Vrasja në burg/ Ekspertiza greke zbut akuzat ndaj 15 gardianëve

0
126

Anxhela Tato

Analiza histologjike “shfajëson” të pandehurit, Ilia Kareli kishte një defekt të valvulave të zemrës

 Konkluzioni i mjekëve grekë, dhuna dhe goditjet qenë vdekjeprurëse për zemrën e Karelit

 

fotot_e_dhunesEkspertiza histologjike greke zbut akuzat dhe pozicionin e 15 gardianëve që masakruan barbarisht Ilia Karelin. Sipas shtetit helen, i dënuari shqiptar ka vuajtur nga probleme kardiake dhe goditjet nga dhuna kanë qenë vdekjeprurëse për zemrën. Konkluzioni i ekspertëve dyshohet se është një justifikim për të kamufluar shkaqet reale dhe masakrimet rrëqethëse që i morën jetën 42-vjeçarit shqiptar. Kjo ekspertizë bie në kundërshtim me autopsinë e realizuar nga vetë mjekët grekë, të cilët arritën në përfundimin se thyerja e dërrasës së kraharorit i mori jetën Ilia Karelit. Në mbështetje të autopsisë janë edhe pamjet filmike të videos, të cilat zbulojnë dhe qartësojnë torturën në “qelinë-frigorifer”, ku Kareli u mbaj për dy orë e dyzet e pesë minuta dhe më pas u flak në qeli në mënyrë çnjerëzore, duke e lënë të shtirë lakuriq, në agoni, pa ndihmë mjekësore dhe pa minimumin e përkujdesjes. Urrejtja dhe hakmarrja e policisë helene konstatohet në shenjat e dhunës që mban trupi i Karelit, në aktet barbare dhe torturat, gjatë të cilave iu hoqën thonjtë e duarve dhe të këmbëve, iu shkëputën indet e duarve dhe iu bënë vrima në trup me thikë.

Analiza 

 Elementet e ekspertizës greke vijnë të publikuara nga gazeta “I Efimeridha”, e cila sjell detaje të reja rreth vdekjes së Karelit në burgun e Nigritas. Sipas raportit të dy mjekëve ligjorë, Mina Gjergjallis dhe Eleni Zagelidhou, të bëra në qendrën e ekspertizës në Athinë, goditjet kanë sjellë dëmtimin e zemrës, e cila ka shkaktuar vdekjen edhe nën ndikimin e sëmundjes koronare. Ekspertiza mjekoligjore ka përjashtuar nga akuza torturat me elektroshok në duart e Karelit, kur shprehet se shenja e dukshme në dorën e djathtë është nga një plagë e vjetër. Nga analizat laboratorike që kishin dërguar mjekët ligjorë Mina Gjeorgjiadhis dhe Eleni Zagjelidhou, pas ekzaminimit për sëmundje koronare të zemrës, ka rezultuar se 42-vjeçari shqiptar ka pasur një problem në një nga tri enët koronare, i shkaktuar nga një defekt i valvulave të zemrës, i cili në kombinim me thyerjen e disa brinjëve në kafazin e kraharorit ka shkaktuar vdekjen e tij. Gjithashtu, nga testet laboratorike, që kishin dërguar dy mjekët, është vërtetuar se mbi Karelin nuk është ushtruar dhunë me ndonjë aparat që shkakton elektroshok dhe se plaga në dorën e tij është shumë më e vjetër. Rezultatet e ekzaminimit histologjik janë dërguar në Shërbimin Mjekoligjor të Selanikut dhe prej atje tek autoritetet gjyqësore të qytetit Serres, në mënyrë që të përfshihen në dosjen hetimore të aktakuzës ndaj rojeve të burgut. Ende nuk ka asnjë koment se çfarë drejtimi mund të marrë pas këtij zhvillimi procesi ndaj 15 gardianëve të burgut, që akuzohen se kanë torturuar për orë të tëra Ilia Karelin, tortura që kanë sjellë edhe vdekjen e tij.

 

 

Fushë-Krujë/ Prodhim bombash artizanale, pranga bashkëpunëtorit të muhaxhedinëve

I përfshirë në rrjetin e dërgimit të “ushtarëve” shqiptarë në Siri dhe njëkohësisht trafikant lëndësh plasëse. Këto janë dy akuzat që do të ngrihen ndaj Ylli Zallës, i cili është prangosur nga ana e policisë së Fushë-Krujës. Nga të dhënat e bluve rezulton se Zalla ishte i lidhur me rrjetin e imamëve të xhamive, duke gjetur dhe rekrutuar djem, të cilët i shndërronin në muhaxhedinë. Ka të dhëna se Zalla ka qenë bashkëpunëtor në ndihmën që jepej për udhëtimin drejt Sirisë, por kjo nuk është e vetmja akuzë për Zallën, i cili njihet si një prodhues i zoti i bombave artizanale, të cilat dyshohet se janë përdorur nëpër atentate të ndryshme në Fushë-Krujë, përfshirë këtu edhe rastet ndaj komisariatit. Bëhet me dije se Zalla ka qenë në përgjim nga strukturat hetimore që kanë ndërmarrë hetimet për bazat e tritoneve. Arrestimi i Ylli Zallës është bërë me urdhër të Prokurorisë, e cila ka kërkuar prangosjen e të dyshuarit. Gjithashtu, Zalla ishte shpallur në kërkim për veprat penale të armëmbajtjes pa leje dhe trafikut të drogës. Ndërkaq, ndaj tij Gjykata e Shkallës në Parë në Krujë kishte vendosur më 13 mars 2014 masën e arrestit me burg, pasi ka kryer veprën penale “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake” si dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

 

 

Rinas/ I dënuar në Itali për prostitucion, arrestohet Besim Zekthi

Një i kërkuar nga drejtësia italiane është vënë në pranga në aeroportin e Rinasit. Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme është arrestuar Besim Zekthi, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti nga drejtësia italiane. Sipas policisë, Zekthi është i dënuar në Itali, disa akuza. Ai akuzohet për “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafik droge” dhe “Pjesëmarrje në organizata kriminale”. Pas arrestimit, Zekthi është dërguar në mjediset e policisë së kryeqytetit dhe është në pritje të ekstradimit drejt Italisë.

 

 

Korçë/ Sekuestrohen 15 mijë fishekë dhe 60 granata, destinacion Greqia

Në Korçë janë sekuestruar mbi 15 mijë fishekë luftarakë, 30 kallëpe tritol, 60 copë granata dore defensive dhe 41 copë ndezës të unifikuar gjatë një operacioni policor mbrëmjen e ditës së djeshme. Lëndë plasëse janë gjetur në zonën kufitare mes Devollit dhe Greqisë, pranë fshatit Arrëz, të fshehura në pyll në momentin kur do bëhej kalimi i tyre në Greqi. Policia e Korçës bën me dije se janë identifikuar dy autorë që për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i tyre. Dy autorët janë shpallur në kërkim dhe sipas policisë, ata dyshohet se do të bënin trafikimin e lëndëve plasëse në shtetin fqinj, Greqi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency