Këlliçi: Trualli i shkollës u tjetërsua për ndërtimin e televizionit të Bollinos!
Deputeti i PD, Belind Këlliçi, gjatë një deklarate për mediat, ka vijuar betejën e tij ligjore dhe politike lidhur me çështjen e Njësisë Nr. 7 në Tiranë, ku është tjetërsuar një truall prej rreth 4,125 metrash katrorë, i destinuar për ndërtimin e një shkolle publike.
Në deklarimin e tij, Këlliçi tha se si pasojë e këtij zhvillimi, komuniteti i zonës dhe rreth 70 mijë banorë janë privuar nga një institucion arsimor, ndërsa në vend të shkollës është ngritur një objekt që lidhet me një televizion.
Ai u shpreh se çështja ndodhet prej rreth dy vitesh në proces gjyqësor dhe se pala tjetër, përfshirë gazetarin Carlo Bollino, nuk është paraqitur rregullisht në seanca. Këlliçi theksoi se në seancën e radhës do të paraqiten prova të reja që forcojnë qëndrimin e mbrojtur prej tij në këtë proces.
Këlliçi: Kemi thuajse dy vite që nga dita e inicimit të padisë, por duke qenë se zoti Bolino ka muaj që nuk vjen më përballë në gjykatë, mendoja se nuk do e shihja më, po i bie që të vijë, të paraqitet në seancën e pajtimit teorikisht në Gjykatën Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit, në të cilën do kemi mundësinë ta dëgjojmë për pretendimet e tij dhe më vjen mirë që kemi mundësinë tani të paraqisim dhe provat e reja dhe qëndrimet e reja që faktojnë katërcipërisht qëndrimet tona politike, publike dhe qytetare që në Njësinë Numër 7 u grabit trualli rreth 4125 metra katrorë, i një trualli që ishte i destinuar për t’u bërë një shkollë dhe u lanë fëmijët dhe banorët e kësaj njësie rreth 70 mijë pa shkollë, për shkak se duhej ngritur një ngrehinë që quhet televizion.
Thënë këtë, më vjen mirë që rekordi im personal mos gaboj 10 me 0 me pafajësi në GJKKO më jepet mundësia ta bëj 11 me 0 dhe me këtë padi. Shumë faleminderit dhe shihemi, Karlo, në seancën e radhës.




