Berisha: Ditë e rëndësishme për myslimanët, çlirim nga trashëgimia ateiste

0
125

Ina Jano

bverishaKryeministri Berisha përshëndeti nisjen e punimeve për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës dhe tha se qëndrimet paragjykuese janë pasojë e ideologjive të vjetra

 

 

Kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi dje se ndërtimi i xhamisë së madhe të Tiranës është një ëndërr për të gjithë besimtarët myslimanë, kudo që ata ndodhen. Për kryetarin e mazhorancës akti i ditës së djeshme shënon çlirimin njëherë e mirë nga trashëgimia ateiste dhe njëkohësisht si një rivendosje të të drejtës së tyre. “Sot ndahemi nga qëndrime paragjykuese, nga qëndrime të inspiruara kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie, kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë të qytetit të Tiranës, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur të drejtat e shkelmuara, në vendin që meritojnë”, – u shpreh Berisha gjatë ceremonisë tek Namazgjaja.

Kryeministri u bëri thirrje drejtuesve vendorë t’u bëjnë të mundur besimtarëve të çdo besimi të ngrenë tempujt e tyre aty ku jetojnë. “Për Tiranën, kryeqytetin e vendit, për Shqipërinë dhe shqiptarët, data 20 prill, dita e lindjes së Profetit është e do të mbetet një ditë e madhe, e rëndësishme, ditë në të cilën ne inaugurojmë edhe ndërtimin e xhamisë më të madhe të kryeqyteti dhe të vendit, në tërë historinë e tij. Kjo ngjarje është e madhe edhe në një aspekt tjetër. Sot ndahemi nga qëndrime paragjykuese, nga qëndrime të inspiruar kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie, kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë të qytetit të Tiranës, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur të drejtat e shkelmuara, në vendin që meritojnë”, – deklaroi numri një i qeverisë. Duke u ndalur në të gjithë historikun 20 vjeçar që ka kaluar vendi, lideri i ekzekutivit, u shpreh se pikërisht në fillimet e viteve të demokracisë, 22 vjet më parë u shpall si parim kryesor që aty ku jetojnë disa besimtarë, të ketë një objekt kulti. “22 vjet më parë, me themelimin e partisë së parë opozitare, ne shpallëm si parim themelor që aty ku jetojnë katër të krishterë të ndërtohet në kishë, aty ku jetojnë katër myslimanë të ndërtohet një xhami, aty ku jetojnë katër myslimanë bektashinj të ndërtohet një teqe. Duke ruajtur si parim themelor të shtetit sekularizmin, ne shpallëm me këtë, respektin e palëkundur ndaj gurrave hyjnore që ushqejnë shpirtin shqiptar dhe e bëjnë atë një shpirt të madh, i cili shndrin e do të shndrisë në respektin e palëkundur të besimit të tjetrit. Ju nuk keni pasur ndihmën e madhe që keni merituar. Por ajo çka kam admiruar në mënyrë të jashtëzakonshme është durimi, dialogu, vendosmëria për të çuar përpara e për të përfaqësuar me dinjitet çështjen e besimtarëve që ju përfaqësoni. Në këtë frymë u ndërtuan katedralet, po ndërtohet tempulli i bektashinjve dhe me këtë frymë, edhe xhamia. Ju Haxhi Hafiz Selim Muça keni një meritë shumë të madhe. Urtësia, vendosmëria me të cilën ju e keni ndjekur këtë çështje bëri të mundur që sot të mblidhemi së bashku në këtë ngjarje, e theksoj, shumë të madhe shpirtërore, morale për kombin tonë”, – nënvizoi zoti Berisha. Duke shprehur disa herë mbështetjen totale dhe të pakufishme të qeverisë në këtë drejtin, kreu i kabinetit tha se në çdo qytet duhet që të ketë objektet e veta të kultit për të qenë sa më afër të gjithë besimtarëve. Me urimin më të mirë për të gjithë këtë kategori, kreu i mazhorancës dha vlerësimet më të larta për Profetin Muhamed. “Qeveria, duke shprehur nderimin më të madh ndaj jush, u bën thirrje kryetarëve të bashkive e komunave që me përparësi t’u bëjnë të mundur besimtarëve të besimeve tona të mëdha, por edhe besimeve të tjera, të ngrenë tempujt e tyre aty ku jetojnë. Gjithnjë qytetet kanë pasur xhamitë, katedralet kryesore, por gjithnjë besimtarë i kanë pasur ato afër shtëpive të tyre. Ndaj, të çliruar nga trashëgimia ateiste, dua të pyesni mirë veten para çdo pengesë që mund t’u nxirrni: a mos është kjo një trashëgimi e së shkuarës. Dhe do të mund të jepni përgjigjen më të drejtë. Edhe një herë ju uroj në këtë ditë të shenjtë, dita e lindjes së Profetit Muhamed, burrit që së bashku me Jezu Krishtin e Budën i dhanë tokës e njeriut, kuptimin e madh të Zotit. Gëzuar këtë ditë dhe ju uroj shumë suksese!”, – përfundoi fjalën e tij lideri i qeverisë.

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e komuniteteve fetare në vend, drejtuesit e komuniteteve myslimane në Kosovë dhe Maqedoni, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe përfaqësues të trupit diplomatik, u firmos edhe dokumenti themeltar për inaugurimin e fillimit të xhamisë së re të Tiranës, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça dhe Kryeministri Berisha.

 

 

 

 

Ditëlindja e Profetit Muhamed

Kryeministri: Udhërrëfyes i rrugës së mirëkuptimit

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, mori pjesë dje në aktivitetin e zhvilluar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në Pallatin e Kongreseve, me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed, ku theksoi se në këtë ditë të shënuar lindi i dërguari i Perëndisë, Profeti Muhamed, që me mësimet e Zotit ndriçoi mendjen, rrugën e njeriut dhe njerëzimit. Sipas kreut të qeverisë, Profeti me mësimet e Zotit ndikoi më shumë se kushdo tjetër, së bashku me Jezu Krishtin dhe Budën, në moralin njerëzor. “Një botë që po degradonte do t’i rikthehej rrugës së dritës. Ai është themeluesi i madh i arsimit dhe dijes në kohërat e tij dhe më vonë. Me mësimet e Zotit se boja e shkrimit të fëmijëve tanë është më e shenjtë se gjaku i martirëve, ai çau errësirën që mbulonte planetin dhe shoqërinë. Mësimet e tij janë dhe mbeten frymëzuese e të pavdekshme. Kushdo që e lexon do të gjejë se tek mësimet e tij qëndron themelimi i magjisë më të madhe të njerëzimit, i tregut të lirë dhe lirisë së individit”, – deklaroi kreu i qeverisë. Duke folur për lirinë fetare dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, Berisha u shpreh se “ky komb ringjalli lirinë e besimeve fetare me besimin tek njëri-tjetri dhe në këtë trashëgimi qëndron mesazhi më i fuqishëm, virtyti më i shkëlqyer i shpirtit të madh shqiptar. ”Në vende dhe kombe të ndryshme, mjerisht abuzohet dhe përdoren besimet fetare për të nxitur njerëzit kundër njëri-tjetrit për të justifikuar akte ndër më të shëmtuarat, por shembulli shqiptar është shembulli më frymëzues dhe ky shembull çdo vit e më shumë do të shkëlqejë në mbarë Evropën dhe botën”, – u shpreh Kryeministri Berisha. Duke përgëzuar Komunitetin Mysliman për mënyrën dhe persistencën me të cilin ndoqën çështjen e Xhamisë, si dhe bashkinë e Tiranës, dhe familjen Kruja për mirëkuptimin që tregoi, duke nderuar traditën, Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka që vlerat hyjnore dhe shpirtërore mbi të cilat ndërtohet morali njerëzor ti respektoj me rigorozitetin më të madh, duke ruajtur sekularizmin, si parimin themelor të ndërtimit të shtetit. Gjatë eventit, Kryeministrit iu dhurua piktura e projektit të Xhamisë së Madhe të Kryeqytetit, vepër e punuar gjatë zhvillimit të koncertit nga 15-vjeçari beratas Adi Totaj, fitues i çmimit ndërkombëtar në pikturë. Gjithashtu organizatorët i dhuruan Kryeministrit një kopje në kornizë të dokumentit themeltar për përurimin e fillimit të xhamisë së re të Tiranës, të firmosur nga kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça dhe Kryeministri Berisha paraditen e djeshme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency