Numri i madh i partive çojn drejtë dështimit “Fierin”, sot pritet vendimi për Tiranën

0
164

Florenc Drizari

kqzTeknologjia në zgjedhje, numri i madh i partive vë në pikëpyetje procesin

INDRA: Varianti i I “i miratuar nga KQZ-ja” bën që skaneri të mos lexojë më shumë se 42 parti në fletën e votimit

 

Numri i lartë i partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, rrezikon aplikimin e teknologjisë për numërimin elektronik të votave në Qarkun e Fierit. Vendimi i marrë nga KQZ-ja disa ditë më parë për caktimin e jo më shumë se 42 partive politike në fletën e votimit për këtë qark, duket se vë në rrezik aplikimin e teknologjisë për numërimin elektronik, për vetë faktin se dy partitë e mëdha deklarojnë një pjesëmarrjeje sa më të gjerë të subjekteve në koalicionet e tyre. Në tavolinën e anëtarëve të KQZ-së ka qenë edhe një variant tjetër me 66 parti të renditura në fletën e votimit, por që ky u kundërshtua nga përfaqësuesit politik në komision me argumentin se ngushtohen germat e subjekteve zgjedhore dhe bëhen më pak të identifikueshme për zgjedhësit. Edhe pse listat zyrtare për 2013-ën për dy koalicionet e PD-së dhe PS-së nuk janë bërë ende zyrtare, vetëm numri i partive që janë rreshtuar në kampin e majtë shënon në 33 parti. Sipas përfaqësuesve të kompanisë së përzgjedhur nga KQZ-ja për aplikimin e teknologjisë në Fier, INDRA, në variantin e miratuar më tetë mars, nëse kalohet numri i 42 partive në fletën e votimit, skanërat nuk mund të bëjnë leximin e vullnetit të shprehur nga qytetarët. Për këtë mjafton të përmendim edhe numrin lartë prej 57 subjektesh zgjedhore që u regjistruan në vitin 2005-së në KQZ, 45 në vitin 2009-të edhe pse morën pjesë 35 në zgjedhje si dhe 56 forcat politike që u regjistruan në 2011-ën.

QËNDRIMET

Miratimi i vendimit për caktimin e modaliteteve të fletës së votimit për Qarkun e Fierit pak ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u shoqërua me debate mes anëtarit të LSI-së Ilirjan Muho dhe anëtarëve të tjerë të komisionit. Edhe pse përfaqësuesit e PD-së dhe PS-së në KQZ gjetën konsensusin për miratimit e variantit të parë të sjellë nga administrata e komisionit, atë me 42 parti të renditura në listën e fletës së votimit, përfaqësuesi i LSI-së, Ilirjan Muho, tha se dy forcat e mëdha po çojnë me duart e tyre drejtë dështimit të këtij projekti në këtë qark. Projektvendimi “Për miratimin e modelit dhe specifikimeve teknike të fletës së votimit për Zonën Zgjedhore Qarku Fier, për zgjedhjet e 23 qershorit”, u miratua me konsensus në KQZ duke marrë 6 vota pro, ndërkohë që përfaqësuesi i zgjedhur nga LSI-ja, Ilirjan Muho, votoi kundër aktit. “Nëse do të regjistrohen më shumë se 42 parti, çfarë do të bëhet me procesin? S’ka kohë më pas për të rregulluar gjërat. Mbetemi me shpresë që numri të mos jetë më shumë se 42 parti. Duhet ta diskutojnë se çfarë do të ndodhë po qe më i madh se 42 numri i partive politike”, – tha Muho. Pasi refuzoi të votonte variantin e paraqitur nga administrata, Ilirjan Muho ka thënë se: “Nëse do të regjistrohen më shumë se 42 parti, ne sot firmosim dështimin e këtij projekti”. Por po të mos mjaftonte vetë kjo, KQZ-së duhet se i është shtuar edhe një tjetër problem. Vonesa në tenderimet e aplikimit të teknologjisë për numërimin elektronik në Fier, dhe identifikimin e kartave në Tiranë, duket se do të shtyjë përtej afateve kohore përfundimin nga ana teknike që procedurave dhe për pasojë, testimin e këtyre dy projekteve në vendin tonë.

 

 

 

KQZ: Sot marrëveshje me ‘INDRA për sistemin elektronik në Tiranë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi se të ditën e hënë do të nënshkruhet kontrata me kompaninë spanjolle INDRA, e përzgjedhur për zbatimin e projektit të “Sistemit Elektronik të Verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës”. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e këtij komisioni Drilona Hoxhaj bëri të ditur gjithashtu se, testi paraprak për numërimin elektronik të votave, projekt që do të zbatohet në qarkun e Fierit në 23 qershor, si dhe testi për sistemin elektronik të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës, do të zhvillohen gjatë muajit prill. “Nisur nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor, prioritet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishte përgatitja dhe realizimi i sistemit elektronik të numërimit të votave, në Qarkun e Fierit (SEN) dhe Sistemit Elektronik të Verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës (SEV)”, tha Ajo. Nisur nga fakti se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u konstituua me vonesë, si dhe duke pasur parasysh se zbatimi i këtyre teknologjive është një risi për vendin tonë dhe një proces mjaft specifik në administrimin e zgjedhjeve, zëdhënësja e KQZ-së tha se, procedurat prokuruese për përzgjedhjen e kompanive që do të realizonin këto projekte zgjaten tej parashikimeve. “Duke qenë se këto projekte janë mjaft komplekse përsa i përket përbërjes dhe zbatimit të tyre, kanë qenë shumë të nevojshme negociatat e vazhdueshme me kompaninë e përzgjedhur për zbatimin e këtyre projekteve”, – ka thënë ditën e shtynë zëdhënësja Drilona Hoxhaj.

 

Dule: Zgjedhjet e 23 qershorit më të rrezikuarat nga militantët e partive

Krerët e partive të vogla parlamentare në vend kanë filluar të ngrenë pikëpyetjet e tyre në lidhje me procesin zgjedhor të 23 qershorit. Kreu i PBDNJ-se Vangjel Dule ka folur nga Korça në lidhje me zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Sipas Dules zgjedhjet që pritet të zhvillohen janë zgjedhjet me të rrezikuara se ato të mëparshme. Ai u shpreh se në Shqipëri nuk ka pasur ndonjëherë zgjedhje të lira dhe të ndershme.  Shkak për këtë sipas kreut të PBDNJ-së janë bërë militantët e partive që kanë dëmtuar gjithmonë procesin zgjedhor në vendin tonë. Aktualisht partitë parlamentare por jo vetëm, kanë filluar takimet e tyre intensive me elektoratin duke prezantuar programe dhe platforma qeverisëse.

 

Olldashi, Ramës: Si ëma e Zeqos kur binte nga maja e thanës

Ministri i Transporteve Sokol Olldashi ironizoi dje deklaratat e kryesocialistit Rama për ndërtimin e rrugëve në vendin tonë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. “Të themi të vërtetën, llafosi si e ëma e Zeqos kur binte nga maja e thanës. Por, të paktën, ai ishte zbavitës mbrëmë, si gaztor. Tregoi llogje me shumë se Portokallia. Fati i zi i atyre që ishin mbledhur të molloiseshin me të e që prisnin që z.Rama të fliste me mend në kokë e jo me gisht në “tunel”. Nuk është humor, që rrugët kanë krijuar 45 mijë vende pune çdo vit, dhe me lejoni të jem i qarte me z.Rama. Ne kemi krijuar 58 mijë vende pune në infrastrukture, çdo vit, edhe pse z.Rama i detyroi deputetet e vet të votojnë kundër financimit të çdo projekti. Sepse, sic e beri krejtesisht te qarte, z.Rama mendon se rrugët nuk sjellin vende pune, ai i trajton rrugët si barcaleta. 10 mije km rruge dhe qytetaret qe udhëtojnë ne to, nuk janë barcaleta. Keto rruge tashme janë prekur nga qytetaret, te cilët e ndjejnë impaktin e tyre, duke u mundësuar hapjen e bizneseve te reja, shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe hapjen e tregjeve te reja për fermerët, manifakturën dhe gjithë sektorin prodhues te vendit”, deklaroi Olldashi. Ndërkaq, kryesocialisti Rama dy ditë më parë ironizoi gjithashtu pretendimet e qeverisë për ndërtimin e 10 mijë km rrugë dhe krijimin e mijëra vende pune. “Duhet të pranojmë këtë që të pranojmë pastaj të diskutojmë gjithë këto vende pune që kanë hapur përgjatë rrugës Tiranë Tokio. Madje, madje, këta në qoftë se kanë bërë 10 mijë km, iu mbeten dhe 1 mijë e ca që ta shpojnë tokën dhe të dalin nga ana tjetër. Se diametri i tokës është rreth 12 mijë. Meqë i kanë bërë këto edhe në këtë kohën e mbetur t’i bënin dhe ato dhe të iknin andej e të mos na dilnim më përpara, nder të madh do t’i bënin këtij populli. E dini se ku i bie të dalin po i shpuan edhe këto kilometrat e mbetur, në Honolulu. Tamam aty ku mund të dalësh kur je vërtetë i dyti në botë për zhvillimin ekonomik dhe kur je në garë me Kinën”, – ka thënë Rama nga qyteti i Korçës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency