“Dropulli” ndryshon territorin/ Propozimi i Tavos përplas mazhorancën, debati mes PS dhe LSI, replikat e Finos me Vasilin

0
163

 Erneta Shevroja

 harta territoriale“Ligjet” votuan propozimin e Tavos ku si kryeqendër e Bashkisë së Dropullit bëhet fshati Jorgucat, nga Sofratik që ishte

Propozimi i deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo, për ndërhyrje në ligjin e ri të reformës territoriale përplasi dje deputetët socialistë me ato të LSI-së. Ndërsa deputetët e LSI-së i dolën në krah propozimit të Tavos, për ta bërë kryeqendër të Bashkisë së Dropullt fshatin Jorgucat dhe jo atë që ishte miratuar në Kuvend, Sofratik, solli përçarjen e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve. Propozuesi i këtij ndryshimi, Vangjel Tavo, argumentoi para deputetëve se kjo ishte një kërkesë e të zgjedhurve vendorë të Komunës së re të krijuar të Dropulllit. “Kërkojnë që qendra e Bashkisë së Dropullit të jetë fshati Jorgucat duke e argumentuar këtë propozim si në aspektin gjeografik, aspektin historik, në aspektin e zhvillimit ekonomik demografik dhe në aspektin e traditave dhe trashëgimisë kulturore. Për sa i përket aspektit gjeografik, Jorgucati që propozohet si qendra e Dropullit, është fshati që kufizon komunat aktuale të Dropullit të Poshtëm dhe Dropullit të Sipërm dhe nga 40 fshatra që përbëhet tashmë Bashkia e re e Dropullit, 2/3 e tyre dëshirojnë dhe kërkojnë që qendra e re të jetë Jorgucati”, – tha deputeti i LSI- së zonës së Gjirokastrës, Vangjel Tavo, që mori mbështetje të plotë nga deputeti Vasili. Ndërsa kundërshtime ndaj propozimit shfaqën deputetët e PS-së, Bashkim Fino, Dashamir Peza, Armando Subashi dhe Pirro Lutaj. Fino argumentoi se ky propozim nuk duhet të vijë tani, por mbas zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit të vitit të ardhshëm. “Unë mendoj që le t’ia lëmë kohës më mirë, t’ua lëmë banorëve, të dalë zgjedhja e kësaj Bashkie të re. Banorët vetë atje, kryetari i ri, Këshilli i ri, të bëjnë kërkesën përkatëse, në qoftë se ajo do të jetë e domosdoshme, siç janë këtu argumentet që ka sjell kolegu Tavo, absolutisht ne këtu jemi prapë dhe mund ta rishohim nga fundi i vitit tjetër. Në këto momente mua më duket jo oportune për të marrë dhe për të diskutuar ndarjen e re territoriale thjeshtë për të vënë një qendër fshati”, – tha deputeti socialist, Fino. Ndërsa Lutaj tha se kjo kërkesë do të krijojë precedent që edhe kryetarë të tjerë dhe njësi të tjera të kërkojnë ndërhyrje në ligjin e ri të miratuar në muajin korrik nga mazhoranca, dhe diçka e tillë është e papranueshme. “Mendojë se do të krijohet një precedent. Komunitete të ndryshme, deputet të ndryshëm mund të kërkojnë iniciativa të tjera, që unë mendoj se nuk do të përkonin interesat e tjera të reformës së finalizuar tashmë edhe me vendim të gjykatës kushtetuese”, – u shpreh Lutaj, argument që u mbështet edhe nga Dashamir Peza.

Pas diskutimeve, Komisioni i Ligjeve miratoi projektligjin në tërësi me ndryshim përkatës, me 2 vota kundër, 2 abstenime.

 

Votimi, socialistët kundër

Kundërshtitë gjatë diskutimit nuk u kufizuan në votimin e projektligjit për ndryshimin e kryeqendrës së Bashkisë së Dropullit, nga Sokratik në Jorgucat. Nga votimi në tërësi, deputetët Bashkim Fino dhe Dashamir Peza votuan kundër ndryshimeve të kërkuara nga Tava. Projektligji mori edhe dy abstenime, përkatësisht të deputetët të PS-së, Pirro Lutaj dhe nga sekretari i Komisionit të Ligjeve dhe deputeti Armando Subashi.

 

 Debatet

Tavo: Kjo nismë për një ndryshim në ligjin për ndarjen administrative, vjen edhe mbas një kërkese të të zgjedhurve vendorë të Komunës së re të krijuar të Dropullit, ku u drejtohen deputetëve të qarkut të Gjirokastrës dhe kërkojnë këtë ndryshim. Kërkojnë që qendra e Bashkisë së Dropullit të jetë fshati Jorgucat duke e argumentuar këtë propozim si në aspektin gjeografik, aspektin historik, në aspektin e zhvillimit ekonomik demografik dhe në aspektin e traditave dhe trashëgimisë kulturore. Për sa i përket aspektit gjeografik, Jorgucati që propozohet si qendra e Dropullit, është fshati që kufizon komunat aktuale të Dropullit të Poshtëm dhe Dropullit të Sipërm dhe nga 40 fshatra që përbëhet tashmë bashkia e re e dropullit, 2/3 e tyre dëshirojnë dhe kërkojnë që qendra e re të jetë Jorgucati.

Fino: Unë mendoj që le t’ia lëmë kohës më mirë, t’ua lëmë banorëve, të dalë zgjedhja e kësaj bashkie të re. Banorët vetë atje, kryetari i ri, Këshilli i ri, të bëjnë kërkesën përkatëse, në qoftë se ajo do të jetë e domosdoshme, siç janë këtu argumentet që ka sjell kolegu Tavo, absolutisht ne këtu jemi prapë dhe mund ta rishohim nga fundi i vitit tjetër. Në këto momente mua më duket jo oportune për të marrë dhe për të diskutuar ndarjen e re territoriale thjeshtë për të vënë një qendër fshati.

Vasili: Mendoj që problemi që shtrohet është një problem shumë i thjeshtë, më se minimalist. Absolutisht që jam i bindur dhe nuk do ti futem diskutimit për reflektimin, që reforma territoriale do të ketë edhe në infrastrukturë, që duhet për bashkitë përkatëse se po ti futemi këtij diskutimi shkon tutje. Problemi që kemi në tavolinë, është një problem shumë i vogël, në raport me reformën e madhe që kemi bërë. S’duhet të na shpenzonte as kohë, as energji, as nerva. Jemi shumë larg asaj që është bërë, në raport me një korrektim apo një korrigjim.

Lutaj: Më shumë shkojnë argumentet që dha Fino. Mendoj se do të krijohet një precedent. Komunitete të ndryshme, deputet të ndryshëm mund të kërkojnë iniciativa të tjera, që unë mendoj se nuk do të përkonin me interesat e reformës së finalizuar tashmë edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Peza: Unë mendoj që kjo iniciativë është o shumë herët ose shumë vonë. Është vonë se duhet të ishte bërë gjatë periudhës që u bë komisioni i reformës ose është shumë shpejt, pikërisht një ditë mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj që ajo që propozoi Fino, që t’ia lëmë kohës, që vetë banorët e kësaj zone, mbasi të konstituohet Bashkia e re, është, rruga e drejtë dhe e arsyeshme për t’iu përafruar këtij problemi. Mendoj që është e panevojshme tani të ndërhyjmë sepse do të hapim precedent të panevojshëm,do të hapim dëshira dhe orekse për të filluar për të ndryshuar, për ta fut në vazhdën e një zinxhiri që nuk i dihet se ku del fundi. Unë shoh të papërshtatshëm këtë propozim.

Vasili: Citimi nga ana e kolegëve ishin të njëanshme dhe mua më duket jo korrekte. Orekset kanë përfunduar me votimin e reformës territoriale. Kërkesa është korrektim, nuk ka të bëjë lapsusi. Fryrja e kësaj gjëje nuk na çon asgjëkund.

 

Basha me zyrtarin e DASH/ Mazhoranca po rrënon standardet demokratike

Opozita shqiptare vuri në dijeni Departamentin Amerikan të Shtetit për rrënimin e standarteve demokratike në Shqipëri për shkak të pranisë së “deputetëve me të shkuar kriminale” në Kuvendin e Shqipërisë. Ka qënë Kryetari i PD-së, Lulzim Basha që ka pritur drejtorin për Çështjet e Europës Qendrore dhe Jugore në DASH, z.Thomas Yazdgerdi në selinë blu, që i ka bërë të ditur shqetësimin serioz për rrënimin nga mazhoranca në një vit e gjysëm të standardeve demokratike të arritura në 24 vite. Basha e informoi z.Yazdgerdi për asgjësimin e instrumentave të mbikqyrjes parlamentare dhe sulmet fizike me skenarë të mirëorganizuar nga Kryeministri, me anë të deputetëve me të shkuar kriminale, të cilët gjenden enkas në Kuvend për të kërcënuar fjalën e lirë; e informoi se në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca refuzoi tre kërkesa radhazi të opozitës për të ngritur komision hetimor për shitblerjen e votave në Korcë, vjedhjen e miliona të dhënave të serverit të tatimeve, si dhe për të hetuar mekanizmin e emërimeve kriminale. “Pushteti absolut oligarkik dhe shteti arbitrar, e jo demokracia dhe shteti ligjor është realiteti që po instalon në vend kjo dyshe”,- tha Basha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency