Raporti, problem trafiku rutinë i drogës në kufi duhet të hetohen grupet

0
140

Elton Qyno

llallaAdriatik Lalla, kritika Krimeve të Rënda: Mos kapni korrierët

Kryeprokurori i bën analizë punës së Ina Ramës. Rritet korrupsioni

 

 

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka njohur deputetët e Shqipërisë me punën hetimore që ish-kryeprokurorja Ina Rama ka bërë gjatë vitit 2012 në ushtrimin e ndjekjes panele. Llalla në raportin vjetor mbi gjendjen e kriminalitet ka vlerësuar me nota optimiste punën e Ina Ramës, ku ka renditur se gjatë vitit 2012 organi i prokurorisë ka hetuar 36 mijë 492 procedime për vepra penale të ndodhura, ku përfshihen procedimet penale të regjistruara si dhe kallëzimet penale të depozituara në organin e prokurorisë. Nga këto, janë ndjekur 27 mijë 626 procedime penale, duke sjellë një rritje prej 10,61 për qind në krahasim me punën e vitit 2011. Ndryshe nga raportet e tjera, në raportin e përpiluar nga kryeprokurori Adriatik Llalla, nuk konstatohet asnjë vërejtje ndaj inspektimeve të vazhdueshme të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe punës hetimore dhe operative të Policisë së Shtetit. Në raportin prej 257 faqe, s’ka asnjë kritikë ndaj këtyre institucioneve, gjë e cila mund të ketë sjellë dhe rritjen e bashkëpunimit mes tre institucioneve të drejtësisë. Kritika janë bërë në drejtim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që sipas Adriatik Llallës, kjo prokurori duhet të kryejë hetime proaktive kundër grupeve kriminale dhe të mos mjaftohet me rastet aksidentale të kapjes së drogës në kufi, ku në shumicën e rasteve ndalohet vetëm korrieri. Në faqet e raportit, problematike nënvizohet rritja e numrit të vrasjeve të rënda, krimeve kundër pronës, dhe tendenca e rritjes së numrit të një sërë veprash penale, përfshirë dhe korrupsionin. Ndërkohë që për sa i përket mosfillimeve të procedimeve, gjatë vitit 2012 numri kap shifrën 8866 procedime, që do të thotë rritje prej 13.76 për qind në krahasim me vitin 2010.

Problem, trafiku rutinë

Cilësia e referimeve për hetimet proaktive vazhdon të përbëjë një problem, sidomos në drejtim të nivelit të aktivitetit kriminal të referuar apo të subjekteve të përfshirë në të, i cili kufizohet në rastet e trafikimit rutinë, larg nivelit të krimit të organizuar. Përbën një problem fakti se nuk shënohet rritje të shifrave që lidhen me hetimin e grupeve të strukturuara apo organizatave kriminale të përfshira në trafikimin e lëndëve narkotike. Dallohet nga shifrat se ndonëse numri i përgjimeve telefonike, ambientale apo autorizimeve për kryerjen e veprimeve të posaçme hetimore ka qenë i konsiderueshëm, rezultate nuk janë shënuar. Kapjet e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në pikat e kalimit kufitar, në mënyrë krejt rastësore, edhe në sasi të konsiderueshme, tregon se përmasat e fenomenit vazhdojnë të mbeten shqetësuese. Kjo panoramë ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në hetimet pasurore, pasi subjektet e hetuar, më së shumti korrierë, shpesh rezultojnë pa prona, llogari bankare dhe pa veprimtari biznesi.

Duke vlerësuar këtë situatë, realizimi i këtyre objektivave për vitin 2013 mbetet një sfidë, pasi përveç angazhimit maksimal, kërkohet një angazhim shumë më i madh nga strukturat e Policisë së Shtetit në luftën ndaj krimit të organizuar, si në nivel organizativ, ashtu edhe në vënien në dispozicion të burimeve të duhura njerëzore e teknike.

 

Korrupsioni në rritje

Sipas raportit vjetor në vitin 2012 ka një rritje prej 28,12 për qind të numrit të procedimeve të regjistruara për vepra penale kundër korrupsionit, në krahasim me vitin 2011. Ndërkaq ka rritje prej 52,38 për qind të procedimeve të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2011. Në lidhje me të pandehurit, për këtë grup veprash penale, vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2011 prej 125,80 për qind, një rritje të numrit të të pandehurve të cilët i janë dërguar gjyqit prej 79,41 për qind dhe ka rritje të numrit të të pandehurve të dënuar nga gjykata me 45,83 për qind përkundrejt vitit 2011. Në lidhje me të pandehurit për këtë grup veprash penale, nga të dhënat statistikore vihet re se gjatë vitit 2012 në total janë 88 të pandehur në hetim ndërsa në vitin 2011 në total kanë qenë 80 të pandehur në hetim. Pra, edhe në këtë tregues vihet re rritje prej 10 për qind e të pandehurve në hetim në vitin 2012 në krahasim me vitin 2011.

Rriten vrasjet

Ka një tendencë në rritje të vrasjeve në rrethana rënduese, të cilat nga 46 procedime në vitin 2011, ka shkuar në 72 procedime në vitin 2012. Konkretisht, në të gjithë vendin janë regjistruar 107 vrasje, nga të cilat 23 në Tiranë. Ka pasur 65 procedime vrasje me paramendim, 7 në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme, 9 vrasje nga pakujdesia dhe 65 procedime për shkaktim vetëvrasjeje. Janë ulur vrasjet me paramendim, ku në Tiranë janë regjistruar 11 vrasje të tilla dhe pas saj vjen Lezha me 8, me nga 7 Shkodra dhe Fieri. “Në këtë grup veprash penale vihet re tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara, për veprën penale të parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal “Vrasja në rrethana rënduese”, në vitin 2012, prej 56,52 për qind në krahasim me vitin 2011.

 

6 me shkelje

 

Gjithashtu, është vendosur për të filluar procedimi disiplinor për 6 prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit. Në përfundim të procesit disiplinor nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm janë dhënë 4 masa disiplinore “Vërejtje”, 1 “Vërejtje me paralajmërim” dhe një masë “Ulje në detyrë” për 18 muaj.

 

 

Hetime për ish-zyrtarët me imunitet

Llalla: Prioriteti në 2013, lufta

ndaj korrupsionit dhe prokurorëve

 

Një ndër prioritet e kryeprokurorit Adriatik Lalla gjatë punës së tij në vitin 2013 është lufta kundër korrupsionit dhe ndëshkimi i zyrtarëve që dikur ishin të mbrojtur nga imuniteti. Një premtim i tillë, radhitet në vendin e dytë të prioriteteve të kryeprokurorit Llalla, i cili duke përmendur 7 njësitë antikorrupsion task-forcë, thekson se zbatimi me efikasitet i ndryshimeve kushtetuese, në lidhje me kufizimin e imunitetit në nivelet e larta të zyrtarëve publikë dhe gjykatësve, është parë jo vetëm si një pengesë themelore për të hetuar rastet e korrupsionit në Shqipëri, por edhe kontribuon në publikun e gjerë të perceptimi i mosndëshkimit të vazhdueshëm të disa anëtarëve të shoqërisë në këtë fushë. “Në kuadër të luftës kundër korrupsionit edhe në radhët e vetë prokurorëve, theksojmë se do të jetë për vitin 2013 pjesë e prioriteteve tona. Në këtë drejtim kemi hapur një adresë elektronike në faqen zyrtare të internetit të Prokurorisë së Përgjithshme, adresa denonco@pp.gov.al nëpërmjet së cilës ftojmë të gjithë qytetarët që kanë informacione për abuzime të prokurorëve dhe të zyrtarëve të tjerë në çdo institucion publik, të denoncojnë në këtë adresë postare duke siguruar ruajtjen e konfidencialitetit dhe ndjekjen e shqetësimit të tyre me përparësi dhe korrektesë maksimale”, – thuhet në njërin prej prioriteteve të kryeprokurorit Llalla.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency