Letra për Mustafa Krujën: Plani jugosllav për të marrë qeverinë e Tiranës brenda javës

0
184

mustafa_merlika_kruja_studentKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit, çdo ditë, të disa letrave të rralla, së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj dhe kryesisht, siç do ta shohim në këtë vëllim, me kapedanin e Mirditës

 Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja e përfshirë në katër vëllime jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit, nis ciklin e publikimit të disa letrave, së pari me letërkëmbimin e Krujës me familjen Gjonmarkaj dhe kryesisht, siç do ta shohim në këtë vëllim, me kapedanin e Mirditës, Ndue Gjonmarkun, figurë e mirënjohur historikisht e Derës së Gjonmarkajve të Mirditës, që udhëhoqën luftën ma të vendosun antikomuniste të krahinës në fjalë e ma vonë e shtrin në tanë territorin e Shqipnisë.

“Çfarë përfytyrimi i kthjellët i s’ardhmes, çfarë idili shpirtëror me thelbin e atij përfytyrimi, çfarë besimi në fuqinë e së mirës që strehohet në thellësitë e pafund të shpirtit të popullit që jeton në një letargji të përkohëshme, thellësi të depërtueshme vetëm nga njerëz të mbrujtun me aftësinë për të parë larg, përtej horizontit të një epoke të përflakur nga ngjyra e gjakut! Prej saj burojnë ëndrrat më frymëzuese dhe përkunden shpresat më të guximshme për sendërtimin e s’ardhmes, edhe se errësira mbulon gjithshka”, – shkruhet mbi këto letra në parathënien e vëllimit të parë. Ndërsa vetë Kruja do të shprehej: “…Në pjesën mâ të kulluet, aty ku ndërgjegja ndritë si pasqyrë xhixhilluese, t’a ngrehim Idén e nji Shqipnije e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zêmrën e nânavet tona, edhe të jetë ngushllimtare, dashunore e e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejt të gjithë të Bijve në të dám të hirevet e të miradinavet të veta…”. Ky profil i Shqipërisë, asaj të ëndërruar artikulon në letrat e Krujës jo vetëm mendimin e hapur, pa pasione politike, pa urrejtje e mllefe, por për të zënë vend si një shtet i lirë, e përcjellë vlerat qenësore të kombit. Në letrën e mëposhtme i shkruhet Mustafa Krujës duke përshkruar rrezikun që i paraqitet Shqipërisë nga Jugosllavia, planet se si mund të merrej qeveria e Tiranës brenda javës.

 

 I dashtun Mustafë,

Qe se po e kapi edhe nji herë pendën për me të shkrue e me të kujtue me mallë si ty ashtu Gjelën, tue shpresue se keni me kenë mirë me shndet. Edhe na mirë jemi. Baba, me gjithë moshën e mërzinat qi ka, asht majtë mjaft mirë dhe shndeti i ka ecë ma së miri deri më sot. Për veti nuk po të tham gja, veçse jam mirë. Prej Nikollit marrim letra e gjindet shndosh e mirë, veçse tue hjekë keq për disa gjana qi në Jugoslavi nuk gjinden. Herë mbas here e kujtoj me ndonji send por si mund t’a imagjinojsh edhe për ne nuk asht fort e kollajshme për me i shkue në ndihmë ashtu si kishim me dishrue na. Megjithate faleminderës Zotit qi pshtoi prej asaj barbarizme qi po sundon sot mbi Shqipni e mbi familjet tona. Tashti gjindet në Jugoslavi, bashkë me shumë bashkatdhetarë të tjerë të cillët presin me ankth zemre kthimin e shpejtë n’atdhe të liruem. Ajo rrugë, sigurisht asht kenë nji rrugë e vështirë, por mbasi u çil për me i pshtue jetën shqiptarve: faleminderës Zotit! Sigurisht nuk asht nji rrugë ideale, por, n’anë tjetër, çka me ba: duhet me i u shtrue fatit dhe me pranue ate qi ai i ofron njeriut. E mbasi fati i shqiptarvet paska kenë ky qi me pranue deri ndihmën e Jugoslavis, qi deri dje na shkretnoi e na lau në gjak, prap se prap s’na mbetet tjetër me thanë, veçse me keqardhje, me i u falë nderës për kët mirësi qi po tregon kundrejt emigrantave shqiptarë. Jugoslavija posë qi asht nji shtet slav, për ma tepër asht edhe komunist, megjithatë asht tue luejtë politikën e saj ma së miri me shqiptarët: po i pret, po i strehon e po i mban dhe nuk asht tue i u kërkue, së paku botnisht, kurrgja qi t’i cënojë në integritetin toksuer të Shqipnis. Asht tue e luejtë politikën e saj ma së miri me ta. Natyrisht asht nxansja e Perandoris Austro – Ungare të cillën edhe e ka xavendsue në Ballkan. Ai i u thotë shqiptarvet: dishroj nji Shqipni të lirë, demokratike, të padashme e republikane. Natyrisht edhe ai dishron qi në Shqipni t’instaurohet nji qeveri filo jugoslave e cila të jetë besnike e dëshirevet të saja. Besoj se asht e dobishme qi nji shtet të mundohet, si i thonë nji fjale, me sjellë ujë në mulli të vet. Nuk asht aspak veç, e logjikshme e patrijotike qi shqiptarët e kndejshëm të qindrojnë të damë e të përçamë përpara ni rreziku të tillë. Duhet t’a kenë kuptue tashma të gjithë se Tito sot asht benjamini i anglo – amerikanve…..Ai po luen nji politikë tepër të hollë me oksidentalët. Po i shfrytzon në të gjitha rasat dhe me ndihmën e tyne po mbahet në kambë politikisht e ekonomikisht. Mbas të gjitha ktyne them qi nuk e ka të vështirë me u marrë vesht me ta edhe për çashtjen e Shqipnisë së vogël.

Në rasë se anglo – amerikanët e qesin cekën për me provokue në ndonji vend Stalinin e madh, kërkund ma mirë e ma kollaj se në Shqipni nuk e kanë. Kudo qi të tentojnë, posë Shqipnijet, un tham se pëlcet lufta. Anglo – amerikant kanë me kërkue me e prekë aty ku asht ma me pak rrezik lufte e i u duket se Rusija nuk ka me luejtë vendit. Duhet dijtë, mandej, se Shqipnija nuk ka kurrfarë aleance me Rusín e as me nji shtet kominformist. Kjo len me kuptue se Rusija, ndoshta, për Shqipni nuk e ven vedin në rrezik. N’anë tjetër Jugoslavija ka 450 km. kufi me Shqipnin e për ma tepër ka nji shumicë të madhe shqiptarësh qi janë kosovarët, të cilët në rasën e nji veprimi eventual në Shqipni i futë të gjithë mbrendë. Natyrisht e fillon me ata shqiptarët e Shqipnis së vjetër qi ka aty e qi janë luftarë të mirë. Janë të provueme e numri i tyne mrrijnë prej 4000 – 5000 vetësh. Jugoslavija, mas mendimit t’em, e ban në ket mënyrë : futë çetat, natyrisht me mija vetash në këto drejtime : nji fuqi drejt Peshkopis qi të zaptojë Dibrën e të bjeri në Mat, nji tjetër drejt Dukagjinit e qi të dali në Va të Dejës tue e lanë Shkodrën mbrapa, nji tjetër drejt Lume e nëpër Mirditë e te Ura e Zogut e këto të gjitha të formojnë nji front të përbashkët prej Burrelit e në Lezh. Nji fuqi tjetër e futë drejt Martaneshit e e danë Shqipnin dyshë e nji prej Ohrit për me i a njeshë kufinit të Greqis, së cilës nuk ia ka besimin, qi mos me i lanë shteg me tentue n’invadimin e Shqipnisë së Jugut, qi jugoslavëve mund të i u dali i papritun. Po sa të fillojë veprimin me nji fuqi kaq të madhe e të drejtueme prej ekspertash jugoslavë, mbyll kufinin dhe bërtet të madhe për turbullimet qi po i ngjasin në kufi e me nji herë thrret komisjonin e O.N.U. për të shqyrtuengjarjet e rastit. Me nji plan të përgatitun në ket mënyrë, un jam i bindun se qeverija e Tiranës nuk mund të qindrojë asnji javë.

Duhet dijtë, mandej, se jugoslavët e njofin shum mirë Shqipnin dhe pa dyshim kanë njerzit e vet edhe në qeveri e n’ushtri, të cilët rrijnë gadi për nji veprim të tillë. Nuk duhet të harrojmë se partinë komuniste shqiptare e ka krijue Jugoslavija e mu Dushan Mugosha qi po drejton sot komitetin e Pezrendit. Kështu ndollë nji lëvizje e mbrendshme si në Tiranë ashtu edhe nëpër qytete e tjera të Shqipnis. Kemi nji fakt tjetër, qi na len me i besue nji veprimi të tillë e qi asht çashtja e Triestes. Nuk asht aspak çudi qi këto dy shtete të mos bijnë dakord: Italija me u knaqë me Trieste, qi në fund të fundit asht e vetja, e Jugoslavija me Shqipnin. Kështu Jugoslavija çon në vend aspiratat e vjetra: Sh’Njin e Durrës por me kët rasë qet në dorë edhe Vlonën. Këtu Grekët janë ata qi nuk hijnë aspak në tefter. Jugoslavija dishron nji Shqipni shtet e jo nji Shqipni të dame me grek pse asht e sigurtë se tue e da Shqipnin dyshë s’ka me pasë kurrë pagje. E shqiptarët? Ktyne u rroftë mendja e madhe. Kështu si po shkojnë punët mund të thomi pa pikë dyshimi: mjerë Shqipnija për shqiptarët, bijtë e saj.

Në sa po zhvillohet e gjithë kjo politikë në dam të Shqipnisë, shqiptarët me Komitetin në krye nuk po duen me kuptue rrezikun qi po i kërcnohet Atdheut të tyne. Të dehun prej pasioneve, egoizmave e interesave personale po vazhdojnë rrugën e gabueme të fillueme tash sa vjet. Me kët qëndrim të marrë kta nuk dij në se janë tue ba lojën e Titos e vorrin e Shqipnis e të popullit qi po vuen e po sakrifikohet n’Atdhe. Kta nuk bajnë kurrgja qi mund të bjeri në kundërshtim me gjendjen ekonomike të tyne. Janë thartue trushë. Sot ma fort se kurrë do t’ishte kenë koha qi me i bashkue të gjitha forcat kombëtare për me mujtë me e zhvillue së bashku politikën shqiptare në favorin e vendit t’onë qi asht në rrezik jete. Asht në rrezik ekzistenca e tij si shtet e si komb. Anglo – amerikanët kanë ma interes për Titon se sa për nji grup shqiptarësh të krymbun trushë e të shkallmuem në ndërgjegjen e tyne kombëtare.

Në sa Jugoslavija komuniste mbledhë, demokrat-tikisht, n’asamble të përgjithëshme shqiptarët në Pezrend për me riformue komitetin e atjeshëm ku ven edhe si nënkryetarë tre njerz të njoftun për kalesën e tyne si kolaboracjonista e qi janë: Lutfi Spahiu, ish federal e ish prefekt i Pezrendit; Nik Sokoli, ish oficer i milicijes fashiste, qi ka marrë pjesë aktive në luftën kundra Jugoslavis e Qazim Lusha, ish oficer akademist e ish adjutant i ish Kryeministrit Fiqiri Dine, këtu grihen shqiptarët ndër veti e nuk lanë gja pa folë e pa sendërgjue kundra njani tjetrit. Mjafton ky krahasim për me pa kjartë se në ç’gjendje kemi vojtë. S’na mbetet tjetër me thanë vetëm se Shqipnia, mjerisht, s’kenka ma për shqiptarët. E mira do t’ishte ken me ba sikur pat ba dikur Samsoni me filistej, por mbasi na nuk jemi Samsoni nuk mundemi me ba kurrgja. Kishte me kenë nji njeri qi mund të bate dishka por mjerisht edhe atij ja ka zotnue trunin “divide et impera”. Pra edhe ai ka mbarue përgjithmonë. Për me fitue duhet me luftue. Kanë mbarue kohët e dikurshme….

Bisedimet e ktushme sigurisht do t’i keshë marrë vesht e tash qi po vjen Nexhmedini ka me t’i kallxue fill e për pe. Asnji, po thom asnji, nuk e don zgjanimin e Komitetit. Merre me mend vetë se….asht. Sa për ne nuk dij se çka me të thanë mbasi ne nuk kemi kenë kurrë larg nji marrveshtje me ta, por natyrisht gjithmonë tue i ndejë besnik dinjitetit t’onë e interesavet t’ona si grup politik. Jemi kenë e jemi gjithmonë gadi me i shërbye e me sakrifikue, jo me fjalë por me vepra, çashtjes kombëtare, por kurrë me u ba loja e të tjerve e gazi i dheut. Do të kesh këndue L’Albanie Libre, numurin e para fundit e të fundit. Besoj se jemi kenë mjaft të kjarët në kët drejtim. Nuk e dij se si mund të folet ma kjarët e ma mirë. Ti çka thue për kta artikujt e fundit?

Sido qi të bahet puna e kah do qi t’i vijë lirimi Shqipnis na duhet të kondendohemi pse s’paku familjet t’ona kanë me u lirue prej burgjeve e fushave të përqëndrimit e kanë me kthye ndër njato shpija të rrendueme e nuk kanë me vdek zije si skllavë nën shtypjen e barbarvet të rij. Sa për ne, mandej, Zoti e ban mirë. Shofim e bajmë.

Me kaq, i dashtuni Mustafë, gjendja e ktushme dhe situata e Shqipnis në lamën politike ndërkombëtare, simbas mendimit t’em të thjeshtë e simbas eksperiencës s’eme politike tepër të re. Me kaq ndalohem e tue të përqafue me mallë e dashuni si ty ashtu edhe Gjelën, mbetem gjithmonë i yti si djalë.

Ndue Gjomarkaj (firma)

 

Romë, 19 – XII – 1952

I dashtuni Mustafë,

Kemi marrë letrat t’ua si edhe ato të Gjelës e jemi gzue ke s’vé për përmirsimin shndetsuer t’andin. Me të diftue të drejtën na ka pasë mbetë hatri, tue qenë se nuk na e keni lajmue me kohë smundjen t’anden, jo pse na mund të bajshim ndonji send, por së pakut me dijtë gjendjen shndetsore t’anden. Kto po t’i tham tashti qi je përmirësue. Shpresoj qi mos të vijë ndonji smundje tjetër sepse kishte me i shqetësue… dashamirët e t’u.

Na ka dashtë Zoti e deri më sot jemi mirë me shndet. Shpresojmë t’a kalojmë kshtu edhe kndej e mbrapa.

Prej Nikollit kemi marrë letra e asht mirë me shndet, veçse tue u mërzitë dhe tue e marrë malli për né. Në kto dit kam marrë nji letër prej Jugoslavije ku më lajmojnë për Dedën. Qyshë në fillim të vjetit 1951 nuk kam dijtë kurrgja për tê. Ai qi më shkruen asht nji nip i fisit t’ynë i cilli kishte takue nji të lumjan, të qujtunin Tarçuku i cilli kishte ndejë në burg bashkë me Dedën, por jo në burgun e Tiranës por në Porto Palermo. Duket se në fillim të vjetit 1951, kur e patën lirue për nja 4 – 5 ditë e kanë kapë përsëri dhe kët herë e kan dërgue në Porto Palermo. Deri më sot kërrkush nuk dite gja me saktësi me më diftue, dhë me të diftue të drejtën kam qenë ba shum marak. Tashti qi mora kët letër jam qetësue disi. Ky i lumjani, porsa e kanë lirue, ju ka grahë kambvet e dalë në Jugoslavi. Përsa i përket familjes të gjithë më thonë se janë mirë. Ata lajmet i marrin prej familjevet t’atyne mirditasvet qi lirohen prej internimit e qi kan ndejë bashkë me familjen t’eme në Tepelenë. Vetëm për gruen e Markut më thonë se asht shum keq me reomatizëm. Jam shumë marak për tê. Zoti i pastë në dorë.

Barin qi të kam dërgue provoje sepse ai nuk ban kurrfarë komplikacjoni mbasi asht vetëm për ulcer edhe për çdo disturbo gastrico1). Nëse të ban mirë don me thanë se ke ulcer e prandej vazhdoje dhe më shkrujë se të dëgoj me nji herë të gjithë kurën.

Kndej nuk kemi kurrgja të ré. Punët shkojnë si gjithmonë, rrokopujë. Për ktê besoj se nuk ke me u çuditë, mbasi ky asht i vetmi art i shqiptarvet. Ktu posë mos-bashkimit, mjerisht po na lejnë edhë gjana të reja, të pa kurrfarë kuptimi: Monarki apo Republikë? Kur në nji kohë kaq të vështirë për vendin t’onë ku duhet të mbledhim trutë për me mendue e shqyrtue vetëm mënyrën se si me i shkue në ndihmë popullit të mjerë qi po vuen njimi të zezat fillojnë me përmendë edhe kto çashtje qi për né, tash për tash nuk na përkasin aspak, merre me mend se çka jemi e çka jemi të zotët me bâ. Por ktê e bajnë ata qi kujtojnë se mund të bahen kryetar Republike në Shqipërinë ose në Shqypnâin e ardhëshme. Osè ata tjerët qi duen të sjellin ujin në mullín e vjetër të tyne. Si njena anë ashtu tjetra, mbas mendimit t’em e kanë gabim.

Si e din, na, qoftë si persona qoftë si Blok, nuk jemi deklarue as për njenën as për tjetrën. Ket qindrim e kemi caktue qyshë në fillim sepse, pa pvetë miqt, dashamirët, bashkëpuntorët e ndjeksat t’onë qi mund të kemi në Shqipni, s’kemi sesi me u deklarue për njenën as për tjetrën. Kur të shkojmë atje, në qoftë se shkojmë madje, atëherë kemi me u mbledhë e me i bisedue kto çashtje e së bashku me marrë nji vendim të prém. Përpara s’na duket aspak e arsyeshme. Ndër kto bisedime, natyrisht kam ndollë, shpesh herë edhë unë, ku më kanë kërkue edhe mendimin t’êm, por unë u jam përgjegjë se kjo çashtje nuk mvaret prej meje ktû, prandej rezervohem t’ap çfardo mendimi. Kam shtue veç ktê: qyteti i Shkodrës asht i vetmi qytet i Shqipnis së veriut qi përfaqson n’at anë kulturën shqiptare dhe sidomos katoliçizmin shqiptar e deri diku edhe tradicjonalizmën shqiptare, prandej na deri sa mos të bashkohemi me ta nuk mundemi e s’kemi as se si me dhanë nji mendim t’onin mbi kto çashtje. Të tjerët e kanë kollaj me përmendë sot kso çashtjesh mbasi më duket se ata ndër krahinat e tyne nuk kanë nji fuqi reale në të cilën të pshteten dhe të besojnë, prandej nuk kanë kurrfarë përgjegjësije kundrejt kurrkujë, e prandej bredhin si të iu ketë qejfi. N’anë tjetër, na nuk dijmë se ç’opinjon asht formue në Shqipni e, mbasi na dishrojmë me kthye edhë nji herë atje, nuk duem të gabojmë tue dalë në kundërshtim me opinjonin e popullit dhe vullnetin e tij. Atje shofim e bajmë. Na dishrojmë me punue për të mirën e popullit e jò për pozitën e njenit ose të tjetrit. Por ajo qi më çuditë asht se asnjani prej tyne nuk e din në të vërtetë se çdon me thanë Monarki ose Republikë, sepse kta i përzijnë të dyja me fjalën Demokratì. Kursë, mbas mendimit t’em e kshtu asht se si në Monarki ashtu në Republikë duhet të mbretnojë demokratija, përndryshej, dashtë e pa dashtë bijmë në diktaturë. Fjalën demokratí kta e kuptojnë simbas kryetarit të shtetit e jò simbas ligjvet demokratike me liritë e saja: me lirinë e votës, të fjalës, të shtypit, të besimit, të propagandës etj. Kta nuk e kuptojnë, apor nuk duen me e kuptue, nji parlament demokratikisht të lirë, në kuptimin e fjalës ku seicili deputet ose ma mirë me thanë seicili grup politik, edhe në qoftë në pakicë, ka të drejtë të shfaqi mendimin e vet dhe të kritikojë ato veprime të qeveris qi atij nuk i duken t’arsyeshme. Pra, kta zotni flasin për demokratì e mendojnë diktaturë. Unë kishem me qenë për nji Monarki, sepse në tê shof nji institucjon stable e qi nuk kishim me pasë telashe, krye katër – pesë vjetësh, me luftue njani tjetrin për kryetarin e Republikës. Kishem me qenë për nji Monarki kur kjo të jetë me të vërtetë nji Monarki demokratike dhe gjygjëtarja supreme e e paanshme dhe mprojtsja e lirivet. Nuk kishem me qenë për nji Monarki e cila të përzihet në çashtjet parlamentare dhe të zgiedhi vetë deputet dhe të përzihet deri në çashtjet ma të voglat e administratës shtetnore; sikur s’kishem me qenë për nji Monarki ku gjysa e buxhetit të shtetit të shkojë për jetesën luksoze të familjes mbretnore, ku mizerja sundon mbi popullsin. Ideali i êm kishte me qenë nji Monarki si ajo e Krail Nikollës. Unë jam për nji qeveri autoritare qi të vêjë rregullin në shtet, të mbrojë të drejtat e popullit, të luftojë bâkqitë e hajdutët dhe natyrisht të mbrojë liritë demokratike. Tue e studjue kët situatë, si kah e djathta si kah e majta, me të kallxue të drejtën nuk më knaqin asnjena. Ajo formë qi më pëlqen ma tepër asht Këshilli i Naltë. Do të më thuesh: Monarki. Parimisht po, por nji Këshill i Naltë i përbamë prej katër vetësh, i zgiedhun prej parlamentit, nuk kanë se si të bahen diktatora të katërt për nji heri. Natyrisht edhe kta duhen të jenë njerz, përsa mund të jenë shqiptarët, njerz me kapacitet e me ndërgjegje.

Përsa i përket demokratís, sikur e din edhe ti, na të veriut e kemi në gjak, kemi lé bashkë me tê. Liritë e mendit e të fjalës janë baza e ligjvet t’ona. Kritika asht e atmetueme deri n’at kohë kur kjo mos të kalojë caqet e urtësisë e të respektit personal. Kur kjo kapërcen kto rregulla, atëherë hyn në fuqi Kanuni i cilli fyesin e dënon me giobë. Asht nji auktoritet por nuk mund të quhet diktaturë. Asht ligja qi mbretnon por jo personi apo personat. Kshtu edhe në botën e lirë. Çdo gjâ âsht e garantueme prej ligjvet të vendit. Kushdo qi vret dënohet pa mëshrirë, simbas ligjës; kush shánë, fyenë, rrenë, apo shpifë kundra ndokuj, personi i damtuem i drejtohet drejtësis e ajo e gjikon çashtjen dhe dënon me paanësi fajtorin, në burg osë me giobë (shpërblim nderi) tamam njashtu si ndër ne. Pse mos të jetë prâ edhe në Shqipní kështu? Pse mos të përmirësojmë demokratín t’onë, qi âsht me të vërtetë popullore ( më fal, jo popullore si ajo e sotit)? Pse mos të qesim në dritë dishka t’onën, por të rrimë tue marrë uhá djathtas e majtas, si fukara të kqijë? Por të gjitha kto qi thashë sipër janë dallavere shqiptarësh.

Edhe në politikë kta duen me na qitë bidate të reja. Thonë: politika asht rrênë e n’anë tjetër mburren, krenohen e shesin mênd e moralitet. Në të vërtetë politika asht njisoj rrênë, për mos me thanë rrênë krejt; por n’anë tjetër edhe ajo duhet përdorë me shum marifet e inteligjencë, sepse jo për tjetër e thrrasin: arti i posibilitetevet. Për me ba politikë, mbas mendimit t’êm modest, janë dy kategori njerzish: tradicjonalistat qi e kanë në gjak d.m.th. trashigim djalë mbas djali e e dinë se ku i dhemb e ku i djeg dhe ata qi kanë nji preparacjon kultural të naltë e qi janë të pregatitun në çdo lamë e të provuem në politikë ç’me kohë. Por pse po flas unë për tradicjonalistat mos kujtò ti se due me folë për veti.

Atje, tashti keni edhë Bazin e prandej ai mundet me ju këthjelltue edhe ma mirë se unë mbi çashtjet shqiptare e të grupevet politike të ktushmet. E ma mirë se ai kërkush. Përsa i përket Komitetit Shqipërija e Lirë, natyrisht ai asht i vetmi sepse ai insiston për zgjanimin e Komitetit dhe, n’anë tjetër, pranon mos – zgjanimin e tij e, për ma tepër, firmon këtë mos – zgjanim. Ai mue më don shumë, thotë se kishte me pasë qefë me më pasë afër vetit. Vetëm se ka harrue se unë jam i biri i Kapidanit të Mirditës e jo i biri i njerkës. Prandej ai duhet t’a dijë se unë kam vendosë, ma mirë me qenë zot shpije, se sa shërbtuerë. Ma mirë aty ku të sundoj vetë, se sa aty ku të më sundojnë të tjerët. E madje çfarë njerzish…..

Me kaq, i dashtuni Mustafë, të mërzita e të lodha me kët letër të shkretë e me kto dokrra të thata, prandej po ndalohem me kaq. Tue të dërgue të falat ma të përzemërtat si ty ashtu Gjelës e tue ju përqafue me dashuni mbetem gjithmonë i yti.

Ndue Gjomarkaj

(firma)

P.S. Mbas mendimit t’êm ka ardhë koha qi me dalë prej gëlvozhet. I Madhi, Atij i duhet me u deklarue e, tashti me marrë nji qëndrim të prém: me u përziem a po jo?

Idem

Sot mora letrën t’ande me at porosín. Stevens, shqyptari qi ishte n’Ambashatë Amerikane, nuk âsht mâ ktu. Pat shkue n’Amerikë me shpresë se do të delte në pensjon, mbasi i ka mbushë 30 vjet sherbim. S’ia kanë pranue. E kanë çue në Korè.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency