Procesi/ Autori i katër vrasjeve në lokal, Kostandin Xhuvani i shkruan Gjykatës: Jam sëmurë

0
135

Alma Çuka

 Nuk paraqitet në seancën e parë. Në sallën e gjyqit, vetëm prokurori dhe trupi gjykues. Mungonte edhe avokati mbrojtës. Nuk dihet arsyeja e refuzimit të paraqitjes në gjyq

Xhuvani ne burg Gjyqtari Sokol Tona nuk gjeti asnjë mundësi për të zhvilluar seancën e parë gjyqësore kundër djalit të ish-deputetes së majtë Luiza Xhuvani. Letra e shkruar prej tij në orët e para të mëngjesit dhe depozituar në duart e punonjësve të togës së shoqërimit, të cilët u njoftuan për ta shoqëruar në sallë, detyroi gjyqtarin të caktonte një datë tjetër për zhvillimin e procesit. “Jam sëmurë, nuk mund të jem i pranishëm në sallën e gjyqit”. Kjo është përmbajtja e letrës, të cilën gjyqtari Tona, që kryeson treshen gjyqësore, lexoi për të pranishmit në sallën e gjyqit. Në karriget përballë trupit gjykues nuk ndodhej asnjë prej familjarëve të tij. Madje, edhe avokati mbrojtës nuk i është përgjigjur thirrjes së gjykatës. Në të tilla kushte seanca tjetër ku pritet në sallë i pandehuri do të zhvillohet në 23 dhjetor.

 

Akuza

Kostandon Xhuvani, një nga personazhet e njohur për drejtësinë, me precedentët e shumtë penalç, është i akuzuari i vetëm për vrasjen e katërfishtë ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 4 nëntor në një lokal nate në Tiranë. 26-vjeçari akuzohet për vrasjen e Enea Xhajit, Edison Jahos, Arbër Demirajt dhe të shtetasit italian Giampaolo Azzolo. Në ngarkim të tij rëndojnë veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj më shumë se dy personave”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarake”. Që nga momenti kur Xhuvani u konstatua përmes provave të pakundërshtueshme të policisë dhe akuzës në vendin e ngjarjes se ishte autori i vetëm i katër vrasjeve, nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen. Gjatë gjithë kohës i është shmangur deklarimeve para prokurorit. Ndërkohë që e vetmja gjë që ka përmendur jo në pak raste është se nuk mbante mend, madje disa herë ka pyetur për shokun e tij me të cilin ndodhej në tavolinë Arber Demiraj, të vrarë nga plumbat e pistoletës së shkrepur në pak sekonda.

 

Rrethanat e ngjarjes

Prokuroria tashmë ka zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes. Sipas saj, objektiv i eliminimit fizik të Kostandin Xhuvanit ishin dy viktimat Enea Xhaji dhe Edison Jaho. Shkëndija, e cila shkrepi më pas një karikator të tërë mbi viktimat objektiv dhe dy të pafajshmit Arbër Demiraj dhe shtetasin Italian, ishte grindja për një sasi lëndë narkotike. Sipas hetimeve, një prej viktimave, pikërisht Edison Jaho, ka kërkuar nga Kostandin Xhuvani një sasi droge për konsum. Kaq është dashur që më pas të niste sherri, fillimisht me fjalë e më pas me armë. Pas ngjarjes Autori së bashku me dy persona të tjerë që ndodheshin në tavolinë, u munduan të largojnë drejt spitalit për t’i dhënë ndihmë shokut të tyre Arbër Demiraj, por mbërritja e policisë bëri që ata ta linin në makinë shokun e të vraponin për të shpëtuar nga ndjekja. Arrestimi i tyre ishte i shpejtë. Po ashtu edhe zbulimi i autorit të masakrës së 4 nëntorit ishte i shpejtë, si pasojë e sekuestrimit të armës së krimit dhe provave të tjera të grumbulluara në vendin e ngjarjes.

 

 Hetimi/ Avokati që kërcënoi Kryeministrin ripërsërit nga qelia kërkesën për ndjesë publike

 Prokuroria e Tiranës rimerr në pyetje avokatin Bashkim Hoxha, i cili kërcënoi përmes mesazheve Kryeministrin Edi Rama. Mësohet se ashtu sikundër veproi gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, avokati Hoxha i ka kërkuar ndjesë Kryeministrit për veprimet e tij. Këtë ndjesë dhe pendesë kundrejt veprimeve të tij avokat Hoxha e ka ricilësuar edhe gjatë seancës së marrjes në pyetje nga oficeri i çështjes në prani të avokatit mbrojtës në qelinë e 313-ës. Paraditen e së enjtes, në prani të mbrojtësit, Bashkim Hoxha është rimarrë në pyetje për mesazhet drejtuar Kryeministrit dhe bisedën 35-sekondëshe me kreun e qeverisë paraditen e 29 nëntorit. Ai ka kërkuar ndjesë duke shprehur pendesë të thellë për veprimin, duke pranuar njëherazi akuzën e “Kanosjes” dhe “Përdorimin me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Akuza për të cilat javën që vjen i pandehuri do të përfundojë në gjyq. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Hoxha në orët e para të mëngjesit të datës 29 nëntor i ka dërguar Kryeministrit Rama një mesazh lavdërues. Mospërgjigjja e Kryeministrit ka acaruar avokatin Hoxha, i cili rreth orës 11:00 i ka dërguar një mesazh kërcënues kreut të qeverisë. Ky i fundit e ka thirrur në telefon, duke shkëmbyer fjalë fyese mes tyre, çka ka bërë që avokati Hoxha të dërgonte edhe 6 mesazhe të tjera fyese e kërcënuese ndaj Kryeministri Rama, i cili ka bërë edhe denoncimin përkatës, ku edhe avokati u arrestua.

 

Korçë/ Kërcënoi me jetë kryebashkiakun e Korçës, prangoset 59-vjeçari

 Një person ra në pranga të policisë së Korçës, pasi akuzohet se kërcënoi me jetë kryebashkiakun Sotiraq Filo. Lajmi bëhet i ditur nga policia e qytetit të Korçës, e cila shprehet se arrestimi u realizua pas kallëzimit të referuar nga kryetarin e Bashkisë. Ky i fundit tha se është kërcënuar për shkak të detyrës. Policia ka arrestuar 59-vjeçarin Petrit Xhelollari, pas kallëzimit të bërë nga Filo. Sipas policisë, Xhelollari, banor në rrugën “Don Gjon Buzuku”, e ka kërcënuar kryebashkiakun verbalisht, pasi ka mësuar për prishjen e shtëpisë si pasojë e planit të ri urbanistik të qytetit. Bëhet e ditur se qytetari nuk kishte rënë dakord për çmimin me të cilin do ta shpërblente Bashikia pas prishjes së banesës trekatëshe. Për këtë qëllim i arrestuari tashmë, i ka shkuar disa herë kryetarit të bashkisë në zyrë, por nuk ka gjetur mirëkuptim. I detyruar në kushtet në të cilat ndodhej dhe përballë faktit se banesa e tij të cilën pretendon se e ka tërësisht me leje do të prishej, ka kryer edhe kërcënimin. Pas arrestimit, ai është marr në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency