Tedi Blushi : Rama, armiku më i egër i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Po shkatërron pronat e qytetarëve, po i hedh në rrugë !

Përmes një deklarata nga selia Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh se pushteti është duke shkatërruar banesat e qytetarëve dhe po vjedh pronën shtetërore.

Ai tha se hedhja në rrugë të madhe e fëmijëve, të moshuarve, burrave dhe grave, që e kemi parë jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë, është një nga krimet më të shëmtuara të Edi Ramës.

Sipas Blushit, Rasti më i freskët është avancimi në mënyrë antikushtetuese të projektit Thumanë-Kashar, që do të shoqërohet me një proces shkatërrimi për pronat e qytetarëve të Bërxullës.

Deklarata e plotë e Blushit:

Shkatërrimi kriminal i banesave, sekuestrimet, zaptimet, dhunimi dhe vjedhjet shtetërore të pronave të ligjshme të qytetarëve dhe bizneseve, në shkelje të hapur të Kushtetutës, të çdo ligji dhe procedure, pa transparencë dhe nëpërmjet terrorit policor janë kthyer tashmë në filozofinë fashiste të kësaj Qeverie grabitqare dhe arrogante, që po mbjell ngado një ndjenjë të lartë pasigurie duke nxitur konflikte sociale të panevojshme dhe vënë në rrezik jetën e dhjetëra banorëve që janë të vendosur të mbrojnë me çdo çmim pasuritë e tyre legjitime!

Hedhja në rrugë të madhe e fëmijëve, të moshuarve, burrave dhe grave, që e kemi parë jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë, është një nga krimet më të shëmtuara të Edi Ramës, i provuar tanimë qartësisht si armiku më i egër i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Rasti më i freskët është avancimi në mënyrë antikushtetuese dhe të dhunshme, të projektit Thumanë-Kashar, që do të shoqërohet me një proces shkatërrimi për pronat e ligjshme të qytetarëve të Bërxullës. Qeveria grabitqare e “Rilindjes” ka zhvlerësuar pronat e ligjshme të qytetarëve dhe ka fryrë artificialisht kostot e investimeve publike sepse prioriteti i saj është vetëm korrupsioni.

Partia e Lirisë, duke shprehur solidaritetin e plotë me këta banorë, që prej muaj protestojnë në mbrojtje të së drejtës dhe shenjtërisë së pronave në tyre, i bën thirrje Qeverisë të tërhiqet menjëherë nga çdo përpjekje kokëfortë dhe procedurë antikushtetuese, që synon shkatërrimin me dhunë të pronave private të qytetarëve, por të garantojë një zgjidhje të drejtë dhe objektive siç Kushtetuta e parashikon, me transparencë, konsultime dhe mjete demokratike!

Partia e Lirisë vlerëson me objektivitet kërkesat e drejta të këtyre banorëve dhe mbështesim plotësisht shqetësimin shumë të madh të tyre se Qeveria po planifikon t’u shkatërrojë pronat me forcë dhe presion, duke u premtuar në ajër kompensime të padrejta dhe qesharake financiare.

Shkatërrimi i paligjshëm i pronave të qytetarëve në mënyrë flagrante dhe klienteliste për të favorizuar interesat mafioze të Edi Ramës dhe Qeverisë së tij tashmë është damkosur edhe me vendime gjykatash, të cilat i kanë cilësuar të padrejta shumë aksione të Inspektoriatit famëkeq të Mbrojtjes së Territorit. Keqpërdorimi i IKMT si kamzhik ndëshkues, si mjet shantazhi dhe gjobvënie i Edi Ramës ndaj qytetarëve më të pambrojtur është tregues i arbitraritetit, paligjshmërisë dhe korrupsionit shumë të madh të bandës së “Rilindjes”.

Duke mbjellë pasiguri dhe frikë nëpërmjet dhunës, shkatërrimit, nënshtrimit dhe shpopullimit, “Rilindja” kërkon të qeverisë jo përmes ligjit, por si bandë politike. Ndaj 14 Maji dita më e afërt e ndëshkimit kundër arrogancës, korrupsionit dhe dhunimit të pronave të shqiptarëve nga banda në pushtet.

 

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.