Paloka: Protesta e 12 marsit, jo si ajo e 21 Janarit, vetëm personazhi është i njëjtë

0
114

Erneta Shevroja

 edi PalokaSe si do të zhvillohet apo do të shkojë protesta, kjo u takon qytetarëve, sepse janë ata që na kanë kërkuar të protestojmë

Partia Demokratike ka parashikuar një protestë të qetë, që nuk do të ketë asnjë ngjashmëri me atë të 21 Janarit të vitit 2011, kur u vranë 4 protestues. Ngjashmëria e vetme, sipas nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, është personazhi i njëjtë. Edhe në vitin 2011, socialistët, në atë kohë në opozitë, protestonin kundër kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike deklaroi po ashtu se protesta e së enjtes do të jetë edhe për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Deputetët fillimisht do të jenë në sallë të Kuvendit dhe më vonë do t’u bashkohen qytetarëve në sheshin “Skënderbej”. “Në filozofinë e PD-së nuk ekziston dhuna, marrja e pushtetit me dhunë, siç është në kokën e Edi Ramës, kështu që të jenë të qetë qytetarët se askush nuk mendon të zhvillojë protesta të dhunshme në PD”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar i PD-së.

 

Protesta

Protesta është parashikuar nga demokratët që të mos ketë asnjë element që do ta çojë atë në dhunë, por megjithatë Paloka është shprehur se gjithçka do të jetë në dorë të qytetarëve që do të dalin të protestojnë. Nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, përjashtoi mundësinë e një proteste si ajo e 21 Janarit. Kjo protestë, sipas tij, do të jetë e qytetarëve, ndërsa protesta e 2011-ës ishte “përdorim i qytetarëve prej Ramës për ta çuar atë në karrigen e kryeministrit”.
“Në fakt, ka shumë ngjashmëri në këtë histori, siç e thatë edhe ju është personazhi i njëjtë. Me sa duket, ky personazh histori të tilla di të krijojë. Por absolutisht nuk do të ketë ngjashmëri 21 Janari i Edi Ramës me protestën tonë të së enjtes. Protesta jonë është protestë e qytetarëve për kërkesat e qytetarëve, ndërsa 21 Janari ishte përdorim i qytetarëve prej Ramës për ta çuar atë në karrigen e kryeministrit, gjë që ai nuk e arriti dhe la pas 4 të vrarë”, – tha Paloka duke vijuar se mund të ndodhin edhe gjëra të paparashikuara: “Se si do të zhvillohet apo do të shkojë protesta, kjo u takon qytetarëve, sepse janë ata që na kanë kërkuar të protestojmë, që të gjejmë forma të tilla proteste deri në largimin e kësaj qeverie”, – theksoi nënkryetari i PD-së.

 

Kërkesat e qytetarëve

Protesta do të jetë një demonstrim kundër qeverisë, e cila, sipas opozitës, ka dështuar t’i afrojë popullit një jetesë të sigurt në vendin e tyre. Sipas demokratëve, sot qytetarët janë të rebeluar ndaj qeverisë dhe për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, gjë që nuk duhet parë si e pamundur. “Pakënaqësia e qytetarëve ka shkuar drejt revoltës dhe këtë, jo se e ka nxitur opozita, prandaj dhe kërkesa për zgjedhje të parakohshme ka ardhur si domosdoshmëri, si pasojë e faktit që asgjë nuk mund të ndryshojnë, as deputetët e opozitës në Parlament me fjalën e tyre, as institucionet ndërkombëtare me vërejtjet e tyre për këtë mazhorancë, që tani është e inkriminuar deri në thelb dhe nuk ka ndërmend as të ndryshojë dhe as të përmirësojë gjë”, – vijoi Paloka duke dhënë edhe disa detaje rreth protestës së të enjtes. “Të enjten, deputetët demokratë do të jenë në seancë plenare, paralel me protestuesit në sheshin “Skënderbej” dhe më vonë do t’u bashkohen atyre në protestën paqësore për zgjedhje të parakohshme. Partia Demokratike vendosi të enjten e kaluar për zhvillimin e protestës së të enjtes, ditën kur mbahet seanca plenare. Kjo kërkesë erdhi pas akuzave të deputetit të përjashtuar nga PS-ja, se kreu i Kuvendit ka porositur vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat, Mhill Fufi. Paloka, ka komentuar intervistën e Kryeparlamentarit Meta në një televizion. “Ilir Meta u shfaq si njeriu që ka kryer krimin dhe kërkon të lajë duart. Ai pranoi se akuzat e Tom Doshit janë mbajtur të fshehura për 6 muaj dhe tani që ai është përjashtuar nga grupi i Partisë Socialiste, këto akuza nuk paskan më vlerë”, – deklaroi Paloka. Sipas tij, Meta konfirmoi akuzën kryesore të Partisë Demokratike kur tha se, kishte ftuar dhe takuar familjarë të deputetit Fufi, me qëllimin, sipas tij, që t’i faturonte opozitës porosinë për vrasjen e tij. “Kontradiktor dhe kaotik, Ilir Meta është sot në sytë e mbarë opinionit publik, nën akuzë për vrasjen e dy deputetëve. Askush nuk e njeh më për kryetar Kuvendi një person nën akuzën më të rëndë të Kodit Penal. E megjithatë, Ilir Meta nuk jep asnjë shenjë përgjegjshmërie”, – vijoi Paloka duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e Metës nga kryesimi i PD-së. Duke i përsëritur thirrjen për dorëheqje, deputeti i nënkryetari i PD-së theksoi se vetëm duke mos qenë në krye të Kuvendit, mund të kryhet një hetim i drejtë nga prokuroria, ndërsa përsëriti ftesën për protestën e së enjtes.

 

PD: Drejtori i Forcave Operacionale, në krye të trafikut të drogës

Partia Demokratike denoncoi drejtorin e Forcave Operacionale, strukturë e Policisë së Shtetit, për përfshirje në trafik droge dhe korrupsion. Alban Ahmetaj, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha se “drejtori i Forcave Operacionale, është kapur së fundmi i përfshirë në korrupsion dhe trafik droge. Pak javë më parë u ndalua një nga oficerët e kësaj strukture, Hamza Demushi. Pas hetimeve, rezultoi se Demushi ishte i dërguar, i mandatuar në këtë tregti droge, nga shefi i tij, pikërisht nga drejtori Alban Ahmetaj. sipas Ristanit ky është rasti më i rëndë që ndodh në radhët e Policisë së Shtetit. “Merreni me mend, se çfarë ndodh me trafikun e drogës, kur shefi i kësaj strukture, përgjegjësja kryesore për ndalimin e narkotrafikut, është vetë pjesë e pazareve të pista e të jashtëligjshme”, – u shpreh Ristani duke vijuar se lidhjet e pushtetit me krimin i kanë nxitur dy drejtuesit e mazhorancës, Rama dhe Meta. “Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur krerët e shtetit, Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe kur Kryeministri i vendit, rezulton pjesë e këtij skenari, si bashkëpunëtor, fshehës i ngjarjes dhe gjurmëve të krimit”,- tha Ristani duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë mbi rastin. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së i kërkoi Prokurorisë të kryejë hetimet e pa ndikuar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Kryeministri Edi Rama.

 

Protesta, krerët e departamenteve, angazhim për pjesëmarrje të lartë të qytetarëve

Në selinë e Partisë Demokratike u zhvillua mbrëmjen e djeshme një mbledhje e krerëve të departamenteve të PD-së në lidhje me mobilizimin e sa më shumë personave në protestën e së enjtes në orën 11:00 të paradites. Në mungesë të Bashës mbledhja u drejtua nga nënkryetari i PD-së Edmond Spaho. Në mbledhje, u mësua se krerëve të departamenteve u është kërkuar një angazhim për të mobilizuar një numër sa më i lartë i qytetarëve në protestë, si nga kryeqyteti ashtu dhe nga rrethet. Në mungesë të kreut të PD-së, mbledhja u drejtua nga nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho. Ndërkohë, ajo që nuk është vendosur ende është organizimi i protestës. Në plan janë dy skenarë: bllokimi i hyrjes së Kuvendit apo të Kryeministrisë. Kjo do të vendoset gjatë ditës së sotme gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency