Zbardhen debatet/ Si Balla gënjeu në sallën e gjyqit, tentoi të ndryshojë dëshminë përballë Malltezit
Deputeti socialist, Taulant Balla, gënjeu edhe në sallën e gjyqit ku u thirr për të dëshmuar për dosjen ‘Partizani’.
I pyetur nga Jamarbër Malltezi, ai tha fillimisht se e ka paraqitur padinë si një dëshmitar. Më pas tha se këtë dëshmi e ka paraqitur si anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, Malltezi tha se ai po gënjen pasi në kallëzim thuhet ndryshe.
I pyetur nëse ka dorëzuar të gjithë provat, Balla i bëri bisht pyetjes. Po ashtu ai nuk u përgjigj direkt për ndihmën e marrë nga ish-deputeti socialist, Alket Hyseni.
Balla mashtroi vazhdimisht në seancë edhe në lidhje me mënyrën se si i kishte marrë informacionet për padinë.
Ai gënjeu hapur edhe për çështjen e planit të shpërndarjes dhe kohën e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’.
PJESË NGA PËRBALLJA
Jamarbër Malltezi: A mund të na sqaroni pozicionin tuaj aktual?
Balla: Jam anëtar i Kuvendit të Shqipërisë.
Malltezi: Keni edhe ndonjë funksion tjetër?
Balla: Po, kam funksione politike në Partinë Socialiste.
Malltezi: Në çfarë pozicioni keni qenë kur keni bërë kallëzimin në SPAK?
Balla: Kam qenë sekretar i përgjithshëm i PS-së dhe kryetar grupi.
Malltezi: Pra, nuk keni firmosur si shtetasi Taulant Balla, por si sekretar i përgjithshëm dhe kryetar grupi?
Balla: Kallëzimin e kam paraqitur si dëshmitar.
Malltezi: Deklarimi juaj është i pavërtetë, sepse në kallëzim e keni paraqitur ndryshe. A ka qenë iniciativë e grupit parlamentar të PS-së apo iniciativa juaj personale?
Balla: Kam kryer detyrën si përfaqësues i Kuvendit, sepse kur vihesh në dijeni të një vepre penale, moskallëzimi përbën gjithashtu vepër penale. Deputeti duhet të përfaqësojë interesin kombëtar. Ka qenë një veprimtari e ndërthurur si deputet dhe si kryetar grupi. Nuk ka qenë vendim i grupit parlamentar, por vendim personal i imi.
Malltezi: A janë dorëzuar të gjitha provat bashkëngjitur kallëzimit apo jo?
Balla: Kjo ka qenë një punë hetimore shumëvjeçare. Duke shfrytëzuar ligjin për statusin e deputetit, kam marrë informacion nga institucione të tjera dhe ia kam bashkëngjitur kallëzimit.
Malltezi: Si ua kanë dhënë juve të dhënat tona personale?
Balla: Jam drejtuar institucioneve dhe ato që më janë vënë në dispozicion ia kam dorëzuar prokurorisë. Një pjesë janë marrë zyrtarisht, ndërsa një pjesë tjetër kanë ardhur nga denoncime të qytetarëve.
Malltezi: A e dini kush është “Law Farm Firm”?
Balla: Mund ta kem përdorur për konsulencë ligjore.
Malltezi: E keni angazhuar ju Alket Hysenin?
Balla: Ka qenë deputet. Nuk e kam angazhuar si zyrë avokatie, por mund të jem konsultuar me të.
Malltezi: Deputeti mund të ushtrojë aktivitet privat? Alket Hyseni?
Balla: Nuk e di.
Malltezi: Nga kush iu dha akses studios “H&A Law”?
Balla: Nuk e di.
Malltezi: A ju kanë ngritur shqetësimin për përdorimin e të dhënave private?
Balla: Jam përgjigjur për çdo pyetje që ka pasur prokurorja.
Malltezi: Këtë pyetje nuk jua ka bërë.
Balla: Nuk e mbaj mend.
Malltezi: Bazoheni në prova apo në supozime?
Balla: Kallëzimi ngrihet mbi dyshime. Këto dyshime shoqërohen me disa dokumente, prova mund t’i quajmë, që i janë bashkëngjitur kallëzimit.
Malltezi: Cilat prova konkrete paraqisni dhe në çfarë aspekti korruptiv?
Balla: Nuk ka një vepër më të qartë se kjo, të një aferë të pastër…
Gjyqtarja Ulliri: Qëndrojini pyetjes.
Balla: Bëhet fjalë për mënyrën se si merret prona shtetërore, privatizohet në mënyrë të paligjshme dhe kthehet në përfitim të paligjshëm.
Malltezi: Thatë se i keni marrë vetë provat dhe se procedurat janë bërë brenda 6 muajve, duke qenë se një nga provat ishte dokumenti i kthimit të pronës. Kjo është bërë nga viti 1996 deri në vitin 2007. A mendoni se ky afat është 6 muaj? Dokumentin e dorëzoi dëshmitari me dorën e tij.
Balla: Kemi të bëjmë me një rast kur, në vitin 2007, prona ishte brenda planit të përhapjes. Nga momenti i heqjes nga plani deri në privatizim, gjithçka u bë për 6 muaj.
Malltezi: Kur është hequr nga plani i përhapjes?
Balla: Nga mediat jam informuar mbi deklaratat e ish-funksionarëve të ushtrisë, të cilët kanë qenë kundër heqjes nga plani i përhapjes.
Malltezi: E dini çfarë është plani i përhapjes?
Balla: Plani i ushtrisë është plani mbi pronat e ushtrisë, pra mbi ato prona që i duhen ushtrisë.
Malltezi: E ke marrë vesh nga media dhe nga deklarata e një gjenerali. Për vërtetësinë bazohesh te faktet apo te deklaratat? Kush ka peshë më të madhe: dekreti i Presidentit apo deklarata e një gjenerali në media?
Ulliri: Pyetja nuk pranohet.
Malltezi: Si ka dalë plani i përhapjes, kur ai është dokument sekret?
Balla: Përderisa ju e privatizuat, kjo u mësua. Nuk është hetuar vetëm nga unë, por edhe nga media, ku është thënë se procedura ka ngritur dyshime për abuzim.
Malltezi: E keni parë planin e përhapjes?
Balla: Jo.
Malltezi: Ku e bazoni kur thoni se ka filluar privatizimi në vitin 2008?
Balla: Mbi deklarime publike.
Malltezi: Ku e bazoni?
Balla: Nuk kam koment tjetër.
Malltezi: A jeni në dijeni që Majko dhe Klosi janë shprehur për privatizimin e klubit në vitin 2006?
Balla: Jo, nuk kam dijeni.
Malltezi: A jeni në dijeni për shprehjen e interesit në vitin 2006?
Balla: Po.
Malltezi: Atëherë pse thoni se nuk keni dijeni para vitit 2008, kur vetë pranoni se kishit dijeni?




