Për herë të parë/ Noli apo Petro Luarasi, si u bë dorëzimi i priftërimit?!

0
245

Histori/Kisha ortodokse kombëtare shqiptare në Amerikë

 

Nga Veli Haklaj*

 

fan noli kisha ortodokseMe ndarjen përfundimtare në mes të Krishterimit ndërmjet Kishës Lindore (ortodokse) dhe asaj Perëndimore (katolike), me 1054, pjesa më e madhe e territoreve shqiptare mbeti në varësi të Kishës Lindore Ortodokse dhe varej nga Kryepeshkopata e Ohrit, që ishte krijuar në shekullin e X. Gjatë pushtimit osman popullsia e krishterë (ortodokse e katolike) shqiptare erdhi duke u pakësuar në mënyrë të ndjeshme për shkak të islamizimit në rritje. Në periudhën e sundimit osman kisha ortodokse në Shqipëri ishte në varësinë e Patrikanës Ekumenike të Stambollit, që bëri përpjekje për helenizimin e ortodoksëve shqiptarë. Gjatë Rilindjes Kombëtare në gjirin e popullsisë ortodokse dhe sidomos në kolonitë e mërgimit (Bullgari, Rumani, SHBA) u zhvillua një lëvizje e gjerë për përdorimin e gjuhës shqipe në shërbesat fetare në kishë, për përkthimin e një literature të konsiderueshme fetare në gjuhën shqipe, për një kishë autoqefale vendore. Këto përpjekje u gjallëruan veçanërisht me veprimtarinë e Fan Nolit në SHBA, i cili u dorëzua prift për këtë qëllim në vitin 1908, në Boston, ku nisi të meshonte shqip dhe kontribuoi në shkëputjen e shqiptarëve të atjeshëm nga kisha greke.

Me përpjekje të përbashkëta të besimtarëve ortodoksë, më 10-19 shtator 1922, u mblodh në Berat Kongresi Themeltar i Kishës Ortodokse Autoqefale, i cili më 12 shtator mori vendimin për shpalljen e Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë. Si qendër e Kishës u zgjodhë Korça. Patrikana Ekumenike e Stambollit e njohu autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare më 1937. Kjo solli dhe krijimin e Sinodit të ri, me qendër në Tiranë, në përbërje të të cilit ishin këta peshkopë:

Imzot Kristofor Kissi, lindur në Berat, mbaroi shkollën e lartë teologjike të Halqit (Stamboll) më 1908, peshkop që më 1916 në Stamboll, peshkop i Beratit më 1932, i Korçës më 1934, Kryepeshkop e Kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 1937.

Imzot Eulogji Kurila, lindur në Ziçisht (Devoll) më 1889, kreu studime të larta teologjike e filozofike në Universitetin e Athinës, ku shërbeu pastaj si profesor, më vonë mori doktoratë në letërsi, autor i shumë veprave, u dorëzua peshkop më 1937.

Imzot Pandeleimon Kotoko, lindur në Korçë më 1890, i diplomuar i shkollës së lartë teologjike të Halqit, më 1912, dhe doktor në Drejtësi, më 1936, u dorëzua peshkop më 1937.

Imzot Agathangjel Çamçe, lindur në Korçë më 1877, pasi mori pjesë në lëvizjet e para kombëtare u dërgue në Boston (Amerikë), më 1922 mori gradën Arqimandrit në Shqipëri dhe më 1927 u bë peshkop i Beratit, Vlorës e Kaninës.

Mitrofor Ikonom i Math At Vasil Marko, lindur në Korçë më 1888, dorëzuar prift kombëtar më 1919, Mitrofor që më 1929.

Në vijim, për lexuesin e gazetës “Standard”, po paraqesim historinë e themelimit të kishës sonë ortodokse kombëtare në SHBA, sipas kujtimeve të veteranit dhe atdhetarit Vangjo Miller, i cili ka qenë i pari Sekretar i Kishës Kombëtare, kujtime të publikuara në “Kalendari i Botës i Vitit 1939”, i shtypur në shtypshkronjën e gazetës “Bota”, 402 Massachusetts Avenue Boston, Mass., SHBA.

 

 

Historia e themelimit të kishës sonë ortodokse kombëtare

 

1. Hudsoni – qyteti ku u themelua e para Shoqëri Kishtare Shqiptare

(Përshkrim i vitit 1939)

 

Hudsoni, qytet i vogël po industrial, gjendet gjeografikisht në mes të Shtetit Massachusetts dhe midis dy kolonive shqiptare më të përparuara të Bostonit dhe të Worcester-it. Ky qytet i vogël i Amerikës ka një histori shumë të shkëlqyer për Shqipërinë dhe për Kishën tonë Kombëtare, se nja 33 vjet të shkuara (1907 -V.H.), Hudsoni gëzonte një koloni shqiptare mjaft të madhe dhe një varg të rinjsh plot flagë për mëmëdhenë. Se cili ishte i pari shqiptar që emigroj këtu s’dihet. Po dihet sigurisht se këtu kurbetonin një numër korçarë, përmetas, drenovarë dhe voskopojarë, të ndarë në dy fusha politike që antagonizonin njëra-tjetrën me tërbim. Ishin shqiptarët nacionalista dhe grekomanët fanatikë.

Për fat të mirë të Shqipërisë, vargun kombëtar e përbënin rinia shqiptare që s’kursente gjë për triumfin e idesë kombëtare, kurse anën tjetër e përbënin ca mendje-ndryshkur që besonin se Shqipëria s’bëhej me “Turqit”.

Po sot (1939 -V.H.) Hudsoni, një herë djepi i nacionalizmës, s’është veçse një koloni shqiptare e vogël ku jetojnë nja 30 familje shqiptare që mburren me të shkuarën glorioze të kolonisë së tyre. Midis këtyre jeton një veteran i radhës parë fort i mirënjohur, liberal në mendime … Ky zotni është atdhetari dhe miku ynë zoti Vangjo Miller, që ka qenë i pari Sekretar i Kishës Kombëtare dhe i pari Inspektor i Federatës “Vatra”. E ndjejmë pra të domosdoshme që të kërkojmë informata pozitive mbi themelimin e Shoqërisë Kishtare prej Vangjos dhe e gjetmë gati të na ndihmojë dhe pa ndonjë hezitim.

 

2. Kujtimet e veteranit Vangjo Miller

 

Në rekordin zyrtar për vdekjen e Kristaq Thimi (Dishnica), të marrë nga arshivat e zyrës civile në Hudson, gjejmë:

 

VDEKJE

Name, Christo Thimi; born, Turkey, Town Koritza; accupation, Shoe Worker; Age, 22 years old; Died, August 25th, 1907; Burried, Hope Cemetery, Worcester, Mass.; Funeral Director. Michael McNiff.

 

Kjo vdekje shkaktoi themelimin e të parës Shoqëri Kishtare në Hudson. Sipas Vangjo Miller, historia jonë Kishtare rrodhi kësisoj:

Ish më 25 gusht 1907, kur kolonia u hidhërua nga vdekja e papritur e një djaloshi shqiptar të quajtur Kristaq Thimi Dishnica, vdekje e cila shkaktoi pas disa ditësh themelimin e së parës shoqëri kishtare kombëtare.

Me vdekjen e Kristaqit lindi edhe problemi i vështirë i varrimit. Dhe meqënëse kisha më e afërt orthodhokse ishte kisha Siriane n’Worcester, Masss., u morëm vesh me atdhetarin Risto Koki, një atdhetar nacionalist prej Worcesteri, që të merrej vesh me sirianët për t’u bërë shërbesat fetare të varrimit në kishën e tyre dhe prej priftit të tyre. Dhe Ristoja, pasi bëri marrëveshjen me ta, lajmëroj shqiptarët e Hudsonit që të shpinin të vdekurin në Worcester, se të gjitha ishin gati për varrimin. Në këtë udhëtim të gjatë, kortezhin e pasonin në karroca të gjithë nacionalistat e Hudsonit, Marlboroit, Natickut dhe disa prej Bostoni.

 

3. Intriga politike e grekëve, lindja e Kishës dhe dorëzimi prift i Fan Nolit

 

Për fat të keq, kur i vdekuri u shpu n’Worcester, sirianët refuzuan të bëjnë shërbesën fetare në kishën e tyre dhe besimi përgjithësisht midis shqiptarëve ish se grekët ishin ata që intriguan kundrejt shqiptarëve. Nevoja pra shtrëngoi Kozma Angjellon të bëhet prift civil dhe i këndoj shërbesën e varrimit në gjuhën greke. Kësisoj Kristaqi u varros pa shërbesat fetare, gjë kjo që egërsoj shqiptarët, të cilët  s’kishin harruar vrasjen tragjike të Spiro Kosturit prej Fanarit. Dhe duke ndjerë se rronin në një vend të lirë si Amerika, kapën rastin dhe vendosën që të shkëputin tiraninë despotike të kishës greke dhe të proklamojnë indipendencën e kishës së tyre.

Me inisiativën e patrembur të Z.Z. Vangjo Miller, Rako Katundi, Kozma Angjelo, Mitke Dishnica dhe Pandi Kristo (Malikua), u thirr mbledhja e parë për të themeluar Shoqërinë Kishtare dhe mbledhja me një zë zgjodhi të parën pleqësi që përbëhej prej këtyre Z.Z.: Vangjo Miller, Mitke Dishnica, Rako Katundi dhe Pandi Kr. Malikua. Punën e parë që bëri komisioni ish të lajmërojnë shqiptarët e Malboroit, Natickut dhe Bostonit për veprën e tyre dhe të kërkojnë ndihmën e tyre morale. Të gjithë shqiptarët e kolonive të sipërpërmendura, dhe veçanërisht ata të Natickut, ju përgjigjën thirrjes dhe pas disa jave u mbajt mbledhja tjetër e cila zgjodhi një komision që të kërkoj kandidaturën e një shqiptari për prift. Dhe kandidatë ishin dy: Fan Noli nga Bostoni dhe Petro Luarasi nga Clinton, Mass., të cilët u votuan prej delegatëve të Natickut, Marlboroit dhe Hudsonit, dhe fitoi Fan S. Noli që të dorëzohej prift.

 

4. Delegatët

 

Delegatë nga Naticku ishin: Z.Z. K. Kirka. Nick Dishnica, Andrea Kristo (Qendroja), Dhori Bardhoja. Nga Marloboroi: Perike Kreshpani dhe Vaske Lazja. Nga Hudsoni ishin komisioni i sipërpërmendur.

 

5. Anëtarët besnikë të së parës kishë ortodokse shqiptare

 

E ndjejmë për detyrë të numërojmë anëtarët e të parës kishë, ndihmat morale dhe materiale të të cilëve bënë të mundur dorëzimin e Fan Nolit si prift dhe hodhën themelet e Kishës sonë Kombëtare që kemi sot.

Në Hudson ishin këta anëtarë besnikë (përveç komisionit): Ilo Naum Qirani, Sotir Nano, Dhori Mitace, Dhori Koli “Kukoja”, Zissi Ligor Kalo, Kozma Angelo, Koci Bratko, Janaq Stefan, Koste Papa, Vasillaq Jançe, Pandi Dishnica, Ndreçi Miller, Taqo Miller, Nuçi Miller, Kristaq Puçi, Andrea Anton Mullxhiu, Thoma Qafzezi, Ilo Kristo, Petraq Baze, Koste Melçani, Vangjo Minka, Jorgji Keçi, Paskal Aleksi, Stavro Aleksi, Mihal Dionis, Vani Kotto, Ilo Plasari, Zoi Petra, Vangjel Voskopoja, Thimi Gregor Përmeti, Loni Peristere, Vangjo Minka.

Nga Marloboroi ishin këta: Perike Kreshpani, Ndreko Kreshpani, Miçe Qiriako, Gaqi Koli “Xepi”, Koste Rapi Dini, Ndreko Stavro, Kol Rodhe, Gaqi Qafzezi, Loni Qafëzezi, Thoma Dishnica.

Nga Naticku ishin këta: Pando Opingari, Dhori Bardho, Miçe Bardho, K. Ziko, Vaske Laze, Goni Perçini, Kristaq Bratko, Xhindi, Nikollaq Sendykçiu, Andrea Kristo Qendro, K. Kirka, Nick Dishnica, Nasi Aristidhi, Vani Ziko, Dh. Stathi.

Përkrahës besnikë në Boston ishin Z.Z.: Koli Kristofor, Sotir Peci, Thimaq Naçi, Gaqi Iftica, Goni Katundi, Sotir Lezi, John Ktona, Kozoja, Josif Pani, Miçe Çikozi, Llambi Çikozi, Tasi Çikozi, Gaqo Dushi, Nisi Ikonomi, Thanans Bodi, Aleks Bullgari.

 

 

6. Dëshmitarët e dorëzimit të Fan Nolit si prift

 

Komisioni që vajti në New York që të dëshmojë dorëzimin e Fan S. Nolit si prift, përbëhej prej këtyre Z.Z.: Vangjo Miller për koloninë Hudson, Kristo Kirka për koloninë Natick, Sotir Peci për koloninë Boston dhe për New Yorkun Spiridon Ilua dhe Gaqo Dushi.

 

*Studiues

 

Burimet

1. Fjalori enciklopedik shqiptar, 2, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008.

2. “Kalendari i Botës i Vitit 1939”, i shtypur në shtypshkronjën e gazetës “Bota”, 402 Massachusetts Avenue Boston, Mass., SHBA. 

3. “Kalendari i Vatrës i Motit 1918”, Botim i Federatës Panshqiptare “Vatra” e Amerikës, Boston, Mass., 1918.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency