Propozimi/ KLD: Inspektim vendimeve gjyqësore me objekt dhunën në familje

0
215

Alma Çuka

 kld2Kërkohet trajnimi i gjyqtarëve në këtë fushë. Shtyhet shqyrtimi i propozimeve të ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të tre gjyqtarëve

 Këshilli i Lartë i Drejtësisë urdhëron Inspektoratin pranë tij të nisë nga puna për verifikimin e të gjitha dosjeve gjyqësore, të cilat në thelb kanë dhënien e vendimeve për dhunën në familje. Rastet e dhunës në familje, të cilat kohët e fundit kanë qenë të shpeshta si dhe numri i lartë i vendimeve gjyqësore për këtë objekt, kanë qenë në qendër të mbledhjes së djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas anëtarëve të KLD-së, dhuna në familje nuk mund të tolerohet, dhuna ndaj grave nuk mund të tolerohet dhe për të minimizuar këtë fakt, duhet patjetër të kryhen trajnime dhe të ushtrohet një kontroll gjithë vendimeve gjyqësore.

 

Vendimet

Viti 2014 ka qenë i ngarkuar me një numër të konsiderueshëm të vrasjeve në familje. Në një vit janë regjistruar më shumë se 200 vendime gjyqësore me objekt dhunën në familje. Por ka dyshime se vendimet e gjykatave kanë qenë të buta dhe kjo ka bërë që vepra të riciklohet. Lexohen raste të përsëritura të personave që, pasi kanë marrë një dënim për këtë vepër, teksa janë kthyer jetës normale me vendim gjykate, kanë kryer sërish dhunë në familje. Për këtë arsye të gjithë vendimet gjyqësore do të inspektohen dhe në fund do të dilet me një konkluzion. Gjatë mbledhjes së djeshme të KLD-së, anëtarët u njohën me raportin “Mbi inspektimin e veprimtarisë së gjyqtarit DhP në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec” i cili iu adresua ministrit të Drejtësisë për vijimin e mëtejshëm të procedurave. Ndërkohë, me konsensusin e anëtarëve të Këshillit u caktua Vangjel Kosta si anëtar në Komisionin e Posaçëm për Vlerësimin Paraprak të Kandidatëve për Funksionet Drejtuese në Gjykata, dhe Albana Shtylla si anëtare në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike. Këshilli, gjithashtu, miratoi me konsensus Artan Broci, Tritan Hamitaj, Ilir Mustafaj në përbërjen e grupit të punës për sistemin e pikëzimit për vitin 2015. Mbledhja vijoi me diskutimin dhe miratimin e vlerësimit profesional dhe etik me procedurë të përshpejtuar për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër Ramiz Lala. Në vijim të rendit të ditës, Këshilli miratoi kalendarin e gjykatave dhe gjyqtarëve që do të vlerësohen nga Inspektorati i KLD gjatë vitit 2015, për periudhën 2007 – 2009, sipas nenit 2 pika 6 të vendimit “Për miratimin e sistemit të vlerësimit”. Këshilli vendosi edhe për çështje të tjera të parashikuara në rendin e ditës si, miratimi i kërkesave të disa gjyqtarëve për mësimdhënie, delegimi i disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore në gjykata të tjera nga ato ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit, miratimin e kërkesës për leje për një periudhë 1 vjeçare, për arsye shëndetësore, të Gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, B. K. dhe konstatimin e mbarimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, për shkak të mbushjes së moshës së daljes në pension në datën 10.1.2015, të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Ll. J.

 

Shtyrja

Po dje u vendos për shkak të një angazhimi të ministrit të Drejtësisë, shtyrja e procedimeve disiplinore për tre gjyqtarë në mbledhjen pasardhëse. Gjithashtu, Këshilli shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit për vitet 2007-2009, të kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 261/2, datë 14.4.2010 “Sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve”.

 

Gjyqtarët e vlerësuar 

Arben Vrioni, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan

Stavri Kallço, Gjykata e Apelit Korçë

Astrit Haxhialushi, Gjykata e Apelit Tiranë

Etleva Gjamo, Gjykata e Administrative Korçë

Agim Ferizaj, Gjykata e Apelit Durrës

Petrit Çeno, Gjykata e Apelit Durrës

Brunilda Orhani, Gjykata e Apelit Korçë

Entela Prifti, Gjykata e Apelit Korçë

Florinda Çela, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Elvana Çiçolli, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë

Fejzo Hysi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

Ervin Metalla, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

Markelian Koça, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

Lindita Sinanaj, Gjykata Administrative e Apelit

Ema Gashi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

Shkëlqim Miri, Gjykata e Apelit Tiranë

Isuf Shehu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës

Shpëtime Pitaku, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

 

Librazhd/ Pranga dy të rinjve, dyshohen për grabitje me dhunë

Dy të rinj nga Librazhdi janë vënë në pranga, nën akuzën e vjedhjes me dhunë. Të arrestuarit janë Altin Zylali, 30 vjeç, dhe Aleksandër Zylali, 23 vjeç, me banim në lagjen nr. 1 Librazhd. Dy të rinjtë tek stacioni i trenit në qytetin e Librazhdit kanë tentuar të vjedhin kasafortën e Komunës Qendër të Librazhdit, ku fillimisht kanë goditur me mjete të forta rojen e Komunës, shtetasin I. Rr., i cili mori dëmtime në trup dhe më pas kanë tentuar të vjedhin kasafortën. Të sinjalizuar për ngjarjen, efektivët e policisë bën të mundur kapjen e dy të rinjve si dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të një leve, një sharrë hekuri dhe një trapani, mjete të cilat autorët, do ti përdornin për të kryer vjedhjen. Dyshohet se Altin dhe Aleksandër Zylali janë të përfshirë në raste të tjera vjedhjesh çka ka bërë që të thellohen hetimet ndaj tyre. Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”.

 

Vlorë/ Ishte shpallur në kërkim për vrasje me dashje, arrestohet 25-vjeçari

Një 25-vjeçar është arrestuar ditën e djeshme, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia. Burime nga strukturat e Policisë kundër Krimeve të Rënda bëjnë me dije se dje kanë bërë ekzekutimin e urdhër-arrestit të Gjykatës së Vlorës për kapjen dhe ndalimin e Fatos Alimuçit, i shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtje pa leje”. Gjykata e Vlorës ka caktuar ndaj Alimuçit masën e sigurisë “Arrest ne burg”, pasi në qershor të vitit 2014, në zonën e Plazhit të Vjetër, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistoletë, personin me iniciale D. T., banues në Vlorë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency