Spitali i vocërr

0
120

Brikena Bogdo

 

“Ku vajta dhe theva këmbët”, shprehen gjirokastritët, kur u ka ecur ters. “Thefsh qafën, thefsh kokën, thefsh këmbët!”, mallkimi popullor, rëndom i përdorur, është shndërruar në biznes spitalor, shtetëror. Thyerja e gjymtyrëve, më tepër se ters apo mallkim, është fatkeqësi shumë e kushtueshme. Por, disa struktura e kanë shndërruar në urim, pasi përfitojnë mijëra euro. Historia në vijim endet midis absurdes, qesharakes, hidhërimit, reagimit, tragjikes dhe komikes. Kjo është një histori, jo vetëm e vërtetë, por edhe e rëndomtë spitalore.

Fati i zi e kishte lënë lypsar rrugësh. Fati i zi e çoi drejt një aksidenti gati fatal, duke e lënë me këmbë të thyer. Mbërrin urgjent në spitalin e Traumës në Tiranë. Gjithçka do t’i thuhej më pas, do të mbetej një rebus i pakuptueshëm dhe i pazgjithshëm. I trullosur nga fatkeqësia, si në zhgjëndërr, sy zgurdulluar, dëgjonte doktorin që fliste me kod të çuditshëm, të padëgjuar nga ai, prej shumë kohësh: “Shërimi kushton mijëra euro në këtë spital. Për një hekur të ri, që duhet vënë në këmbë, çmimi fillon nga 1000 euro”, – i thotë doktori lypsarit të rrugës, pa asnjë të ardhur. “Euro? Mua më është bërë çakërr syri për ndonjë lek shqiptar, jo më për euro”, – përgjigjet varfanjaku. Njeriu i mbijetesës së rrugës, i çapëlyer nga çfarë po dëgjonte vijoi: “Unë vetëm këtë cigare kam”. Një zemërmirë i kishte falur një cigare, sapo vuri këmbë në atë spital, të cilën po e ruante si sytë e ballit. “Cigaren e përditshme falna zot”, – do të ishte lutja e lypësit dhe dhurata e vetme në atë ambient të akullt për të. “Po mirë, atëherë, një hekur i përdorur nga një pacient i mëparshëm, kushton 250 euro. Kjo është oferta e fundit, nuk mund të të bëjmë më shumë ulje”, – përpiqej të sqaronte doktori. “Euro? Unë edhe këtë cigare mezi e kam siguruar”, – vazhdon lypsari. Mjeku ngriti supet i bezdisur nga një bisedë pa bereqet dhe iku me shprehjen në fytyrë të tipit: Nuk kam se çfarë të bëj. Dy botë diametralisht të kundërta po përpiqeshin të gjenin pikën e kontaktit, komunikimit, konkretizimit të biznesit, por me objekt të gabuar, paratë, dhe subjekt të gabuar, lypësin.

Në pritje për një derman nga vendi i shërimit mes dhimbjeve dhe pamundësive për shërim, lypsarin e zë diarreja. Rruga, ushqimi i plehrave e kishte bërë imun, por me sa duket, jo aq shumë, sa t’i mbijetonte ushqimit të spitalit. Infermierët i drejtohen përsëri lypësit: “Hidh shpejt e shpejt një 100-lekësh, të blejmë loperamid, se nuk ka spitali”.

Lypsari mbante fort tashmë cigaren dhe nuk e pinte, si armën e vetme për t’u mbrojtur nga i gjithë stafi i spitalit, që po bënin një luftë të pamundur t’i nxirrnin nga xhepat e shpuar ndonjë qindarkë. “Unë këtë cigare kam, laj-thaj”, – thoshte lypësi. Ndërkohë, diarreja e tij po shkaktonte problem dhe po jepte shenjat e para të pasojës, erë e papërballueshme në të gjithë pavijonin. Shpejt të vijë Bardha, që t’a pastrojë të sëmurin, se po qelbej spitali. Po, a të lëvizte Bardha, pa 200-lekëshin, për (copë) pacient, çdo herë që duhet ta pastronte. “Shpejt 200-lekëshin, – i thanë lypësit, – nxirr lekët që të vijë Bardha për të të pastruar, se përndryshe duhet të notosh në të përmjerat e tua”. “Unë këtë cigaren kam dhe pikë”, – bërtiste barboni. Por kush është Bardha? Bardha është një pastruese private, që hyn e del lirshëm për të pastruar të sëmurët, brenda spitalit shtetëror (Pacientët me të ardhura të mira e punësojnë Bardhën, të tjerët i pastrojnë vetë të sëmurët).

Lufta tashmë e barbonit me stafin e spitalit për ryshfetin e përditshëm kishte kaluar në absurd. “Do japësh lekë ti apo si e ke hallin?”, – pyetej gati në çdo fraksion sekonde lypsari. “Po ku t’i gjej unë i shkreti?”, – ngrinte ai supet, si në faj. I kërkoheshin lekë njeriut, që kishte humbur prej shumë kohësh sensin e lekut. Tashmë, krahas problemeve të higjienës personale (ai kishte kohë pa larë duar, fytyrë, flokë), kishte edhe problemet fiziologjike, për të cilat spitali nuk e ndihmonte dot. Në shtëpinë-rrugë (banesa e tij e përditshme) e kishte të pamundur higjienën, ujin dhe sapunin. Por, këto kushte minimale jetese nuk po i gjente dot as në spital. Në këtë institucion higjiene, nuk kishte, as ujë, as sapun. Spitali Ushtarak, i cili duhet të përballojë fluksin nga e gjithë Shqipëria, ka ujë me orar, duke sjellë për pasojë mungesën e tij.

Po në këtë gjendje higjienike (d.m.th. qelbjeje) është edhe një e sëmurë psikike, në atë pavijon. Nëse do t’ju bjerë rruga, do ta shihni, sapo hyni, të shtrirë në korridor. Qëndron, prej shumë kohësh, pa dhomë dhe pa shërbim. Këmba e thyer i është ngjitur vetvetiu, pasi askush nuk paguan për të. Po t’i kalosh pranë, do të ndiesh erën e qelbur, pasi askush nuk e pastron.

Historia e këtij lypësi, pa kujdes, shërbim, ilaçe apo materiale mjekësore është e shpeshtë. Spitali, medikamentet spitalore nuk ia ofron pacientit, por i shet nën dorë. Ende investigimi ynë na përball me dukurinë e hershme, shitjen e ilaçeve nga trupi i brendshëm spitalor. Pacientë, që qëndrojnë gjatë spitaleve, të sëmurë, pasi nuk marrin ndihmën e duhur mjekësore dhe nuk u mundësohet ilaçi i duhur, pasi është shumë i shtrenjtë dhe shiten nën dorë nga infermieret…

Sapo del pacienti në dhomë, të vjen infermierja dhe pyet familjarin: “Çfarë ilaçesh merr pacienti?” “Di unë”, – përgjigjet i afërmi. Vjen përsëri infermierja dhe thotë: “Nuk ka ilaçe spitali, duhet t’i blesh vetë”. Shkon t’i marrësh dhe farmacistja të thotë, që janë ilaçe spitalore, duhet t’i ketë spitali. Nëse je me fat dhe ke mik doktorin, mjafton një telefonatë e tij dhe ilaçi del si me magji në skenë, me shprehjen e infermieres në gojë: “E bëra vetëm për ty”. Nëse nuk je me fat, kodi është i qartë nga infermierët. “Ose bliji vetë, në farmaci (të tregon edhe farmacinë se ku duhet ta blesh) ose m’i jep lekët mua ta sjell unë”. Pas pak, vjen infermierja që mjekon plagët. “Fasho ke marrë?”, – pyet menjëherë. I afërmi bën një vrap dhe sjell nga farmacia 2-3 topat e fashove të kërkuara. “Po ç’janë këto që ke blerë? Jo këto fasho, duhen llastiku. Edhe garzat merri të mëdha, dëgjove?”, – i thotë përsëri infermierja. Fashot, garzat, pambuku, alkooli i kushtojnë xhepit të të afërmit rreth 1200 lekë në ditë.

Sa i pasur duhet të jesh që t’i lejosh vetes luksin të thyesh ndonjë këmbë a dorë? Doktorët që bëjnë operacionet paguhen nën dorë 15-25-50 mijë lekë të reja (kjo tashmë është gati “legale”), 10.000 – 20.000 lekë paguhet anestezisti, nga 1000 lekë infermieret. Por në raste aksidentesh dhe frakturash, do të duhet detyrimisht të blesh materialet e nevojshme që spitali nuk mundet kurrsesi që të t’i sigurojë, duke i kushtuar xhepit të pacientëve mijëra euro. Kur aksidenti është i rëndë, pacientëve me fraktura u duhet të rrinë gjatë në spital. Këtu fillon kalvari tjetër i problemeve të pacientit, në korpusin spitalor, ku vetëm një ditë i kushton 5000 lekë të reja. Nëse ai qëndron, rreth 1 muaj, atij i kushton 150 mijë lekë të reja. Sigurisht që ka pacientë që u duhet të rrinë edhe më gjatë. Në spitalin e Traumës pacientit i duhet të paguajë deri fashot, pambukët, dezifenktantët e sigurisht edhe ilaçet e shtrenjta. Vetëm betadinë disponon Spitali Ushtarak. Nëse kërkon alkool, që bën vetëm 80 lekë, nuk ndodhen në këtë spital të plagëve të hapura. Reanimacioni i spitalit komunikon me të afërmit e pacientit, nëpërmjet një citofoni. Nëse dëshiron që të marrësh ndonjë informacion se si është i afërmi, të japin urdhra: “Bli urgjent pampers, fasha, letra dhe këto ilaçe!” Duhet të hapësh veshët mirë te citofoni se bën hata e nuk dëgjon diçka, mbeti pa shërbim njeriu i afërm.

I afërmi i pacientit X, i cili qëndron prej javësh në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pas një aksidenti, ngre problemin: “Unë paguaj çdo ditë gjysmën e recetës së përshkruar, nga xhepi, me lekët e mia, pasi spitali nuk i disponon, megjithëse janë ilaçe spitalore. Me këto receta që paguaj çdo ditë nga xhepi, mos duhet që t’u drejtohem sigurimeve shoqërore, që të më rimbursojnë, pasi unë paguaj rregullisht sigurimin shëndetësor, si punonjës i shtetit. Përse duhet ta paguaj dy herë shëndetin tim? Apo, duhet t’i drejtohem bankës për të marrë kredi, pasi e kam të pamundur të përballoj shpenzimet mijëraeuroshe për të afërmin? Shërbimi falas shëndetësor? Fantazi”, – thotë ai.

Çfarë mundi të bënte spitali falas për lypsarin e rrugëve, përveç mureve? Po, i siguruan apo i dhanë falas ose, më saktë, nga xhepat e doktorit, një kokërr loperamid (ilaç kundër diarresë). “Doktori shpirtgjerë të bleu me lekët e veta loperamidin”, – i thotë infermierja lypsarit. Doktori mëshirëmadh, që majmet përditë, miliona lekë përgjatë operacioneve të shumta (se shyqyr Zotit, aksidentet rrugore i kemi me shumicë dhe në rritje), i bleu një kokërr loperamid (1 kokërr kushton 10 lekë të reja). Po, i siguruan makinën falas, për ta kthyer mbrapsht në vendin e tij të lindjes, pa asnjë ndihmë mjekësore. Njeriu, që askush nuk bën asgjë për të, që mbijeton çdo ditë për gjithçka, nuk do të mundet dot më të sigurojë as lypjen e përditshme. Shqiptarët e kanë ruajtur, deri sot, traditën e ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Por, ndaj këtij mjerani, pa askënd, për t’i dhënë një gotë me ujë, mjerimi i spitalit ulërinte, duke e shndërruar situatën në një tragjikomedi. Nëse nuk është shërbimi falas për këtë të mjerë, për kë do të jetë vallë? Një popull i varfër mbijeton nëpërmjet kodit të ndihmës shoqërore, i quajtur popullorçe “qoka” në raste vdekjesh apo dasmash. Por sot, më shumë se kurrë, të voliten qokat në spital, ku të duhet të zbrazësh xhepat, nëse të zë halli i madh.

Që një shtet i varfër, si Shqipëria, nuk ka mundësi për të gjithë të paguajë 1000 euro për çdo këmbë të thyer, kjo është e kuptueshme, por është e pakuptueshme të mos ndodhen ilaçe 10-lekëshe, si loperamidi, alkooli, pambuku, fashat, garzat. Ky është mjerim spitalor. Që një spital nuk mundet të rimbursojë shumë ilaçe të shtrenjta, edhe këtë e dimë. Por, që ilaçet spitalore, që ndodhen vetëm nëpër spitale, të shiten nën dorë, ky është korrupsion spitalor. Askush nuk pretendon që doktori të paguajë nga xhepat e tij, qoftë edhe një kokërr loperamid 10 lekë. Ajo që e gjithë shoqëria shqiptare pretendon dhe duhet ta kërkojë me shumë forcë është që të mos fusë në xhep doktori dhe i gjithë stafi i tij investimin me shumë djersë të të gjithë taksapaguesve shqiptarë (spitalet mbahen në këmbë me paratë e këtyre taksapaguesve) dhe siguruesve shëndetësor. Që nuk ka nëpër spitale ujë dhe ngrohje, kjo është vjedhje masive shtetërore. Të gjithë e dimë se çfarë ndodh me investimet nëpër spitale, ku shteti nuk mundëson kushtet minimale spitalore, siç është uji dhe ngrohja. Dhe dukuria e mungesës së ngrohjes nuk është vetëm në Spitalin Ushtarak, por edhe në spitale të tjera, si p.sh. te Onkologjiku, ku pacientët, në mesin e dimrit, ishin në të ftohtë, pasi nuk funksiononte sistemi i ngrohjes. Pacientë të sapodalë nga operacioni që dridheshin nga i ftohti, mjaft i rrezikshëm për gjendjen e tyre. Ky është një keqmenaxhim dhe megakorrupsion shtetëror. Kjo është një paralizë totale e shtetit, ndaj së cilës e gjithë shoqëria civile duhet të reagojë fort.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency