Takimi i tretë për zgjedhjet e 21 qershorit/ Rama negocion me Metën, emrat e parë të përzgjedhur si kandidatë për kryetarë bashkie

0
138

Gëzim Saliu

 rama meta negociataFieri dhe Pogradeci do t’i shkojnë LSI-së, PS merr Shkodrën dhe Vlorën, palët ndahen për Elbasanin

Në takimin e tretë brenda 3 javëve të fundit, Kryeministri i vendit, Rama, dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, biseduan dje për formulën me të cilën dy partitë kryesore të koalicionit të majtë do të dalin në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në takimin e zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit, pak para se Rama të mblidhte qeverinë, mësohet nga burime pranë partive aleate se dy krerët kanë diskutuar edhe për emrat konkretë që pritet të konkurrojnë si kandidatë në këto zgjedhje. Ndërkaq, sipas marrëveshjes parimore, pritet që forca politike e drejtuar nga Ilir Meta të marrë nga 25-30% të 61 bashkive në rang vendi.

 

Emrat

Në takimin e djeshëm, ku priten edhe disa të tjerë për të saktësuar deri në fund të gjitha kandidaturat e përbashkët PS-LSI, mësohet se Rama dhe Meta kanë arritur dakordësinë për kandidatët për 4 bashki kryesore të vendit. Kështu, burimet pranë Kuvendit bënë të ditur se shmangja nga gara e ardhshme e kryebashkiakëve që kanë nga tre mandate ka të bëjë me paktin mes Kryeministrit dhe kreut të Kuvendit për t’i dhënë LSI-së disa nga bashkitë ku PS ka qeverisur prej vitesh. Kjo bëhet edhe në kuadër të taktikës elektorale, por edhe në kuadër të marrëveshjes, sipas së cilës forca e drejtuar nga Meta duhet të marrë kandidatë për kryetarë bashkie në 30% të 61 bashkive gjithsej në vend. Përkatësisht, në takimin e djeshëm, Rama dhe Meta kanë rënë dakord që kandidatët për kryetarë bashkie në Fier dhe Pogradec t’i takojnë LSI-së. Sa i përket Pogradecit, ku edhe vetë ish-kryetari i dorëhequr Shkëmbi pranoi se mori vendimin për t’i lënë vendin aleatit të PS-së, palët kanë rënë në konsensus që kandidati i përbashkët të jetë kryetari aktual i Komunës Buçimas, Roshi Tollozhani. Ndërkaq, në Fier kandidati i përbashkët i të majtëve do të jetë deputeti aktual i LSI-së, Robert Bitri, i cili ka mbajtur më parë detyrën e prefektit në këtë qytet. Po ashtu në takimin mes dy krerëve të koalicionit të majtë mësohet se forca kryesore politike do të marrë kandidatët në Bashkinë e Shkodrës dhe atë të Vlorës. Biznesmenja dhe filantropja Keti Bazhdari, e cila ka mbajtur më parë edhe postin e kryetares së PS-së së qytetit, pritet të jetë kandidatura e përbashkët në Bashkinë Shkodër. Ndërsa sa i përket Vlorës, e cila me gjithë gjasa do t’i takojë PS-së, ende nuk ka një emër përfundimtar, por ekziston mundësia e kandidimit të ministrit aktual të Brendshëm Saimir Tahiri. Ndërkohë, dy ditë më parë, deputeti Ben Blushi kërkoi nga Kryeministri Rama që të mos përsërisë, sipas tij, të njëjtin gabim që bëri me zgjedhjen e ministrave. “Nëse ata që e kanë në dorë të zgjedhin, dihet se kush e ka, zgjedhin kandidatë për kryetarë bashkish me të njëjtën metodë që zgjodhën ministrat para dy vitesh, kjo do të ishte e gabuar. Qeveria nuk i rezistoi kohës. Shpresoj që do ketë konsultime për të gjithë kandidatët. Dhe kjo është një nga gjërat që duhet thënë. Nëse deputetët e PS-së anashkalohen, siç ka një tendencë, nga përzgjedhja e kandidatëve, kjo do të ishte fatale dhe do të hynte në një garë shumë të vështirë duke pasur parasysh dhe konsumin e lartë të qeverisë”, – qe shprehur deputeti socialist.

 

 Deputetët, kërkesë Kryeministrit/ Doshi: Ka ministra të konsumuar. Dade: Rama të mbledhë grupin e PS-së, analizë për qeverinë

Deputeti socialist Tom Doshi i kërkoi dje publikisht Kryeministrit Edi Rama që të bëjë ndryshime në kabinetin e tij. Duke rikonfirmuar deklaratat e bëra në grupin parlamentar, ku për publikimin e të cilave në media kritikoi kolegët socialistë, Doshi tha se ka disa ministra që kanë pasur performancë të dobët andaj duhet të largohen. “Unë s’kam një ankim. Deklaratat e mia lidhen me ankimet që ka baza. Shqetësimet janë në bazë. Baza është lënë pas dore. Për ndryshimet dihet që ka ardhur koha, shumë ministra janë konsumuar, por s’ka ardhur ende koha për t’i bërë publikë emrat”, – tha deputeti socialist. Ndërkaq, kritikat e deputetit socialist i mbështeti edhe kolegia e tij Arta Dade, e cila theksoi se në grupin e Partisë Socialiste ka munguar analiza për qeverinë. “Ka munguar analiza dhe sigurisht duket sikur ka kolegë të caktuar që mundohen të artikulojnë kritikën për qeverinë, nuk ka asgjë të keqe që Kryeministri vetë të ulet me grupin parlamentar dhe të dëgjojë ai perceptohet si janë efekte e kësaj qeverie”, – u shpreh ajo për “VP”. Më tej, deputetja socialiste shprehu kundërshti edhe për paditë e njëpasnjëshme të ngritura ndaj kryebashkiakëve të majtë duke theksuar se duhen çuar para drejtësisë, sipas saj, ata që kanë pas probleme me korrupsionin. “Përse ish-qeveria, përse Sali Berisha nuk çohet përpara drejtësisë, sepse duhet filluar drejtësia me të. Në qoftë se do të vazhdojmë të sulmojmë kryetarët e bashkive, kjo nuk do të jetë e drejtë, sepse po të bëjmë një analizë rreth e përqark Tiranës, kemi një batërdi”, – deklaroi Dade.

 

Drafti i mazhorancës/ Ndryshimet në Kodin Elektoral, PS ndryshon mendje: Tirana me 18 qendra numërimi dhe jo 3

Deputetët e mazhorancës kanë përfunduar draftin për ndryshimet në Kodin Elektoral dhe pritet që javën e ardhshme të nisë diskutimi i tyre në Kuvend. Sipas këtij drafti, i cili pritet të kundërshtohet nga opozita, në zgjedhjet vendore të 21 qershorit Tirana do të ketë 18 qendra numërimi të votave nga 11 që ka aktualisht. Fillimisht shumica kishte menduar që për kryeqytetin të kishte vetëm me 3 qendra numërimi, por duket se numri i madh i popullsisë e ka detyruar të ndryshojë mendje para se të paraqesë amendamentet në Kuvend. Sipas draftit të përgatitur, theksohet se grupi i deputetëve u vu në lëvizje pas shkresës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fillim të muajit shkurt, ku i kërkohej Kuvendit të niste amendimin e Kodit, pasi ndodhej në ngërç dhe nuk mund të zbatonte njëkohësisht Kodin dhe reformën administrative që kishin përplasje mes tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency