Berisha rrëfen Tre muaj politikan, pse e ftoi në suitën e hotelit Lady Thatcher

0
189

berishaSpeciale/ Londra, kryeqyteti britanik prej nga dolën mbrojtësit dhe këshilltarët e formimit të shtetit shqiptar; mesazhi politik i kryeministrit shqiptar

 

 

 

 

Personalitete britanikë si Aubrey Herbert, Edith Durham e të tjerë këshilltarë më të shkëlqyer, më të rëndësishëm të qeverisë së Kongresit të Lushnjës, patëm të tjerë të cilët ndihmuan fuqishëm ndërtimin e institucioneve në këtë shtet. Edhe ata që erdhën gjatë Luftës së Dytë Botërore i përkisnin elitës së kombit të madh anglez. Ata të gjithë kanë shkruar libra dhe monografi, më të mirat që mund të jenë shkruar ndonjëherë për shqiptarët

 

 

 

“…Politika ndërkombëtare është edhe personale” – këtë prognozë të komunikimit politik, si e vërtetë e pamohueshme, Kryeministri Sali Berisha e solli një ditë më parë në kontekstin e një historie të veçantë të kauzës shqiptare, mbrojtur nga një kolonel britanik në momentin më të vështirë, viti 1913. Bëhet fjalët për Aubrey Herbert, pasardhës i një prej familjeve më të larta, më fisnike të aristokracisë britanike, me gjak mbretëror indian, i cili do të niste karrierën e tij si atashe ushtarak nderi i Britanisë së Madhe në Stamboll. Rasti e sjell që të ketë pranë një shqiptar, Qazim Kukelin, për të cilin ky fisnik britanik ushqeu ndjenjat dhe respektin më të madh për virtytet e tij… Ka mjaftuar kjo nyjë lidhëse për ta sjellë kujtesën historike në ditët e sotme, dhe pse kolonelit britanik iu mohua për 45 vjet kontributi për mbrojtjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që sot vjen në shqip e përmbledhur në ditarë, fjalime, letërkëmbime, publicistikë në librin “Miku i madh i shqiptarëve, Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme”, botimet “Via Egnatia”, përkthyer nga Kastriot Myftari, shoqëruar me parathënie të ballkanologut, historianit të njohur Noel Malcolm.

Në fakt, Berisha e çon mendimin e tij në këtë rastësi njohje me botën shqiptare prej Aubrey Herbert, për të rikujtuar politikën britanike për Shqipërinë; si rast për të “rehabilituar” mohimet që shfaqen rrugëve të kryeqytetit, me një prej historive të tij më të prekshme, fillimet kur u bë politikan. Asosacioni i Kryeministrit nuk niset rastësisht nga thëniet e një prej personaliteteve më të shquara të politikës së sotme, kur përmend se “politika ndërkombëtare është edhe personale”, sado që përcillet jo fort e këndshme.

Këtë kontekst Kryeministri si duket e sheh në raporte të pazgjidhshme po aq individuale për të ardhur më pas në njohjen reale, e për të shkuar tek mbrojtja e kauzës, si në rastin kur baronesha angleze e ftoi në suitën e saj, duke e pyetur për “kasapin e Ballkanit!”

E dëgjojmë këtë rrëfim për herë të parë. Ja çfarë ka kujtuar Kryeministri në fjalën e tij: “Kam pasur fatin të takoj në muajt e parë të karrierës time si politikan një prej Kryeministrave më të fuqishëm të kohërave të Mbretërisë së Bashkuar dhe ishte Lady Thatcher. Në atë suitën e hotelit, ku u organizua takimi, unë isha politikan prej tre muajsh. Baronesha Thatcher më drejton një pyetje: më thuaj, si po i terrorizon ai kasapi i Ballkanit vëllezërit e tu në Kosovë?”

Si për të tërhequr vëmendjen se çfarë favoresh historike krijohen nga këto lidhje, konkretisht duke ndjekur se si politika britanike ka lëvizur për vendet e Ballkanit, qartazi për Shqipërinë, Berisha tregon se “tre apo katër vjet më vonë takova, tashmë jo në një hotel, por në zyrën e tij, pasardhësin e saj, përgjigja e tij për mua ishte: Sali, unë pyes Alenin (një diplomat shumë i nderuar i Foreign Office) se çfarë do të më thotë ai për Ballkanin. Ndërsa më vonë do të vinte, në këtë vend dhe komb të madh, një Kryeministër, një luan britanik i vërtetë që do të realizonte se në ato vite të fillimit të shekullit ndaj shqiptarëve ishin bërë padrejtësi të mëdha dhe të pamerituara, si dhe do të udhëhiqte vendin e tij, për të mos thënë edhe në tërësi Evropën, në një betejë për çlirimin e shqiptarëve”.

Takimi për të cilin u mblodhën një ditë më parë historianët, studiues e politika ishte pikërisht nderimi i figurës së lënë në harresë për 50 vjet, Aubrey Herbert.

Në të kundërt çfarë po përgatitej në konferencën e Londrës, për këtë fisnik anglez, Kryeministri nuk rezervon fjalët dhe ballafaqimin historik në periudhën më të rëndë për Shqipërinë: “Ne nuk mund të gjejmë në historinë tonë një personalitet më të përkushtuar në mbrojtjen e këtij kombi sesa Aubrey Herbert, i cili përdori të gjithë lidhjet e tij të fuqishme politike, familjare, përdori zërin e tij në Parlamentin britanik, themeloi Komitetin Shqiptar në momentet më kritike, kur e kuptoi që Konferenca e Londrës nuk po mblidhej për të mirën e shqiptarëve, përkundrazi, Konferenca e Londrës në aparencë qëllimet i kishte të drejta, por në fakt kjo Konferencë nuk po bënte asgjë tjetër, vetëm po legjitimonte natë pas natë, javë pas jave, copëtimet dhe pushtimet që fqinjët i bënë Shqipërisë në Luftën e Parë Ballkanike”.

Çfarë vihet si kontribut përfaqësues për Shqipërinë ka emrin e përbashkët, dashuria britanike për Shqipërinë e reflektuar në kauzë për Aubrey Herbert. Përmes këtij personazhi Kryeministri shqiptar ka lexuar historinë tjetër të ardhur nga Londra e vitit 1913!

“Aubrey Herbert e kuptoi menjëherë se kjo luftë nuk kishte qëllim tjetër, përveçse asgjësimin e shqiptarëve si nocion politik në trojet e tyre. Ai bëri gjithçka dhe është e drejtë të besosh, në një farë mënyre, se kufijtë aktualë të Shqipërisë, po të përdorim një shprehje franceze ‘shpëto atë që mundesh’, janë një ndër kontributet më madhore të këtij burri të madh. Pse ne mund të mendojmë edhe në këtë mënyrë? Sepse e vërteta është se pas vitit 1913, ato që nuk u realizuan dot në atë vit me përpjekje të jashtëzakonshme u projektuan në ‘15 dhe me përpjekje po të tilla lugubre antishqiptare u projektuan në ‘18, ‘19 për të mos thënë dhe fillimin e ‘20. Ata që thanë se Shqipëria e sotme, kufijtë e saj i dedikohen këtij burri më së shumti, kanë pasur një pjesë të pamohueshme të së vërtetës. Sepse në vitet ‘13 ky fisnik britanik bëri gjithçka që të ndikonte në Konferencën e Londrës, vuri gjithë çfarë kishte në dispozicion të përfaqësuesve të Shqipërisë, u përpoq të prekë ndjenjat kalorësiake të aristokracisë britanike në Robin Hudin shqiptar, Isa Boletinin, dhe thoshte se ai kudo që shkonte bënte një përshtypje të jashtëzakonshme, qyteti ndalonte kur ai kalonte rrugëve”.

Çfarë i bën një njeri historisë dhe çfarë historia i shkakton një kombi duken në relata të kundërta nëse njohja nuk do t’i shërbente të vërtetës, si trashëgimi që lexohet në ditët e sotme. Ky është raporti i ngritur ndërmjet Shqipërisë dhe kolonelit anglez, duke na lënë një “trashëgimi të madhe në Shqipëri dhe në Britani, shkolla, biblioteka, ndihma të tjera të jashtëzakonshme. Shoqata e sotme anglo-shqiptare është vazhdim i shoqatës që themeloi së bashku me Edith Durham”.

Pauza frymëmarrëse e Kryeministrit për të nisur pas këtij konkludimi historik mbi lidhjet me Britaninë dhe personalitetet më pikante të saj, sidomos për ne shqiptarët, është e drejtpërdrejtë: “Në rast se ne nuk patëm Mbretërinë e Bashkuar avokat tonin kryesor në fillimet e shekullit, politika e saj ishte një politikë hezituese drejt Ballkanit, një politikë që e vërteta është se nuk udhëhiqej nga ambicie imperiale në rajon, gjë e cila e shtynte shtetin më të fuqishëm të kohës në Evropë drejt disa kufizimeve, por ne në Britaninë e Madhe patëm miq të cilëve për jetë do tu jemi dhe duhet tu jemi mirënjohës”.

Si duket, Kryeministri nuk kujdeset thjesht të realizojë imazhin shqiptar për britanikët, në momentet e vështira, por të drejtojë vështrimin historik drejt një realiteti që duhet parë ndryshe nga parullat që shfaqen trotuareve të kryeqytetit, në shenjë identifikuese të një kombi. Inkoherenca e kauzave që përdoret sot prej politikës, duket se nuk mbështeten mbi çfarë mund konsiderohet si histori e faktuar vetëm në një plan.

Për këtë arsye rreshtat e Kryeministrit mund të lexohen si qartësi e koshiencë për të vlerësuar kontributin në çështjen shqiptare të miqve britanikë në kohëra, duke kujtuar

si Aubrey Herbert, por edhe Edith Durham, “patëm të tjerë për të cilët kushdo që lexon historinë konstaton se ishin këshilltarët më të shkëlqyer, më të rëndësishëm të qeverisë së Kongresit të Lushnjës, patëm të tjerë të cilët ndihmuan fuqishëm ndërtimin e institucioneve në këtë shtet. Edhe ata që erdhën gjatë Luftës së Dytë Botërore i përkisnin elitës së kombit të madh anglez. Ata të gjithë kanë shkruar libra dhe monografi, më të mirat që mund të jenë shkruar ndonjëherë për shqiptarët”. Me ardhjen në shqip të librit “Miku i madh i shqiptarëve, Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme”, është një rast për të parë historinë shqiptare që nga pavarësia, si ndodhi copëtimi i trojeve, masakrat serbe e greke në tokat e pushtuara, ndarjen e kufijve nga komisioni ndërkombëtare apo zgjedhja e Princ Vidit. Mes këtyre ngjarjeve Aubrey Herbert, u bë një avokat i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë duke shkelur në vitet 1907, 1911, 1913 duke ngritur zërin përmes fjalimeve të tij, konsideruar nga historianët nga më të rëndësishme për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Herbert i është ofruar dy herë për të qenë monark i Shqipërisë, por ka refuzuar. Për 50 vjet ky kontribut iu mohua, duke iu harruar emri dhe hequr nga enciklopedia shqiptare, ndaj një ditë më parë takimi me historinë çfarë impakti pati Aubrey Herbert në Shqipëri, u konsiderua nga historianët dhe politika kthimi në vend i nderit të mohuar! Mesazh politik per keto marredhenie sa personale dhe nderkombetare ka qene nje dite me pare ajo e kryeministrit shqiptar, nje rast per ta shprehur ne nderim te kolonelit britanik duke mbrojtur Shqiperine e shqiptaret ne momentin me te rendesishem historik, viti 1913!

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency