Evropa mban normën bazë të interesit 0.5%, shqiptarët orientohen drejt fajdeve

0
153

Ervin Kaduku

(Mos)mbikëqyrja e sektorit bankar nga guvernatori Fullani sjell hijen e frikshme të huazimit ekstrabankare nga qytetarët dhe bizneset

 

ekonomia_paraPolitikëbërësit e Bankës Qendrore Evropiane (ECB) vendosën dje në mesditë në Frankfurt që të mbajnë normën bazë në një nivel të ulët historik prej 0.5%. Po kështu, Banka e Anglisë, që është jashtë sistemit të euros, ruajti programin e saj të lehtësimit sasior në 375 miliardë paund dhe nuk ndryshoi normën bazë të interesit, duke e lënë gjithashtu në një nivel të ulët rekord prej 0.5 përqindësh.

Ekonomia e eurozonës u zgjerua me 0.3% në tremujorin e dytë, e kryesuar nga rritja më e shpejtë sesa pritej e ekonomive të saj më të mëdha, Gjermania dhe Franca. Të dhënat e fundit ekonomike tregojnë për një rimëkëmbje të mëtejshme në gjysmën e dytë të vitit, teksa një indeks i shërbimeve dhe prodhimit të fabrikave u ngjit në nivelin më të lartë që nga qershori 2011 dhe besimi ekonomik është rritur në nivelin më të lartë të dy viteve.

Evropa mban një normë gati fiktive bazë interesi, duke krijuar kështu lehtësim të madh për ekonomitë e vendeve të eurozonës. Në nivele shumë të ulëta po i mban normat edhe Banka e Rezervës Federale në SHBA, ajo e Japonisë etj. Po në Shqipëri ç’po ndodh? Guvernatori Ardian Fullani nuk le mbledhje pa përmendur se politika e Bankës së Shqipërisë është ajo e niveleve të ulëta të normës, por kjo normë, ama, është 3.5 për qind. Nga ana tjetër, kjo normë nuk ka sjellë asnjë efekt pozitiv në kreditë që japin bankat e nivelit të dytë, të cilat, jo vetëm që nuk e kanë ulur normat, por e kanë rritur atë.

 

Fajdet

Në kushtet kur marrja e një kredie është bërë gjithnjë e më vështirë, bizneset po “mbështeten” te tregu informal për të marrë hua dhe për të shlyer detyrimet e tyre. Fenomeni është pranuar së fundmi dhe nga Banka e Shqipërisë, në raportin e saj të standardeve të kreditimit për tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipërmarrës vendas kanë konfirmuar se ritmi i huamarrjes në tregun “e zi” vijon të mbetet i lartë, ndërkohë që interesat, të cilat në këtë treg janë mesatarisht 2-3% në muaj, kanë arritur edhe në kufijtë e 4-5% në muaj për ata “që e kanë lakun në fyt”. Madje për shuma të vogla, interesi mund të shkojë edhe 7% në muaj.

“Situata e likuiditeteve është shumë negative dhe ne si biznese kemi shumë probleme të paguajmë punonjësit, detyrimet e ndryshme ndaj të tretëve apo qeverisë”, – thotë një drejtues i biznesit të madh në Tiranë.

Më e vështirë po duket situata gjatë muajve të verës, ku investimet thuajse kanë ndalur dhe kjo po reflektohet edhe gati në një stopim të parasë në qarkullim.

Ky është një fenomen shumë shqetësues, sepse kryesisht këto para vijnë nga veprimtari joligjore dhe si pasojë nxisin edhe kriminalitetin në vend. Kredia informale ishte diçka e zakontë në fillim të viteve ‘90 ku operonte vetëm një bankë dhe kur tregtia, që ishte edhe biznesi kryesor, kishte nevojë për kapital qarkullues intensiv dhe të madh. Asokohe, kreditimi i kapitalit qarkullues bëhej nga tregu i zi, por duke qenë se biznesi i tregtisë kishte norma shumë të mëdha fitimi, që arrinin 200-300%, sipërmarrësit nuk nguronin të merrnin para përmes këtij tregu, megjithëse me norma të larta interesi.

Sot, është krejt e kundërta. Normat e fitimit janë ulur ndjeshëm, aktiviteti i biznesit gjithashtu, çka bën që kostot e kredisë, sidomos ato të tregut të zi të rëndojnë shumë te sipërmarrësit.

Megjithatë, në kushtet kur biznesi ka nevojë për kapital qarkullues apo investues, janë të shumtë sipërmarrësit që kanë gjetur “shpëtim” te ky treg. Por problematike është kriminaliteti që nxisin këto lloj huamarrjesh. Këta njerëz që japin kredi informale e kanë garantuar atë përmes rrugëve joligjore, sepse ndryshe do ta investonin apo do ta mbanin në bankë.

Kjo sjell mjaft probleme, sepse jo vetëm nxit paranë informale, por edhe kriminalitetin, pasi ka pasur raste kur për shkak të mospagimit të huave dhe të interesave, janë goditur apo kanë humbur jetën biznesmenë.

 

Kreditimi

 

Portofoli i kredisë së sistemit bankar në fund të tremujorit të parë të vitit 2013 përfaqësonte 39.1% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB-së)1, duke qenë 1.7 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë. Reduktimi i përdorimit të levës financiare në ekonomi duket të ketë filluar që në pjesën e dytë të vitit 2012 dhe është konfirmuar në vazhdim edhe për muajt e parë të vitit 2013. Gjatë periudhës 2011-2013, rritja kumulative e portofolit të kredisë prej 12% është ndjeshëm më e ulët se rritja prej 55% për periudhën 2008-2010. Ky ngadalësim vihet re në të gjitha segmentet e kredidhënies. Kështu, kredia për individë duket të ketë ndërprerë rritjen që në fillim të vitit 2010, dhe ka mbetur rreth të njëjtit nivel për më shumë se dy vjet. Këto zhvillime janë përcaktuar nga tkurrja e kredisë hipotekore. Ndërkohë, norma e rritjes së kredisë për biznese po ndjek një trajektore rënëse që nga muaji shtator 2012, duke reflektuar në mënyrë të barabartë si ngadalësimin e rritjes së kredisë për investime ashtu edhe të asaj për likuiditete.

Në një tjetër studim, “Kreditimi i sektorit privat: Analizë e zhvillimeve në vend dhe rajon” nga Erjona Suljoti dhe Sofika Note, Departamenti i Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë, analizohen më të detaje arsyet e ngadalësimit të kredisë.

Sipas studimit, Zhvillimet në ecurinë e kredisë kanë reflektuar zhvillimet e tjera makroekonomike në vend. Ngadalësimi i kërkesës agregate është shoqëruarme rënien e kërkesës për kredi, si nga bizneset ashtu edhe nga individët.

Sipas vrojtimit të kredisë me bankat e nivelit të dytë vlerësohet se rënia e kërkesës është faktori kryesor në ecurinë e dobët të kredisë për ekonominë pas gjysmës së parë të vitit 2012.

Ecuria e kredisë për biznese ka ndjekur zhvillimet në ekonominë reale. Në përgjithësi, në 3 vitet e fundit, sektorët më të kredituar të ekonomisë kanë qenë shërbimet dhe industria, të cilët kanë dhënë edhe vlerën më të madhe të shtuar në ekonomi. Kështu, sektori i shërbimeve, i cili ka dhënë një kontribut mesatar prej 2.4 pikë përqindjeje në rritjen e aktivitetit ekonomik në tre vitet e fundit2, ka marrë 56% të kredisë për biznese të dhënë gjatë kësaj periudhe. Kontributi i sektorit të industrisë në rritjen ekonomike ka qenë mesatarisht 0.5 pikë përqindje në këto vite dhe ky sektor ka thithur rreth 35% të kredisë për biznese. Nga ana tjetër, kredia për sektorin e ndërtimit është rritur pak në vitet 2010-2011 dhe është tkurrur në vitin 2012 e në fillimin e vitit 2013, duke reflektuar edhe ecurinë e dobët ekonomike të këtij sektori (kontribut negativ prej 1.5 pikë përqindje në periudhën 2010-2012). Ndërkohë, sektori i bujqësisë, ndonëse me një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike (prej mesatarisht 1.1 pikë përqindjeje), mbetet i nënkredituar si pasojë e rrezikut të lartë të kredisë që mbart procesi i kreditimit në këtë sektor.

Kërkesa e bizneseve për financim është orientuar kryesisht drejt financimit të nevojave për kapital qarkullues, veçanërisht në dy vitet e fundit. Nga ana tjetër, kërkesa për financimin e investimeve ka qenë në rënie të vazhdueshme që nga fundi i vitit 2008. Kërkesa e ulët për kredi për investime ka ndikuar edhe në ngadalësimin e shpejtë e më pas tkurrjen e kredisë në valutë, e cila tradicionalisht ka qenë e lidhur me financimin e investimeve. Sipas raportimeve të bankave, arsyet kryesore pas rënies së kërkesës për kredi janë ngadalësimi i përgjithshëm i ekonomisë dhe veçanërisht rënia e nivelit të investimeve të reja.

Ndryshe nga bizneset, kërkesa e individëve për kredi ka rënë në të dyja segmentet e kredisë për individë, si atë për konsum, ashtu edhe atë hipotekore, pavarësisht se bankat kanë shtrënguar më pak kushtet e kreditimit për individë. Ajo është rritur lehtë në vitin 2011 dhe ka rënë sërish në vitin 2012. Faktorët kryesorë të identifikuar nga bankat për rënien e kërkesës për kredi të individëve janë situata në tregun e pasurive të paluajtshme dhe prania e burimeve të tjera (joformale) të financimit. Ndërkohë, ndikim pozitiv në kërkesën për kredi kanë dhënë politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë, veçanërisht ato të uljes së normës bazë të interesit dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së çmimeve, si ankorë stabiliteti në ekonomi. Sjellja e individëve duket të ndikohet nga pasiguritë për të ardhmen e financave të tyre, në kushtet e ngadalësimit të të ardhurave reale të disponueshme. Familjarët vijojnë të reflektojnë këtë pasiguri në ruajtjen e tendencës së tyre për të kursyer, e cila është reflektuar në rritjen e qëndrueshme të depozitave dhe mjeteve të tjera të investimit të kursimeve, si letrat me vlerë të qeverisë.

Nga ana e ofertës, analiza e rezultateve të vrojtimit të bankave tregon për një ofertë të shtrënguar edhe pse bankat kanë likuiditet dhe kapital të mjaftueshëm për të kryer funksionin e ndërmjetësimit në ekonomi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency