Mungon dëshmitari Ndoka, shtyhet gjyqi ndaj Arben Frrokut

0
135

Sonila Mesareja

arben frroku ne gjyqReagon avokati Gjokutaj: Nuk jap detaje për seancën, por Prokuroria ndodhet në moment të vështirë. Dëshmitari nuk ekziston

U bënë disa seanca që gjyqi ndaj Arben Frrokut shtyhet vetëm për mungesë të dëshmitarit kyç, A.Ndokës. Edhe dje, kur ishte parashikuar që ky dëshmitar do të ishte i pranishëm dhe u procedua me seancë me dyer të mbyllura, në dalje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, avokati i biznesmenit të akuzuar për vrasjen e kryepolicit Dritan Lamaj deklaroi se Prokuroria ndodhej në një moment të vështirë pasi nuk gjen dot dëshmitarin. Ndërkohë që mbi arsyet e shtyrjes së seancës, apo dhe mbi çfarë u diskutua brenda saj, avokati ka qenë i rezervuar, duke mos dashur të japë asnjë detaj. Edhe nga gjykata apo akuza nuk thuhet asgjë rreth dëshmitarit të shumëpritur apo dhe shkaqeve të shtyrjes së gjyqit.

 

Reagimi

Pas shtyrjes së seancës së 24-ët, ende nuk ka asnjë informacion mbi fatin e dëshmitarit okular dhe të mbrojtur nga Policia, A.Ndoka, i cili është prova kryesore e Prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes. Dje, në përfundim të seancës e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave dhe familjarëve, avokati mbrojtës i biznesmenit Frroku deklaroi se dëshmitari nuk ekziston. Sipas avokatit Genc Gjokutaj, Prokuroria ndodhet në një moment të vështirë, duke pretenduar se dëshmitari i vetëm i çështjes i pretenduar nga prokuroria, është i rremë dhe nuk ekziston. Ndërkohë që, për afro 1 orë e 15 minuta, Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje një seancë ku si fillim u njoftua për mediat se po dëshmon me anë të një video-konference me identitetin e ndryshuar Arben Ndoka, personi i cili ka parë nga pranë vrasjen e Lamajt, por ky fakt u mohua më pas nga mbrojtja e Frrokut. I pranishëm në seancë ka qenë dhe biznesmeni i dyshuar për vrasjen Arben Frroku i cili sërish nuk ka pranuar akuzën e Prokurorisë, duke deklaruar se mbahet në paraburgim me të padrejtë. Dëshmitari Ndoka pretendon se e ka parë Frrokun në vendin e ngjarjes, mbrëmjen e 24 shkurtit kur Dritan Lamaj u qëllua me armë teksa po parkonte makinë pranë banesës së tij në kryeqytet. Në përfundim të seancës së djeshme, gjykata ka vendosur të shtyjë seancën për të mërkurën e ardhshme më datë 1 tetor. Biznesmeni Arben Frroku u arrestua më 25 Shkurt të 2013-ës në Selanik nga policia greke si i dyshuari i drejtësisë shqiptare për këtë krim.

 

Apel/ Korrupsioni, lihet në burg kryekomunari i Bërzhitës, Genc Drita

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda la në burg deri në përfundim të hetimeve për veprën penale të “korrupsionit pasiv” kreun e komunës Bërzhitë, Genc Drita. Ndryshimi i masës së sigurisë u kërkua nga vetë Drita, i cili me anë të avokatit të tij mbrojtës apeluan masën e sigurisë arrest me burg dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Por, nuk ishte e të njëjtit mendim Prokuroria, e cila kërkoi qëndrimin në burg të kryekomunarit deri në fund të hetimeve në masën “arrest me burg”. Drita u arrestua 10 ditë më parë së bashku me financierin e komunës Bërzhitë Armando Burri, pasi akuzohen se me anë të korrupsionit favorizonin qytetarë të ndryshëm me leje shfrytëzimi. Hetimet për këtë rast, ku kërkohej pagesa prej 5000 euro që dy funksionarët publik të firmosnin leje shfrytëzimi janë kryer nga prokuroria e krimeve të rënda ku dhe u firmos urdhër arresti në mungesë ndaj Dritës dhe Burrit.

 

 Vlorë/ Morën ryshfet, në burg kryepërmbaruesja dhe avokatja

Vlerësohet i ligjshëm arresti dhe provat e paraqitura nga akuza, Gjykata e Vlorës la në burg dje kryepërmbaruesen e këtij qyteti dhe një avokate që akuzohet si sekserë e saj. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vlerësuar të ligjshëm arrestin për shtetaset A. Fejzulla, Kryetare e Zyrës së Përmbarimit Vlorë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv….” dhe Dh. Tafili, avokate, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit aktiv….” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm….”. Këto dy shtetase akuzohen nga Prokuroria e Vlorës se i kanë marrë një shumë parash një shtetasi, në këmbim të shtyrjes së afatit për ekzekutimin e një veprimi përmbarimor në disfavor të shtetasit, i cili ka bërë edhe kallëzimin.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency