Gjergj Buxhuku: Qumështi shqiptar, i sigurt, skandali i bërë publik, për efekt konkurrence

0
135

Driçim Çaka

gjergjDominimi i tregut në Shqipëri dhe rajon nga qumështi shqiptar, arsyeja kryesore e publikimit të një skandali që nuk ekzistonte

 

“Në të gjitha rastet e analizave të kryera në të gjithë laboratorët brenda dhe jashtë Shqipërisë, Kosovës dhe BE doli se niveli i aflatoksinës ishte disa herë me i ulët sesa niveli i rrezikut të vendosur në SHBA, Kanada, Australi etj.” Kështu shprehet në një intervistë për gazetën “Standard” Gjergj Buxhuku, administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë. Buxhuku vlerëson se skandali i qumështit është vetëm një spekulim për efekt konkurrence dhe se qumështi shqiptar nuk ka asnjë rrezik. Sipas administratorit të Konfindustrisë, kompanitë konkurrente me qumështin shqiptar, duke parë se po humbnin pjesën më të madhe të tregut në Shqipëri dhe në rajon, publikuan këtë skandal, me shpresën se do të dëmtonin qumështin që prodhohet në vendin tonë.

 

Z. Buxhuku, si e vlerësoni publikimin e analizave të qumështit shqiptar në Kosovë? A mendoni së është bërë për efekt konkurrence?

 

Para disa ditësh u bë një përpjekje e pastër e mirorganizuar për asgjësimin e industrisë shqiptare të qumështit. Asgjësim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nëse vlerësojmë në tërësi, kuptohet lehtë se shkaku i sigurisë ushqimore nuk qëndron në asnjë element. Sa më sipër, është e lehtë të kuptohet, nëse vlerësojmë se në të gjitha rastet e analizave të kryera në të gjithë laboratorët brenda dhe jashtë Shqipërisë, Kosovës dhe BE doli se niveli i aflatoksinës ishte disa herë me i ulët sesa niveli i rrezikut të vendosur në SHBA, Kanada, Australi etj. Kuptohet, që askush nuk vë në dyshim standardet e sigurisë ushqimore në vendet e mësipërme.

Mendoni se Kosova e ka nxjerrë lajmin për të favorizuar prodhimin vendas kundrejt prodhimit shqiptar?

Rreziku i sigurisë ushqimore nuk qëndron në prodhimin e alarmit mediatik, që çoi pothuaj në rrezik falimentimi industrinë e qumështit të paketuar afatgjatë të Shqipërisë. Në thelb, industria shqiptare u bë viktimë e politikave tregtare ndërmjet vendeve të zhvilluara të botës. Në betejë të ashpër tregtare janë vendet e BE-së, që e kanë standardin e lejuar të aflatoksines fiks 10 herë më të ulët sesa SHBA, Kanadaja dhe Australia dhe që e sigurojnë nëpërmjet një subvencionimi, që në tërësinë e tij vetëm nga Komisioni Evropian e ka të përvitshme në mbi 40 miliardë euro. Kjo bën që faktikisht prodhimi i qumështit afatgjatë nga SHBA-ja etj. të mos lejohet të hyjë në tregun e BE-së.

Pse u “shpik” alarmi i qumështit?

Kompanitë e vendeve të BE-së, duke spekuluar me standarde të tilla e kanë mjaft të lehtë të pushtojnë tregjet e vendeve që janë të përfshira në proces integrimi, sikurse është Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe më tej. Pikërisht këtu qëndron edhe viktimizimi i industrisë së qumështit të Shqipërisë. Pra, kompanitë importuese të BE-së, të ndodhura përballë faktit që kanë humbur në më pak se 4 vjet më shumë se 50% të tregut në Shqipëri dhe Kosovë nga investimet prej miliona eurosh në teknologjinë më të përparuar të kohës nga investitorët vendorë, ishin nxitës të alarmit për qumështin.

AKU doli me dy deklarata të ndryshme. A duhet të priteshin më parë analizat nga një laborator i specializuar, përpara se të jepej alarmi?

Mësimi më i rëndësishëm nga alarmi spekulativ i industrisë shqiptare të qumështit është që institucionet shqiptare duhet të jenë të ndërgjegjësuara për betejën tregtare, që sa vjen dhe vështirësohet ndërmjet të gjitha prodhimeve vendore dhe prodhimeve të importit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency