Haxhi Qamili, lavdërimi i kriminelit

0
613

 Çelo Hoxha

dosjeTë dëshpëruar për një të shkuar të lavdishme, që nuk e kishin, komunistët i gjetën heronjtë e tyre në botën e kriminelëve, natyrisht, duke falsifikuar historinë

 

Të interesuar të gjenin ndonjë gjurmë të konfliktit klasor në shoqërinë shqiptare, historianët e diktaturës komuniste u larguan aq shumë nga e vërteta, saqë më vonë e harruan fare ekzistencën e saj. Ata mendonin se vërteta ishte diçka që nuk ekzistonte e pavarur jashtë mendimeve dhe dëshirave të tyre. Dëshmi e megalomanisë së tyre është trajtimi që i bënë historisë së Haxhi Qamilit, të cilin edhe e dekoruan për veprimtari patriotike, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Dokumenti që po botojmë sot, është një relacion i përgatitur në fillimet e përgatitjes së një teksti të plotë për historinë e Shqipërisë. Në dokument nuk ka as datë dhe as shënimin kujt i drejtohet, por në AQSH ai ndodhet në arkivin e PPSH dhe dosja ka të shënuar vitin 1960 dhe thuhet se është përgatitur nga Alfred Uçi, me porosi të Liri Belishovës, asokohe anëtare e Byrosë Politike të PPSH. Në dosje mungon fleta e parë, e cila mund të ketë pasur të dhëna në lidhje më të hollësishme.

Dokumenti dallohet që është i shkruar nga një historian marksist, i cili kërkon konflikt dhe aty ku nuk ka, por që i mungon entuziazmi i studimeve të mëvonshme që e shikonin Haxhi Qamilin si hero. Në vitin 1928, në një artikull të tij, Sejfulla Malëshova e krahason Haxhi Qamilin me Pugaçovin, me një fshatar rus që udhëhoqi një rebelim. Por u desh të kalonin dhe rreth 30 vjet që ai të vendosej sërish në vëmendje të historianëve dhe të shikohej pozitivisht. Në fakt, komunistët vetë kishin bërë gjëra shumë të këqija dhe për një kohë shumë të gjatë se Haxhi Qamili dhe banda e tij.

Duke e copëzuar vlerësimin e lëvizjes, autori i dokumentit mundohet të gjejë anë pozitive të saj. Për shembull, faktin që forcat e Haxhi Qamilit kanë sulmuar Bektash Cakranin, është, sipas autorit, një veprim i mirë. Cakrani, në fakt, ishte një patriot i ndershëm, me një rol të rëndësishëm në pavarësinë e Shqipërisë, por ai ishte shënjestër e mirë për t’u goditur, se komunistët e kishin pushkatuar në 1945. Ata e kishin çuar dhe më tej veprën e Haxhi Qamilit.

Në tekstin e Historisë së Shqipërisë, 1965, lëvizja e Haxhi Qamilit trajtohet fillimisht si një provokacion i nxitur nga xhonturqit, pastaj (pas betejës te Ura e Limuthit, 17 maj 1914) kryengritje e armatosur kundër regjimit të Vidit. Interesante është që historianët përdorin fjalën “regjim”, në rastin e Vidit, i cili në maj 1914 kishte veç dy muaj në Shqipëri dhe nuk kishte dalë ende jashtë Durrësit ku ishte vendosur përkohësisht. Princi Vidi trajtohet si armik i masave fshatare, ashtu si dhe pronarët shqiptarë të tokave, që historianët i quajnë feudalë. Mes këtyre pronarëve “të urryer” nga fshatarët ishte dhe Esad Toptani. Në fakt, fshatarët e Shqipërisë së Mesme, ndryshe nga ç’kanë thënë historianët, vazhdojnë të kenë një respekt të veçantë për Esad Toptanin, pavarësisht sa negativisht është shkruar kundër tij përgjatë 100 viteve të fundit.

Historia e Shqipërisë e bën tërkuzë historinë e Haxhi Qamilit, duke i kushtuar faqe të tëra, gati 15 faqe.

Të përqendruar për të nxjerrë fshatarin e varfër si heroin pozitiv të historisë, autorët e tekstit zyrtar vlerësojnë si pozitive veprimtarinë anarkiste të kryengritësve, të cilët, sipas tekstit, sekuestrojnë depot e drithit të Esad Toptanit, nuk i lejojnë fshatarët të paguajnë të tretën, arrestojnë njerëzit e pasur (bejlerët) ose kërcënojnë se ata (bejlerë) që konsiderohen bashkëpunëtorë të Vidit dhe do të bashkohen me kryengritjen, nuk do të marrin asnjë rol drejtues, por do të ishin vetëm ushtarë.

Relacioni i Alfred Uçit duket se nuk është marrë shumë për bazë. Në 31 maj 1962, Enver Hoxha mbajti një referat në KQ (botuar dhe në “GSH”, 22 prill 2003), ku ndër të tjera tha: “Rebelizmi i udhëhequr nga Haxhi Qamili ishte një luftë klase e fshatarësisë së varfër dhe të mesme, kundër klasës së feudalëve, pashallarëve, bejlerëve dhe agallarëve, pronarë tokash e privilegjesh në përgjithësi. Kjo është kryesorja dhe pikërisht kryesorja fshihej në atë kohë. Kryengritja fshatare për të cilën bëhet fjalë, u akuzua pro turke dhe antishqiptare, sepse në të morën pjesë njëfarë Musa Qazimi dhe Mustafa Ndroqi, turkomanë fanatikë dhe intrigantë, që përdorën çështjen fetare dhe flamurin e Turqisë, jo për t’ia kthyer Shqipërinë Perandorisë Turke, e cila kishte vdekur e s’ngjallej më, por për të frenuar qëllimet e kryengritjes fshatare dhe për të minuar zhvillimin e saj. Këto ishin tentativa të feudalëve dhe të elementëve të borgjezisë konservatore, “të memurëve” që fshatarësinë ta mbanin nën sundim dhe ta kishin rezervë të tyre… Pra, nuk ishte as çështje e mbrojtjes së qëllimeve tradhtare të Esad Pashë Toptanit, as çështje e mbrojtjes së një farë Perandorie Turke, por ishte një luftë klase, lufta e fshatarëve kundër feudalëve dhe bejlerëve, natyrisht për tokën dhe kur flitet për tokën, flitet për atdheun, Këtë nuk e tund asgjë…”. Dhe më tej: “Shqipëria s’është më si në kohën e Haxhi Qamilit. Ajo është një vënd socialist që udhëhiqet nga Partia e lavdishme e Punës, populli shqiptar tani ka miq të mëdhenj, të shumtë, sot rrojmë në shekullin e leninizmit. Shqipëria e re e popullit, e Partisë heroike të Punës, ecën përpara kryelartë, në rrugën e lavdishme të historisë së saj. Për arritjen e kësaj rruge kanë kontribuar edhe fshatarët revolucionarë të Shqipërisë së Mesme me Haxhi Qamilin në krye”.

Historianët që i kanë marrë vlerësimet e Enver Hoxhës për vlerësimin pozitiv të Haxhi Qamilit – mes tyre dhe Aleks Buda – sigurisht, e kanë bërë këtë nën diktatin e diktatorit, por dhe nuk kanë shumë për t’u shfajësuar sepse e qysh në fillim e kishin nisur karrierën e tyre duke i shërbyer një lëvizjeje që haxhiqamiliste. Në 1945, Aleks Buda ishte kryetar i komisionit që sekuestronte librat e patriotëve shqiptarë, mes tyre Mid’hat Frashëri, Lef Nosi dhe Mustafa Kruja.

Për ironi, Mid’hat Frashëri ka qenë i pari që e ka krahasuar lëvizjen e Haxhi Qamilit me bolshevizmin. Ja një vlerësim i Mid’hat Frashërit, i botuar në gazetën “Diturija” në 1928, dhe i ribotuar nga Sherif Delvina e Luan Malltezi, Uran Butka, si dhe në një dosjerin e sipërpërcituar të “GSH”: “Esadizma mori trup dhe formë nën një trini apokaliptike: Esad Toptani, myftiu Musa Qazimi, Haxhi Qamili, tre krerë të një hidre që përfytyronin ambicionin, tradhtinë dhe lakmimin, fanatizmën e verbër dhe injorante nën maskën e fesë, marrëzinë brutale jo në figurë letrare po reale. Qamili, një katundar nga Sharra meqënëse kishte ndjenjur në hekura si i prishur mendsh. Edhe kështu në atë mot Shqipëria u bë dëshmonjëse e një sendi të paparë gjer atëhere: agjentët e Greqisë dhe të Patrikanës të lidhur ngushtë me “fetarin” Musa Qazim; njerëzit që pretendonin se luftonin për din dhe dovlet bashkëpunojnë me çetat destruktore greke; Esadi dhe partizanët e tij të “Sadai Mil-letit” bëhen vegla të shqehve dhe grekëve. Por një pjesë e esadizmës, fytyrat më shtazore të saj, ato që inauguruan bolshevizmën në Shqipëri me djegie, plaçkitje dhe rrënime, tre vjet më parë se sa të buçasë bolshevizma në Rusi, partia e Haxhi Qamilit dhe e Musa Qazimit, ktheu armët edhe kundër kryetarit dhe inspironjësit të tyre dhe Esadi u bë aq i urrejtur sa edhe shteti, qeveria, rregulla, patriotizma; kaq është e vërtetë se, ay që lot me zjarrin shpesh digjet dhe vetë. Në këtë katastrofë, përpara sulmeve të jashtme dhe të brendshme, mbetur pa një mbështetje morale, përkundrazi e marrë nëdrmjet dy zjarreve të dy grupeve rivale të dy pushteteve të mëdha që buçitja e luftës europiane i kishte ngrehur çiltazi kundër njëra-tjetrës, Shqipëria, shteti dhe qeveria, u ndodhën përpara një shkatërrimi fatal: duke kuptuar se sulmet nga çdo anë që vinin kishin për burim kryesor rivalitetet dhe intrigat e Fuqive të Mëdha, qeveria shqiptare u shtrëngua, duke mos gjetur udhë tjatër, të dorëzojë fuqinë te Komisioni Ndërkombiar i Kontrollit-emëruar prej pushteteve të mëdha – dhe mbreti të largohet nga Shqipëria. Eshtë e vërtetë se autoriteti efektiv i qeverisë kishte katër muaj që ishte pakësuar dhe kufizuar fort tepër; por mërgimi i saj solli një kaos të vërtetë, një anarki materiale dhe morale: prestigji dhe posibiliteti i punimit të Komisionit të Kontrollit gjendeshin të reduktuar në minimum, në një mënyrë që rebelët “ehli kijami” gjetën fare shesh të lirë në Tiranë, u ndenë në Elbasan dhe Berat; prefekturat e Gjinokastrës dhe Korçës i okupuan zyrtarisht grekët duke i dhanë fund komedisë epirote dhe Italia zbarkoi në Vlorë, duke mos vonuar edhe malazezët me serbët që të zbresin nga veriu. Barka e Shqipërisë kishte mbetur pa komandant, pa timon, pa rema, e lëkundur në një det të shfryrë, e rrahur prej tallazeve të pasionit. Në këto kondita çdo organizim, çdo politikë ishte e pamundur. Populli, rënë në mizerje dhe anarki, po priste ngjarjet në një mënyrë passive, pa zhvilluar dot asnjë vullnet”.

 

 

DOKUMENTI

 

RRETH LËVIZJES SË [H]AXHI QAMILIT

 

Për problemin e karakterit të lëvizjes fshatare të vjetëve 10\914-1915 në Shqipërinë e mesme kemi lexuar gjithë materialin e arkivit të shtetit, që i përket kësaj periudhe si dhe materialet që disponon Instituti i Historisë dhe Biblioteka Kombëtare (variantet e ndryshme të maketit të Historisë së Shqipërisë, artikuj, diskutime, kujtime etj).

Konkluzionet kryesore në të cilat kemi arritur janë këto:

 

1)   Për të vlerësuar këtë lëvizje duhet përcaktuar para së gjithash problemi kryesor i zhvillimit shoqëror të vendit në këtë periudhë.

Ky problem kryesor ishte krijimi i shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarsisë nacionale dhe integriteti tokësor.

Në këtë kohë (1914-15) kjo detyrë jo vetëm që nuk ishte zgjidhur përfundimisht, por për më tepër shtetet imperialiste dhe fqinj kishin shpërthyer një fushatë ushtarake, politike dhe propagandistike për të copëtuar dhe aneksuar vendin tonë si dhe për të diskretituar marëveshjet ndërkombëtare që sanksionin pavarësinë e Shqipërisë, duke shpallur se shqiptarët nuk janë në gjendje të krijojnë shtet më vehte.

Liria nacionale është kusht i rëndësishëm i çdo lirije tjetër demokratike dhe sociale, kusht kryesor i zhvillimit të lirë material dhe kultural të një kombi. Sado e interesuar që të ishte fshatarësia për zgjidhjen e problemit agrar objektivisht kjo detyrë nuk mund të zgjidhej pa siguar pavarësinë kombëtare. Çështja agrare në këto kushte i nënshtrohej çështjes nacionale dhe ishte lidhur ngushtë me të.

Elementët patriotë dhe demokratë të kësaj kohe (Luigj Gurakuqi, Muço Qulli, Themistokli Gërmenji etj) duke kërkuar zgjidhjen demokratike të çështjes agrare mendonin me të drejtë se sigurimi i pavarësisë kombëtare do t’ishte premisë për fitoren e revolucionit antifeodal.

 

2)   Kjo lëvizje u zhvillua nën parrulla fetare, për bashkimin me Turqinë. Në rrethanat e atëhershme një bashkim i tillë në fakt ishte i pamundur, prandaj nuk duhet mbivlerësuar rreziku turk, por nga ana tjetër nuk duhet nënvleftësuar rreziku i shteteve fqinjë, që ishte një rrezik real, të cilët përfitonin nga çdo lëvizje antikombëtare, antishqiptare.

3)   A ishte ky problem problemi kryesor për gjithë Shqipërinë? Sipas disa autorëve ky problem ishte kryesor vetëm për krahinat e Jugut dhe të Veriut, kurse për Shqipërinë e mesme jo. S’ka dyshim, se rreziku imediat ndjehej më tepër në Jugë dhe Veri, por sidoqoftë ky problem ishte i përbashkët dhe kryesor për gjithë Shqipërinë.

Pavarsisht nga problemet e veçanta të krahinave të ndryshme detyrat themelore të klasave të një kombi janë të përbashkëta. Kështu n’asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se për Shqipërinë e mesme pavarësija nacionale dhe sigurimi i integritetit tokësor nuk ishte jetësor.

4)   E parë nga pikëpamja e detyrës kryesore, kjo lëvizje është një lëvizje antikombëtare jo vetëm nga parullat e saj por dhe nga vetë përmbajtja e saj. (Drejtimin e kanë elementët xhon-turq, agjentë të huaj, dhe elementë feudalë reaksionarë si Esat Pasha, lëvizja shkatron bazat fillestare të shtetit të ri shqiptar, lëvizja hoqi dorë nga bashkësija territoriale e kombit shqiptar, duke mos u interesuar për fatin e krahinave të Jugut dhe Veriut, që i kërcënonte aneksimi i huaj; ka dokumente që flasin se krerët e lëvizjes pajtohen me rivendikimet e grekëve në Jugë; diskredituan çështjen e mundësive së formimit të një shteti shqiptar ndiqen dhe persekutohen patriotët shqiptare, ndiqen gjuha, shkolla, flamuri shqiptar)

5)   Por kjo lëvizje antipatriotike, sipas mendimit tonë, në muajt Janar-Shkurt, hyn në një rrugë pa krye; në të duken shenjat e një krize.

a)   Elementët xhonturq, veçanërisht oficerat turq, nuk lozin më rolin e mëparshëm, dhe shumë prej tyre largohen fare nga Shqipërija. Turqija e lidhur me fuqitë qëndore, përkrah planet ushtarake të pushtimi të Shqipërisë nga Austro-Hungaria, gjë që diskreditoi qëllimin final të kësaj lëvizje dhe e çorganizoi atë.

b)   Disa nga krerët e këshilit të përgjithshëm ftojnë princ Vidin të kthehet në përsëri në Shqipëri.

c)   Dobësohen pozitat drejtuese të këshillit të përgjithshëm dhe ndodhin ndryshime në përbërjen e këshillave.

d)   Ka raste kur i lirohen nga burgu patriotë shqiptarë, me gjithë se vazhdon dhe arrestimi i tyre.

6)   Në rrethanat e kësaj krize të lëvizjes fillon të lozë një rol drejtues Hazhi Qamili. Ai doli në krye të lëvizjes, sepse në këto momente të çorganizimit të drejtimit mbizotëroi influenca e fshatarsisë së armatosur, që gjatë gjithë lëvizjes kishte qenë forca kryesore lëvizëse.

Në këtë periudhë krijohet mundësija që të shpërthejë pakënaqësija e fshatarësisë kundër feodalëve (vihen re akte djegëje të shtëpive të bejlerëve, të pasanikëve; konfiskohen pasurija e tyre etj). Urrejtja e fshtarëve drejtohet në radhë të parë kundër bejlerëve antiturq (si p.sh Esat Pashës, që u lidh me serbët) dhe bejlerëve të lidhur me princ Vidin dhe idenë nacionale.

Ata që mohojnë çdo element antifeodal të kësaj lëvizjeje përmendën faktin se Hazhi Qamili ka goditur bejlerë që ishin partizanë të Vidit dhe Shqipërisë. Por ky argument nuk mund të hedhë poshtë elementët antifeodalë të lëvizjes. Luftë të hapët nga ana e fshatarëve kryengritës kundër bejlerëve ka pasur gjatë kësaj lëvizjeje. Meqë ajo zhvillohej nën parullat panislamike antishqiptare, për këtë arsye edhe goditjet kundër bejlerëve drejtoheshin kundër atyre bejlerëve që ishin në një mënyrë ose tjetër me idenë nacionale.

Xhon turqit vazhdimisht kishin propagandaur se ide e Shqipërisë është ide e bejlerëve, prandaj këtu kemi një gërshetim origjinal të luftës së fshatarëve kundër bejlerëve me parulla antishqiptare.

 

7)   Përveç këtyre elementëve antifeodale që kishte lëvizja e Haxhi Qamilit në Shqipërinë e mesme, duhet venë në dukje se në vitet 1914-15 kishte vatra të tjera lëvizje fshatare, të cilat me gjithë se formalisht mbanin lidhje me lëvizjen e përgjithshme, në fakt nuk drejtoheshin prej këshillit të përgjithshëm dhe ndiqnin një politikë krejt të ndryshme, luftonin kundër komitave grekë dhe ushtrive serbe (Mallakastër, Sulovë, Mokër, Skrapar, Dibër). Në këto krahina, kjo lëvizje fshatare për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare gërshetohej me luftën kundër bejlerëve. Si shembull mund të shërbejë qëndrimi ndaj Bektash Cakranit.

Pikërisht këto vatra duhet të zënë një vend më të gjerë në hsitorinë e këtyre vjetëve.

8)   Konkluzioni ynë i përgjithshëm është ky:

Qysh nga shkurti 1915 lëvizja fshatare nuk mund të shihet vetëm si reaksionare. Ajo duhet parë si një lëvizje kontraditktore. Nga njëra anë deri në disfatën e lëvizjes u ruajtën parullat panislamike antishqiptare dhe kjo vazhdoi të dëmtojë drejt për drejt çështjen kombëtare. Nga ana tjetër prapa këtyre parullave shpërtheu revolta spontane e fshatarëve kundër bejlerëve.

 

(AQSH, F.14, V.1960, D.124)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency