NË KUSHTETUESE PD padit qeverinë për rritjen e borxhit dhe INUK

0
138

Florenc Drizari

Më shumë se 1/5 e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë paraqesin kërkesën përpara Gjykatës Kushtetuese për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ nr. 5/2013

 

KushtetuesjaGrupi parlamentar i Partisë Demokratike dërgon sërish qeverinë në Gjykatën Kushtetuese. Këtë herë demokratët kërkojnë nga Gjykata shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën të dy vendimeve të ekzekutivit që kanë të bëjnë me aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e shtetit të vitit 2013, si dhe vendimin për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.

PËR INUK

Partia Demokratike e cilëson si të paligjshëm vendimin e qeverisë që i jep të drejtë Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar të ndërhyjë në prishjen e ndërtimeve me dhe pa leje në të gjithë territorin.

Sipas PD-së, vendimi i qeverisë është antikushtetues, pasi uzurpon kompetencat e gjykatës pasi mbi pronën vendos vetëm gjykata, jo task-forca dhe as qeveria.

Në mbledhjen e datës 30 shtator, qeveria, për të realizuar ndërhyrjen në të gjithë territorin ndaj ndërtimeve pa leje, i ka dhënë INUK-ut më shumë kompetenca për të vepruar, mbi kompetencat që i atribuonte ligji i mëparshëm. Kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të tejkalojnë dhe kompetencat e inspektorateve vendore, kur INUK do të konstatojë se ato nuk e kanë zbatuar si duhet ligjin.

PËR BORXHIN

Gjithashtu Partia Demokratike ka çuar në Gjykatën Kushtetuese edhe vendimin e qeverisë për të rritur borxhin.

Opozita kërkon shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ nr. 6, datë 4.10.2013 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2013 “Për buxhetin e vitit 2013”. Këshilli i Ministrave nëpërmjet aktit normativ nr. 6/2013, në nenin 15 të tij, – thuhet në kërkesën e opozitës, ka vendosur ndryshimin e nenit 18 të ligjit nr. 119/2013 “Për Buxhetin e vitit 2013”. Në këtë dispozitë parashikohet se:

“Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të borxhit të shtetit dhe atij të garantuar të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2013, është 101 018 milionë lekë, i dhënë me hollësi, si më poshtë vijon:

1. Për huamarrjen vjetore neto për mbështetjen buxhetore, deri në 52 820 milionë lekë.

2. Për huamarrjen neto për financimin e projekteve të huaja, deri në 39 497 milionë lekë.

3. Për rritjen vjetore të garancive të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, deri në 8 441 milionë lekë.

4. Kufiri për rritjen vjetore të stokut të borxhit, si rezultat i riskedulimit të borxheve të vjetra, të huaja të papaguara, deri në 260 milionë lekë.

Stoku i borxhit shtetëror, përfshirë kursin e këmbimit, vlerësohet të arrijë deri në 867 105 milionë lekë. Stoku i borxhit të garantuar, përfshirë kursin e këmbimit, vlerësohet të arrijë në 61 894 milionë lekë.

Përjashtohen nga kufijtë e sipërpërmendur garancitë që mund të jepen për sigurimin e furnizimit me energji elektrike. Autorizohet Këshilli i Ministrave që në këto raste të japë garanci përtej limiteve të parashikuara më sipër”.

Siç shikohet nga ky parashikim niveli i borxhit është rritur, duke kapur shifrën rekord 68.6%. Rritja e borxhit publik me 68.6% bëhet me arsyen për të mos mbledhur të ardhura dhe për të lënë një situatë kaosi në administrimin e taksave. Kjo situatë shkakton ngadalësim të rritjes ekonomike dhe mund të passjellë recesion të ekonomisë shqiptare. Ulja e nivelit të borxhit dhe jo rritja e tij ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve financiare ndërkombëtare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, për shkak se niveli i lartë i borxhit përbën një rrezik të madh për rritjen ekonomike”, – shkruhet në kërkesën e opozitës të firmosur nga më shumë se 1/5 e deputetëve.

 

 

Detaj

Kërkesa përfundimtare e PD-së

Konkludojmë se akti normativ nr. 6/2013 cenon parimin e interesit publik dhe për këtë arsye bie ndesh me nenin 4, 11 dhe 101 të Kushtetutës. Për pasojë, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese: “Shpalljen të papajtueshme me Kushtetutën të aktit normativ nr. 6/2013 të Këshillit të Ministrave, si dhe ligjit miratues të tij”.

Mbi legjitimimin e kërkuesit

Një grup deputetësh, që përbëjnë më shumë se 1/5 e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, paraqesin kërkesën përpara Gjykatës Kushtetuese për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ nr. 5/2013. Kjo kërkesë bazohet në shkronjën “c”, të paragrafit 1 të nenit 134 të Kushtetutës, ku parashikohet: “Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të: …c) jo më pak se një të pestës së deputetëve”..

Mbi themelin e çështjes

Gjykata Kushtetuese në një vendim të saj është shprehur: “Interesi publik është nocion kushtetues jo shterues në kuptimin që lista e çështjeve me interes publik nuk mund të jetë kurrsesi shteruese, pasi interesi publik duhet kuptuar në sensin relativ, në varësi të situatave të ndryshme që krijohen”. Në këtë këndvështrim, situata kur një veprim i caktuar i pushtetit ekzekutiv (siç është rritja tej kufijve normal e borxhit publik) vendos në rrezik stabilitetin makroekonomik të vendit, përfshihet nën konceptin kushtetues “interes publik”, duke qenë se është i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien ekonomike dhe sociale të brezave të sotëm dhe të ardhshëm.

Rritja në kushte papërgjegjshmërie e nivelit të borxhit, tej kufijve normal dhe të aplikuar kurrë më parë, duke rrezikuar drejtpërdrejt stabilitetin makroekonomik të vendit, si dhe duke rrezikuar rritjen ekonomike, bie ndesh me parimin e shtetit të së drejtës (neni 4 i Kushtetutës), veçanërisht parimin e sigurisë sociale dhe ekonomike të individit, si dhe garantimin e interesit publik nëpërmjet sigurimit të mirëqenies ekonomike dhe sociale të brezave të sotëm dhe të ardhshëm.

 

 

 

Krerët më të lartë të shteteve, mesazhe Nishanit për 101-vjetorin

Me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë, Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ka marrë disa urime nga homologët e tij në rajon dhe botë. Kështu, Presidenti i Francës, François Hollande thotë: “Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dëshiroj t’Ju përcjell, në emrin tim personal dhe në emër të popullit francez, përgëzimet e mia më të përzemërta, si dhe urimet më të mira për ju dhe vendin tuaj!

Kam pasur kënaqësinë të njihem me Ju në Brdo, në verën e këtij viti gjatë Samitit të Kryetarëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka njohur këtë vit ndryshime politike të rëndësishme dhe ka riafirmuar vendosmërinë e saj për të vazhduar në rrugën e afrimit me Evropën. Franca e mbështet këtë afrim dhe siç e dini, është e gatshme ta shoqërojë Shqipërinë në këtë proces, me qëllim që ta ndihmojë për të përmbushur reformat e nevojshme që kërkohen. Dëshiroj që të vazhdoj me ju thellimin e lidhjeve mes dy vendeve tona dhe të zhvilloj më tej bashkëpunimin tonë dypalësh në të gjitha fushat”.

Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias: “Me rastin e Festës së Pavarësisë së vendit tuaj, dëshiroj t’Ju shpreh përgëzimet e mia të përzemërta si dhe urimet më të mira për begati, përparim dhe mirëqenien e popullit mik shqiptar të Republikës së Shqipërisë!”

Presidenti i Turqisë, Abdullah Gül: “Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, në emër të popullit turk dhe në emrin tim personal uroj nga zemra Shkëlqesinë Tuaj dhe gjithë popullin shqiptar!

Kam bindjen e plotë se marrëdhëniet e veçanta të miqësisë midis vendeve tona, që e marrin forcën nga lidhjet me rrënjë të thella historike, kulturore dhe njerëzore, do të arrijnë nivele shumë më të larta falë përpjekjeve tona të përbashkëta. Zhvillimi dhe forcimi në çdo fushë i bashkëpunimit tonë do të kontribuojë edhe për paqen, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien e Ballkanit, po aq sa për vendet dhe popujt tanë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency