Shtyhet dorëzimi i mandateve/ Ministrat e qeverisë, deputetë edhe për dy muaj

0
125

Gëzim Saliu

Reformat me shumicë të cilësuar dhe riformatimi i KQZ-së mbajnë “peng” dorëzimin e mandateve

 

Edi-Rama-mbledhje-qeverie-KMQeveri shtyn në kohë zotimin e saj për dorëzimin e mandatit të deputetit nga ana e ministrave të kabinetit. Burime pranë mazhorancës qeverisëse bëjnë të ditur se nisur nga reformat që pritet të ndërmerren nga të majtët në sistemin e drejtësisë si edhe ndërhyrja e mundshme në Ligjin themeltar të vendit, pritet të shtyhet zotimi, duke i dhënë rëndësi aktuale numrave në kuvend. Një tjetër arsye që ndikon në këtë shtyrje është gjithashtu edhe koha e gjatë që kërkon proceduara nga dorëzimi i mandatit të deputetit nga ana e ministrave deri tek zëvendësimi me deputetët e rinj. Në këtë pikë, riformatimi i KQZ-së është prioritet, pasi në formën aktuale, institucioni më i lartë zgjedhor nuk ka shumicën e kërkuar për të marrë vendime për zëvendësime deputetësh.

Mandatet

Kodi Zgjedhor përcakton qartë ndërprerjen e mandatit të deputetit dhe zëvendësimin e tij pas vakancës së krijuar në Parlament. “Deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. 2. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. 3. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi”, thuhet në Kodin Zgjedhor. Më tej në nenin 164 pohohet se nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni.  Nisur nga kjo procedurë e cila kërkon një periudhë jo të shkurtër kohore, mazhoranca ka marrë vendim të shtyjë në kohë premtimin e saj për mandatet e deputetëve të ministrave të kabinetit qeveritar. Në rast se mazhoranca do të vendoste për dorëzimin e mandateve dhe zëvendësimin e ministrave me deputetë të rinj, të majtët për një periudhë që përllogaritet në më shumë se dy seanca kuvendore do të humbnin e shumicës së cilësuar, atë të 84 votave.

 

Kodi Zgjedhor për dorëzimin e mandatave

“Deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. 2. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. 3. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi”

 

Lënia e mandatit

Procedura e lënies së mandatit nga ana e deputetëve kërkon një periudhë të caktuar kohore për shkak se duhet të kalojë në mënyrë procedurale në organe, si Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor, për shkak se KQZ-ja është një institucion i paplotë për të marrë vendime të tilla

 

Marrëveshja PS-LSI për mandatet e ministrave

Në bazë të marrëveshjes paraelektorale të nënshkruar mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, një ndër pikat e paktit parimor ishte edhe ai që përcaktonte një ndarja të qartë mes deputetit dhe ministrit. Sipas kësaj marrëveshjeje, ministrat e kabinetit të ri qeveritar do të duhet të heqin dorë nga mandati i tyre i marrë në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. “Do të organizojmë një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re”, thuhej në marrëveshjen mes PS-së dhe LSI-së.

 

Deputetja e PD-së

Mandatet e ministrave, Doda: Grupi i PS-së është në opozitë me ne

Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda ka reagua dje ndaj premtimit ende të pa përmbushur të mazhorancës qeverisëse për dorëzimin e mandatit të deputetit nga ana e ministrave të kabinetit. Duke e cilësuar këtë si një taktikë të kryeministrit Rama, Doda theksoi se socialistët janë në opozitë me PD-në, pasi sipas saj synimi real i kësaj nisme ishte mos përfshirja e figurave të PS-së në qeveri. “Para disa javesh, kryeministri Edi Rama deklaroi se ministrat do lënë mandatin e deputetit, për ti dhëne me shume rendësi rolit te parlamentit dhe per te krijuar balance mes pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ. Sot pas disa javësh nga votbesimi, nuk është bere ende asnjë dorëheqje nga ministrat e zgjedhur për te lënë mandatin e tyre te deputetit. Unë nuk besoj se lenia e mandatit te deputetit do barazoje peshën e pushteteve, por fakti qe për këtë çështje askush nuk flet me nga PS, me shtyn te besoj qe ishte thjesht një pretekst për te nxjerre jashtë ekzekutivit gjithë prerjet e rëndësishme politike te grupit parlamentar te PS. Gjithë ato burra dhe gra, qe mbajtën mbi supe peshën e betejave politike ne opozite, qe luftuan për te mbledhur votat për forcën e tyre politike, sot janë jashtë strukturave qeverisëse duke e ngjyrosur përfundimisht qeverisjen e sotme me klientelizëm personal dhe subjektivizëm estetik. Kjo është mënyra se si funksionoi dikur Edi Rama në Bashkinë e Tiranes, kjo është mënyra se si po drejton sot ne qeveri. Socialistet sot janë ne opozite njëlloj si demokratet”, shkruante në facebook deputetja e PD-së Mesila Doda.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency