Presidenti i Italisë/ Napolitano: Vendi i Shqipërisë, në BE

0
118

Presidenti italian merr “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

 

NapolitanoPresidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, deklaroi dje se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Në kuadër të vizitës që zhvilloi në Tiranë, pas takimeve me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, Kryeministrin Rama dhe Kryeparlamentarin Meta, kreu i shtetit italian mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, ku vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, ndërsa shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të vijojnë të jenë të mira e do të intensifikohen edhe më tej në të ardhmen. “Italia ka dhënë e do të vijojë të japë një mbështetje të vendosur në rrugën e Shqipërisë në BE. Anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave përbëjnë një sukses për të cilët mund të jemi krenare në pritje të vendimit të rëndësishëm të anëtarësimit në BE. Vendi i Shqipërisë është në Evropë për vlerat e saj. Në rajon Shqipëria është shfaqur si një faktor stabiliteti. Ka mbajtur një qëndrim, identitet, që përben shenjen më të qartë të bashkëndarjes së vlerave që unifikon bashkimin dhe thelbin tonë të përbashkët”, – u shpreh Presidenti italian.

 

Deklarata

Në fjalën e tij përpara kabinetit qeverisës, deputetëve, krerëve të institucioneve kryesore në vend dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë, Napolitano vuri theksin në rëndësinë e reformave në sistemin e drejtësisë dhe në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. “Duhet të fuqizohet më tej lufta ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit. Nevojiten reforma në sistemin gjyqësor. Por lufta kundër krimit dhe korrupsionit është me rëndësi. Shqipëria duhet të ndjekë objektivin evropian. Po kështu partneriteti Shqipëri-Itali, mund të marrë trajta edhe më të gjera”, – tha ai. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se Italia e ka mbështetur Shqipërinë që kur nisi të krijonte institucionet demokratike dhe vazhdon ta bëjë deri në ditët e sotme, kur objektivi i saj mbetet integrimi në BE. “Gjatë historisë së saj më të fundit dhe veçanërisht pas ‘92-shit, Shqipëria filloi të krijonte institucionet demokratike, kemi qenë të pranishëm dhe kemi ndihmuar fort në përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë shqiptare. Përparimet e jashtëzakonshme të Shqipërisë janë njohur edhe nga BE-ja. Ju përcjell besimin tek ju dhe institucionet tuaja, e inkurajoj popullin mik shqiptar të ndjekë me këmbëngulje objektivin e integrimit”, – u shpreh kreu i shtetit italian. Më tej, në fjalën e tij, Presidenti Napolitano nënvizoi se Shqipëria është një vend mik i Italisë dhe se komuniteti shqiptar përfaqëson sot komunitetin e dytë të huaj rezident në Itali për nga numri. “Krenaria e popullit shqiptar për fitoret e vazhdueshme sa i takon stabilitetit dhe prosperitetit, vlerësohet edhe nga Italia. Është një përgjegjësi që deri më sot është kthyer në një mbështetje të vazhdueshme për nevojat që vijnë nga populli shqiptar. Jemi shembuj të integrimit të madh dhe ngjashmërive mes dy popujve tanë. Në rritjen e sistemit shoqëror dhe prodhues shqiptar merr pjesë edhe sipërmarrja italiane që ka gjetur terren për investime në Shqipëri. Kjo marrëdhënie ndikon në një bashkëpunim më të madh mes dy vendeve tona”. Ndërkohë, duke u ndalur në disa aspekte të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, Presidenti italian vlerësoi projektin e gazsjellësit TAP, duke theksuar se Italia e Shqipëria po bashkëpunojnë në fushën e energjetikës edhe për ndërtimin e një rajoni të përbashkët në këtë drejtim. “Gazsjellësi TAP do të ndihmojë në një integrim më të madh ekonomik mes vendeve”, – pohoi Presidenti. Më parë, Presidenti Bujar Nishani dekoroi homologun italian Giorgio Napolitano me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacion “forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë”. Për herë të parë Napolitano ka vizituar Shqipërinë në vitin 1996, në kohën kur mbante postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë e Romano Prodit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency