Paralajmërimi Dajti: Nuk kam audiencë prej zgjedhjeve, seancën tjetër do të flas për vrasjet

0
141

Sonja Caka

dajtiI akuzuari për vrasjen e 4 policëve, thirrje familjes Duçkollari: Ejani në seancë të mësoni të vërtetën e vrasjes së djalit tuaj

Artur Duçkollari reagon: Drejtësia ka zbardhur fakte për të vërtetën e vrasjes së Sajmirit

 

Nuk ka hapur kutinë e Pandorës ashtu sikundër deklaroi në seancën më të fundit, por paralajmëroi se do ta bëjë shumë shpejt, vetëm se dje i mungoi audienca e duhur për shkak të procesit zgjedhor dhe rezultateve. Ky ka qenë reagimi i të akuzuarit për vrasjen e katër policëve në plazhin e Durrësit, Dritan Dajti, madje duke replikuar për disa minuta edhe me trupën gjyqësore. Më tej, Dajti lëshoi edhe një thirrje për njërën nga familjet e policëve së njësisë speciale të vrarë më 7 gusht të vitit 2009, atë të Sajmir Duçkollarit, duke e ftuar të vijë në seancën e radhës, ku do të mësojë të vërtetën e vrasjes së djalit të tyre. Deklarata e Dajtit u pa në sallë si një sinjal se Dajti do të thyejë heshtjen, duke nënkuptuar se nuk është ai njeriu që vrau oficerin Duçkollari dhe këtë pretendim ka deklaruar se do ta mbështesë edhe me akt ekspertize mjekoligjore dhe kriminalistike. Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe vëllai i policit të vrarë, Artur Duçkollari, i cili, i pyetur në telefon, deklaroi: “Ne i besojmë drejtësisë dhe provave që ka mbledhur për vrasjen e Sajmirit. Dritan Dajti bën deklarata për gazetë dhe ne nuk na interesojnë se çfarë do thotë ai. Urojmë që nga drejtësia të zgjidhet sa më shpjet kjo çështje”, – shprehet Artur Duçkollari. Më pas, Dajti ka vijuar batutat me mjaft nënkuptime me trupën gjyqësore, konkretisht duke iu drejtuar kryesuesit të saj, gjyqtarit Idriz Mulkurti. I pandehuri Dajti u kërkoi atyre dorëheqjen, pasi, sipas tij, ata kanë kërkuar mbrojtje prej tij e në këtë pikë janë në konflikt interesi për të shqyrtuar çështjen e tij. “Kërkoj dorëheqjen e trupit gjykues, pasi me një letër drejtuar Policisë së Shtetit, është kërkuar mbrojtja juaj. Sipas gjykatës, unë jam një kërcënim për jetën tuaj dhe të familjarëve tuaj. Kjo është prova faktike që mes nesh ka mosmarrëveshje”. Gjyqtari Mulkurti i ka kujtuar të pandehurit se çështja e dorëheqjes varet nga vullneti i vetë gjyqtarëve dhe jo prej tij. Kësaj përgjigjeje Dajti iu përgjigj me një tjetër replikë, duke u shprehur: “Uroj që ky proces të shkojë mirë e të jetë korrekt, për më tepër kur drejtori i Mbrojtjes së Dëshmitarëve është Arjan Muça, dëshmitar në këtë proces, i cili drejtonte operacionin dhe kishte përgjegjësi për jetën e agjentëve. Uroj të mos ndodhë e njëjta gjë”. Përgjigjen e fundit në proces para se të dilte nga salla e gjyqit për mungesë mbrojtjeje, Dajti ia dha pyetjes së prokurorit Ardian Nezha, lidhur me deklarimin e një seance më parë se do të hapte kutinë e Pandorës. I pandehuri iu përgjigj prokurorit duke i thënë se tashmë publiku e ka mendjen tek kutitë e zgjedhjeve dhe nuk ka audiencën e duhur dhe shtoi: “Në seancën tjetër ftoj familjen Duçkollari t’ua tregoj kush ua vrau djalin”.

Kërcënimi

Një javë më parë, i pandehuri Dajti kërcënoi hapur dhe iu drejtua gjyqtarëve me fjalët: “Uroj që mos të keni urdhëruar ju shoqërimin e kushëririt tim seancën e kaluar. Ky është presion. Siç më keni kërcënuar familjen, duke më shoqëruar pas seancës një të afërm, të njëjtën gjë do bëj dhe unë me ju dhe familjarët tuaj”. I gjendur përballë kësaj situate dhe me një pamje mjaft të frikësuar pas kërcënimit, kryesuesi i trupës gjyqësore, Idriz Mulkurti, iu justifikua të pandehurit se nuk kishin asgjë personale me të dhe se nuk ka qenë Gjykata ajo që ka urdhëruar shoqërimin e kushëririt të tij, Lulzim Muçës, një seancë më parë. Por, Dajti ka vijuar kërcënimin e tij pa u tërhequr nga ajo që sapo kishte deklaruar duke u shprehur: “E kam unë personale me ju tashmë. Unë i njoh mirë ligjet, mos harroni se unë jam Dritan Dajti dhe po flisni me Dritan Dajtin”. Me të njëjtin ton, i pandehuri ka vijuar fjalën e tij, ndonëse herë pas here nga gjykata i kujtohej se po dilte jashtë gjykimit. “Prej dy vjetësh procesi po bëhet i mbyllur që publiku të mos marrë vesh të vërtetën e gushtit të 2009-ës. Ju kujtoj se pas zgjedhjeve do hap kutinë e Pandorës”, – ka vijuar i pandehuri, deklarim që e bën për herë të parë që nga momenti i arrestimit dhe deri në këtë seancë të 228-të të gjykimit. Më tej, por për momentin e vrasjes së 4 policëve, Dajti iu drejtua me disa pyetje gjyqtarëve, duke shtruar disa pyetje: “Pyesni mirë kush e vrau Saimir Duçkollarin? Pse e vrau veten babai i tij? Pyesni mirë e nderuar Gjykatë. Edhe akt-ekspertiza e tregon shumë mirë kush e ka vrarë, ndërkaq e interesuar për të mbuluar këtë të vërtetë ka qenë gjykatësja Nertina Kosova. E dini shumë mirë historinë e vrasjes së tij”, – e mbylli momentin më kritik të procesit i pandehuri.

Dajti, gjyqtarëve

“Uroj që ky proces të shkojë mirë e të jetë korrekt, për më tepër kur drejtori i Mbrojtjes së Dëshmitarëve është Arjan Muça, dëshmitar në këtë proces, i cili drejtonte operacionin dhe kishte përgjegjësi për jetën e agjentëve. Uroj të mos ndodhë e njëjta gjë”

 

 

Vendimi

Vodhi në dy banesa, dënohet 6 muaj Pranvera Rroshi

Hynte në banesat e të njohurve dhe u vidhte atyre. Nuk do të ishte zbuluar, nëse nuk do kishte përdorur kartën e bankës së njërës prej grave të vjedhura, duke u vënë në pranga. Bëhet fjalë për të pandehurën Pranvera Rroshi, e cila u dënua nga Gjykata e Tiranës përfundimisht me 6 muaj burg për akuzën e “Vjedhjes”, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Sipas vendimit të gjykatës, rezulton se në datën 24.1.2012 shtetasja Miranda Dardha ka konstatuar se në banesën e saj kishin vjedhur një çantë në të cilën ajo kishte sende më vlerë. Për këtë vjedhje ka bërë kallëzim në datën 4.2.2013. Kallëzuesja pretendoi se në çantë ajo ka pasur rreth 150.000 lekë të vjetra, një orë floriri në formë vezake, një palë syze të markës “Dolce Gabana”, kartën e identiteti të saj, si dhe dokumentacionin e dy fëmijëve të saj për të marrë ndihmë nga pesë shoqatat për fëmijët jetim. Gjithashtu, në çantë ajo pretendoi se kishte pasur edhe kartën e bankës “Intesa Sanpaolo” së bashku me Pin-kod. Autorët e kësaj vjedhje kishin tërhequr në bankë një shumë lekësh nga llogaria e Mirandës. Pas këtij kallëzimi, nga ana e organit të akuzës janë kryer veprime hetimore si pamjet filmike të momentit të marrjes së parave nga banka “Intesa Sanpaolo” nga ku ka rezultuar se personi që tërhequr paratë është e pandehura Pranvera Rroshi. Nga kontrolli që është bërë në banesën e të pandehurës janë gjetur prova materiale të vjedhura në banesën e shtetases Miranda Dardha. E pandehura, kur është pyetur nga ana e hetuesit ka deklaruar se ajo është autorja e vjedhjes së banesës së shtetasve Flamur dhe Myzejen Xhaja. Ajo ka treguar vendin se ku ndodhej ora që kishte vjedhur tek kjo familje, e cila gjatë kontrollit u gjet në vendin e pandehura kishte deklaruar se ku e kishte vendosur. Ora e gjetur është sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Në përfundim të hetimit, Prokuroria dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të Pranvera Rroshit në akuzën e “Vjedhjes”. E pandehura, si në hetim dhe në gjykim e pranoi akuzën duke treguar pendesë për veprën e kryer. Vet e pandehura ka treguar për episodin e dytë të vjedhjes së kryer prej saj. Në përfundim të gjykimit, gjykata ia pezulloi dënimin me burg dhe e dënoi me kusht Rroshin, me kusht të përveç paraqitjes te Shërbimi i Provës për periudhën 2 vjet, ajo të mos shoqërohet me asnjë person që është me precedent penalë dhe vetë të mos kryejë asnjë vepër penale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency