Superliga Shqiptare/ Vllaznia surprizon, fiton ndaj Partizanit, Kukësi mund Tiranën

0
124

Jurges Veizaj

 partizani vllazniaShkodranët u kanë rezervuar një surprizë të madhe të kuqve që pësojnë kështu humbjen e dytë radhazi, duke humbur për momentin kryesimin

 Blutë e Kukësit kanë mundur Tiranën dhe kanë arritur të marrin trepikëshin që i çon drejt vendit të parë në tabelë

Ndeshjet e mesjavës, të vlefshme për Superligën Shqiptare, kanë dhuruar spektakël dhe vërtetuan edhe një herë se ky kampionat ishte plot me të papritura. Deri para një jave, dy kryesueset ishin Partizani dhe Tirana. Kurse pas ndeshjeve të djeshme ka ndodhur rokada dhe Kukësi me Skënderbeun janë ata që janë ngjitur përkatësisht në krye. Një situatë kjo që tregon më së miri se sa i rëndësishëm është lëshimi i pikëve në një sfidë. Partizani dhe Tirana janë dy humbësit e mëdhenj që kanë humbur përkatësisht me Vllazninë dhe Kukësin.

 

Vllaznia-Partizani

Partizani humb me Vllazninë në kryeqytet, duke humbur edhe kreun, në një 90-minutësh që dhuroi shumë herë të para negative për të kuqtë në këtë sezon. Një gol i jashtëzakonshëm i Tafilit lejoi shkodranët të fitonin ndeshjen e pestë radhazi, duke u shkaktuar të kuqve për herë të parë dy humbje në seri në kampionat, por gjithashtu edhe disfatën e parë në shtëpi. Skuadra e Rainerit u konfirmua në një formë të jashtëzakonshme, duke mundur për më tepër kryesuesit, që nuk fitojnë në kryeqytet ndaj Vllaznisë që prej vitit 2008. Ndeshja e “Qemal Stafës” vinte përballë dy skuadrat e momentit në Superiore, Partizanin kryesues, pavarësisht humbjes në Vlorë dhe Vllazninë që vinte nga një seri prej katër fitoreve radhazi. Terreni i “Qemal Stafës”, megjithatë nuk ishte shumë premtues për një ndeshje spektakolare, por dy ekipet dhuruan një përballje me ritëm që në fillim duke mos zhgënjyer dhe tifozët e pranishëm që kishin ardhur të shumtë në numër dhe nga Shkodra. Të kuqtë ishin më kërkues në minutat e para. Batha provoi fillimisht në minutën e 10-të nga distanca, por Selimaj reagoi saktë, ndërsa nëntë minuta më pas ishte sërish Batha protagonist, por goditja e tij u përplas te Racic dhe mbeti në duart e Selimajt. Pavarësisht ritmit të lartë, nuk pati raste deri në të 36-ën, kur Tafili me një goditje fantastike ndryshoi rrjedhën e ndeshjes por dhe shifrat Lojtarët shkodranë shkuan të festonin pranë tifozerisë së tyre, ndërsa Raineri në stol ndryshe nga zakonisht e përjetoi me shumë qetësi epërsinë. Disavantazhi solli reagimin e menjëhershëm të Partizanit. Në të 42-ën, një goditje e Racic u ndal nga Selimaj, por a e tërhoqi topin brenda portës apo jo, kjo vështirë të kuptohej dhe nga terreni i rënduar i “Qemal Stafës”. Për kryesorin nuk ishte gol. Pjesa e parë u mbyll me një goditje të Trashit, që u ndal nga muri. Fillimi i pjesës së dytë ishte gjithashtu i zjarrtë, me Shtubinën që provoi nga distanca në të 51-ën, duke gjetur pozicional Hoxhën, ndërsa një minutë më pas, Trashi i pashqetësuar në zonë, u ndal nga Selimaj. Selimaj ishte protagonist dhe në minutat 70-të dhe 72-të, kur ndali Racic nga vetëm dy hapa. Selimaj dhe Racic e kthyen në një sfidë personale, ku në të 79-ën sërish ishte Selimaj që fitoi teksa ndali goditjen e dënimit të serbit. në të 84-ën, Fazliu nuk e mori siç duhet topin duke i dhënë mundësinë e daljes portierit shkodran. Ndërkohë që Selimaj u kthye në një “makth” për Racic në të 85-ën, kur nuk i lejoi sërish prekjen e rrjetës. U mbyll gjithçka me fitoren e Vllaznisë, që ngjit shkallët në renditje duke u konfirmuar si ekipi i momentit në Kategorinë Superiore, ndërsa për Partizanin ishte humbja e dytë radhazi, që i shkaktoi dhe lëshimin e kreut të renditje.

 

Kukësi-Tirana

Skuadra verilindore mposhti 1-0 Tiranën në përballjen e kreut të Superiores, duke siguruar një fitore thelbësore në garën për titullin ndaj Tiranës që i duhet të rikthehet me këmbë në tokë pas fitores me Skënderbeun. Atmosferë e zjarrtë në “Zeqir Ymeri” për superndeshjen e javës së 17-të dhe Kukësi e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme. Të zotët e shtëpisë në avantazh që në minutën e 4-t. Kombinim fantastik i Hysës me Pejic në zonë, kroati bëri më të mirën duke mbrojtur topin për ta kaluar përmes dy mbrojtësve sërish te 25-vjeçari që shënoi me të parën. 1-0 për Kukësin, stadiumi në festë. Reagim i vakët i bardhebluve me këtë goditje me kokë të Kageres që nuk e shqetësoi më shumë nga sa duket Halilajn, ndërkohë që 3 minuta më vonë rreziku ishte real në portën e kryeqytetasve me Hysën që depërtoi mbrojtjen për tu shfaqur para Frashërit që ndërhyri në kohë. Tirana në disavantazh haste vështirësi për të bërë përpara duke i mbetur të tentonte me goditjet standarde dhe Kukësi shkoi në avantazh në dhomat e zhveshjes. Magani me fillimin e pjesës së dytë luajti dhe kartën Bushic, i cili u fut në lojë në vend të Kageres, Tirana në pjesën e dyte fitoi lirshmëri në qarkullim por duke hasur vështirësi për të prezantuar dikë para portës, Bakaj tentoi të surprizojë me një harkim të bukur në minutën e 59 por gjeti të gatshëm Halilajn, vetëm dy minuta më pas fantazisti krosoi nga e majta me Bushic që nuk gjeti dot devijimin fatal para portës për të mposhtur Halilajn që shpëtoi edhe nga goditja pas kthimit të topit. I shqetësuar në stolin e Kukësit Artim Shaqiri, ndërkohë që Hysa kaloi rrezikun në krahun tjetër në minutën e 63 me një goditje që kaloi sipër traversës së Frashërit. Nuk e përmirësoi shënjestrën në tentativën e tij potente edhe Musolli në të 71, dhe minutat në vijim Tirana tentoi të ndryshojë fatin e takimit por pa pasur idetë dhe forcën e duhur si kjo goditje e Bushic ne gjysmërrotullim 7 minuta para fundit, kroati dështoi dhe në shansin e fundit brenda zonës në shtesë dhe vërshëllima e trefishtë e Jorgjit legjitimoi festën e Kukësit që arriti fitoren e 3 në katër ndeshjet e fundit përballë një rivali të drejtpërdrejtë, ndërsa Tirana i duhet më shumë qetësi dhe siguri për të qenë e sigurtë për titullin.

 

Skënderbeu rikthehet ndaj Flamurtarit

Super-Skënderbe dhe Peter ngjit në vendin e dytë kampionët në fuqi të Superligës. Korçarët pas humbjes me Tiranën bëjnë autokritikën ndaj vlonjatëve. Mjafton një gol për të ngjitur Skënderbeun dy shkallë në renditje dhe që i shton shumë shanset për të dueluar me Kukësin.

Ndeshja nis mirë për vendasit dhe rasti i parë u takon atyre. Abazi shërben për Sefën nga e majta e sulmit dhe ky i fundit me kokë e dërgon topin ngjitur me traversën vlonjate. Pak më vonë janë vlonjatët që fitojnë një goditje dënimi. Telushi pason për te Gilberto që me kokë e çon topin gjuan mbi traversën e Shehit. Në të 29-ën është Progni për korçarët që provon nga distance por përsëri topi përfundon jashtë. Rast ideal do vinte vetëm 8 minuta më vonë për korçarët që kishin mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh. Progni shërben për Peter dhe ky i fundit me kokë e dërgon topin në kuadrat, por është Lika që me planzhon shpëton një gol të sigurtë. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, por me një Skënderbe sulmues dhe bindës në fushë në 45 minutat e luajtura. Fraksioni i dytë i ndeshjes fillon me të njëjtën skemë lojë, Skënderbeu sulmon dhe Flamurtari mbrohet. Pa kaluar as 5-të minuta lojë nga kjo pjesë, është kapiteni Bledi Shkëmbi që çon topin te Lika pas një goditjeje dënimi dhe “gardiani” i vlonjatëve vetëm sa e grushton topin që mbërrin në këmbët e Peterit dhe ky i fundit kalon të tijtë në avantazh. Pas këtij momenti të gjithë në këmbë në stadiumin juglindor, ndërkohë që korçarët marrin më shumë zemër. Pankina e Flamurtarit lëviz me tri ndërrime në harkun kohor të 10-të minutave, por edhe ndërrimet nuk sjellin asnjë ndryshim në lojë. Peter në të 61-ën minutë për pak sa nuk shënon edhe të dytin pas një gabimi edhe të portierit Ilion Lika, ndërkohë që vlonjatët janë të pafuqishëm për portën korçare, Telushi në një gjuajtje në minutën e 72-të është pak për një skuadër si Flamurtari, ndërkohë që vjen radha e Josës që të kryejë edhe disa ndërrime taktike, duke qetësuar disi lojën, paçka se deri në fund Sefa dhe Progni janë dy lojtarë të tjerë që krijojnë raste për shënim. Gjithçka mbyllet edhe pas tre minutave shtesë me fitoren e ngushtë 1-0 të Skënderbeut, por që në fakt nga ajo që u pa në fushë duhet të ishte më e thellë. Një fitore me vlera që e ngjit Skënderbeun në vendin e dytë dhe tashmë Josa dhe të tijtë janë duke menduar për ndeshjen e fundjavës në Shkodër, një transfertë e vështirë duke parë çfarë po bëjnë shkodranët.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency