimet, – llogaritjen e pagesës së taksës së naftës mbi fitim. Pra në rastin kur qeveria merr çdo masë e cila dëmton financiarisht kompaninë kontraktore, do të jetë Albpetrol ai i cili duhet të kompensojë faturën financiare. Në vitin 2004 me anë të këtij vendimi gjykate, kompania Saxon u regjistrua në Shqipëri, në një kohë që dega qendrore e saj ndodhej në ishujt Kaiman. Më pas në vitin 2006, emri i saj u ndryshua në Bankres Petroleum, ku njësia qendrore e saj tashmë rezulton të jetë në Kanada.

 

Shpërthimi, ministritë i hedhin topin njëra-tjetrës

Ministria e Energjetikës doli të martën pasdite me një konkluzion për shkaqet e shpërthimit dhe masat ndaj kompanisë Bankers Petroleum, ku kërkohej pezullimi i të gjitha punimeve të kompanisë Bankers Petroleum Albania në sheshin e pusit P29 A, deri në momentin e rehabilitimit të sipërfaqeve të prekura nga grifonet. Në raportin e Ministrisë së Energjetikës thuhet gjithashtu se mosmontimi i linjës së dytë të preventorëve vështirësoi manovrimet e personelit të sondës. “Shqetësuese mbetet situata e shpërndarjes të gazit në këtë zonë, ku banorët përveçse janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre, kanë mbetur dhe të helmuar”, – thuhet në raport. Sipas ekspertëve të kësaj ministrie, kompania në fillim kishte menduar se kishte të bënte me gaz hidrokarbur apo gaz shoqërues të naftës, por më pas aparaturat gazmbajtëse zbuluan se zona ku ndodhi shpërthimi përmbante gaz karbonik dhe jo gaz shoqërues të naftës. Ekspertët vlerësuan se kjo zonë naftëmbajtëse nuk ka pasur asnjëherë gaz hidrokarburi dhe kompania Bankers Petroleum nuk ka studiuar paraprakisht historikun e puseve përreth të shpuar më përpara nga kompania Albpetrol, thuhet në raport. Ministria e Energjetikes rekomandon që Bankers për të gjitha shpimet duhet të vendosë në punë të dy linjat preventore, të marrë informacionin e duhur për historikun e puseve dhe nënkontraktorët duhet të plotësojnë kushtet teknike, pasi nënkontraktori ka pasur mangësi teknike për zgjidhjen e situatës se krijuar. Ndryshe nga kjo, ministria e Mjedisit u prononcua se mund të rishikojë kontratën koncesionare të kompanisë Bankers Petroleum. Por ka qenë kjo ministri që nuk ka bërë asgjë, edhe pse kishte pezulluar licencën e kompanisë për dëme të përsëritura ndaj njerëzve dhe mjedisit. “Ministria e Mjedisit në respekt të ligjit, ka kërkuar pezullimin e aktivitetit deri në marrjen e masave për datat e mirëpërcaktuara për investimet që do bëjë kompania për rehabilitimin e zonës dhe duke ju shtuar edhe dëmshpërblimi i banorëve, të drejtën ligjore. Hapi i dytë i yni, nëse kompania nuk reagon, është t’i drejtohemi Albpetrolit, institucioni shtetëror i cili ka kontraktuar me këtë kompani, t’i kërkojmë Albpetrolit të prishë kontratën me këtë kompani, nëpërmjet refuzimit të lejeve mjedisore. Në momentin që refuzohen lejet mjedisore kompania nuk ka të drejtë të ushtrojë aktivitetin. Ndaj unë do dëshiroja shumë, gjërat janë të dhimbshme kur ndodhin kështu, është e dhimbshme kur paguan para, kompania duhet ta kuptojë se këtu nuk është vetëm një lopë për të mjelë, kompania duhet të dëmshpërblejë njerëzit. Kjo është një tok e shtetit shqiptar dhe duhet të dëmshpërblej banorët e dëmtuar”, – tha dje ministri Lefter Koka. Ministri i Mjedisit bëri përgjegjëse për këtë situatë qeverinë e mëparshme, duke shtuar se banorët e Marinzës do të dëmshpërblehen për dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre dhe në tokat bujqësore. Ajo që është shqetësuese në këtë mes është fakti që kompania kanadeze vijon të punojë sikur të mos kishte ndodhur ndërkohë asgjë. Madje, për ironi, ka organizuar edhe një ceremoni me nxënës të Roskovecit, duke lënë të nënkuptohet se i “ka marrë masat” për të kapërcyer edhe këtë situatë, nëpërmjet veprimeve korruptive që e kanë karakterizuar në vite.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency